Prishtinë, 08. 03. 2015 – Deri tani shumë herë kemi shkruar për shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe Sistemin e Drejtësisë dhe asnjërën nga këto nuk i kemi bërë dhe as funksionojnë si duhet. Por kësaj radhe do të shkruaj për dy shërbime publike tepër të rëndësishme për popullin tonë, fjala është për Arsimin dhe edukimin publik e Shëndetësinë publike.
I
Arsimin dhe edukimin publik, e them me përgjegjësi se gjatë këtyre 15/16 viteve jo vetëm që nuk e kemi reformuar, por as e kemi rehabilituar për të filluar një reformim që i duhet zhvillimit të vendit dhe nevojave të tregut të brendshëm e atij të jashtëm. Kush me vëmendje e ka përcjellë arsimin dhe edukimin e të gjitha niveleve në Republikën e Kosovës, e në mënyrë të veçantë në arsimin e lartë, degradimin dhe kaosin e tij, nuk mund të mos vie në përfundim se këtu jo vetëm ekzekutivi, por e gjithë shoqëria jonë duhet të ndërhyjnë për ta ndryshuar gjendjen urgjentisht. Ne, në vitin e fundit e kemi parë të angazhuar në ketë drejtim vetëm Rektorin e Universitetit “Hasan Prishtina”, por ai i vetëm nuk mund të bëjë asgjë. Gjëja e parë që duhet të bëhet është adresimi dhe koncentrimi i përgjegjësisë mbikëqyrëse në Ministrin e Arsimit, se kështu si është shpërndarë përgjegjësia, në agjencione e këshilla aspak profesional, nuk është nga e “njeh qeni te zotin”. Hapi i dytë që duhet të bëhet është, ndarja e qartë në mes arsimit publik e atij privat në të gjitha segmentet e tija, duke filluar nga përcaktimi i kuadrit arsimor i cili duhet të përcaktohet se ku do të kontribuoj, në arsimin publik apo në atë privat. Kështu si është tani, ky segment i rëndësishëm shoqëror, do ti shtoj edhe më problemet e shumta që i kemi sot, jo vetëm në cilësi, por kemi mashtrime, deformime e falsifikime të shumta. Këtyre dite u shfaq skandali i diplomave false në Universitetin e Pejës, por askush nuk i ka bërë një kontroll serioz as Universitetit Publik të Prishtinës, gjendja nuk premton të jetë më e mirë as në Kolegjet private të cilat janë bërë “fabrika” profitabile, cilësinë e të cilëve nuk e kontrollon askush.
Këto Kolegje do të duhej ti mbikëqyrte Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, por derisa, ministrat janë pjesë e arsimit publik e privat, që është edhe një farë konflikti i interesit, gjendja në arsimin dhe edukimin e lartë do të degradohet çdo ditë. Këtë degradim mund dhe duhet ta ndërpritet me masa urgjente, Qeveria dhe Kuvendi (Komisioni për Arsimin ….), duke përgatitur infrastrukturën e duhur ligjore e cila duhet të vihet në shërbim të arsimit e të edukimit e jo te grupeve të ndryshme te interesit. Shkurt, nuk duhet lejuar që arsimi i lartë privat të jetë profitabil siç është deri tani. Pastaj reforma duhet të bëhet edhe në përmbajtjen e lendeve mësimore. Orari i punës për profesorët duhet të jetë i plotë, se paku 42 orë. Po të respektohej orari prej 42 orëve, profesorët nuk do të mund të bëheshin supremen, me shumë vende të punës. Është e domosdoshme që profesorët te kujdesen më shumë për përmbajtjen dhe cilësinë e lendes / lendeve që ata ligjërojnë.
II
Në gjendje më të mirë se arsimi nuk gjendet as shëndetësia publike. Vetëm po të përcillen për çdo natë lajmet e mbrëmjes, pa hyrë më thellë në çështjen e shëndetësisë, e vëren se në çfarë gjendje të rend është ky segment i rëndësishëm i shëndetit publik. Gjendja në shëndetësi është alarmante dhe si e tillë kërkon ndërhyrje të shpejtë nga qeveria e sidomos kërkohet një ndryshim urgjent te infrastrukturës ligjore. Pa një ndryshim të shpejtë te infrastrukturës ligjore, pa një studim serioz profesional dhe pa një prerje cezarike te shëndetësisë publike më atë private, degradimi në shëndetësinë e Kosovës nuk mund të ndërpritet. Njerëzit duhet të përcaktohen se pjesë e cilit segment do të jenë e ati publik apo e atij privat. Ndarja është domosdoshmëri. Kushdo që e pengon ketë ndarje, është duke u kujdesur vetëm e vetëm për xhepin e tij, por jo për interesin e shëndetësisë publike dhe xhepin e qytetarëve tanë. Mbetja kështu si është, jo vetëm që do të ketë degradim të vazhdueshëm, por edhe thellim të mjerimit shëndetësor për njeriun tonë.
Njerëzve që e kanë sjellë shëndetësinë publike në ketë gjendje, si edhe ata që janë tani aty, duhet tu pamundësohet që të mbeten në ketë segment publik në Republikën e Kosovës. Këta njerëz kanë treguar se nuk dine gjë tjetër, veç shkatërrimit. Për tu arritur ndryshimi i shpejtë, Ministria e Shëndetësisë duhet të ketë vetëm rolin mbikëqyrës dhe përgjegjësia duhet t,i kalohet QKUK-së dhe një Këshilli profesional që marrin përgjegjësinë për ta stabilizuar dhe organizuar gjendjen në ketë segment të rëndësishëm shoqëror si i ka hije. Madje do të duhej të bëhej një hetim për ti evidencuar shkaktarët e këtij degradimi disa vjeçar që i është bërë shëndetësisë sonë gjatë këtyre 15/16 viteve dhe përgjegjësit të viheshin para drejtësisë. Nuk ka asnjë dyshim se te gjitha qeveritë e deritashme, mbase e gjithë politika është kujdesur për tenderomani e jo për shëndetësinë publike!
Unë besoj se Kosova jonë ka kapacitete profesionale mjekësore dhe materiale (financiare) për të pasur një sistem shëndetësor më të dinjitetshëm dhe më human. Por për ketë duhet një organizim ndryshe i shëndetësisë publike si dhe i asaj private. Ky i deritashëm po flet vet.