(Prishtinë, 11. 07. 2012) – Shqiptarët, si komb i tërë, në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në 100-vjetorin e jetës së pavarur të shtetit, duhet t’i trajtojnë me kujdes të gjitha të arriturat dhe të gjitha dobësitë që kanë të bëjnë me raportet e brendshme kombëtare si dhe në raportet me fqinjët e tyre. Njëqind vjetët e jetës së pavarur të Shqipërisë londineze ishin plotë sfida të natyrave dhe përmasave nga më të ndryshmet që kërkojnë një riformulim dhe riprogramim të ri për të sotmen dhe të ardhmen, sigurisht, krejt ndryshe nga rrethanat, kriteret dhe kërkesat e djeshme. Parë në dritën e zhvillimeve të sotme, kur aspiratat e shqiptarëve për një kualitet të avancuar të jetës në raport me veten dhe integrimet Veri-Atlantike dhe në BE janë jo vetëm aspiratë, por edhe punë e përpjekje serioze, edhe përkushtim e provë, edhe objekt dhe subjekt, marrëdheniet me fqinjët janë portali i parë që hap horizonte të reja për mundësi të reja.
Sot, në kontekstin gjeopolitik dhe të strukturimeve të reja, Kosova paraqitet si fqinja e parë e Shqipërisë me të cilën duhet të kenë një treg dhe ekonomi të përbashkët e të gjithanshme një hap i parë ky nga perspektiva e qartë evropiane. Shqiptarët kërkesën e tyre të natyrshme për integrime Veri-Atlantike, për integrime evropiane, për partneritet me fqinjët në botën e globalizuar, zor se mund ta arrijnë me parcializimet dhe copëzimet e brendshme. Historia shqiptarët i ka ndarë nga Europa, të cilën e kanë synuar tradicionalisht. Historia i ka armiqësuar me fqinjët, jo me fajin e tyre. Historia i ka ndarë si komb copë-copë. Historia ia ka ndarë gjeografinë, fuqinë ekonomike dhe sigurinë kombëtare. Është përpjekur madje t’ua ndajë gjuhën, ëndrrat deri te përrallat dhe legjendat. A thua për ç’gjë? Për t’i tjetërsuar, sigurisht. Për të armiqësuar vëllain me vëllanë… por të gjitha këto përpjekje populli ynë i mundi me urti, me durim dhe vendosmëri. Kapërcei shekuj pa shkollë e gjuhë të shkruar, pa shtet dhe të shumtën i robëruar, në të cilat rrethana arriti ta ruajë etninë, kombin, gjuhën, historinë, atdheun dhe traditat e çmuara shekullore. Natyrisht, për t’u kthyer në rrugën europiane e ndihmuan dhe e mbështetën fuqishëm SHBA-të, Fuqitë e Mëdha të Europës dhe më vonë edhe BE-ja. Kjo u rikonfirmua në formën më të re më 2 korrik 2012 në Vjenë nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar (GDN-ja).
………………………………………………………..
Kosova, në pjesën më të madhe të përbërjes së banorëve të saj, paraqitet me një substrat etnik të njënjëshëm me Shqipërinë, rrjedhimisht me tregues pak a shumë identikë të zhvillimit kombëtar, gjuhësor, historik, kulturor, ekonomik dhe politik. Kjo afri për ekonomi e treg të përbashkët, për siguri dhe zhvillim, për turizëm të përbashkët detar, malor dhe kulturor, për arsim të avancuar e të planifikuar në frymën e rilindësve të shquar, për kulturë tradicionale të planifikuar, sigurisht që nuk e pengon dhe rrezikon askë në Ballkan dhe Europë, përkundrazi përshpejton rrugën e integrimeve Veri-Atlantike dhe europiane të tërë rajonit.
Kosova, duke qenë për vite e vite një vend pa subjektivitet politik, pa liri dhe e ndarë nga trungu, është krejtësisht e logjikshme që tek qytetarët e saj të gjëllinte, të gjeneronte e të rigjeneronte ideja e bashkimit të pjesës me të tërën, po kurrë në dëm të tjetrit. Historia 100-vjeçare e shtetit shqiptar, Shqipërisë, ka dëshmuar për korrektësinë e shtetit, pa marrë parasysh sistemet shtetërore në raport me komunitetet pakicë, që kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë me shumicën shqiptare. Së këdejmi, Republika e Kosovës, në raport me komunitetet pakicë, ka vendosur standarde të nivelit më të lartë europian. Fryma e shekullit të ri, fryma integruese në shkallë më të gjerë, sot paraqitet si model, që në njëfarë mënyre e rikuptimëson nocionin Bashkim, qoftë brendakombëtar, qoftë rajonal apo të BE-së.
Unë nuk do të merrem këtu me teoritë e globalizmit, për skajshmëritë e atyre që janë për dhe të atyre që janë kundër, por integrimet, në perceptimin tim, nuk parakuptojnë suprimime e privime të veçantive që konsiderohen virtyte e vlera të popujve. Synimi i tyre është pikërisht e kundërta: të vihen në një standard të përbashkët ato vlera dhe të bëhen të konsumueshme e të përdorshme për të gjithë. Mjeshtrat e diturive socio-kulturore sot mund të na prezantojnë materiale të panumërta ilustrimi e dëshmimi se njeriu bashkëkohor është çliruar nga konceptet e ngushta getoizuese, ta zëmë, në planin e konsumit të vlerave materiale, ushqimore dhe, ngadalë, po “çlirohet” edhe në planin e vlerave ideore, kulturore e politike. Sot, bie fjala, askush në botë nuk pyet se ç’gjak e ç’gjen kishin filozofët antikë: Platoni, Sokrati e Aristoteli; se ku jetonin Seneka e Ciceroni; se ku pinin çaj Rusoi, Lloku, Didroi a Volteri; se ishte a s’ishte komunist Kamy, Sartri a Hemingueji; se Kadare jeton në Paris apo në Tiranë. Sigurisht që, me këtë rast, nuk do të doja që diskursi im të merrej si floskulë kozmopolite, po si esencë e gjërave. Siç mund të jetë dëgjuar gjatë viteve të fundit, në Kosovë është zhvilluar një debat, do të thosha më tepër i shpifur sesa konkretizues. Në të vërtetë, në vend se ekspertët, të shumtën opinionistë e komentues, kanë ndezur polemika për nocione e terminologji sociolinguistike për kombin, popullin, etninë, gjuhën e shtetësinë. Sigurisht që interpretimet e skajshme shpien në mosdurim e konfliktualitet në planin e diversitetit kulturor, në vend se në drejtim të harmonisë së diversitetit. Mund të tingëllojë pak e rëndë sintagma harmoni e diversitetit ose bashkim në diversitete, por po të kujtojmë, bie fjala, se pikërisht kundërshtitë e bardhë dhe e zezë, në planin e tonalitetit të ngjyrave japin vepra të mrekullueshme të artit në teknikën e grafikës, s’ka pse të merret me rezervë. Në fund të fundit, edhe në diversitete fetare është kombi shqiptar dhe kjo nga askush nuk duhet të kuptohet si sakrilegj.
Qenësore, përtej këtyre formulave sociolinguistike, mbetet ndjeshmëria dhe ndërgjegjja e secilit: çfarë ndihesh dhe si je, sa respekton të drejtën dhe lirinë e tjetrit, sa dhe si respekton parimet universale të njerëzimit. Konstatimi i fundit ma përvijon mendimin drejt historisë së vendeve të Gadishullit Ballkanik, vende që fqinjërojnë njëri me tjetrin. Me qëllim u përpoqa t’i shmangem fjalës gjak. Siç po shikoni, ndodhi e pashmangshmja. Shumë, tepër shumë gjak ka derdhur dhe vazhdon të derdhë njerëzimi për liri, drejtësi e demokraci. Historia e përbotshme njeh dy luftëra përmasash të mëdha, që në histori njihen me emrat: Lufta e Parë Botërore dhe Lufta e Dytë Botërore. Si për paradoks, e para me fillesë në Ballkan. Po kaq njeh edhe Ballkani: Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Ballkanike. Së voni vargu i luftërave dhe shpërbërja e surrogat-perandorisë jugosllave. Sigurisht që s’dua në asnjë mënyrë t’i fryj këtij briri tragjik të luftërave, siç bëri këtyre ditëve politika luftënxitëse serbe në Beograd, por kujtesa e popujve nuk është një shkrim me laps karboni që e fshin një gomë e thjeshtë. Dua që mosharresa të na bëhet mësim e përvojë përparimi, zhvillimi e bashkmi.
Pak pa u mbushur 100 vjet, më 17 Shkurt të vitit 2008, Republika e Kosovës u bë e pavarur, sovrane e demokratike, duke iu bërë një korrigjim thuaja hyjnor të rrugëtimit të gjatë të padrejtësisë historike. Më saktë, përfaqësuesit e saj në Kuvend e shpallën të tillë, tetë vjet pas mbarimit të luftës. Po asaj dite, një grup artistësh ngritën një monument me emërtimin NEWBORN, I PORSALINDURI/E PORSALINDURA. As sot ai monument nuk ka një piedestal. Është vendosur në një shesh të Prishtinës, në nivel platforme me rrugën e kalldrëmtë, që e shkelin të gjithë këmbësorët. Më vonë, monumenti, si vepër arti, është nderuar edhe me disa çmime ndërkombëtare. Por, unë e kam fjalën gjetkë. Te simbolika po aq sa edhe te jeta e rëndomtë. Sipas konceptit të biofilisë, a ka qenie normale njerëzore që të mos i gëzohet ardhjes në jetë të një krijese të shëndetshme? Ajo ka nevojë për mbështetjen dhe përkujdesjen e të gjithëve, ka nevojë për gëzimin dhe dashurinë e të gjithëve. Rrita e saj me asgjë nuk rrezikon njëri. Krahas gëzimit të familjes ajo kërkon edhe rrezatimin e fqinjëve. Po e pamë si familje të madhe Bashkimin Europian, me keqardhje konstatojmë se pesë pjesëtarë të tij nuk e kanë njohur akoma Të Porsalindurën. Po e pamë brenda kontekstit fqinjësor ballkanik, po kaq vende nuk e kanë njohur dhe s’i janë gëzuar lindjes së re: Serbia, Greqia, Qiproja, Bosnjë-Hercegovina dhe Rumania. Sigurisht që mosnjohja nuk e ka fuqinë e zhbërjes së krijesës, por është e bollshme si pengesë në zhvillimin e saj, si pengesë marrëdhëniesh, njohjesh e harmonish, si pengesë përparimi e zhvillimi. Së këndejmi, na imponohen pyetjet: Ka sinqeritet ndaj parimeve, bindjeve dhe aspiratave të familjes së madhe europiane? Ndaj vlerave të mirënjohura europiane? Ka sinqeritet në raportet me fqinjët, apo ka vend dhe hapësirë për reflektime të brendshme? Etika e shqiptarëve i ka kodifikuar kaherë normat e sjelljes ndaj fqinjit. Mësime dhe porosi në këtë plan na sjellin edhe doktrinat e religjioneve kryesore të njerëzimit: “Duaje të afërmin tënd, fqinjin, si veten!”. E quaj ditë fatlume ditën kur mbi ambicien për pronë dhe dominim e hegjemoni në Ballkan, të mbisundojë harmonia dhe vullneti për përparim të gjithëmbarshëm.
Më mban shpresa dhe bindja se edhe në Ballkanin tonë njerëzit e dijes e të shkencës do të përimtojnë me fuqinë e mendjes së njeriut ndërtues, të njeriut të bazuar në shkencat humane, të ndërtojnë raporte marrëdhëniesore ndërshqiptare, të Shqipërisë e të Kosovës me fqinjët, të fqinjëve me Shqiptarët brenda dhe jashtë shteteve shqiptare, duke hedhur dritë edhe mbi guva e zona të errëta. Vetëm në dritë marrin trajtën natyrale gjërat e kësobotshme, bëhen të dashura e të dobishme, me interes për njerëzit dhe njerëzimin pa dallim e përjashtim.
– Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës