DR.JAKUP KRASNIQI: PROBLEMI NUK ËSHTË TE REKTORI I UP’së, PROBLEMI ËSHTË TE QEVERIA E KOSOVËS!

Prishtinë, 04. 12. 2014 – Nuk ka asnjë dyshim, çdo grupim shoqëror e ka të drejtën për të ndikuar në zhvillimet shoqërore, por krejt çështja është, si të ndikohet e ndihmohet. Kjo e drejtë është edhe e Shoqatave të dala nga Lufta Çlirimtare. Nuk ka asnjë dyshim se jo vetëm shoqatat gjatë gjithë këtyre viteve të pas luftës kanë ndërhyrë në Universitetin e Prishtinës dhe kjo ndërhyrje është bërë nga individë të fuqishëm të UҪK-së, që kanë dëshiruar të “vranë e kthjellin” në Universitetin e Prishtinës dhe në gjithë jetën institucionale në Kosovë!? Prandaj e kemi ketë gjendje, për fatin e keq tonin, jo vetëm në Universitetin Publik.
Unë konsideroj që problemi nuk është te Rektori i UP-së, problemi është te Qeveria e Kosovës, përkatësisht në Ministrin e Arsimit, të cilat janë përgjegjësit kryesor për planifikimin e përgjithshëm shoqëror, si edhe për planifikimin e Arsimit të Lartë.
– A e kanë bërë institucionet në fjalë, planifikimin për regjistrimin e studentëve në Universitetet Publike te Kosovë?
– Nëse e kanë bërë, a e kanë planifikuar edhe numrin e mundshëm të kategorive të përmendura, të cilave më se paku u duhet ky problematizim?
Shoqatat e dala nga lufta çlirimtare, të gjitha kërkesat e veta është dashur ti adresojnë te Qeveria, e cila nuk e ka vetëm përgjegjësinë e regjistrimit të studentëve të kategorive të caktuara, por edhe për të krijuar mundësi të tjera materiale, e mbi të gjitha kushte të duhura për studim, arsim e edukim.

Prishtinë, 04. 12. 2104: Protesta e veteranëve të UÇK’së në oborrin e rektoratit të UP-së.

Nga kjo del se shoqatat është dashur të komunikojnë me qeverinë, kurse Kryeministri e Ministri të bisedonin me Rektorin, gjithnjë mbi bazën e ligjit e të planifikimit dhe mundësive të studimit (kapaciteteve të fakulteteve të ndryshme). Të gjitha segmentet e shoqërisë sonë, se kush në kapacitetet e veta duhet të ndihmojnë Rektorin në ndryshimin e gjendjes në Universitetet Publike, nëse e duam perspektivën dhe zhvillimin e këtij vendi.
Kështu siç kemi vepruar deri më tani, nuk mund të ndryshojmë asgjë. Rektori e ka përgjegjësinë për të menaxhuar me Universitetin, për të krijuar kushte pune e studimi si për studentë ashtu edhe për kuadrin akademik, ashtu si ia jep ligji. Rektori nuk e ka asnjë obligim që tu përgjigjet grupeve të ndryshme të interesit, qofshin ato edhe shoqatat e përmendura. Pra adresimi i problemit duhet të bëhen mbi qeverinë e jo mbi Rektorin e rektoratin. Mbështetja e Kryeministrit në detyrë apo e atij në ardhje, në ketë rast nuk duhet të bëhej përmes rrjeteve social (fb). Kryeministri duhet të veproj konkretisht e sinqerisht!?
Rektori e ka përgjegjësinë për të ndryshuar përmbajtësisht cilësinë e studimeve në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Çdo ndërhyrje për te vazhduar gjendja ekzistuese apo për të përkeqësuar atë në Universitet, nuk i ndihmohet asnjë studenti dhe asnjë kategorie, e më se paku u ndihmohet atyre që kanë kontribuar më se shumti për lirinë e pavarësinë tonë. 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura