DR.LEDIAN DROBONIKU: KEQKUPTIMI I INTELEKTUALËVE ME POPULLIN DHE ALERGJIA PËR DEMOKRACINË

Tiranë, 21 shkurt 2018: Intelektualët përkojnë me dimensionin e cilësisë, kurse populli me atë të sasisë. Është natyrale që intelektualët të shohin me skepticizëm sjelljet dhe opinionet e masës. Ato janë sipërfaqësore e nuk përkojnë me vizionin e intelektualëve. Për pasojë, ata shohin me skepticizëm demokracinë. Demokracia funksionon me parimin e shumicës ku çdokush ka votë të barabartë. Ndaj këtij sistemi sasior, intelektualët preferojnë instiktivisht një sistem elitist, ku vendimet merren lart nga “më të mirët”. Nëse mezi durojnë demokracinë përfaqësuese shohin me alergji demokracinë pjesëmarrëse e çdo zgjerim të pushtetit të popullit. Atë që shumica e intelektualëve nuk kupton, ka të bëjë me faktin se vendimet nuk i merr kurrë “elita” e mendjes por “elita” e pushtetit ekonomik, politik apo ushtarak.
Intelektualët thjesht vihen në shërbim të pushtetit e jo në shërbim të popullit, si iluministët kërkonin. Intelektualët dalin prej popullit (si çdo organizëm që prodhon antikorpe për ta ruajtur nga sëmundjet) dhe kanë mes tij vendin natyral. Intelektualët lindin, rriten, forcohen e vlerësohen prej popullit nëse i shërbejnë atij, si prej shekujsh ndodhte me mësuesit, doktorët, artistët etj. Pra intelektualëve thellë, duhet tu interesojë demokracia, sepse ajo lejon këtë proçes reciprok, ku intelektuali i shërben popullit, e ndihmon, e drejton dhe ky i fundit e admiron. Kurse oligarkia, partitokracia, prangos intelektualin pas diktatit të pushtetit asfiksues, ku roli i tij është vetëm ekzekutor. Pa rolin e tij kreativ, intelektuali kthehet në mediokër dhe dekadenca pushton vendin.

Keqkuptimi i dytë ka të bëjë me demokracinë. Demokracia nuk është thjesht fenomen sasior por në radhë të parë cilësor. Përse? Sepse intelektualët e sotëm shohin vetëm momentin e vendimmarrjes e jo pjesëmarrjes. Kurse grekët e kishin kuptuar që demokracia nuk është produkt por proçes. Grekët arritën të kuptonin që askush nuk zotëron monopolin e së vërtetës dhe gjithë njerëzit janë pajisur me logos. E vërteta do ishte pra rrjedhojë e një poli-logos e të gjithë njerëzve të lirë. Pra vendimmarrja në fund nuk ishte thjesht sasiore, por produkt i argumentimeve më të mira, ndërthurja, përmirësimi, lindja e kompozimi në një realitet të ri. Njësoj si piktura që nuk është thjesht bashkim bojrash në pëlhurë (nocion sasior) por diçka më shumë, pra një bashkim cilësor e shpirtëror. Pas mijëra vitesh errësirrë feudale e privilegje, Europa njohu Rilindjen, humanizmin dhe iluminizmin duke iu rikthyer mendimit grek. Pra një komunitet ose rritet së bashku ose kalon në dekadencë. Rilindi kështu Demokracia, ku intelektualët formojnë popullin që ai të vendosë vetë, si bën një prind i mirë e jo obsesiv që do të mbajë popullin minoren.
Keqkuptimi i tretë i intelektualëve ka të bëjë me natyrën e vendimeve. Si shpjegon në mënyrë magjistrale Habermas, të vërtetat shkencore ndryshojnë nga ato sociale. Të parat formohen në laborator e demonstrohen pa kundërshtime. Kurse të vërtetat sociale nuk mund të demonstrohen shkencërisht. Ato ndryshojnë në kohë e hapësirë sipas nevojave të njerëzve. Kush vërteton se është më mirë që në një hapësirë të ndërtohet një lulishte, parking, shkollë, bordello sesa vetë populli? Apo buxheti të shkojë për ujësjellësa, spitale apo fasada? Prandaj të vërtetat sociale janë historike se në një moment të dytë, populli ndryshon mendje sipas nevojave.
Kush më mirë se populli di nevojat e popullit?
Intelektualët nuk duhet të mbyllen në një kullë të fildishtë e filozofojnë, por shpjegojnë popullit idetë dhe zgjidhjet e tyre. Vetëm demokracia ua lejon këtë mundësi. Oligarkitë janë konservatorë kurse demokracia në evoluim të vazhdueshëm e kreative sipas nevojave të kohës.
Keqkuptimi i katërt, që rrjedh nga devijimet e mësipërme, ka të bëjë me faktin se intelektualët harrojnë se Demokracia para së gjithash, është sistem mbrojtjeje e popullit nga pakica (partitokracia, aristokracia, monarkia, oligarkia, ksenokracia, plutokracia, teokracia, neoliberizmi, fashizmi, komunizmi e çdo lloj totalitarizmi). Privilegjet krijohen nga një pakicë kundër shumicës e jo e kundërta. Shumica priret mos ta sulmojë pakicën sepse shumicat ndryshojnë përditë duke u alternuar me atë që sot është pakicë. Kurse një pakicë organizohet lehtë dhe mund të skllavërojë shumicën e paorganizuar duke e përçarë dhe sunduar. Kjo është historia e botës nga rendi skllavopronar, feudal, kisha, nomenklatura komuniste apo sot ajo neoliberiste. Është pasioni i një intelektuali të vërtetë të punojë për një shoqëri të drejtë e të begatë. Kjo realizohet vetëm në Demokraci, ku çdokush pa drojë nga askush, thotë e argumenton tezat e tij në shërbim të së mirës së përbashkët, si Kant predikonte. Shpresojmë që intelektualët shqiptarë të ndahen nga kërthiza e pushtetit, lobeve neoliberiste apo nostalgjisë puniste e të punojnë për popullin dhe zgjerimin e demokracisë. Përndryshe fara e tyre do shuhet e zëvendësohet nga ajo e mediokrëve “efiçentë”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura