DR.JAKUP KRASNIQI: TRI MARRËVESHJE ANTIKUSHTETUSE!

Prishtinë, 31. 10. 2015: Sikur institucionet e Kosovës të funksiononin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, opozita nuk do ta kishte asnjë arsye që t’i bllokoj mbledhjet plenare të Kuvendit të Kosovës, por vetëm t’i dërgonte të tri marrëveshjet, atë të 19 prillit 2013, të 25 gushtit 2015 dhe nënshkrimin e marrëveshjes për demarkacionin, pasi në të tri rastet, procedurat për nënshkrimin e marrëveshjeve janë anti kushtetuese.
Për të argumentuar ketë, unë do t’i referohem Kushtetutës së Republikës se Kosovës të miratuar më 9 prill 2008 në Kuvendin e Kosovës.
Në nenin 18 të kësaj Kushtetute shkruan: “Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtar për këto çështje:
(1) Territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake;
(2) Të drejtat dhe liritë themelore;
(3) Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare;
(4) Marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës”.
Tani është momenti që paragrafit të dytë t’i kushtojmë një vëmendje të shtuar, i cili thotë:
(2) “Marrëveshjet ndërkombëtare me përjashtim të atyre në pikën 1, ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës”.

Kushtetuta ka saktësuar se cilat marrëveshje ratifikohen në Kuvendin e Kosovës e cilat marrëveshje së pari ratifikohen në Kuvend e pastaj nënshkruhen dhe cilat së pari ratifikohen në Kuvend e pastaj nënshkruhen. Pra të gjitha marrëveshjet që kanë të bëjnë me territorin dhe çështjet politike, ku edhe bien marrëveshjet në fjalë, nuk nënshkruhen pa u ratifikuar në Kuvend nga 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Marrëveshjet që janë nënshkruar në Bruksel, si ajo e 19 prillit 2013, ajo e 25 gushtit 2015 dhe marrëveshja për demarkacionin në Vjenë në mes Kosovës e Malit të Zi, nga Ministrat e jashtëm të të dy vendeve, janë anti’kushtetuese, se bien nën paragrafin një të nenit 18 të Kushtetutës. Pra marrëveshjet që bien nën paragrafin një të Kushtetutës, së pari ratifikohen në Kuvendin e Republikës e tek pas ratifikimit duhet të nënshkruhen nga personat përgjegjës.
Të tri marrëveshjet e cekura, bien ekskluzivisht në ketë paragraf.
Në një situatë të tillë, s’ka si mos të shtrohet pyetja:
– A kanë qeveritarët tanë këshilltarë juridik që dinë ta lexojnë Kushtetutën, në mënyrë që këshillat e tyre të jenë profesionale dhe parandaluese për veprime të pa ligjshme?
Pastaj ku janë ekspertët e kësaj fushe?
Ku është Prokuroria e shtetit të cilën e obligon Kodi Penal i Kosovës për t’i ndjekur të gjithë ata që bien ndesh me atë Kod?
Kushtetuta po thotë se këto marrëveshje janë të pa ligjshme dhe si të tilla duhet të nisen nga e para.
Nuk ka asnjë dyshim, nëse Gjykata Kushtetuese është formuar dhe paguhet nga tatimpaguesit e Kosovës, ajo që të tri marrëveshjet në fjalë duhet t’i shpallë anti Kushtetuese, por për ketë çështje duhet një referim paraprak.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura