DR.JAKUP KRASNIQI: RRETHANAT QË PËRGATITËN PAVARËSINË E KOSOVËS

Prishtinë, 18. 02. 2014 – (HYRJE) – Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër – burim i konflikteve të reja në Ballkan – Shpërbërjen e Perandorisë Osmane dhe dëbimin e saj nga pjesa dërrmuese e Ballkanit e shpejtuan shumë kryengritjet shqiptare të shekullit XIX dhe sidomos ato të fillimshekullit XX, veçmas ato të viteve 1908-1912, të cilat u pasuan nga dy luftërat e ashpra ballkanike për grabitjen e territoreve të huaja. Në këto luftëra fituan hapësira të reja tokësore në dëm të trojeve shqiptare Serbia, Greqia dhe Mali i Zi. Më të humburit në këto luftëra e ndarje të reja dolën shqiptarët. Shqiptarët pa dyshim qenë humbësit më të mëdhenj, jo vetëm nga luftërat që ishin tepër tragjike, por sidomos nga padrejtësia e vendimeve të Fuqive të Mëdha, të marra në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këtë padrejtësi e ka konfirmuar udhëheqësi i Konferencës, ministri britanik Edward Grey, i cili për marrëveshjen e arritur për kufijtë e Shqipërisë në Londër, thotë: “…në arritjen e kësaj marrëveshjeje çështja e parë thelbësore ishte të ruhej mirëkuptimi midis vetë fuqive të mëdha dhe, në qoftë se marrëveshja për Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë, është bërë puna që është më thelbësore në interes të paqes në Evropë”.(1) Zhvillimet e mëpastajme në Evropën e fillimshekullit XX treguan se nuk ishte arritur më “thelbësorja”, për të cilën dyshonte edhe vetë Grey, pasi një vit më vonë filloi Lufta e Parë Botërore, njëra prej tragjedive më të mëdha botërore. Nuk ka dyshim se Fuqitë e Mëdha në fillimshekullin e kaluar, shqiptarëve u bënë padrejtësinë më të madhe historike. Me këtë çështje do të merret edhe George Fred Williams, ambasadori i SHBA-ve në Greqi e Mal të Zi në vitet 1913-1914, i cili duke e parë vendimin për kufijtë e Shqipërisë do të shprehej: “Ata (oficerët e Fuqive të Mëdha – J.K.), prenë copa me rëndësi nga toka shqiptare dhe ua dhanë fqinjëve… duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes këtyre shteteve(2)”. Pothuajse e njëjta gjë konfirmohej nga Peckham, nënkonsulli britanik në Shkup, i cili i raportonte qeverisë së tij: “Ajo që kam dëgjuar dhe çka kam parë personalisht, e ka thelluar dhe e ka konfirmuar bindjen time se kufiri i caktuar në Londër, duke qenë larg ofrimit të një zgjidhjeje, do të jetë burim i vazhdueshëm i grindjeve”.(3) Të gjithë njohësit e realitetit etnik në Ballkan ishin të bindur se shqiptarëve u ishte bërë një padrejtësi e madhe, e cila nuk mund të zgjidhej pa u vendosur në vend nga drejtësia. Një korrigjim, ndonëse jo i plotë i asaj padrejtësie është bërë në Bisedimet e Vjenës (2006-2007), të udhëhequra nga emisari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisari, ish-presidenti finlandez, i cili (korrigjim) u formalizua në Kuvendin e Kosovës më 17 shkurt 2008 nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve të Kosovës.(4) Ligjshmëria e Pavarësisë së Kosovës u konfirmua në vitin 2010 edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Marti Ahtisari, duke i njohur raportet serbo-shqiptare të dekadës së fundit të shekullit XX, ishte bindur për padrejtësinë historike që u ishte bërë shqiptareve, prandaj ai ishte i vendosur për t’i bërë një korrigjim padrejtësisë historike të Konferencës së Ambasadorëve në Londër.

Konteksti ndërkombëtar i shpalljes së pavarësisë se Kosovës më 17 shkurt 2008
Viti 1989 paraqet një kontekst specifik ndërkombëtar: tërheqja e BRSS-së nga Afganistani dhe rrëzimi i Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 (që simbolizonte luftën e demokracisë kundër totalitarizmit), të cilat ishin mesazhe të qarta se përfundimi i Perandorisë Sovjetike do të hapë një proces të ri politik në shkallë ndërkombëtare. Gjithë zhvillimet që ndodhën në vendet e Evropës Lindore, bile dhe përtej tyre, konfirmojnë një gjë të tillë, ndonëse elementet e para kundër totalitarizmit ishin shfaqur në Poloni nga “Lëvizja e Solidarnostit” (1979-1980) dhe në Kosovë nga “Lëvizja Studentore” e vitit 1981, e cila që shndërruar në një Lëvizje për Republikën e Kosovës. Kjo lëvizje pati një mbështetje të gjerë nga politika e Shqipërisë se kohës dhe vendet e demokracisë perëndimore. Sot themi pa hezituar, se ajo lëvizje e bëri bashkë në vlerësime, ndoshta për herë të parë haptazi, politikën e Shqipërisë me qëndrimet e vendeve Euroatlantike. Këtë e konfirmojnë të gjitha raportet e diplomatëve shqiptarë nga vendet e ndryshme të Botës.(5) Dokumentet gjithashtu konfirmojnë se demonstratat e vitit 1981 nuk hasën në ndonjë mbështetje nga vendet e Botës së Tretë dhe ato të ashtuquajtura komuniste.(6) Ky ishte njëkohësisht edhe një sinjal i mirë se nga duhet të ecnin shqiptarët në kthesën e madhe historike që po vinte.
Fundi i vitit 1989 dhe fillimi i vitit 1990 do të shënojë mobilizime të përgjithshme në të gjitha federatat e tipit të centralizuar, të njohura si federata socialiste a komuniste të cilat shpesh quhen totalitare. Pa neglizhuar pasojat në njerëz, gjatë shpërbërjes së BRSS-së, mund të konfirmojmë se shpërbërja e Federatës Jugosllave – totalitare ishte më tragjikja për popujt që e përbënin atë. Federata Jugosllave ishte ajo që pati dëme dhe shkatërrime më të mëdha, si në planin njerëzor, ashtu edhe në rrafshin ekonomik, edhe pse ajo ishte krijuar e mbajtur nga kontributi i gjithë kombeve që e përbënin. Dëmet që iu shkaktuan popujve të Federatës Jugosllave vazhdojnë të jenë të pallogaritshme edhe sot e kësaj dite. Shkatërrimi i ekonomive të këtyre vendeve do të thellohet edhe gjatë periudhës së tranzicionit demokratik, ku krimi e korrupsioni ishin armiqtë kryesorë të rimëkëmbjes ekonomike: Procesi i shpërbërjes juridike të Jugosllavisë nga luftërat dhe referendumet e pavarësisë (dhjetor 1990) – shpalljet e pavarësive të Sllovenisë dhe të Kroacisë (25 qershor 1991), Bosnjë-Hercegovinës (1991), Maqedonisë (1991), çlirimit të Kosovës në qershorin e vitit 1999 dhe Referendumi i Malit të Zi (2006) për shkëputje nga federata e mbetur – Serbia.(7) Në hapësirën e Federatës Jugosllave janë zhvilluar katër luftëra. Republika e Sllovenisë pati fat që ta përmbyllte më së lehti konfliktin e armatosur me Serbinë meqenëse Serbia nuk kishte pretendime tokësore ndaj saj. Serbia me Millosheviqin në krye ishte shkaktari kryesor i të gjitha luftërave të zhvilluara në territorin e Federatës Jugosllave. Ndërsa Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova patën fatin e keq të zhvillojnë luftime më të ashpra me ushtrinë jugosllave, e cila e tëra komandohej nga Millosheviqi dhe klika kriminale e tij. Kosova deri më tani është shteti i fundit që u themelua nga shpërbërja e Federatës Jugosllave (2008). Një fat më të mirë në këtë shpërbërje e patën dy republikat e vogla të Federatës Jugosllave, të cilat në vitet ’80 ishin aleatet më besnike të politikave të Millosheviqit, fjala është për Maqedoninë dhe Malin e Zi.(8) Këto të fundit arritën të shkëputen nga Serbia pa ndonjë konflikt serioz, ndonëse Maqedonia nuk arriti t’i ikte konfliktit me shqiptarët etnikë (ky fakt e bënte aleate me Serbinë), në vitin 2001. Konflikti i armatosur në Maqedoni u mbyll me Marrëveshjen e Ohrit, për të cilën nuk mund të themi se të drejtat e shqiptarëve janë realizuar kënaqshëm, për çka ka lënë shumë çështje të hapura.
Shpërbërja e Federatës Jugosllave pa dyshim që ishte një shpëtim për popujt që e kishin përbërë atë. Shpërbërja filloi në Kongresin XIV të Jashtëzakonshëm të LKJ-së, aty ku komunistët sllovenë, të mbështetur nga kroatët etj., nuk e pranuan diktatin e Millosheviqit dhe të përkrahësve të tij.(9) Kjo shpërbërje pastaj u përcoll me katër luftëra në të cilat palë kryesore ishte APJ, e cila u vu në mbrojtje të politikës serbe. Kësaj shpërbërjeje i ndihmuan edhe dy konferenca ndërkombëtare (e Dejtonit dhe ajo e Rambujesë) dhe bisedimet e Vjenës, të udhëhequra nga emisari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ish-presidenti i Finlandës, Marti Ahtisari. Këto bisedime kishin si qëllim, gjetjen e statusit final për Kosovën. Shpërbërja e Federatës Jugosllave duhej të ishte shpëtim edhe për Serbinë, e cila mbi vete i bart “meritat” më të mëdha për atë shpërbërje, por edhe për të është fatkeqësi se nuk arriti të nxjerrë mësimin e duhur nga regjimi kriminal i Millosheviqit. Mosgatishmëria e politikës së sotme serbe për të nxjerrë mësimet e duhura nga politika serbe e kohës së Millosheviqit po e mban peng paqen dhe sigurinë e tërë rajonit të Ballkanit Jugperëndimor.
Rrethanat që i paraprinë Pavarësisë së Kosovës
Lufta që ndodhi në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, të cilat në ish-Jugosllavi kishin statusin e republikës, për shqiptarët e Kosovës (që më 28 mars 1989 iu ishte marrë autonomia), do të duhej t’u shërbente si mësim, se pavarësia kishte vetëm një rrugë – rrugën e luftës çlirimtare. Zhvillimet që ndodhën në Kosovë në dy dekadat e fundit të shekullit XX, treguan se BE-ja nuk ishte e gatshme ta shpërblente rezistencën paqësore të shqiptarëve që në forma të ndryshme torturoheshin nga aparati shtetëror i Federatës Jugosllave. Vetëm kur në fillim të vitit 1998 filluan luftimet në Kosovë në mes të makinerisë serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, perëndimi, përkatësisht NATO-ja treguan: “interesim të vërtetë për zhvillimet në Kosovë…”.(10) shkruan Marc Weller në librin e tij: “Shtetësia e kontestuar”. Sikur kjo të ndodhte më herët, shqiptarët nuk do ta kishin zgjedhur luftën e armatosur si domosdoshmëri, por këtë mundësi BE dhe NATO nuk e shfrytëzuan asnjëherë (11) para vitit 1998/99, kur Kosovës dhunshëm i ishte marrë autonomia. Partitë politike shqiptare të viteve ‘90 nuk e nxorën mësimin e duhur, ndonëse këmbëngulën në padëgjueshmërinë qytetare. Shikuar nga perspektiva e sotme, ndoshta edhe patën të drejtë. Mirëpo ato ndoqën një rrugë pa kufi, rrugën e mashtrimit e të vetëmashtrimit me besimin se të tjerët do t’ua sillnin në pjatë pavarësinë e formalizuar. Sa më shumë që kalonte koha, pluralizmi politik i shqiptarëve të Kosovës po bëhej dekor demokratik për despotizmin tiranik të Millosheviqit. Madj edhe krijonte iluzionin se çështja e Kosovës do të zgjidhej pa luftë. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë, por ishte tepër e vështirë të ndodhte kjo në kohën e Millosheviqit. Fundja, zhvillimet e sotme në Serbi e konfirmojnë këtë. Në atë dekor demokratik ballin e oxhakut e mbante LDK-ja, e cila pasohej nga partitë e akademikëve dhe të ish-politikanëve, që në një moment edhe u shpërbënë. Kështu, në Kosovë, për pothuajse një dekadë, partitë politike bënë lojën e institucioneve fiktive që dukeshin se po funksiononin. Ishte një funksionim në kushte tepër të vështira të vëzhgimit, të presionit e të dhunës policore serbe. Pasojat e atij funksionimi i shohim edhe sot. Pjesa më e madhe e politikës në Kosovë mjaftohej nga mbështetja morale që e kishin në popull apo edhe nga ndonjë fjalë e mirë që u vinte nga perëndimi. Agonia do të vazhdonte pa kufi, si loja e Tomit me Xherin, sikur të mos dilte në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë institucioni dhe instrumenti i vetëm për realizimin e aspiratës së shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci. Ishte instrumenti i vetëm kundër dhunës që ushtronte pushtuesi serb gjatë dekadave në Kosovë. Drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë meritën historike pse ditën të organizojnë dhunën demokratike kundër pushtuesit, si vlerë për lirinë e popullit të Kosovës me luftë çlirimtare, pse ditën të marrin vendimin e guximshëm për çlirimin e vendit.(12) “Marrja e vendimit në kohën e duhur, – thoshte Thomas Hobbesi, – është diçka e nderuar, sepse është përçmim i vështirësive e i rreziqeve të vogla”.(13) Këtë vendim, formacioni i armatosur i Adem Jasharit e kishte marrë në kohën e duhur, prandaj UÇK-ja është institucioni i Lirisë së Kosovës, i pavarësisë, i sovranitetit dhe i demokracisë së saj. Vendimi që mori Adem Jashari nuk ishte vendim i rreziqeve të vogla. Vendimet e tilla, si ai i Adem Jasharit mund t’i marrin vetëm personalitetet me vizion e integritet të veçantë.
Shfaqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pa dyshim që ishte jo vetëm një ogur i mirë, ajo ishte kushti kryesor, ishte shpresa dhe besimi për lirinë e pavarësinë e Kosovës, ishte kulmi i krijesës së Lëvizjes Kombëtare Klandestine për çlirim të Kosovës. Me krijimin e UÇK-së populli shqiptar i Kosovës kishte gjetur çelësin e çlirimit të vendit, çelësin për të jetuar me dinjitet, çelësin për t’i dhënë lamtumirën robërisë shekullore, kishin gjetur çelësin për mbështetjen ndërkombëtare, për bërjen e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik. Asnjë zgjidhje tjetër, veç luftës çlirimtare nuk do ta sillte lirinë, pavarësinë e demokracinë në Kosovë.
Vetëm lufta çlirimtare e nxori në rend të ditës çështjes së Kosovës dhe e shtroi atë për zgjidhje serioze e të qëndrueshme politike. Sikur vendet e Bashkimit Evropian të bënin një trysni më të fuqishme mbi politikën e Beogradit, gjë që nuk u bë asnjëherë nga viti 1989, ndaj lufta kishte mbetur si domosdoshmëri(14) dhe opsion i vetëm. Këtë, ndoshta edhe më mirë do ta thonë Wolfgang Petritsch dhe Robert Pichler: “Çfarë nuk qe e mundur të arrihej për vite të tëra me protesta paqësore dhe mosbindje qytetare, u arrit brenda pak muajve me anë të dhunës: Kosova u bë qendra e vëmendjes së mediave, për këtë arsye kriza e saj politikisht nuk mund të lihej më pas dore (nënv. im – J.K.)”.(15) Në një mënyre ketë do ta konfirmojë edhe ambasadori amerikan në Shkup, z. Christopher Hill, i cili do të deklarojë: “… askush nuk ishte i gatshëm t’i kushtonte vëmendje Kosovës, përderisa situata nuk eskaloi në dhunë (lexo në luftë – J.K.)”.(16) Ndërsa Marc Weller konstaton: “nuk mjaftonte vetëm vuajtja njerëzore për të nxitur ndërhyrjen ndërkombëtare të nevojshme për ta avancuar kauzën e shqiptarëve të Kosovës”.(17) Ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë do të vijë vetëm atëherë, kur u kërcënua stabiliteti i gjithë rajonit tonë.
Konferenca e Dejtonit e vërteton atë që thamë më lartë, pasi atje u vendos për fatin e tri republikave jugosllave që kishin luftuar (Kroacisë, Serbisë e Bosnjës e Hercegovinës), atje çështja e Kosovës as që ishte shtruar në rend të ditës. Imail Kadare thotë: „në Dejton jo vetëm nuk është folur për Kosovën, por as fjala Kosovë nuk është shqiptuar“(18). Ishte e qartë, në Dejton u shtrua për zgjidhje vetëm çështja e atyre popujve qe luftuan për të drejta, liri e pavarësi. Këtë në mënyrë mjaft të drejtpërdrejt do të konfirmon në kryesinë e LDK-së Shefi i misionit diplomatik të SHBA-së në Beograd Rudolf Perina: „Në Dejton janë ftuar ata që kanë luftuar…“(19) Dejtoni shqiptarëve të Kosovës u dërgonte mesazh të qartë: se rruga e pacifizmit te Ibrahim Rugovës, pra ajo e LDK-së dhe e satelitëve të saj nuk i shpinte përtej Beogradit. Dejtoni konfirmoj se lufta e armatosur u dëshmua mjeti më efikas në realizimin e të drejtës për liri e pavarësi se sa referimi në të drejtat e njeriut e të komuniteteve për të arritur njohjen politike(20). Këtë mesazh e lexoi dhe e kuptoi drejt vetëm organizimi klandestin, e veçanërisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila filloi një ngritje të gjithanshme cilësore, duke shtrënguar radhët e veta në luftën për liri, pavarësi dhe demokraci. Kush e ka përcjellë me vëmendje rritën e saj nuk e ka pasur të vështirë t´i vërej ndryshimet e shpejta cilësore si në planin politik ashtu edhe në atë ushtarak.
Pas UÇK-së një ngjarje tjetër që i ka paraprirë Pavarësisë së Kosovës, pa dyshim që ka qenë Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë për Kosovën, e cila jo vetëm i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s në Federatën Jugosllave (Serbi – Mal i Zi), por do të linte hapur mundësinë që pas tri vitesh të hapej rruga e Pavarësisë së Kosovës. Në kapitullin VIII të Dokumentit Politik të Rambujesë thuhej: “Tre vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, një takim ndërkombëtar do të mblidhet për të përcaktuar një proces për të cilin do të bihet dakord, që të bëhet vendosja përfundimtare e statusit të Kosovës. Kjo do të bëhet në bazë të vullnetit të popullit të shprehur në një referendum (nënv. im – J.K.), opinionit të autoriteteve relevante, përpjekjeve të së cilës palë në lidhje me zbatimin e kësaj marrëveshje, dhe të Aktit final të Helsinkit. Takimi do të marrë një vlerësim të plotë të zbatimit të kësaj marrëveshje si dhe do të konsideroj propozimin e çdonjërës palë për masa shtesë”.(21) Pas përfundimit të Konferencës së Rambujesë dhe të nënshkrimit të njëanshëm të saj nga Delegacioni i Kosovës, me përfaqësuesit amerikanë e evropianë (BE), u hap rruga për bombardimet e NATO-s, të cilat filluan më 24 mars 1999. Këto bombardime sollën për Kosovën dhe qytetarët e saj më shumë sesa parashihej në Dokumentin Përfundimtar të Rambujesë, pasi më 21 qershor 1999 e gjithë makineria policore, ushtarake dhe administrata e dhunshme serbe, u larguan nga Kosova.(22)
Kosovës, pas luftës çlirimtare, përkatësisht bombardimeve të NATO-s, me Rezolutën 1244 iu caktua periudha e Administrimit Ndërkombëtar, e njohur si UNMIK, me kryeadministratorë që ndërroheshin shpesh, të cilët sundonin si mbretër të plotfuqishëm për pothuajse dhjetë vjet (1999-2008). Sido që zhvilloheshin punët në Kosovë, Administrimi Ndërkombëtar ishte i suksesshëm, madje edhe i paprekshëm. Lëvdatat për sukseset ishin të përditshme. Sigurisht që edhe fuqia e tyre qëndronte në fajet e liderëve të pasluftës, që nuk arritën të gjejnë forcë për ndarjen e detyrave mes krahut të luftës dhe atij pacifist, edhe pse Kryeadministratori Bernard Kushner dhe Ambasadori amerikan Hollbruk u propozuan atyre se, “nëse ju kosovarët arrini të formoni qeverinë e përbashkët do t’ua njohim atë”. Kjo nuk ndodhi dhe qeverisja e Kosovës u mbeti në dorë ndërkombëtareve, të cilët nuk u shquan për ndonjë qeverisje. Formalisht kjo ishte një bashkëqeverisje, faktikisht qeverisnin ndërkombëtarët. Të gjithë kryeadministratorët qeverisën në Kosovë mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit,(23) kur në vitin 2001 sikur u zëvendësua nga Korniza Kushtetuese, e cila referencë kryesore e kishte Rezolutën e KS 1244.(24) Jetëgjatësia e Administrimit Ndërkombëtar, në rastin e Kosovës, siç u cek më lart, qe paraparë të ishte trevjeçare, kështu, së paku, ishte paraparë ne Dokumentin Përfundimtar të Rambujesë (mars 1999). Ndërrimet e shpeshta të kryeadministratorëve, përveç të tjerave, ndikuan që administrimi i UNMIK-ut në Kosovë të ishte jocilësor. Madje, ai ishte pengesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe nuk pati ndonjë ndikim pozitiv as në integrimin e komuniteteve pakicë, sidomos të komunitetit serb, në jetën publike e institucionale në Kosovë. Zhvillimi ekonomik i Kosovës “ishte burim i jostabilitetit social dhe politik dhe rigjenerimi i saj nuk mund të arrihet nën status quon e administrimit ndërkombëtar”,(25) do t’i shkruante Presidentit të KS-së Marti Ahtisari pas përmbyllje së Bisedimeve të Vjenës. Shikuar nga ky rrafsh, protektorati ndërkombëtar ka qenë specifik për Kosovën. Në Kosovë, gati një shekull pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, klasa politike duke qenë në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar po i bënte lëshimet e kompromiset e dhimbshme për të ardhur te shpallja e bashkërenduar e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ndodhi kështu se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk arriti ta njohë shtetin e Kosovës me një rezolutë që do ta shfuqizonte Rezolutën 1244 të KS-së së vitit 1999, ashtu siç i kishte propozuar Presidenti Marti Ahtisari. KS-së së OKB-së dhe Sekretarit të Përgjithshëm, ai i pati propozuar që “statusi i Kosovës duhet të jetë pavarësia e mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare”.(26) Edhe pse ai këtë propozim nuk e kishte bërë krye më vete, por pas konsultimeve të gjithanshme me faktorët ndërkombëtarë, sidomos me Grupin e Kontaktit.
Administrimi Ndërkombëtar në Kosovë (UNMIK-u) do të interesohet për ndërprerjen e status quos vetëm pas ngjarjeve të dhimbshme të 16, 17 e 18 marsit 2004, të cilat e hapën rrugën për të vlerësuar seriozisht gjendjen politike e të sigurisë në Kosovë. Për të vlerësuar e raportuar për këtë gjë u caktua Kai Eide, i cili edhe pse prezantoi një raport mjaft negativ për gjendjen në Kosovë, propozoi që t’i hapej rrugë zgjidhjes së statusit politik të Kosovës dhe kjo ishte e vetmja anë e mirë e atij raporti. Ky raport e shtyri Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së që të caktonte një emisar për t’i udhëhequr bisedimet serbo-shqiptare në Vjenë. Para se të fillonin bisedimet, Grupi i Kontaktit, në të cilin merrte pjesë edhe Rusia, i caktuan parimet bazë mbi të cilat do të zhvilloheshin bisedimet. Deklarata i kishte tri parime kryesore: 1. Nuk ka kthim para marsit të vitit 1999; 2. Nuk do të ketë ndryshim të kufijve, dhe 3. Kosova nuk mund të bashkohej me asnjë shtet, që do të thotë, nuk mund t’i bashkohet as Serbisë e as Shqipërisë. Ndërsa teksti integral i këtij parafrazimi është në pikën e gjashtë të Deklaratës së Grupit të Kontaktit, ku thuhet: 6. “Zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të konsolidojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Në këtë mënyrë, kjo do të sigurojë që Kosova të mos kthehet në gjendjen e para marsit të vitit 1999. Çdo zgjidhje që është e njëanshme apo është rezultat i përdorimit të forcës nuk do të jetë e pranueshme. Nuk do të ketë ndryshime të territorit të tanishëm të Kosovës, që do të thotë nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve rajonalë do të respektohet plotësisht”.(27)
Kjo deklaratë u ka hapur rrugë Bisedimeve gati dyvjeçare të Vjenës, mes Beogradit e Prishtinës, nën udhëheqjen e emisarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisarit. Dokumenti përfundimtar ishte dokument i kompromisit, pra nuk ishte vullnet i imponuar i asnjë pale, e më së paku i palës shqiptare (të Kosovës). I gjithë Dokumenti i Presidentit Ahtisari është ndërtuar në frymën e deklaratës që kemi në shqyrtim. Pjesë e dokumentit ishte edhe Rusia, si anëtare e GK-së dhe pjesëmarrëse aktive në të gjitha fazat e bisedimeve të Vjenës. Edhe në bisedimet e Vjenës si në ato të Rambujesë pala ruse e serbe i shtynë kërkesat e tyre në dokumentet përfundimtare dhe në fund nuk i pranuan rezultatet e bisedimeve. A do të përsëritet e njëjta gjë në bisedimet e Brukselit do ta tregojë e ardhmja ketë.
Kornizat që i vendosi Grupi i Kontaktit për Emisarin e Sekretarit të Përgjithshëm, Presidentin Finlandez Marti Ahtisari, ishin parapërgatitje si për propozimin që dha për Këshillin e Sigurimit për mbikëqyrjen e pavarësisë, ashtu edhe për pakon gjithëpërfshirëse të tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Raporti (letrën) që Presidenti Ahtisari ia dërgoi Presidentit të Këshillit të Sigurimit dhe Sekretarit të Përgjithshëm, më 26 mars 2007, përbënte një letër-propozim për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe “Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”. Pas gati dy vjet negociatash të drejtpërdrejta, bisedimesh dypalëshe dhe konsultimesh të ekspertëve dhe pasi u pa që palët nuk mund të merren vesh për statusin e ardhshëm të Kosovës, pasi palët këmbëngulnin në qëndrimet e tyre: pala serbe për një autonomi dhe pala kosovare asgjë më pak se pavarësi. Pra, ishte e qartë se palët nuk do të arrinin ndonjë marrëveshje as për çështje thjesht praktike, edhe pse, ç’është e vërteta, ka mundur të arrihet vetëm një progres fare modest. Kësisoj, Marti Ahtisari e shfrytëzon mandatin e tij për të përcaktuar dinamikën si dhe kohëzgjatjen e bisedimeve, pasi ishte konsultuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm, gjithnjë duke e parë nivelin e bashkëpunimit mes palëve dhe situatën në vend, dhe pa mundësinë që palët me bisedime të arrinin te një marrëveshje e dakorduar. Duke u nisur nga kjo, ai kishte ardhur në përfundimin logjik se asnjë format shtesë i bisedimeve nuk mund t’i nxjerrë ato nga kjo rrugë qorre. Ndaj, Ahtisari ishte i bindur se zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të ishte urgjente. Pasi ai ishte i bindur se duhej një zgjidhje urgjente, kishte ardhur në përfundim se tashmë kishte ardhur koha që të zgjidhej statusi i Kosovës. Ai do të thoshte: “Duke marrë me kujdes në konsideratë historinë e kohëve të fundit në Kosovë, realitetin e Kosovës sot dhe duke marrë parasysh negociatat me palët, unë kam ardhur në përfundim se i vetmi opsion i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia e mbikëqyrur për një periudhë fillestare nga bashkësia ndërkombëtare”.(28) Pra, pasi Ahtisari ka analizuar raportet serbo-shqiptare, padrejtësitë e shumta që kishte shkaktuar regjimi serb i Beogradit, sidomos ai i Millosheviqit, krizën humanitare me të gjitha pasojat e saja, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe administrimin ndërkombëtar në Kosovë, i cili edhe përkundër rezultateve evidente, më nuk mund të ndihmonte në zhvillimin politik që i duhej Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ahtisari konstaton se “ekonomia e dobët e Kosovës, shkurt, është burimi i jostabilitetit social dhe politik dhe rigjenerimi i saj nuk mund të arrihet nën statusin e administrimit ndërkombëtar. Zhvillimi ekonomik i Kosovës kërkon qartësinë dhe stabilitetin që mund të ofrojë vetëm pavarësia”.(29) Ndërsa fjalia e parë e pikës 10 konfirmon se “pavarësia është opsioni i vetëm për një Kosovë stabile dhe ekonomikisht të qëndrueshme…”.(30) Presidenti Ahtisari e mbyll propozimin e tij me konstatimin se me pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës fillimisht nga bashkësia ndërkombëtare (e cila është hequr formalisht më 10 shtator të vitit 2012), po merrte fund shpërbërja e Federatës Jugosllave. Kjo do të krijonte një kapitull të ri për rajonin, të cilit do t’i mundësojë më shumë “paqe, stabilitet dhe prosperitet për të gjithë”.(31) Dhe vërtet, pavarësia e Kosovës prodhoi më shumë paqe si për vete, ashtu dhe për rajonin në tërësi. Kështu, bisedimet që i udhëhoqi Marti Ahtisari, në mënyrë të pashmangshme çuan në propozimin e tij për Pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, e cila u formalizua me shpalljen e saj, më 17 shkurt të vitit 2008, kur në Kuvendin e Kosovës u votua Deklarata e Pavarësisë nga 109 deputetë, përfshirë dhe Kryetarin e Kuvendit, të pasuar edhe nga Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës. Deklarata e Pavarësisë e parashihte “Republikën e Kosovës shtet të pavarur, sovran dhe demokratik”.(32) Konfirmimi u formalizua pas shpalljes së rezultatit të votimit nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mënyra se si është shpallur pavarësia e Kosovës, e bën tepër të dallueshme nga akti i pavarësisë së Shqipërisë, i shpallur nga atdhetarët e trevave të ndryshme shqiptare, të udhëhequr nga Ismail Qemali, më 28 Nëntor 1912. Pa hezituar mund të them se Ismail Qemali i Pavarësisë se Kosovës ka qenë Komandanti Legjendar i UCK-së Adem Jashari. Edhe pse nuk ka munguar instruktimi primitiv për te krijuar një Ismajl Qemal të Kosovës dhe këtij teli i kanë renë e vazhdojnë ti bien disa media në Kosovë e Shqipëri.
Ndryshimet që ndodhën gjatë dhjetëvjetëshit të pranisë ndërkombëtare, të UNMIK-ut, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, shtruan nevojën e rikonfigurimit të pranisë së re ndërkombëtare, të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar (PCN) dhe të asaj evropiane (EULEX) në Kosovë. Ky rikonfigurim i ri sigurisht që nuk mund të funksiononte mbi bazën e pranisë së vjetër, sikur asgjë nuk ka ndodhur në Kosovë pas deklarimit të pavarësisë. Derisa UNMIK-u kishte ardhur për të përgatitur Kosovën për statusin e ardhshëm të saj, i cili është arritur tashmë më 17 shkurt 2008, PCN-ja dhe EULEX-i (Misioni Evropian për Politika të Sigurisë dhe të Mbrojtjes) erdhën mbi bazën e Dokumentit Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari (anekset IX dhe X),(33) qëllimi i tyre ishte për të zbatuar Dokumentin Gjithëpërfshirës, përkatësisht për t’i ngritur kapacitetet e Qeverisë së Kosovës në tri fusha të rëndësishme (siguri, drejtësi dhe dogana). Të dy misionet (ai që po shkonte dhe ky që po vinte) patën qëllim të përbashkët për ta bërë të suksesshme, stabile, të sigurt dhe demokratike Kosovën, përkatësisht shtetin e Kosovës, pas deklarimit të pavarësisë. Sigurisht, praninë ndërkombëtare (UNMIK-un) dhe më pas Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar me Misionin Evropian të Sigurisë, nuk i kanë përcjellë vetëm sukseset, sepse ka pasur edhe shumë veprime të gabuara, ndërsa suksesi është gjithsesi: Republika e Kosovës – shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, i njohur ndërkombëtarisht nga mbi 106 vende, por jo ende i anëtarësuar në OKB. Më 3 shtator 2012, Grupi Drejtues Ndërkombëtar mori vendimin për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa më 10 shtator në Kuvendin e Kosovës u amendamentua Kushtetuta për heqjen e neneve të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe gjithashtu u ndryshuan 21 ligje që lidhen me këtë proces, ndërsa EULEX-it iu vazhdua mandati edhe për një periudhë dyvjeçare.
Viteve të fundit në Bruksel në mes qeverisë së Kosovës dhe asaj serbe janë zhvilluar bisedime me ndërmjetësimin e zonjës Eshton. Këto bisedime filluan si bisedime teknike (më pas u shndërruan në bisedime politike) për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, të udhëhequra nga Kryeministri Serb, Daçiq dhe ai i Kosovës z. Thaçi. Bisedimet me rezultate minore po vazhdojnë edhe në përvjetorin e gjashtë të pavarësisë e me gjasë do të vazhdojnë edhe pas këtij përvjetori. Bisedimet janë duke u vazhduar, por një normalizim substancial i marrëdhënieve Kosovë – Serbi ende ka shumë të panjohura e hijezime. Ndoshta një e arritur mund të konsiderohen zgjedhjet për pushtet lokal të mbajtura në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, por as këto nuk janë pa shumë të panjohura.
Përfundim
Njëqind vjet të Pavarësisë së Shqipërisë, pesëmbëdhjetë vjet të lirisë dhe gjashtë vjet të pavarësisë së Kosovës si dhe trembëdhjetë vjet nga Marrëveshja e Ohrit kanë konfirmuar vështirësitë e zgjidhjes së drejtë, të qëndrueshme politike, ekonomike e të sigurisë për popullin shqiptar në trojet e tij dhe të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Këto fakte, para faktorëve politik shqiptar, sigurisht në koordinim edhe me faktorët tjerë të vendosjes, shtrojnë nevojën për të kërkuar një zgjidhje të drejt e të qëndrueshme politike, ekonomike dhe të sigurisë për popullin shqiptar dhe rajonin tonë në përgjithësi. Gjendja e tashme financiare dhe ekonomike e popullit shqiptar në përgjithësi, nuk mund t’i përballoj shpenzimet për nevojat e institucioneve shtetërore më shumë se të dublifikuara.
_____________________
Bibliografia:
1. Joseph Swire: Shqipëria, ngritja e një mbretërie, Dituria, Tiranë 2005, f. 133.
2. Georg Fred Williams: Shqiptarët, Dielli, Tiranë 1934, ribotuar nga Argeta – LMG, Tiranë 1999, f. 41-42.
3. PRO-FO, 421/287, Doc. No. 20. Mr. Crackanthorpe te Sir Edward Grey, Belgrad, Octobar 2. 1913 – Enclosure in No. 20, Vice-Consul Peckham to Mr. Crackenthorpe, Uskub, Septembre 22. 1913.
4. Kuvendi i Kosovës: 17 shkurti – Dita e Pavarësisë, Botim i Kuvendit, Prishtinë 2010, faqe 49/50.
5. Sabit Syla: Dokumente diplomatike të qeverisë shqiptare për demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, Prishtinë 2012, f. 15.
6. Po aty.
7. Dr. Jakup Krasniqi: Pavarësi dhe personalitete, Buzuku, Prishtinë 2012, f. 22.
8. Po aty,
9. “Rilindja”, 22.1.1989, Prishtinë.
10. Marc Weller: Shtetësia e kontestuar, Koha, Prishtinë 2009, f. 171.
11. Joschka Fischer: Vitet kuq – gjelbër, Koha, Prishtinë 2008, f. 99.
12. Samuel P. Huntington: Përplasja e qytetërimeve, Logos, Shkup 2004, f. 69.
13. Thomas Hobbes: Leviatani, Dita, Tiranë 2000, f. 56-57.
14. Joschka Fischer: Vep. e cit., f. 99.
15. Wolfgang Petritsch, Robert Pichler: Rruga e gjatë në luftë – Kosova dhe Bashkësia Ndërkombëtare 1989-1999, Koha, Prishtinë 2002, f. 254-255.
16. Blerim Shala: Lufta diplomatike për Kosovën, dialog me ambasadorin Christopher Hill, “Zëri”, Prishtinë 2003, f. 43.
17. Marc Weller: Vep. e cit., f., 149.
18. Ismail Kadare: Ra ky mort e u pamë, Onufri, Tirane – 1999, f. 58.
19. Naim Balidemaj: Tragjedia kosovare – Rugova- Millosheviq – Prishtinë, 2001. f. 125-130.
20. Pierre Dufour: “Kosova – Paqjq e shperfillur”, Rozafa 2010, Prishtinë, faqe 145.
21. Dokumenti Përfundimtar i Rambujesë.
22. Marrëveshja për Demilitarizimin e UÇK-së mes Hashim Thaçit dhe Komandantit të KFOR-it, Gjneral Xheksonit, 21 qershor 1999, në Aeroportin e Sllatinës.
23. Rezoluta 1244 e Këshillit te Sigurimit të OKB-së, 10 qershor 1999.
24. UNMIK: Korniza Kushtetuese për Qeverisjen e Përkohshme në Kosovë, 15 maj 2001, Prishtinë 2001, (Rregullorja e UNMIK-ut 2001/9).
25. Raporti i të Dërguarit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, pika 9.
26. Po aty.
27. Parimet udhëheqëse te Grupit të kontaktit për zgjidhjen e statusit të Kosovës, 7 tetor 2005 (http//www.unosek.org/docref/2005-10-07_-_Contakt_Group_-_Ten_Guiding_principles_for_Ahtissari_-_albanian.pdf).
28. Mati Ahtisari: Propozimi për Presidentin e KS dhe Sekretarin e Përgjithshëm në OKB-së i 26 marsit 2007, dokumenti S/2007/168.
29. Po aty, pika 5.
30. Po aty, pika 9.
31. Po aty, pika 10.
32. Po aty, pika 16.
33. Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës.

– Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

—————————————

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura