LOZHAT E MASONËVE DHE ILUMINIZMI

LOZHAT E MASONËVE DHE ILUMINIZMI

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 28 Prill 2022

Historianët kanë debatuar shumë për të kuptuar se në çfarë mase rrjeti sekret i masonerisë ka luajtur rol në iluminizëm. Ata pajtohen se liderët e njohur të iluminizmit, si për shembull filozofi dhe iluministi francez Deni Didëro (Denis Diderot, 1713-1784), juristi, sociologu, mendimtari politik dhe filozofi francez Monteskjë (Charles Louis de Secondat Montesquieu, 1689-1755), shkrimtari, historiani, publicisti dhe filozofi francez, Volteri (emri i vërtetë François Marie Arouet, 1694-1778), poeti dhe kritiku anglez, Aleksandër Poup (Alexander Pope, 1688-1744), prozatori dhe poeti anglez, politikan Whig, bir i Sir Robert Volpëul-it, Horis Volpëul (Horace Walpole, 1717-1797), shtetari Whig, i pari kryeministër britanik Sir Robert Volpëul (Sir Robert Walpole, 1676-1745), kompozitori austriak Volfgang Amadeus Mocart (Johann Chrysostom / Wolfgang Amadeus Mozart, 1756-1791), shkrimtari gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832), Mbreti i Prusisë Frederiku II, i quajtur Frederiku i Madh (Friedrich II, 1712-1786), politikani, shpikësi dhe eseisti amerikan Benxhëmin Franklin (Benjamin Franklin, 1706-1790) dhe ushtaraku e burrë shteti amerikan, president i parë i ShBA-së Xhorxh Uashington (George Washington, 1732-1799) – u kanë takuar masonëve.

Sipas perspektivës historike afatgjatë, historiani britanik-polak me famë botërore Norman Dejvis (Norman Richard Devies, Bolton, Lancashire, Angli, 1939 – ) thotë se prej vitit 1700 deri në shekullin XX, masoneria ka qenë faktor i fuqishëm në dobi të liberalizmit në Evropë. Në epokën e iluminizmit është përhapur shpejt dhe është shtrirë në të gjitha vendet e kontinentit. Masoneria kanë qenë tërheqëse posaçërisht për aristokratët e fuqishëm, për politikanët si dhe për intelektualët, për krijuesit artistikë dhe për veprimtarët politikë.

Historiania amerikane, njohëse e shquar e iluminizmit dhe e masonerisë, Margaret Jakob (Margaret Jacob, 1943) thotë se masoneria në epokën e iluminizmit ka përfshirë rrjetin ndërkombëtar të njerëzve të të njëjtit mendim, të cilët shpeshherë kanë qenë në fshehtësi në lozhat e veta dhe i kanë përcjellë programet rituale. I kanë nxitur idetë e iluminizmit dhe e kanë lehtësuar përhapjen e tyre në Britani, në Francë dhe nëpër vende të tjera.

Masoneria, si kredo sistemore me mite të veta, me vlera dhe me sistem  ritualesh ka lindur në Skoci rreth viti 1600. Së pari nisi të përhapet në Angli. Pas kësaj, gjatë shekullit XVIII, nisi të përhapet në tërë kontinentin.

Masonët kanë nxitur rregulla të reja të sjelljes, duke përfshirë edhe të kuptuarit publik të idealeve të lirisë dhe të barazisë, të trashëguara nga solidariteti midis gildëve*: “liri, vëllazërim dhe barazi”. 

Shënim: Gilde, gjermanisht – korporatë, esnaf. Në mesjetë, në Evropën Perëndimore, gildët nënkuptojnë shoqëritë e tregtarëve, të veprimtarëve ekonomikë.

*   *   *

Ushtarët skocezë dhe jakobitët skocezë, idealin e vëllazërimit e kanë përhapur në Evropë, që nuk e ka reflektuar sistemin lokal të traditave skoceze, por institucionet dhe idealet të lindura në Revolucionin anglez kundër absolutizmit mbretëror.

Masoneria ka qenë e përfaqësuar sidomos në Francë. Në vitin 1789 ka pasur mbi 100 mijë masonë francezë, gjë që masonerinë e ka bërë shoqatë më të popullarizuar të iluminizmit.

Masonët kanë treguar prirje për fshehtësi dhe kanë krijuar një sërë ritualesh dhe aktesh të reja. Shoqëri të ngjashme të cilat pjesërisht e kanë imituar masonerinë, u themeluan në Francë, në Gjermani, në Suedi dhe në Rusi. Një prej shembujve kanë qenë “Iluminatet” të themeluara në Bavari në vitin 1776. Ata kanë marrë shumë karakteristika të masonëve, por kurrë nuk kanë qenë pjesë e rrjetit të tyre. Iluminatet kanë qenë grup politik i hapur, ndërsa shumica e lozhave të masonëve, nuk kanë qenë të tilla.

Sipas profesoreshës Margaret Jakob, lozhat e masonëve për punët publike kanë krijuar model privat. Ata e kanë “rikonstruktuar politikën dhe kanë vendosur formë kushtetuese të vetëqeverisjes, në përputhje me kushtetutat dhe me ligjet, me zgjedhjet dhe me përfaqësuesit”.

Me fjalë të tjera, mikroshoqëria e ndërtuar brenda lozhave përbënte modelin normativ për shoqërinë në tërësi. Kjo ka qenë e theksuar sidomos në hapësirën evropiane: Kur në vitin 1730 e më pas janë themeluar lozhat e para, realizimi prej tyre i idealeve britanike, është parë si kanosje ndaj autoritetit shtetëror. Për shembull lozhën e Parisit, në vitin 1720 e më pas e kanë përbërë jakobitët anglezë në ekzil (internim). Madje masonët në mbarë Evropën haptazi kanë anuar kah iluminizmi në përgjithësi. Në lozhat franceze për shembull, fjalia “të bëhem i ndritur, i kërkoj të ndriturit” (të bëhem arsimuar, i qytetëruar, i shkolluar, i edukuar, i emancipuar, i ditur) ka qenë pjesë e ritualeve nismëtare të tyre. Lozhat britanike e kishin caktuar si detyrë “t’i iniciojnë të pandriturit”.

Kjo nuk nënkupton me doemos se lozhat janë joreligjioz, por edhe nuk i përjashton ato nga episodet e kohëpaskohshme të herezisë. Në të vërtetë, shumë lozha e kanë kremtuar Arkitektin e madh, që është term i masonëve për hyjni deiste që e ka krijuar dhe e ka rregulluar gjithësinë sipas rregullave të shkencës. 

Filozofi dhe historiani gjerman, njëri ndër më të mëdhenjtë e shekullit XX, Rajnhart Koselek (Reinhart Koselleck, 1923-2006) pohon se “në kontinent ekzistojnë dy struktura shoqërore që i kanë vënë vulë vendimtare epokës së iluminizmit: Res publica letteraria dhe lozhat e masonëve”. Profesori skocez Tomas Mank (Thomas Munck) thotë: “Edhe pse masonët i kanë nxitur kontaktet ndërkombëtare dhe ndër-shoqërore që në thelb kanë qenë joreligjioze dhe në përputhje me vlerat e iluminizmit, ata vështirë mund të përkufizohen si një rrjet i rëndësishëm radikal dhe reformist”. Si duket, mendimtarëve të iluminizmit, shumë vlera të masonëve u kanë pëlqyer tej mase. Deni Didëro (Denis Diderot) në trilogjinë filozofike-fantastike “Ëndrra e d’Alamberit” (Le reve de d’Alembert, 1769) shqyrton lidhjen ndërmjet idealeve të masonëve dhe iluminizmit, duke e studiuar masonerinë si mënyrë e përhapjes së pikëpamjeve iluministe. Historiania Margaret Jakob (Jacob) thekson rëndësinë e masonëve në inspirimin e tërthortë të mendimit politik iluminist. 

Në kuptimin negativ, historiani francez social dhe i kulturës Daniel Roshe (Daniel Roche, 1935-) e mohon pohimin se masoneria e ka nxitur egalitarizmin. Ai thotë se “barazia e vërtetë e lozhave ka qenë elitare”, kështu që i kanë tërhequr personat me status shoqëror të njëjtë. Prania e fisnikeve në lozhat adoptuese të Francës, që janë themeluar në vitin 1780 e më pas, është bërë në saje të lidhjeve të afërta të atyre lozhave me shoqërinë aristokrate.

Masonët, Revolucioni francez dhe Revolucioni amerikan – Armik i madh i masonerisë ka qenë Kisha Katolike e Romës, kështu që në vendet me shumicë katolike të madhe, si për shembull në Francë, në Itali, në Spanjë dhe në Meksikë, midis kishës reaksionare – siç e quan historiani britanik-polak Norman Dejvis (Norman Richard Devies, 1939 -) – dhe masonerisë së ndritur, kanë ndodhur shumë beteja politike të vrazhda.

Në konceptet e ndikimit të tyre mbi politikën revolucionare, historiani amerikan Robert Rozuell Palmer (Robert Roswell Palmer, 1909-2002) thotë: “Madje edhe në Francë, masonët kanë qenë politikisht naivë, në mos edhe qesharakë” dhe nuk kanë vepruar si grup.

Edhe pse dihet se Benxhemin Franklini (Benjamin Franklin) dhe Xhorxh Uashingtoni (George Washington) vërte kanë qenë masonë aktivë, historianët amerikanë e kanë zvogëluar rëndësinë e masonerisë, si shkak i Revolucionit amerikan, për arsye se urdhri i masonëve ka qenë apolitikë dhe ka përfshirë në radhët e veta, edhe patriotët edhe armiqtë e tyre luajalistë.     

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura