GJOKË DABAJ: VËLLEZËRIT FRASHËRI NËN ‘MËSHIRËN’ E SHKËRDHATOKRACISË!

Durrës, 19. 09. 2015: Mbas vdekjes së Enver Hoxhës, më 1985-n, erdhën në pushtet, në Republikën e Shqipërisë, një varg i gjatë shkërdhatash. Për punët e tyre shkërdhatërore ka me mijëra shembuj. Por shembulli i Shtëpisë-muze të Frashëllinjvet në Frashër, është etalon turpi që i rri e do t’i rrijë në ballë ndër shekuj këtij pushteti, monstër përçudnie në të gjithë aspektet.
Ramiz Alia, s’bëri tjetër, veçse zgjidhi brekët dhe ngriti këmbët përpjetë, përballë të gjithë armiqvet të shqiptarëvet dhe të Shqipërisë, duke bërë „gargarë fyti“ me „Enveri ynë, Enveri ynë“. Të gjithë të tjerët, që erdhën pas tij, po edhe krahas tij, qoftë këtu në Republikën e Shqipërisë, qoftë në 5 pjesët e tjera të Shqipërisë, ose ishin vetëvetiu të tredhur, ose i çuan në Hagë, apo diku gjetkë, për t’i tredhur.
Rezultati është: Një fytyrë turpi, e cila do të mbetet në historinë e shqiptarëvet si koha e pazotësisë më skandaloze për t‘i dalë zot vetëvets shqiptarët. (Përkundër përpjekjevet dhe sakrificavet mbinjerëzore të pjesës dinjitoze të këtij kombi.)
– Shqiptarët kishin industri e s’e kanë më. Naftën, kromin, lignitin, hekur-nikelin, bakrin, arin, argjendin, plumbin, o duhet t’ua falin të tjerëvet, ose t’i lënë poshtë malevet, deri sa t’u dalë, prapë një zot i huaj, se për zot vendi as që bëhet fjalë.
– Shqiptarët kishin bujqësi (të paktën këtu, ku dikur ishin zotër të vetëvetes) e tash nuk kanë as bukë, aq sa detyrohen të blejnë miell sërb e miell rus. Kultura më e kërkuar, prodhimi më i preferuar në Perendim, nuk janë më, as vaji i ullirit, as agrumet, as perimet, as mishi e djathi shqiptar, por vetëm kanabis sativa. Këtë mall i kërkon Perendimi Shqipërisë! Përndryshe, pse do ta kultivonim, ne qyqarët?!
– Shqiptarët e kishin një tregti të vetën e s’e kanë më. Tregtarët shqiptarë janë thjeshtë partnerë belbacukë përballë mallrashitësvet të huaj. Fitimet e tyre janë fitime belbacukësh, sado që këtu na shiten si zotër dhe dirigjues fushatash elektorale. Tregtarët shqiptarë janë „trima“ vetëm për të mos ia paguar doganat dhe taksat fiskale shtetit të vet dhe për t’ia shitur mallrat sa më shtrenjtë të jetë e mundur popullit të vet.
– Shqiptarët kishin një ndërtimtari të vetën, jo dhe aq modeste sa ç’mundohen ta paraqesin, e tash ndërtuesit ia kanë hipur njëri-tjetrit, ia kanë zënë frymën tokës-mëmë me betone dhe kanë mbetur me gojë hapët, se nuk u shiten ngrehinat.

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

=====================================

Karakteristikë, nga më shkërdhatëroret e klasës sonë të re kapitaliste, është, se ajo u pasurua në kurriz të popullit të vet. Ndërsa borgjezia e vendevet perendimorë u fuqizua duke rrjepur popujt e tjerë, mënyrë gjithsesi mizorisht antihumane, borgjezia jonë, sigurisht si shtojcë mjerane e borgjezisë së huaj, e rropi dhe po e rrjep popullin e vet deri në shkallën që ai po detyrohet ta braktisë atdheun.
Fillimi i pasurimit të kësaj klase, këtu në Republikën e Shqipërisë, daton që në ditët e të quajturit „eksod biblik“, i cili e la pa mend pjesën mendërisht të cekët e rrjedhimisht të painformuar të botës sonë të sotme. Shoferët (nëpërmjet shoferëvet merrnin pjesën e vet edhe drejtuesit e parqevet të kamionëvet dhe autobusëvet, që ishin të shtetit), dilnin në kryqëzime rrugësh dhe i ngarkonin kamionët apo autobusët me njerëz, për t’i çuar në drejtim të Durrësit apo Vlorës. Ndonëse do të udhëtonin grumbull sipër njëri-tjetrit, pagesa ishte deri në 50 herë më e lartë se në kushte normalë. Nëse ndodhte që dikush t’i ankohej „të zotit“ të mjetit: „Pse kaq shtrenjtë, more vëlla?“, ai e kish të gatshme përgjigjen: „S’kam ç’të bëj. Ky është kapitalizmi.“ Le të ish grua me fëmijë, le të ish fëmijë vetë, paratë do t’i paguante, ose do të zbritej me dhunë nga mjeti i transportit.
Forma e dytë e pasurimit ishte plaçkitja e magazinavet të shtetit që filloi dhe mori hov në kohën e Ramizit, për të kulmuar në katastrofën e rëndë të vitit 1997, e cila prapë e çuditi pjesën tragjikisht të paorientuar të botës sonë të sotme. E çuditi, aq sa ushtarët e forcavet të NATO-s, që i ftoi qeveria shqiptare për të vendosur rregull, pyesnin njëri-tjetrin: „Pse na kanë prurë këtu? Këtu s’ka palë ndërluftuese!“ Shumë prej „bosavet“ që sot i shohim në krye të pushtetit, i kemi parë duke organizuar grupe për plaçkitjen e magazinavet, që koha e Enverit i kish mbushur plot me gjithfarë mallrash.
Pastaj erdhi tregtia me mallra të importuar. Biznesmeni i vendit, e blinte mallin aq sa kish levërdi t’ia shiste biznesmeni i huaj, ndërsa këtu e shiste sa më shtrenjtë të ish e mundur. Për patriotizëm këtu as që mund të bëhej fjalë dhe as që mund të bëhet fjalë sot e kësaj dite.
Kalimi i mallravet, duke mos paguar doganën, zbrazja e arkës së shtetit, duke mos paguar taksat, rrogat e punëtorëvet në nivelin sa më të ulët të mundshëm (relativisht, edhe më të ulët se dikur në kooperativat bujqësore) dhe korrupsioni më çnjerëzor, duke i kërkuar shqiptari shqiptarit, për një vend pune, 5 mijë euro dhe, për një manovrim gjyqësor, jo 5, por 10 e deri 50 mijë, apo edhe më shumë, sipas rastit.
E gjithë kjo nuk mund të emërtohet ndryshe, veçse rrjepje shkërdhatërishte e popullit të vet.
I thashë njëherë një djali që merrej me shpërndarje droge: “A nuk mund të ndikosh sado pak që të paktën në lagjen tënde të mos përdoret droga?” Ai më tha: “Unë dua që sa më shumë të pëdoret droga.” “I ke shokë fëmijërie, more burrë!” “Unë kam nevojë për para”, më tha drogëshitësi. “Jo shok fëmijërie, por edhe vëlla ta kem, në e kërkoftë, unë ia shes drogën.” “Vëllait, a nuk ia jep pak më lirë?” e pyeta me sarkazëm. Ai heshti. Kish tiparet e një njeriu të zgjuar. U mendua pak dhe përsëriti: “Unë kam nevojë për para”.
Edhe në familje, një shumicë e këtyre kapitalistëve tanë të rinj, kështu janë sjellë e sillen. Shkojnë me femra të papërgjegjshme, duke shkelur kurorën dhe duke i tradhtuar e poshtëruar gratë e veta dhe fëmijët e vet dhe, nëse gruaja e tyre shpreh farë pakënaqësie, brenge apo hidhërimi, ata e kanë në majë të gjuhës “arsyetimin”: “Ty, a po të mungon gjë?! Para ke sa të duash! Ç’do tjetër?”
Kështu i thonë virtualisht edhe popullit: “Lirinë e ke, ç’kërkon tjetër?!” S’i thonë dot si gruas së vet “para ke”, por “lirinë e ke”. Njëlloj si atyre femrave, me të cilat flënë nëpër motele.
Dhe mos kujtoni se kanë për t’u fyer apo revoltuar, kur t’i quajmë shkërdhata!
Fytyra e turpit më poshtërues, që pushtetarët shkërdhata ia balsamosën kombit tonë në këto dekada „tranzicioni“, është ajo e kulturës dhe krenarisë sonë kombëtare. Ç’mund të shitej nga kultura jonë, e shitën. Deri edhe gurët prej mermeri dhe afresket e kishavet i shkulën dhe i degdisën. Ç’nuk mund të shitej, e shkatërruan, deri në atë shkallë, sa, për të parë një shtatore mbreti të Ilirisë, të duhet të shkosh në një kazino “patriotike”, dhe për të blerë e lexuar një libër me autor shqiptar, duhet të të ketë „lënë mendja“.
Nga viti 1946 deri në vitin 1989, janë ndërtuar dhe kompletuar me eksponate muzeorë, vetëm brenda kufijvet të Republikës së Shqipërisë, plot 203 muzeume, të mëdhenj ose të vegjël. (Krahaso: Stilian Adhami, Muzeologjia shqiptare, Tiranë 2001, f.320-325). Sa janë sot?! Shkoni dhe numërojini, veç ruani gjakftohtësinë, se mund të sëmureni!
Nën një të këtillë kohë dhe pushtet shkërdhatash, s’ke si ta shohësh ndryshe Shtëpinë e Frashëllijvet, veçse ashtu siç e pamë para 2 a 3 ditësh në televizor. Dhe s’ke si të mos revoltohesh, kur sheh vetëposhtërime të tillë!
Stilian Adhami, i cili e kaloi një jetë të tërë duke u marrë me krijimin dhe rregullimin e muzevet në krejt RPSH-në e më vonë RPSSH, shkruan kështu për Shtëpinë muze të Vëllezërvet Frashëri, siç ka qenë ajo para se ta merrte Shqipërinë në dorë shkërdhatokracia:
„Shtëpia gati dyqindvjeçare e prindërvet të Vëllezërvet Frashëri, kishte vite që ishte rrafshuar përtokë gjatë luftëravet me armiqtë tanë (1914), por Pushteti Popullor e rindërtoi të plotë që nga themelet. Është një banesë dykatëshe me nëntë dhoma dhe dy korridore, një monument historik që përjetëson denjësisht kujtimin e tyre me mesazhet e shumtë që u jep brezavet të sotshëm dhe të ardhshëm nëpërmjet objektevet, fotografivet, dokumentevet dhe materialevet të tjerë shumë të pasur, sepse e denjë dhe e vyer ishte edhe vepra e tyre për Shqipërinë.
Dhoma e parë i kushtohet fshatit Frashër në të kaluarën, dmth deri në fund të shekullit XIX, fshat i cili arriti të kishte deri në 510 shtëpi, 22 lagje e shumë dyqane. E dyta pasqyron Rilindjen dhe mjedisin, në të cilin lindën dhe u edukuan Frashëllinjtë e shquar, prekursorët që ndikuan mbi ta dhe jetën e tyre shkollore. E treta me karakter historiko-etnografik trajton ambientin familjar, që nga paraardhësit e tyre. E katërta është dhomë zjarri (etnografike) me pajisjet përkatëse, siç duhet të ketë qenë në mesin e shekullit XIX. E pesta lidhet me veprimtarinë politike dhe organizative të Abdyl Frashërit. E gjashta trajton gjithë veprimtarinë politike, shoqërore, kulturore, letrare e organizative të Naim Frashërit. E shtata ka të bëjë me gjithë veprimtarinë politike, shoqërore, kulturore, letrare, shkencore e organizative të Sami Frashërit. E teta konkludon me vlerësimet që u janë bërë Vëllezërvet Frashëri në të gjithë drejtimet. Ndërsa dhoma e nëntë ka marrë pamjen e një pinakoteke me piktura, skulptura dhe kompozime gjithfaresh kushtuar këtyre tre vëllezërve pishtarë.
Kjo shtëpi muze ka gjithashtu një arkiv, ndërsa përballë saj janë ngritur në bronx bustet e të tre vëllezërve, që do të qëndrojnë përjetësisht në oborr, për të mirseardhur miqtë e vizitorët.“ (Muzeologjia shqiptare, Tiranë 2001, f.171-172)
Trajtimi, në mënyrën si u muar vesh në media, i Muzeut të Vëllezërvet Frashëri, është simbol përfaqësues i të gjitha të këqiavet që i kanë ndodhur Kombit Shqiptar në këto 25-30 vjetët e fundit. Shërimi vjen VETËM DUKE REFLEKTUAR, shumë seriozisht dhe GJITHANËSISHT.
3 Vëllezërit Frashëllinj janë 3 yje dritëpërjetshëm të Kombit tonë! 3 vëllezërit Frashëllinj janë 3 shenjtorë të Kombit Shqiptar, të cilëvet ka detyrë t’u falet me përvujtni cilido pjesëtar i këtij Kombi! Jo siç u falemi shenjtorëvet mistikë, duke bashkuar të 2-ja shuplakat përpara hundës, por duke e NJOHUR veprën e tyre, duke e LEXUAR veprën e tyre dhe duke PUNUAR që vepra e tyre të na shërbejë.
Por, pa më thoni, sa ministra e deputetë e mbajnë sot mbi tavolinë librin e Samiut „Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet“ ?!
Çajupi nuk tha kot: „Vdiq Naimi, vdiq Naimi, moj e mjera Shqipëri!“ Çajupi ish i krishterë, Naimi ish mysliman. Por që të 2 ishin farkëtues të një përbashkësie që s’e kish parë ndonjë komb tjetër i botës deri atëherë. Cili prej politikanëvet tanë e mban me vete poemën e Naim Frashërit „Dëshira e vërtetë e shqiptarëvet“, kur shkon në takimet ndërkombëtarë? Cili nga ambasadorët tanë i mban mbi tavolinë ato pjesë të Fjalorit Enciklopedik të Samiut që flasin për Shqipërinë dhe poemën „Dëshira e vërtetë e shqiptarëvet“ (që Naimi s’e ka shkruar kot në gjuhën greke) e t’ua tregojë e shpjegojë kolegëvet të vet diplomatë?
Populli ynë këndoi kështu për Abdyl Frashërin: „Abdyl, prishe pasurinë, një barrë flori!“ E prishi Abdyli pasurinë e vet dhe bëri atë që nuk e kishin bërë dot, as të zeztë Bushatas (kara), as Alimavria: I bashkoi në Prizren Veri e Jug dhe shkoi në Berlin, për t’ua mbushur mendjen sundimtarëvet fodullë, etatoegoistë, injorantë dhe shkurtpamës të Evropës, se Shqipëria EKZISTON dhe se ajo NUK DUHET COPËTUAR.
Cili prej biznesmenëvet tanë, produkt i kohës sonë të shkërdhatokracisë, i shpenzoi qoftë edhe 50 cent, për ta penguar e ndalur RIPUSHTIMIN perfid të Kosovës prej të quajturit, SHKËRDHATËRISHT, „asociacion i komunavet sërbe“?!
Kur Evropa dhe SHBA-ja, gjoja për t’iu shmangur një manovre ruse në OKB, kërkojnë që, doemos, të ngrihet një gjykatë speciale, e paparë në ndonjë vend tjetër të botës, negociatorët tanë do të duhej të bënin vetëm 4 pyetje, shoqëruar me arsyetimet përkatës. 1.Edhe slovenët kanë vrarë sërbë, kur ata tentuan të mos e lejojnë Slloveninë për t’u shkëputur. A ka ngritur BE-ja ndonjë gjykatë speciale kundër atyre sllovenëve që kanë vrarë sërbë? 2.Edhe kroatët kanë vrarë sërbë, kur ata tentuan të dalin në det, duke marrë Shibenikun dhe Zarën. Është i njohur botërisht operacioni „Olluja“ i Tugjmanit. A ka ngritur BE-ja apo OKB-ja gjykatë speciale kundë atyre kroatëve që kanë vrarë sërbë? 3.Edhe boshnjakët myslimanë kanë vrarë boshnjakë pravosllavë dhe sërbë, në përpjekje për t’u mbrojtur prej tyre. A u ngrit ndonjë gjykatë speciale kundër atyre myslimanëve që kanë vrarë boshnjakë pravosllavë dhe sërbë? 4.Vietnamezët, në Luftën e Vietnamit, kanë vrarë amerkanë me shumicë. A është ngritur në Vietnam ndonjë gjykatë speciale kundër atyre vietnamezëve që kanë vrarë amerikanë?
Në fund, negociatorët tanë do të duhej të bënin edhe këtë pyetje: Ju, a po doni të na dënoni, pse nuk vramë edhe më shumë sërbë?!
Pas kësaj, këta negociatorë, nëse nuk do të ishin shkërdhata, shkërdhatërisht të shkërdhatëruar, do të duhej të vinin në Kuvendin e Kosovës, t’i thoshin Kuvendit, kështu e kështu thamë, dhe të jepnin dorëheqjen nga të gjithë funksionet, për t’u lëshuar rrugën të tjerë negociatorëve. Edhe negociatorët e tjerë, nëse do t’u binte të shkonin atje, do të duhej të bënin të njëjtat pyetje, duke shtuar edhe këto 2 fjali: Na vjen keq që nuk kemi vrarë edhe nja 5-fish më shumë sërbë, sepse ishin ata që erdhën në tokën tonë. Nuk shkuam ne në tokën e tyre.
Ç’kish për t’u bërë?! Por ajo tashmë ka filluar! Me shqiptarët nuk do të ndodhte asgjë, përveçse ata negociatorë do t’i shpallte heronj populli i tyre. Nuk deshën të jenë heronj. Deshën të mbeten shkërdhata.
Pushtetarët tanë dhe të pasurit tanë, për të kaluar mbrëmje të këndshme, me paidhaqe dhe me dashnore, nëpër motelet në periferitë e kryeqendravet tona, KANË PARA, por NUK KANË PARA për të ndërtuar një rrugë deri te Jerusalemi ynë në Frashër të Dangëllisë!
Nuk po mund pa e shprehë këtu edhe një aspekt tjetër të kësaj së vërtete kaq indinjuese: 3 Frashëllinjtë kanë qenë shqiptarë për nga kombi, por bektashinj për nga besimi. Naim Frashëri shkroi edhe poemën e madhe „Qerbelaja“. Kryegjyshata jonë, ndërkaq, në dekadat e rigjallërimit të bektashizmit ndër ne (edhe me ndihmën e amerikanëvet), ka gjetur PARA për të ndërtuar me dhjetëra teqe anembanë Shqipërisë, 2-fishin a 3-fishin më shumë se ç’i kish dikur, ka gjetur PARA për të bërë ndërtime impozantë këtu në Tiranë, mbledh këtu qindra perspnalitete, u reciton atyre ajete në gjuhën arabe, intonon edhe himnin tonë kombëtar, por nuk e vë fare ujët në zjarr dhe NUK KA PARA për të ngritur në nivelin që i takon Shtëpinë-muze të 3 pjesëtarëvet të ndritur të sektit të vet. Ose të paktën për të kërkuar nga shteti! Pse i janë ngrirë duart dhe shpirti bektashizmit tonë, kur vjen fjala për atdhedashuri të vërtetë?! A kanë farë vlere flamuri ynë kombëtar dhe himni ynë kombëtar në ambientet e odeonit të bektashinjvet, kur Shtëpia e Vëllezërvet Frashësi është katandisur në një çerdhe minjsh e merimangash?!
Në kohën tonë, shkërdhatërisht të shkërdhatëruar, Janullatosi GJEN PARA për të ndërtuar KISHA EKSPANSIONISTE në Grykën e Këlcyrës dhe mu në Përmet, ne NUK GJEJMË PARA, për të mirëmbajtur Muzeun e Vëllezërvet Frashëri, njërin nga tempujt kryesorë e rizgjimit tonë kombëtar!
Në kohën tonë, shkërdhatërisht të skërdhatëruar, KA PARA për manikyr e pedikyr, KA PARA për të shkulur qimet e vetullavet, të llërëvet e të pulpëvet, KA PARA për qërpikë artificialë, KA PARA për tatuazhe gjithfaresh nëpër krahë, në parzma e në shpatulla, KA PARA për të mbërthyer pirsingje, në hundë, në majë të veshëvet e deri poshtë kërthizës, atje ku u kruhet shkërdhatavet, KA PARA për t’i mbledhur me fshesë nëpër dasma e për t’ua hedhur në dajre dajrexhinjvet, por NUK KA PARA, e përsëris: NUK KA PARA për të mirëmbajtur tempullin e 3 apostujvet tanë, shenjtorë të pazëvendësueshëm të të rigjallimit tonë mbi këtë Dhe!

Gjokë Dabaj – 17 shtator 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura