BLERIM ÇOÇAJ: EMRAT QË (S)EKZISTOJNË PËR KRYETAR TË KOMUNËS SË PRIZRENIT!

Prizren, 28. 05. 2013 – Mungesa e reformimit të partive politike në Prizren, ka filluar të reflektojë në gjetjen emrave të kandidatëve, që do të konkurrojnë për kryetar të Komunës në zgjedhjet lokale, të cilat parashihen të mbahen në fund të këtij viti. Asnjëra prej partive më të mëdha politike nuk po munden ta gjejnë së paku një emër të përveçëm, që do t’ia sigurojë bindshëm fitoren. Mungesa e gjetjes së emrave është treguesi më i mirë se partitë politike në këtë qytet, është dashur me kohë të përshpejtojnë procesin e reformimit.
Reformim dhe demokratizim, do të thotë inkuadrim cilësor i vlerave të reja, të cilat paraqesin një dimension kryesor dhe të gjerë në kuptimin e konceptit funksional dhe përmbajtësor-strukturor. Mosreformimi i tyre nuk është i thjeshtë dhe as mekanik. Përkundrazi, mendoj se është i ndërlikuar për shumë arsye të “thjeshta”. Nuk është vetëm vertikal, por edhe horizontal. Fatkeqësisht anëtarët e “devotshëm” dhe shumë vjeçar të partive politike në Prizren, reformimin më shumë e kanë parë në aspektin formal se sa në atë konceptual. Ata ende nuk kanë arrit të kuptojnë se partia është institucioni ku qendërzohen njerëzit vizionarë e të kualifikuar në një shoqëri në tranzicion dhe më tej, por të lidhur ngushtë shpirtërisht me njerëzit e thjeshtë. Reformimi i tyre është dashur të fillojë me hartimin e strategjisë së funksionimit dhe inkuadrimin e kuadrove që kanë vizion të qartë për qeverisjen e vendit. Normalisht që hartimi i një strategjie të funksionimit dhe të demokratizimit të tyre kërkon një diskutim të gjerë me “aktorë dhe regjisorë ”. Partitë politike në Prizren, ende reformimin nuk e kanë kuptuar si një proces në lëvizje, në dinamikë, në zhvillim. Një proces të gjatë dhe shumëdimensional, me të njohura e të panjohura. Nuk është dashur që të lejohet që për shkak të mungesës së reformimit, sot të mos gjendet një emër i përveçëm, që do të kishte përkrahjen e qytetarëve, dhe në të ardhmen do të udhëhiqte Komunën e Prizrenit.  “Liderët”e partive politike në këtë qytet nuk duhet të vetëkënaqen me konstatimin se “brenda strukturës së tyre ekzistojnë emrat që do të mund të dalin triumfues në zgjedhjet e ardhshme”. Përkundrazi. Rrethanat politike që janë krijuar pas përfundimit të luftës në këtë qytet na mësuan që përkundër nivelit intelektual e shkencor nuk i plotëson kushtet as minimale të kërkesave të qytetarëve të Prizrenit. Ata treguan se nuk janë menaxherë të mirë dhe aspak viziononar se si t’ia përmisojnë jetën qytetarëve të tyre.

Mungesa e reformimit të partive politike në Prizren, ka filluar të reflektojë në gjetjen emrave të kandidatëve, që do të konkurrojnë për kryetar të Komunës në zgjedhjet lokale.

***
Partia më e madhe (PDK), që aktualisht qeverisë në Prizren, edhe përkundër përpjekjeve nuk ka arrit që të reformohet. Zgjedhjet e brendshme në këtë subjekt politik tashmë janë shndërruar në ‘telenovelë’. Për tetë muaj, Dega e PDK-së në këtë qytet nuk ka arritur deri më sot të zgjedh kryetarin e ri. Edhe pse mbajti zgjedhjet e brendshme, ky subjekt politik nuk ka bërë asnjë hap më të vogël për ta reformuar vetën. Mjafton t’ia lëshosh një sy listës së emrave të anëtarëve të Kryesisë së re. Aty mund të gjesh çdo gjë, por jo edhe reformim. PDK-ja në Prizren, në këto zgjedhje është dashur të reformohet dhe të pastrohet nga njerëzit që me votat dhe besimin e qytetarëve shikuan vetëm si të përfitojnë personalisht. Ky mosreformim, PDK-së do t’i kushtojë shtrenjtë në zgjedhjet e ardhshme, që planifikohen të mbahen në vjeshtë të këtij viti.
***
As LDK-ja nuk ka investuar në reformim. Në këtë subjekt politikë, që për shtatë vite qeverisi Prizrenin, konsideroj se reformimi është dashur të drejtohet më shumë në aspektin konceptual dhe strukturorë. Për dy mandate sa kanë qëndruar në opozitë, këshilltarët dhe anëtarët e LDK-së në Prizren, as minimumin nuk kanë arritur që të përdorin fuqinë opozitare. Atyre duket se gjatë kohës së qëndrimit në opozitë u kishte humbur “busulla opozitare”. Nga mungesa e shfrytëzimit të rolit të opozitës, s’ka dilemë se më së miri i ka shkuar për shtati kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja. Pretendimi i këtij subjekti politik se e kanë dërguar kryetarin Muja dhe pesë zyrtarët e tjerë në Gjykatë nuk është asgjë tjetër përveç një përpjekje sa për të arsyetuar pasivitetin e treguar si opozitë. Një opozitë e mirëfilltë nuk e luan rolin e Prokurorisë apo Gjykatës. Partitë politike dhe organet e drejtësisë, si mision nuk kanë asgjë të përbashkët. Denoncimi për një keqpërdorim të mundshëm, apo shkelje të procedurave ligjore nuk është asgjë më shumë e as më pak se sa një veprim i vetëdijësimit. Edhe një qytetar i thjesht, do të vepronte në këtë mënyrë. Denoncimi i çfarëdo rasti në organet e drejtësisë nuk është vizion politik. Një pjesë e anëtarëve të këtij subjekti politikë, gjatë mandatit si opozitë, po ashtu për t’i ruajtur privilegjet, jo vetëm që nuk e kanë luajtur rolin e opozitës, por përkundrazi pothuaj ishin bërë pjesë të pushtetit. Në momentet më të vështira, Ramadan Muja, shpëtimin e gjente tek LDK-ja. Rruga e reformimit të LDK doli të jetë shumë me gropa. “Testi demokratik” i kryetarit të Degës së kësaj Dege në Prizren, Eqrem Kryeziut nuk pati sukses. Ai deri më tash nuk dha asnjë rezultat. Përkundrazi, mirëpritja e rikthimit të anëtarëve të LDD-ja në LDK, që ishin larguar si rezultat i “testit demokratik”, tregon më së mirë se ai “test demokratik” nuk rezultoi të ketë qenë për reformim të këtij subjekti politik. Kryeziu përkundër dëshirës së tij dhe mungesës së reformimit të partisë do të jetë i detyruar t’i riciklojë njerëzit. Nuk do të jetë ndonjë lajm, edhe nëse vetë do të jetë pjesë e riciklimit për kryetar të Prizrenit. Mungesa e caktimit të një emri për kandidat për kryetar të Prizrenit, tregon se LDK-ja në këtë qytet ende nuk e ka një plan dhe vizion të qartë se si do ta rimarrë pushtetin e humbur me 2007.
Rrugën e dy partive të mëdha, fatkeqësisht e kanë ndjekur edhe partitë e më të vogla që funksionojnë në këtë qytet. Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, pavarësisht që është munduar të jetë një zë opozitar jashtë Legjislativit të Komunës së Prizrenit, deri më tash nuk ka treguar vizion që do t’i dallonte nga subjektet e tjera politike. Kemi dëgjuar shumë zhurmë në luftimin e korrupsionit, por nuk kemi dëgjuar apo parë një platformë politike të tyre se si do ta ndryshonte këtë qasje të qeverisjes, nëse Vetëvendosje! do të vije në pushtet. Veprimet dhe deklaratat e tyre, shpeshherë kanë qenë edhe kontradiktore. Mungesa e gjetjes së një emri për kandidat të Prizrenit, ndërkaq tregon se edhe Vetëvendosje! në Prizren, i ka të njëjtat probleme siç i kanë partitë e tjera politike. Është e paarsyeshme mungesa e gjetjes së një emri për një subjekt politik apo lëvizje që pretendon që dallon nga të tjerët. Pak shpresoj që më këtë qasje Vetëvendosje! në Prizren, mund të arrijë ndonjë rezultat. Koha e zgjedhjeve, pavarësisht që nuk është caktuar, çdo ditë po ofrohet. Lufta për pushtet nuk niset në këtë mënyrë. Pas zgjedhjeve askush nuk ka të drejtë të ankohet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura