DR.JAKUP KRASNIQI: KUSH PO KËRCËNON ATJE, NË BEOGRAD?

 (Prishtinë, 03. 07. 2012) – Politika shqiptare në përgjithësi, sidomos e Kosovës në veçanti, pa zhurmë e deklarime psikoanalitike, por më se seriozisht dhe me vendosmëri duhet marrë të gjitha masat mbrojtëse si për vendin ashtu edhe për popullin e saj. Asgjë nuk guxon t’i mbetet rastësisë. Shqiptarët duhet t’i bashkojnë të gjitha fuqitë dhe energjitë e tyre kombëtare në mbrojtje të atdheut. Kjo pritet nga politika e bashkuar gjithëshqiptare.
Na ishte një kohë kur në Kosovë sundonin skuadriljet e vdekjes, të cilat orkestroheshin nga dirigjentët e shovinizmit serbomadh të Beogradit. Pushtimi serb i Kosovës ndodhi 100 vjet më parë, kur ushtria çetnike e krajlëve të Serbisë pushtoi më shumë se gjysmën e tokave të shqiptarëve (Kosovën, Maqedonin dhe arritën madje deri në Durrës e Elbasan!), duke vrarë e dëbuar me dhunë qindra mijëra shqiptarë, duke djegur e shkatërruar vendbanime të tëra dhe gjithë ç’gjenin përpara. Jo vetëm kaq, por kjo barbari çmendurake e shovinizmit serb ndaj Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare të pushtuara vazhdoi për 87 vjet me radhë (1912-1999). Atëbotë, Fuqitë e Mëdha të Evropës, nën kërcënimin e një lufte përmasash botërore, zgjodhën copëtimin e tokave të shqiptarëve, duke ia lënë Serbisë më shumë se gjysmën e tyre: Mitrovicën, Prishtinën, Bujanovcin, Preshevën, Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Kumanovën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, Ohrin, Manastirin… Pra, qytetet e trojet më vitale të shqiptarëve. Pikërisht në këto troje janë zhvilluar ngjarjet më të rëndësishme për pavarësi në fundshekullin XIX dhe fillimshekullin XX. Por, Fuqitë e Mëdha as me këtë padrejtësi historike, që ua bënë shqiptarëve, nuk arritën t’i shpëtojnë Luftës së Parë Botërore, e cila u shkaktua nga grupe çetnike serbe të Bosnjë-Hercegovinës të nxitura nga qarqet akademike e çetnike të Beogradit, duke mos harruar të përmendim se politika shoviniste serbe më parë i kishte shkaktuar edhe luftërat ballkanike dhe kishte përfituar toka në dëm të shqiptarëve dhe bullgaro-maqedonasve.

_________________________

Qe ky një kapërcim historik në vija të trasha, ndonëse historia e Kosovës dhe e popullit të saj, veçanërisht e shumicës shqiptare, është shumë më e dhimbshme sesa u përshkrua me kaq pak fjalë. Këtë e bëra për t’i rikujtuar ata që si duket i kanë harruar zjarrvënësit e Ballkanit dhe politikat e tyre gjenocidale të ngritura mbi humbjet e përvetësuara. E njëjta ideologji jo vetëm që çoi në fund të shekullit XX në shpërbërjen e federatës jugosllave, por shkaktoi një sërë zjarrvëniesh me katër luftëra: në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë. Për shkak të krizave humanitare të shkaktuara nga ushtria, policia dhe grupet paramilitare serbe, sidomos në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, u imponua edhe ndërhyrja e Aleancës Veri-Atlantike – NATO-s. Komuniteti Ndërkombëtar u detyrua të formojë Gjykatën Ndërkombëtare për dënimin e krimeve ndaj njerëzimit dhe të luftës në hapësirën e ish-Federatës Jugosllave (Tribunali i Hagës), ku janë dënuar një numër i kufizuar i kriminelëve serbë, me në krye kriminelin e padënuar siç do të duhej ta meritonte – Sllobodan Millosheviqin – i cili u vetëvra dhe nuk përjetoi dënimin. Nuk është problem vetëm pse nuk është ndëshkuar gjenocidi serb në përmasat e meritueshme, por fakti se janë trimëruar vazhduesit e asaj politike kriminale deri në atë masë sa guxojnë të rishfaqen sërish ato forca ogurzeza në të njëjten ditë, në ditën e Vidovdanit, ku para 23 vitesh, pararendësi i tyre kishte kërcënuar të gjithë kundërshtarët e tij në ish-FJ me luftë (kujtoni fjalimin e Millosheviqit më 1989 në Gazimestan) dhe lufta ç’është e vërteta edhe ndodhi.

_______________________________
FJALIMI I KRYEKRIMINELIT S.MILLOSHEVIQ – NË GAZIMESTAN, MË 2 8. 06. 1989.

______________________________

Tani, pas 23 vitesh, në Gazimestan kemi një pasqyrë dhe realitet tjetër. Konsumuesit e filozofisë mitomaniste kriminele serbe, me kërkesën e policëve të Kosovës, zhvishnin fanellat me mbishkrime shoviniste. Po këta mitomanë anakronikë bartnin me vete edhe fotografi të kriminelëve të ndryshëm, të gjallë a të vdekur, të dënuar apo të padënuar, madje edhe në procese të pafundme dënimi, pikërisht derisa në Beograd po formohej qeveria serbe, e cila jepte mesazhin se po formohej në ditën e Vidovdanit, në ditën e Betejës së Kosovës kur u ndeshën ballkanasit, në mesin e të cilëve ishin edhe shqiptarët, me ushtrinë e Perandorisë Osmane, të udhëhequr nga Sulltan Murati I, kur edhe pësuan humbje jo se ishte koalicioni i dobët, por se pikërisht serbët dhe Vuk Brankoviq e tradhtuan atë duke lidhur madje edhe krushqi me sulltanin trashëgimtar, Bajazitin! Duke e lënë historinë mënjanë, e cila do të ndriçojë herët a vonë edhe të errëtat dhe falsifikimet, mandatimi i qeverisë së re serbe në ditën e Vidovdanit eurodeputetja Uta Zapf këtë simbolikë do ta quajë: “Çfarë simboli fatal”! Por kësaj simbolike fatale, fatalizmin ia shton betimi i xhandarmërisë serbe një ditë më vonë. Ata përsëri, edhe formalisht, e kanë humbur të humburën: Kosovën, më 1999, nga UÇK-ja dhe NATO-ja. Se do të luftojnë për ripushtimin e Kosovës, për çka edhe betohen publikisht liderët e rinj dhe xhandarët serbë, kjo sigurisht që është një formë e re e kërcënimit për paqen e sigurinë jo vetëm të rajonit, por edhe më gjerë. “Simbolin fatal” të Vidovdanit e çon më tej Xhandarmëria serbe, njësia speciale e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, kur betohet publikisht se: “Pa Kosovën nuk ekziston populli serb. Pa Kosovën nuk ekziston Serbia. Pa Kosovë nuk ekzistoj as unë….”. Ky betim në përmasën e çmendurisë e tejkalon edhe krykriminelin Millosheviq dhe për mostër mund të ketë vetëm “Mein Kampf”-in e të çmendurit dhe të vetëvrarit Adolf Hitler. A thua, do te lejojë Bashkimi Evropian, me vlerat e saja të proklamuara për liri e demokraci, për tolerancë e bashkim diversitetesh, rishfaqjen e nazifashistëve të rinj për përgjakje të reja në truallin e saj?!

__________________________

DËGJONI HIMNIN DHE BETIMIN E XHANDARMËRISË SERBE, (MË 28 . 06. 2012)!

__________________________________

Dikush edhe mund të thotë se kjo është një retorikë nacionaliste për t’i qetësuar shpirtrat e nacionalshovinizmit serb. Natyrisht, nuk mund të përjashtohet as kjo, por pikëpamje të tilla kishte edhe në vitet e para të sundimit të Millosheviqit, ndërsa për efektet shkatërruese të politikës luftarake, të shfaqura më 28 qershor 1989 në Gazimestan, jemi të gjithë dëshmitarë. Betimi i Millosheviqit në Gazimestan për pasoj pati shpërbërjen e FJ-së, nga e cila u krijuan shtatë shtete të lira, të pavarura e demokratike së bashku me Kosovën. Betimi i Vidovdanit, i vitit 2012, a thua do të çojë në shpërberjen e Serbisë shoviniste me Vojvodinën dhe Sanxhakun si dy vende të lira, të pavarura, sovrane e demokratike?!
I thashë këto jo vetëm për t’u njohur me zhvillimet politike tek fqinji ynë, por për t’i nxjerrë detyrat dhe përgjegjësitë tona në raport me ato zhvillime. Ne nuk mund të shtiremi se nuk po ndodh asgjë në rrethin tonë, apo të fusim kokën në rërë si struci për të mos parë e dëgjuar rrezikun që po rishfaqet rreth nesh, para nesh dhe para botës demokratike. Një rrezik do thosha i drejtuar kryekreje kundër vendit tonë, kundër ardhmërisë së fëmijëve tanë. Politika shqiptare në përgjithësi, sidomos e Kosovës në veçanti, pa zhurmë e deklarime psikoanalitike, por më se seriozisht dhe me vendosmëri duhet marrë të gjitha masat mbrojtëse si për vendin ashtu edhe për popullin e saj. Asgjë nuk guxon t’i mbetet rastësisë. Shqiptarët duhet t’i bashkojnë të gjitha fuqitë dhe energjitë e tyre kombëtare në mbrojtje të atdheut. Kjo pritet nga politika e bashkuar gjithëshqiptare.
– Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

________________________________________

SHIKONI KU I KISHTE KUFIJTË – SERBIA, NË GJYSMËN E PARË TË SHEK.XIX!

…. E KU I KA SOT ???!!!

____________________________________

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura