PROF.DR.AGIM ZOGAJ: NACIONALIZMI SERB KUNDREJT KOSOVËS!

Prishtinë, 11 shkurt 2019: (Abstrakt) – Nacionalizmi, veçmas në dy dekadat e fundit të shekullit të XX-të, u rishfaq në vendet post komuniste të Evropës Juglindore. Nacionalizmi serb, në dekadat e përmendura dhe më pas, u karakterizua, para së gjithash me pretendimet territoriale, përkatësisht me luftërat pushtuese jashtë kufijve të Serbisë. Luftërat për pushtim, në Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë ri dëshmuan se, nacionalizmi serb është më tepër se përpjekje për kthimin e shpirtit të fisit, janë regres historik dhe primitivizëm moral.
”Secili absolutizim i mitit, pra gjithsesi edhe i mitit për Kosovën shpie kah nazizmi i pa durueshëm”. ( Radomir Konstantinoviç ( 1981), Filosofija palanke, “Nolit”, Beograd, 1981, f. 366 -397)
Studiuesi kroat, ndërsa, nacionalizmin modern serb e vlerëson si: ”…formë të re të nacionalizmit integral serb me para shenjat e ndikimit fashist dhe komunist… Ideologjia Milosheviqiane, gjithashtu është kundër liberale dhe kundër perëndimore… ajo shpreh idenë reaksionare pansllaviste…”. (Ivo Banac (2001), Raspad Jugoslavije, Zagreb, f. 32 ).
Në këtë trajtesë shkencore, do të fokusohemi në rolin e intelektualëve dhe akademikëve serbë në nxitjen e luftërave në ish Jugosllavi, me theks të veçantë në përgatitjen e shtetit serb për luftën në Kosovë, përkatësisht, për rolin e inteligjencës serbe në përhapjen dhe fuqizimin, vënien në veprim të nacionalizmit, fashizmit/ nazizmit modern serb.
Një ndër eksponentët më radikal, më ekstrem të nacionalizmit kulturor serb llogaritet të jetë, shkrimtari, akademiku, Dobrica Qosiq, i cili, në të gjitha periudhat moderne të shoqërisë dhe të shtetit serb, kishte ndikim të jashtëzakonshëm në përhapjen e ideve politike, në radhë të parë anti shqiptare dhe anti myslimane / islame. E ashtuquajtura, shtëpi botuese serbe, “Srpska knjizevna zadruga” (Kryetar i të cilës, në vitet 1969-1971 ishte Dobrica Qosiqi) ishte bërë çerdhe e opozitës intelektuale serbe. Derisa serbët, Dobrica Qosiqin e kishin pranuar si krijuesin ideor të programit nacional serb, nga an tjetër, po të njëjtit, Millosheviqin e kishin pranuar si ekzekutuesin atij programi serb. Në vitet e gjashtëdhjeta, ai ishte ndër intelektualët, akademikët e parë serbë i cili ishte ngritur kundër të drejtave të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Me romanet e tij, pati ndikim të jashtëzakonshëm në formësimin e konceptit e historisë serbe për gjoja, si histori tragjike.

Sllobodan Millosheviqi dhe Dobrica Qosiqi

Në romanin e tij, Koha e vdekjes, ai e përpunon konceptin e historisë tragjike serbe, duke glorifikuar historinë serbe, dhe duke propaganduar pikepamjen sipas te ciles, gjoja, në shtetin jugosllav, serbët ishin humbës. Në të njëjtin roman dhe në shkrimet e tjera të shumta, politike, jo vetëm letrare, ai, ndërtoi, krijoi, tezën, e cila më vonë, në fund të shek. XX-të, ishte bërë dominonte për formulimin e programit nacional serb. Sipas asaj teze, pikëpamje, platforme politike serbe, vlerësohej se, shteti serb nuk është mjaftueshëm i fortë t’i asimilojë territoret në të cilat jetojnë serbët me popujt tjerë. Prandaj, Qosiqi,i cili njihet si ,ideologu kryesor, iniciatori, frymezuesi, organizatori, propaganduesi dhe realizues i projektit, “Serbia e Madhe”kishte ardhur në idenë se, serbët duhet të shtrihen në lindje, përkatësisht në verilindje. Sipas Qosiqit, “ Aty ku jeton populli, aty ku ka shtëpi serbe dhe ara serbe, aty ku flitet me gjuhën serbe, aty do të jetë edhe shteti serb”. (“Lufta e Qosiqit”, (Përmbledhje të punimeve), Instituti për hulumtimin e krimeve kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare, Sarajevë, 2013, f. 206.)
Pikërisht në një paraqitje të tij në Akademinë serbe të shkencës dhe arteve (1977) kishte theksuar se: ”Shteti jugosllav ishte krijesë e padëshirueshme e pa përshtatshme për serbët…si mundet, që një popull, i cili në luftë është aq krenar, i dinjitetshëm, në paqe të jetë aq i nënshtruar dhe i dëgjueshëm”. (“Knjizevno”, f. 131.)
Krahas, pikëpamjeve, jo vetëm kulturore të elitës intelektuale serbe të kohës, paraqiten edhe pikëpamjet në planin politik. Elitat politike, shtetërore në Serbi, (Petar Stamboliqi, Dragoslav Markoviqi…), gjithsesi të ndikuar edhe nga pikëpamjet nacionaliste të elitave serbe, ngritin çështjen e Kushtetutës së vitit 1974 të Kosovës, përkatësisht, kërkojnë të rishikohet, revidohet Kushtetuta e Kosovës, përkatësisht edhe Kushtetuta e Serbisë dhe e Jugosllavisë. Në këtë periudhë, pra, pas vdekje së Titos, elitat intelektuale serbe fillojnë hapur të bashkëpunojnë me udhëheqjen e atëhershme shtetërore dhe partiake të Serbise. Pas, qëndrimit për 13 vjet radhazi në krye të Armatës Popullore Jugosllave (APJ), gjenerali serb, Nikolla Lubiqiq, u bë kryetar i Serbisë. Ai, ndër të tjera, pas vdekjes së Titos deklaronte se, Jugosllavinë do ta mbrojnë serbët dhe APJ. Që do të thoshte sipas Lubiqiqit se, ish Jugosllavia ishte në fakt shtet serb, kurse APJ është ushtria e saj, e atij shteti serb.
Në të njejtën kohë, pra, të ringjalljes së hapur dhe veprimit të pandalshëm të nacionalizmit serbomadh, në radhë të parë kundrejt Kosovës dhe popullit shqiptar në ish Jugosllavi, Dobrica Qosiqi deklaronte se, sot, askush nuk mund ta na ndalë të mendojmë hapur për të ardhmen e fatit serb. Madje, që në vitet e 80-ta, paralajmëronte, se në të ardhmen na presin vendime më të rënda se ato të vitit 1941… Dobrica Qosiqi, dhe akademikët tjerë serbë, ndër ta edhe Lubomir Tadiq, babai i ish presidentit serb, Boris Tadiq, ishin ideatorët e krijimit të atmosferës anti jugosllave dhe fuqizimit të nacionalizmit, jo vetëm kulturor serb. (Shih: Dobrica Qosiq (1988), Srpsko pitanje; Dobrica Qosiq, Piscevi zapisi ( 1951 -1968), / 2000/, “Filip Visnjic”, Beograd, f. 216.)
Ai, vazhdimisht e mbronte pikëpamjen se, për popullin serb Kushtetuta e vitit 1974, popullin serb e ka vu në pozitë të pa barabartë me popujt tjerë jugosllavë. Madje, që në ato vite, Qosiqi kërkonte referendum mbarë jugosllav, për të qartësuar vullnetin politik të popujve jugosllavë nëse duan të jetojnë në një shtet, përkatësisht në çfarë rregullimi shtetëror. Në ato rrethana shoqërore, politike, kulturore, Qosiqi kishte ndikim dhe rol të fuqishëm në profilizimin e opozitës politike dhe intelektuale serbe. Me te, ishin akademikët, Mihajlo Markoviq, Ljuba Tadiç, Svetozar Stojanoviç. Qëndrimi politik i Qosiqit ishte antititoizmi i hapur. Në këtë periudhë ai angazhohej për një rol më aktiv dhe më të drejtpërdrejt të intelektualëve, prandaj, shumë kohë para Memorandumit, ai theksonte se, popullin serb e presin”… vendime më të rënda nga ato që i kishim marrë më 1941…ne nuk kemi të drejtë ta urrejmë politikën dhe ideologjinë e cila ka të bëj me fatin dhe të ardhmen serbe. Sot, askush nuk mund të na pengojë që publikisht të mendojmë për fatin tonë”. (Dobrica Qosiqi, ( 1981 -1991 ), Piscevi zapisi, “Filip Visnjic”, Beograd, f. 94.)
Dobrica Qosiqi dhe rrethi i bashkëpunëtorëve të tij, në fillim të vitit 1980 dolën me projektin e botimit të revistës, “Javnost”, mirëpo, megjithate, revista nuk doli fare. Ndërkohë, grupit të tyre të “disidentëve” serbë iu bashkëngjit i sapo ardhur nga Sarajeva, intelektuali nacionalist serb, Vojisllav Shesheli. Shesheli, në atë kohë e kishte shkruar tekstin me titull, Ese për socializmin dhe intelektualët, ku ndër të tjera, kishte vlerësuar se, serbët dhe Serbia në Jugosllavinë komuniste kishin qenë të diskriminuar. Ndër të tjera, Shesheli me shkrimet e tij sugjeronte që, federata jugosllave të përbëhej vetëm nga katër republika: Sllovenia, Kroacia e zvogëluar, Serbia dhe Maqedonia. Pikërisht në këtë periudhë, kur edhe u themelua Këshilli i Qosiqit (23 intelektualë dhe 12 akademikë) intelektualët serbë filluan propagandën për gjoja gjenocidin ndaj serbëve të Kosovës, dhunimet e serbeve etj. Ishte më se qartë se po ndodhte instrumentalizimi i problemi dhe i mitit serb për Kosovën, për mobilizimin politik të serbëve dhe malazezëve në Kosovë. Në planin politik, Beogradi zyrtar po koordinonte aktivitetet nacionaliste të serbëve dhe malazezëve. Rolin kryesor në dhënien e koordinatave për veprime nacionaliste të serbëve dhe të malazezëve të Kosovës e kishte Dobrica Qosiqi. Ai kishte organizuar Peticionin, të cilin e kishin nënshkruar 215 intelektualë serbë, Antonije Isakoviq, Tanasije Mladenoviq, Zhivorad Stojkoviq, Mihajlo Gjuriq, Miqa Popoviq, Vojislav Koshtunica, Kosta Çavoski, Nebojsha Popov, Zagorka Goluboviq, si dhe, disa përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe.
Peticioni i përmendur, për herë të parë e përmendi cilësimin, fjalën, “gjenocid” ndaj serbëve. Në këtë periudhë, fillon bashkëpunimi i drejtpërdrejt i Dobrica Qosiqit me Slobodan Millosheviqin, për çka, Qosiqi pranonte se: ”…unë e kam inicuar atë Peticion të serbëve në Kosovë, ishte ajo iniciativë e imja. Ata vazhdimisht vinin tek unë për tu ankuar, meqë, për ata, askush nga udhëheqësit serbë nuk kujdesej. Praktikisht, ata, në mënyrë të fshehur kishin bashkëpunuar me mua, ndërsa policia i përcillte dhe i ndiqte…”. (“Duga”, 9 – 22 korrik 1994).
Në ato rrethana, pas formimit të, Këshillit për përcaktimin, vërtetimin e gjoja, gjenocidit, kishte filluar fushata, përmes të cilës nacionalistët serbë, kishin identifikuar fatin e serbëve me fatin e hebrenjve. Me formimin, themelimin e shoqërisë, serbo-hebraike, 1987, nën patronatin e Qeverisë serbe, gjithnjë e më hapur po trumbetohej mashtrimi, gënjeshtra, se gjoja serbët , ashtu sikur hebrenjtë janë të rrezikuar nga kroatët, shqiptaret dhe myslimanët. Hartimi dhe bërja publike e Memorandumit të Akademisë serbe të shkencave dhe arteve, ndërsa, hapi rrugë për përcaktimin e kërkesave serbe, për program nacional dhe për formulimin e politikës së re kombëtare serbe. Ishte me se e qartë se, harimi i programit nacional serb dhe i politikës së re kombëtare të Serbisë, nënkuptonte edhe zgjidhjen, sipas standardeve të ideologjisë nacionalite, shovinste serbe të problemit të Kosovës. Udhëheqja shtetërore serbe, elitat intelektuale të Serbisë, e kishin pritur me shumë frymëzim, ballafaqimin me ççështjen e Kosovës, duke kuptuar qartë dhe drejt se, kishte ardhur çasti i qërimit të hesapeve me shqiptarët, jo vetëm të Kosoves, por edhe me shqiptarët në ish Jugosllavi.
Memorandumi i ASSHA dhe rrënjët e krimit
Në qershor të vitit 1985, Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve kishte formuar Këshillin për përgatitjen e Memorandumit për çështjet shoqërore, i cili tekst asnjë herë nuk ishte bërë zyrtar. Më pas, më 1986, dokumenti i “Pa kryer”, në rrethana asnjë herë të sqaruara, ishte bërë publik, ishte përhapur në Serbi dhe në republikat tjera të ish Jugosllavisë. Në ish republikat jugosllave, dokumenti, i cili, më pas do të njihet me emrin “Memorandum”, u pa, u kuptua si, Program nacional serb, kurse në Serbi, megjithatë, kishte shkaktuar ndarje politike. Madje, kryetari i atëhershëm i Serbisë, Ivan Stamboliqi, duke e kualifikuar memorandumin, kishte thënë se ai paraqet ”…pikën e ndarjes sonë definitive në Serbi dhe paraqet hyrje në ballafaqimin, konfrontimin politik”. Më vonë, ai kishte deklaruar se, personalisht kishte zhvilluar luftë politike kundër Memorandumit dhe kundër nacionalizmit serb, ndërkohë që Millosheviqi ishte tërhequr nga ajo luftë. Memorandumi, në fokus e kishte çështjen serbe, për më tepër edhe shkatërrimin e ish Jugosllavisë, të cilën krijesë e shihte si pengesë për afirmimin dhe realizimin e aspiratave historike të popullit serb. Në Memorandum, ndër të tjera, pasi thuhej qartë se, çështja shtetërore e Serbisë nuk është zgjidhur, më tej, konstatohej se: ”…Populli serb nuk mund ta pres i qetë të ardhmen në një paqartësi të tillë. Prandaj, duhet t’ju hapet mundësia të gjitha kombeve në Jugosllavi të përcaktohen për synimet dhe qëllimet e tyre. Serbia, në rastin e tillë, edhe vetë mund të përcaktohet dhe ta definojë interesin e saj nacional” / Memorandumi, ASSHA, Odgovori i kritike, Kosta Mihajloviç & Vasilije Krstiç, ASSHA, Beograd, 1995).
Edhe pse, në fillim nuk bëhej publike se kush e kishte hartuar Memorandumin, më pas, u kuptua se, ndër hartuesit, ideologët e Memorandumit ishin Dobrica Qosiqi, Kosta Mihajloviqi, Vasilije Krestiqi, Antonije Isakoviqi, Mihajlo Markoviqi etj. Në fund të vitit 1986, teksti i Memorandumi u bë publik në të përditshmen, “Veçernje Novosti”, ndërsa, në opinionin publik të ish Jugosllavisë zgjoi polemika dhe reagime të ashpra. Sidoqoftë, të gjithë studiuesit e zhvillimeve politike të atyre viteve, që kulmuan me luftërat në ish Jugosllavi, vlerësojnë se, Memorandumi ishte platforma politike, ideologjike, për fillimin e luftërave të cilat i zhvilloi Serbia! Baza teorike, filozofike dhe jo vetëm politike, nacionale e Memorandumit ishte projekti nacional serb ,,Serbia e Madhe.” Luftën e nxitën kërkesat serbe qe, pjesët e territoreve të Kroacisë dhe të Bosnjës ku shumicë janë serbët, të ngelnin në Jugosllavi”. (Dekalaratë e Aleksander Vasiljeviqit në dëshminë për Sllobodan Millosheviqin, në Hagë, Ditari i Televizionit Francez, 18.02. 2003, edicioni i orës 19:30)
Nacionalizmi serb dhe racizmi antishqiptar, i proganaduar nga shkrimtarë, klerikë, shkencetarë dhe nga media serbe, kishte gjetur hapësirë të madhe në Memorandumin serb. Ishte e qartë, se, Memorandumi paraqiste, mendimin politik, nacional te akademikeve, shkencëtarëve, intelektualëve serbë pa përjashtim.
Duke u përqendruar në çështjet thelbësore me interes për popullin serb, Memorandumi ishte fokusuar në çështjen e kufijve, si variant, nëse popujt e ish Jugosllavisë nuk do të merreshin vesh për të ardhmen e tyre të përbashkët. Kufijtë, ishin bërë temë qendrore në debatet politike të kohës. Pikëpamja serbe ishte, ideja e Serbisë së Madhe. Nacionalistët serbë, elita serbe, e kishte përhapur pikëpamjen sipas të cilës, kufijtë administrativ të kohës së AVNOJ-it, janë kufij të komunizmit, ndaj janë jo legjitim. Çështje tjetër, e shtruar në Memorandum ishte suprimimi i Kushtetutës së vitit 1974 për Kosovën dhe për Vojvodinën si dhe, çështja e ngritur për fundamentalizimin islamik , me çka, në sulm ishin shqiptarët dhe myslimanët e Bosnjës. Dobrica Qosiqi, deklaronte ndër të tjera se: ”…Fushata kundër rankoviqizmit e ka trimëruar shovinizmin shqiptar dhe vjen deri te terrori masiv ndaj serbëve si dhe shpërngulja, ikja e tyre nga Kosova”. (Dobrica Qosiqi, Glas javnosti, 30 – 31 maj,1998.)
Ndërkohë, dhjetë ditë pasi, Ivan Stamboliqi, në shtator të vitit 1987 në Kuvendin e Serbisë e kishte mbajtur ekspozenë për ndryshimet në pozitën kushtetuese të krahinave / Kosovës dhe të Vojvodinës/ ishte mbajtur Mbledhja e Tetë e KQ të LKS-së. Mbledhja e Tetë e KQ të LKS-së, e rrëzoi nga pushteti Ivan Stamboliqin, kryetar i Serbisë dhe, e fuqizoi liderin e ri serb, Sllobodan Millosheviqin dhe, përfundimisht e hapi kapitullin e ri të politikës shtetërore të Serbisë, për realizimin e Projektit të Serbisë së Madhe. Millosheviqi kishte pasur përkrahjen e, thuajse të gjitha elitave intelektuale, akademike, politike, ekonomike të Serbisë, dhe sidomos edhe të Armatës Jugosllave me në krye gjeneralin serb, Nikola Lubiqiqin. Në historinë moderne serbe, si kurrë një herë më parë, për të njëjtin qëllim nacional, ishin bërë bashkë, kreu shtetëror i Serbisë, Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, Armata Jugosllave dhe i tërë populli serb! Udhëheqja e Serbisë, akademikët serbë po e vlerësonin se kishte ardhur çasti i tyre historik. Me çdo kusht, qoftë edhe me kushtin e luftës, udhëheqja shtetërore e Serbisë me në krye, Slobodan Millosheviqin ishin nisur drejt synimit të tyre historik, nacional, “Serbisë së Madhe”. Lufta e Serbisë me popujt që jetonin në ish Jugosllavi, pra, edhe me popullin shqiptar, ishte e pa evitueshme. Serbët, e dinin këtë gjë, por, disa popuj, ndër ta edhe ne shqiptarët, ishim në dilema, nëse, lufta mund të shmange j(Shih:Ivan Stamboliqi, Koren zla, Këshilli i Helsingut për të drejtat e njeriut në Serbi, Beograd, 2002.)
Fillimi i vitit 1987 shënon ngritjen euforike dhe të pandalshme të Millosheviqit, i cili, duke ia zënë pozitën e Ivan Stamboliqit, po bëhej lideri i ri serb. Përkrahja për të vazhdonte nga të gjitha shtresat dhe të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe vet kreun e Kishës Ortodokse Serbe. Ngadalë, por sigurt po krijohej fronti, përkatësisht lëvizja nacionale në Serbi në ballë të së cilës ishte lideri i ri, Slobodan Millosheviqi. Ai e krijoi liderizmin autoritar, dhe, në atë periudhë nuk e kishte në fokus vetëm Kosovën, por kishte arritur me sukses ta problematizonte edhe pozitën e serbëve në Kroaci dhe në Bosnje, si çështje me interes shtetëror dhe nacional për Serbinë.
Nga ana tjetër, gjithnjë e më fuqishëm e kishte përkrahjen e Dobrica Qosiqit, i cili, po ashtu këmbëngulte për suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës, si kusht që, Serbia të bëhej e barabartë me republikat jugosllave. Qosiqi, aso kohe, pasi kishte dalë me propozimin për ndryshimet kushtetuese, në fakt, i kishte hapur vetes dhe tjerëve rrugë për projektin e shkatërrimit të ish Jugosllavisë. (Shih: Dobrica Qosiqi, Piscevi zapisi /1981 – 1991/ Projekti për shkatërrimin e ish Jugosllavisë, të cilin e drejtonin elita nacionaliste serbe dhe politikanët serbë,,… në fakt nënkuptonte krijimin e shtetit serb i cili do të bashkonte të gjithë serbët. Kështu, Qosiqi,i cili sipas kujtimeve të veta e kishte refuzuar ftesën e kancelarit të atëhershëm gjerman, Vili Brant dhe idenë që, Qosiqi ta formonte Partinë Socialdemokrate në ish Jugosllavi, atyre viteve po punonte në formimin e Partisë Demokratike serbe në Bosnje dhe në Kroaci (në 1991). Mbante kontakte të vazhdueshme me nacionalistin serb nga Kroacia, Jovan Rashkoviq, si dhe me psikiatrin, nacionalistin serb, nga Bosnaj, Radovan Karagjiqin. (Shih: Dushan Reljiç, Daleko je sunce – skica za portret – Dobrica Qosiq, “NIN”, 19.06. 1992.)
Qosiqi, që, njihej se ideologu i elitës intelektuale serbe, ”babai i kombit”, por, edhe frymëzuesi dhe ideatori kryesor i shovinizmit, fashizmit modern serb, deklaronte hapur idetë, ideologjinë e tij: ”Dy shekuj ne e kemi një të njëjtin qëllim, dhe ai është, lufta për çlirim dhe për bashkimin e popullit serb. Kjo është lufta e shtatë e cila zhvillohet për realizimin këtij qëllimi” (Dragoljub Todoroviq, “Dielli është larg”, në revistën, “ Panbosnjak”, nr. 2, Sarajevë, prill, 2012, f. 71.)
Lidhur me kontaktet e tij me Millosheviqin, Qosiqi tregon se, për herë të parë janë takuar në qershor të vitit 1990. Qosiqi flet me shumë admirim për Millosheviqin, madje e cilëson si person i cili “ndihmoi liritë intelektuale”, se “e përkrah në tërësi programin e tij shtetëror”. Jovan Rashkoviqi, shkruante se Qosiqi “…u bë baba shpirtëror i Millosheviqit”. (Dushan Reljiq, Daleko je sunce – skica za portret – Dobrica Qosiq, “NIN”, 19.06. 1992.)
Me kalimin e kohës, duke e konsoliduar, gjithnjë e më fuqishëm pushtetin e tij në Serbi, por edhe në nivel jugosllav, Millosheviqi kishte marrë guxim që të ishte arrogant dhe të bënte kërcënime. Në mbledhjen e mbyllur me kryetarët e komunave të Serbisë, mbajtur më 16 mars 1991, ai kishte thënë se, “…të fortit, gjithnjë i diktojnë kufijtë, dhe asnjëherë të dobëtit. Ne thjesht, mendojmë se, është e drejtë legjitime dhe është interes i popullit serb të jetojë në një shtet… Nëse, ka nevojë të rrihemi, grushtohemi, për zotin edhe do të grushtohemi”. (“NIN”, 17 mars 1991, Beograd).
Duke e kuptuar se, mund të manipulojë me masat, duke u mbështetur me shumë sukses në popullizëm, duke e shfrytëzuar me përpikëri mitin e rrejshëm serb për Kosovën, Millosheviqi në fund të vitit 1988, e kishte bërë hapin tjetër, ndoshta vendimtar për fuqizimin e tij si lider, afrimin me pjesën e intelektualëve serbë, pra, me inteligjencën serbe. Pikërisht në vorbullën e atyre ngjarjeve të fund viteve të 80-ta, Programi Nacional Serb ishte bërë publik kishte filluar fuqishëm të përqafohej, jo vetëm nga inteligjencia serbe dhe udhëheqësit nacionalistë serbë, por, po përkrahej edhe nga masat e gjëra. Natyrisht, ideologu i Programit Nacional Serb ishte Dobrica Qosiqi me akademikët tjerë, kurse, atmosfera nacionaliste në Serbi e kishte gjetur, krijuar liderin e ri nacional, politik, Slobodan Millosheviqin. Nga njëra anë, ishte Dobrica Qosiqi, babai i nacional shovinizmit modern serb, kurse nga ana tjetër, Slobodan Millosheviqi, për të cilin, pikërisht Qosiqi thoshte:”…pas Nikolla Pashiqit në Luftën e Parë Botërore, asnjë politikan nuk i ka pasur kushtet më të vështira dhe më shumë probleme se Slobodan Millosheviqi. Ai me guxim iu përkushtua ri përtrirjës së shtetit serb dhe shpëtimit të popullit serb nga shkatërrimi dhe sundimi i ri… Sipas mendimit tim, Slobodan Millosheviqi, nga të gjithë politikanët serbë në pesë deceniet, ka bërë më së shumi për popullin serb”. (“ Politika”, 26 korrik 1991.) Në rrethanat e tilla, pushteti në Serbi ishte nën kontrollin dhe nën drejtimin e Millosheviqit, kurse Qosiqi ishte ideologu shpirtëror, ideatori i Programit Nacional serb, në shtëpinë e të cilit po definoheshin, vizatoheshin hartat e Serbisë së Madhe, e ardhmja e popullit serb.
Shekulli i XX-të, njeh tri Memorandume të akademikëve, elitave intelektuale serbe, të cilat kishin pasur ndikime të fuqishme në përhapjen e mitit të rrejshëm serb për Kosovën. Fjala është për Memorandumin, autorë i të cilit kishte qenë Vasa Çubrilloviqi (1937) i ripërsëritur më 1944, Memorandumi i Ivo Andriqit, nobelist serb dhe, Memorandumi i vitit 1986 i ASSHA. Të tria këto memorandume, në epiqendër të tyre kanë, paraqitjen e shqiptarëve si popull armik i popullit serb, populli i cili gjoja e ka rrezikuar dhe në vazhdimësi e rrezikon popullin serb. Madje, në thelb të filozofisë antishqiptare, të tria Memorandumet serbe, sikur edhe shumë Programe tjera serbe e vënë theksin e sulmit ndaj popullit, qenies sonë shqiptare, duke na akuzuar edhe për një lloj “gjenocidi biologjik”. (Dimitrije Bogdanoviç, Knjiga o Kosovu, ASSHA, Beograd, 1985).
Në këtë sens, të prodhimit, fabrikimit spekulativ, imagjinativ, por me objektiva tepër të rrezikshme për popullin shqiptar, ideatorët e elitave serbe, gjithnjë duke përhapur imazhin e shqiptarëve si armik i popullit serb, krijuan mitologjinë politike, raciste kundër popullit tonë. Pikërisht, Memorandumi i ASSHA i vitit 1986, mitologjinë politike, antishqiptare e ngrit deri në projekt shtetëror të shtetit dhe popullit serb, duke nxitur ndenjën dhe euforinë e luftës kundër Kosovës dhe shqiptarëve mbarë në trojet e tyre etnike në ish Jugosllavi. Memorandumi serb i vitit 1986 kishte prodhuar ideologjinë më të rrezikshme e cila u bë pjesë e Programit qeveritar të shtetit serb dhe i hapi rrugë luftës, gjenocidit kundër popullit të Kosovës dhe popullit mysliman në Bosnje. Realisht, siç u bë, gjenocidi serb mbi popullin e Kosovës dhe popullin mysliman në Bosnjë, Memorandumi i ASSHA, i ngritur në projekt shtetëror, qeveritar të Serbisë, projekt nacional serb i gjenocidit ndaj këtyre dy etniteteve që, në ato vite jetonin në kuadër të ish Jugosllavisë. Memorandumi i ASSHA, i dha fuqi të jashtëzakonshme shtetit serb, udhëheqjes së saj me në krye Slobodan Millosheviqin që, me luftë ta realizonte projektin e asgjësimit masiv fizik të popullit shqiptar! Në këtë kontekst, vlen t’i referohemi një qëndrimi më të ri politik të ministrit të jashtëm serb, Ivan Dacic, dikur bashkëpunëtor i ngusht dhe besnik i Millosheviqit, i cili në lidhje me propozimin e tij për ndarjen e Kosovës thekson: “Serbia gjithmonë ka humbur përmes një politike jorealiste dhe utopike gjithcka që ka arritur me gjak”/ “Npoosti”, 14.08. 2017, Beograd@. Ai, në të njejtin prononcim, pra gati dy dekada pas përfundimit të luftës se Kosovës dhe, në kohën e bisedimeve Kosove – Serbi në Bruksel merr guximin të propozoje: “Ndarjen e Kosovës dhe bashkimin de jure të Veriut të Kosoves me Serbin”. Kjo sipa tij është marreveshja historike dhe kompromisi i Serbisë.
Historia, jo vetëm ajo shqiptare, mendimi politik shqiptar, duhet ta thonë qartë se, në luftën e përgjakshme për asgjësimin masiv të shqiptarëve, nuk morën pjesë vetëm strukturat shtetërore serbe, vetëm, armata, policia, formacionet paramilitare, por, edhe vetë qytetarët e rëndomtë serbë, pra, edhe elitat intelektuale, akademike serbe! Propagandimi i ideologjisë vrastare, raciste i Memorandumit të ASSHA, kundër popullit shqiptar, ishte aq i sofistikuar, aq i përpunuar, sa që, arriti që, edhe qytetarët e rëndomtë serbë, në Serbi, në ish republikat jugosllave dhe veçmas në Kosovë t’i bind se, qytetarët shqiptarë, si grup i veçantë etnik në ish Jugosllavi duhet asgjësuar, dëbuar me dhunë, me gjenocid. Realisht, akademikët serbë e përcaktuan kornizën ideologjike, akademike për projektet shfarosëse serbe ndaj shqiptarëve, projekte të cila më pas u përkrahën, u bën politika legale të shtetit serb. Roli i shtetit serb, i strukturave shtetërore, i akademikëve, elitave intelektuale serbe, i mitologjisë serbe për Kosovën për zbatimin e politikës së gjenocidit ndaj shqiptarëve është i llojit të veçantë. Kjo, sepse, ajo politikë serbe, ai Program nacional gjenocidial serb, veçmas, që nga shekulli i XIX-të – XX-të u sajua, u ideua nga elitat intelektuale, akademike serbe, në bashkëveprim të vazhueshëm me strukturat shtetërore serbe.
__________________
Fjalë çelës: Dobrica Qosiqi, ideolog bashkëkohor i “Serbise se Madhe “.
*) Kumtesë shkencore në Konferencën ndërkombëtare me rastin e 20 vjetorit të Protestës së studentëve të UP-së, 1 tetor 1997/

________________________________________
PROF.DR.AGIM ZOGAJ: THE SERBIAN MYTH OF KOSOVA IN CONTEXT OF MYTHOLOGY (MITI SERB PËR KOSOVËN NË KONTEKSTIN MITOLOGJIK)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8414

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura