Tiranë, 5 prill 2017: Titulli nuk është provokativ, por pasqyrim i asaj çfarë po ndodh në debatin publik shqiptar. Arsyetimi me anë të paradokseve është i imponuar nga rendi simbolik artificial, mbi të cilin ngrihet kasta e tranzicionit. Ky rend simbolik është ngritur mbi përmbysjen e koncepteve autentike dhe ka për qëllim paralizën e të të menduarit. Qytetarët që mendojnë me kokën e tyre, përbëjnë problem për çdo regjim.
Padronët e Republikës dhe medias, bëhen edhe padronë të kuptimit të fjalëve. Ata e dinë që fjalët janë gurë. Fjalët janë armë. Pa ato, nuk ka qytetarë por skllevër vullnetarë. Prandaj, beteja në radhë të parë është semantike, duke iu rikthyer fjalëve kuptimin luftarak që mobilizon energji për ndryshim.
Kasta është e alarmuar për pakënaqësinë sociale. Ajo nuk mund ta fshehë dot apo ta ndrydhë atë, si nën regjimin komunist. Ajo çfarë mund të bëjë dhe ka bërë këto 27 vite, është udhëheqja e kësaj pakënaqësie në drejtime të padëmshme, duke e deformuar, relativizuar dhe neutralizuar.
Shteti, Republika, demokracia, ekonomia, media, akademia nuk janë thjesht të korruptuara, por të kapura sepse nuk i shërbejnë më publikut por një grushti njerëzish. Por kasta flet për korrupsion sikur problemi të ishte sporadik dhe jo sistemik. Në këto kushte, njerëzit induktohen të mendojnë, që zgjidhja mund të vijë edhe nga brenda sistemit, me anë të partive, me anë të votës apo vetingut magjik.
Iluzion!
Si mund të presësh që ndryshimin do e sjellë ky 1% që mbahet pikërisht mbi privilegjet ndaj 99% të mjerë, të përçarë si skllevër vullnetarë? Ky nuk është më diskutim juridik, por faktik ngritur mbi raporte force. Kasta ka gjithçka dhe populli asgjë.
Në Republikën private, vendimet e rëndësishme për jetët e miliona shqiptarëve nuk vendosen nga populli, madje as në institucione, por në restorantet dhe hotelet e pushtetarëve. Populli televiziv asiston nga larg sikur kjo të ishte diçka normale, si natyrore, si spektatorë të një show dhe jo sikur bëhet fjalë për jetët e tyre.
Padronët dhe shërbëtorët e tyre në media dhe katedra, kanë mbjellë tashmë idetë e mbrapshta se Republika, Shteti, Politika janë çështje të një “elite” dhe populli duhet të rrijë larg, sepse ai nuk kupton. Ai mund veç të shikojë, të brohorasë, të duartrokasë, por jo të vendosë.
Por Kushtetuta, Republika, Shteti, politika ngrihen mbi idenë e konfigurimit dhe përkujdesjes së interesit publik. Llogjikisht dhe historikisht garanti më i mirë për publikun është vetë publiku. Prandaj dhe populli luftoi dhe fitoi demokracinë si pushtet i të gjithëve dhe askujt.
Sot ky pushtet i përket vetëm një pakice si në diktaturë por me një ndryshim, sot e quajnë “demokraci”. Politika nuk është ende ai aktivitet ku të gjithë kontribuojnë në mënyrë të barabartë në përcaktimin e fateve të komunitetit. Ajo është pronë e të privilegjuarëve që kanë akses ekonomik, financiar, mediatik apo partiak. Dhe kështu të privilegjuarit “merren me politikë” duke rritur akoma më shumë privilegjet në dëm të të mjerëve “që veç flasin për politikë”.
Njësoj si në nomeklaturë, pushtetarët emërojnë njëri tjetrin për të sunduar me rotacion. Gjithashtu rituali i votës vijon ende si në diktaturë, por ajo prap nuk shërben për të ndryshuar gjërat. Populli kërkon një gjë dhe kasta bën të kundërtën e asaj që premton. Si mund të ketë kontratë sociale, nëse vullneti deformohet, besimi vidhet dhe përgjegjësit nuk ndëshkohen. Një kontratë e tillë nuk krijon dot as paqe sociale dhe as begati të përgjithshme, por shpërdorim të energjive dhe degradim të vlerave.
Çfarë duhet të bëjmë atëherë? Duhet të braktisim fjalën demokraci, apo të luftojmë për realizimin e vërtetë të saj?
Demokracia – thotë Dewey – është edukim, është emancipim i vazhdueshëm, ajo nuk ndodh vetvetiu në gjendje instiktive. Pra duhet një kulturë demokratike. Dembelizmi mendor dhe kultura baritore, na bëjnë të mendojmë në formë piramidale, tek ardhja e një bariu të mirë që do të na shpëtojë. Dhe kështu të gjithë kërkojnë “bariun e mirë”, pa kuptuar se shpëtimi i vërtetë, është të heqim dorë nga të qenurit dele dhe dele-gimi i pushtetit. Kjo do të thotë trasferim i pushtetit të vërtetë nga partitë dhe lobet drejt atij 99%shi të vjedhur, të mashtruar e të poshtëruar.
Pushteti nuk është abstrakt, ai ushtrohet me anë të institucioneve. Prandaj dhe betejat nuk duhen bërë për emra dhe sigla por për marrjen e institucioneve. Sa më shumë institucione formohen dhe kontrollohen direkt nga populli aq më shumë forcohet pushteti i tij dhe aq më shumë gërryhet pushteti i oligarkëve, partive, lobeve dhe ambasadorëve.
Republika për të qenë vërtet besnike e kuptimit të saj (e mirë publike) duhet të jetë demokratike, pra të ngrihet dhe kontrollohet nga demosi, nga populli. Ajo çfarë kemi sot është një Republikë private, ku interesi publik zëvendësohet me interesin e një grupi pranë pushtetit, ku nuk ekziston ndarje e pushtetit dhe llogaridhënia por përqendrimi i të gjitha tagrave në një dorë të vetme, ku hyrja nuk është e lirë për të gjithë bashkëkomunitarët, por për besnikët e oborrit që sjellin dhurata.
Për çfarë duhet një Republikë e tillë, që prodhon privilegje për 1% dhe skamje për 99%?
Kasta e tranzicionit na trampoloi pas në kohën e feudalizmit, jo vetëm politikisht dhe ekonomikisht por dhe në degradimin e kulturës, edukimit dhe arsimit. Injoranca dhe përçarja e të mjerëve nuk është pasojë, por kusht për përjetësimin e këtij regjimi barbar.
Sigurisht kjo ndërtesë duhet rrëzuar nëse duam emancipimin e shqiptarëve dhe ngritjen e kombit. Ajo duhet shkulur nga rrënjët. Mbi themelet e saj nuk mund të ndërtojmë dot asgjë të re dhe afatgjatë.
Por nëse është e lehtë të kuptosh nevojën për rënien e saj, këtë gjë nuk mund ta themi dot sesi duhet ndërtuar Republika e Re. Shkatërrimi kryhet dhe nga turrmat histerike, kurse ndërtimi i një Republike Demokratike, bëhet vetëm nga populli i bashkuar rreth një projekti racional. Por ky popull nuk lejohet që të formohet, ai përçahet dhe ndërsehet kundër njëri tjetrit pas flamurëve të çifligarëve.
Pa komponentin popull, nuk mund të kemi dot një projekt autentik. Në mungesë të një projekti të tillë, do serviret një fallso nga kasta dhe qarku i saj mediatik.
Këtij Jo-Projekti, i ngjan propozimi i opozitës për Republikë të re psh. Nga një anë pranohet një përqasje olistike por jo sistemike. Pra pranohet që problemi zgjidhet në mënyrë të përgjithshme, por nuk pranohet që të ndryshohet sistemi. Duhet përsëri që vendimet ti marrë partia me miqtë dhe besnikët e saj, që për më shumë janë po të njëjtët.
Ndryshimi i Republikës minimalisht do të thotë zëvendësim i gjithë klasës politike si ndodhi me Republikën e dytë italiane, falë ndërhyrjes së magjistraturës. Por as kjo nuk do mjaftonte pa ndryshim të qendrave të pushtetit, pa përforcim të mekanizmave garantues dhe demokratizim të institucioneve. Korrupsioni kapilar që kishte shoqëruar mrekullinë ekonomike italiane, jo vetëm që nuk do zhdukej me ardhjen e Berluskonit dhe partive të reja, por do të trasformohej në kancer kundër interesave të Republikës së re. Lobet dhe hienat ndërkombëtare do privatizonin dhe deindustralizonin ekonominë italiane, duke rritur papunësinë, ulur shërbimet publike dhe rritur borxhin publik. Pra italianët duhet të hidhnin ujin e pisët dhe të mbanin fëmijën (fitoret ekonomike) por fatkeqësisht bënë të kundërtën, flakën fëmijët dhe mbajtën ujin e pisët. Sot në vendin fqinj, diskutohet se kush janë tradhëtarët e kombit dhe sa e rëndësishme ishte demokratizimi i vendit, rritja e fuqisë vendimmarrëse qytetare si mekanizmi i vetëm për të ruajtur imunitetin e Republikës ndaj vemjeve të jashtme dhe të brendshme. Modelet elitiste priren gjithmonë të zëvendësojnë interesin publik me atë korporativ, pavarsisht përrallave neoliberale të konkurrencës së elitave shumpeteriane.
Model tjetër mund të ishte ai francez i formimit të Republikës së pestë, prej gjeneralit De Gaulle, në një moment të vështirë të Francës, e ndrydhur mes presionit amerikan dhe atij sovjetik. De Gaulle kuptoi që insitucionet aktuale nuk mund ta luanin dot atë rol dhe me anë të reputacionit ushtarak modifikoi asetin e Republikës, Kushtetutën politike dhe ekonomike, me anë të një referendumi popullor. Dhe Franca rifitoi rolin e saj në arenën evropiane dhe ndërkombëtare.
Në rastin shqiptar asnjë prej këtyre faktorëve nuk është në gjendje tu japë shqiptarëve një Republikë të Re. Shqipëria nuk ka një magjistraturë me legjitimitet popullor si ishte magjistratura italiane, e cila kishte luftuar dhëmbë për dhëmbë me mafian. Magjistratura shqiptare është pjesë e kastës dhe më me pak reputacion tek shqiptarët duke tregtuar drejtësinë, njerëzve me pushtet politik, ekonomik, mediatik etj.
Nuk kemi as edhe një ushtri të aftë për të shpëtuar vendin. Kasta u kujdes të çmontonte ushtrinë, arsenalin e saj, por mbi të gjitha elitën ushtarake duke krijuar karikatura që i qahen ambasadorëve dhe vjedhin ushtarët. Ndoshta kjo ushtri për çlirimin e vendit mund të krijohet në diasporë, por fragmentizimi aktual i saj, e bën atë ende të parrezikshme për sundimin e kastës shqiptare.
Këtë rol sigurisht nuk mund ta luajnë partitë shqiptare, të reja apo ato të vjetra. Formimi dhe rritja e një partie autentike nuk do lejohet kurrë nga kasta, e cila kontrollon institucionet, financën, median dhe krimin. Në vend të tyre krijohen kërpusha të vegjël që duan veç të rriten duke i pirë gjakun këtij populli. Kjo është dhe arsyeja se përse të gjitha partitë propozojnë vetëm modele elitiste, ku populli dele-gon pushtetin dhe ato “punojnë për të”.
Nëse do të kishim sindikata, këtë rol të ndryshimeve mund ta luanin ato në emër të miliona të papunëve dhe punëtorëve skllevër. Por sindakatat, mediat dhe shkollat do ishin të parat që do binin nën pushtetin e kastës sepse mund të shndrroheshin në qendra të përqendrimit të pakënaqësisë dhe mobilizimit të masave.
Fatkeqësisht këtë Republikë demokratike të re nuk mund ta bëjë dot as populli, sepse nuk e di dhe prandaj as nuk e dëshiron. Shqiptarëve i kanë instaluar prej dekadash në tru, mekanizmin baritor-elitist, ku skllevërit nuk duan të çlirohen por duan të bëhen padronë, ku nuk duan të vendosin vetë fatet e tyre por thjesht tua delegojnë një bariu të mirë, liderrit apo partisë së zemrës. Edukimi demokratik jo vetëm që nuk përhapet por ai anatemohet nëpër katedra apo studio televizive, dhe në fund skllevërit binden se nuk ka model tjetër.
Shqipëria është ndër vendet e rralla, që nuk u prek nga iluminizi evropian. Për pasojë nuk u përpunua idea e “qytetarit” si i vetmi entitet me të drejta origjinale mbi të cilin themelohet Republika Demokratike. Nëse të mjerët nuk e duan këtë gjë, aq më pak e duan intelektualët dhe shërbëtorët e pushtetit që gëlojnë pas tij. Në vend të qytetarit (në kuptimin iluminist dhe jo antinomisë me fshatarin) u përjetësua koncepti i “nënshtetasit” që ofron bindje. Kjo është edhe arsyeja se përse pseudo-shkencarët shqiptarë elaborojnë vetëm një lloj shteti autoritar duke vlerësuar madje dhe diktatorët si Hoxha apo Zogun. Shqiptarët e mjerë, mbyllin sytë dhe mbajnë mend vetëm një lloj shteti dhe kujtojnë se ai është i vetmi. Nga ana tjetër kasta është e lumtur që tu ofrojë atë tip shteti, duke rritur represionin, kontrollin mbi jetët e njerëzve. Nuk duhet habitur pse qeveria e ripjelljes mburret se “po bën shtet”.
Shteti dhe Republika ngrihet e fortë vetëm nëse qytetarët e saj janë të fortë, të begatë, nëse në ndërtimin e saj marrin pjesë si qytetarë të lirë dhe të barabartë. Pra një Republikë Demokratike, që formohet e kontrollohet nga vetë qytetarët dhe jo partia, lobet, korporatat apo ambasadorët.
Sigurisht këto faktorë nuk janë por mund të prodhohen në një horizont demokratik. Ata që vuajnë janë shumica dërrmuese edhe pse jo të ndërgjegjshëm për mënyrën sesi ndryshohet sistemi.
Ky ndërgjegjësim duhet nisur nga forcat prodhuese, nga 99% e biznesit prodhues shqiptar që mbijeton nën kushtet e një oligarkie politike dhe monopolesh ekonomike. Ky model neoliberal imponuar nga kasta dhe lobet, na ka kthyer në një koloni importi ku ata që përfitojnë janë vetëm 1% që përqendrojnë kapitalin gjithmonë e në më pak duar. Borgjezia e vogël duhet të kuptojë që ky model nuk arnohet por vetëm rrëzohet nëse duan të prosperojnë në kushtet e rritjes së punësimit, rrogave dhe kërkesës agregate të brendshme për shitjen e produkteve të tyre.
Ndryshe nga ajo çfarë trumbetojnë klerikët e neoliberizmit, këtë gjë nuk e bën vetë tregu. Tregu është një e mirë publike dhe duhet ti shërbejë të gjithëve. Nëse ai zaptohet nga disa oligarkë, e vetmja rrugë shpëtimi është rregullimi i tij me anë të politikave publike. Por këto të fundit për të qenë publike, nuk mund tu lihen në dorë “elitave” por publikut të gjerë që ka interes që të zhvillohet një ekonomi e lirë dhe e ndershme, ku triumfon talenti, puna dhe sakrifica.
Pra Demokracia, do të nisë nga demokratizimi i ekonomisë, si ajo fushë që kuptohet dhe mobilizon më lehtë forcat progresiste në vend. Fundi i një ekonomie koloni importi, dhe krijimi i një ekonomie kombëtare, i një borgjezie prodhimi që vlerëson asetet e vendit dhe krijon punë dinjitoze për miliona shqiptarë. Kjo është dhe arsyeja se përse faktori ndërkombëtar (FMN, SHBA, BE, etj) nuk e mbështet këtë model zhvillimi kombëtar, sepse preferojnë atë bazuar në një globalizim të kontrolluar nga kapitali i madh. Por ky model është dekadent dhe shpejt kursi do ndryshojë, duke çliruar zhvillimet e vendeve prej dikaturës monetare dhe borxheve skllavëruese. Shqipëria është ende një vend sovran dhe nëse do kishim një elitë patriotike kjo ekonomi kombëtare tashmë do të ishte realitet. Por pilotimi i qeverive dhe pushtetarëve komodë në këto vende, është karakteristikë pikërisht e këtij globalizmi neokolonial. Propaganda sistemike nga ana tjetër qep e shqep opinionin publik, pa lejuar kurrë formimin e ideve të qenësishme për zhvillimin e vendit.
Ky regjim mbahet me forcën e fjalëve, përmbysjen e koncepteve. Pa fjalët dhe konceptet autentike, askush nuk mund të formojë dot ide për të cilat mund të bashkohet dhe ti realizojë më të ngjashmit e tij.
Prandaj, dhe beteja jonë si shqiptarë duhet të fillojë tek rimarrja e simboleve për të ndërgjegjësuar një popull të tërë për problemet dhe zgjidhjen e tyre në mënyrë demokratike. Bashkë me ndërgjegjësimin e biznesit të vogël, mund të bashkoheshin më tej, studentë dhe intelektualë, që nuk janë kompromentuar ende me këtë sistem radioaktiv dhe dëshirojnë një Shqipëri Demokratike, ku vendosin qytetarët shqiptarë, si qytetarë të lirë!
Postime të Lidhura
DR.JAKUP KRASNIQI: AJO NUK ISHTE HARTA E SHQIPËRISË SË MADHE, ISHTE HARTA E TIFOZËVE TË KOMBËTARES SHQIPTARE
Prishtinë, 18. 10. 2014: Në ndeshjen e kombëtareve të Serbisë e të Shqipërisë, të zhvilluara në stadiumin e…
KUSH ËSHTË MILLAN RADOICIQI?
Kush është Millan Radoiçiqi? Vjedhës veturash, i akuzuar si kidnapues i një biznesmeni nga Shkupi, i pasuruar nga…
PËRPARIM DEMI: SI DHE PSE NDODH ABUZIMI ZGJEDHOR?!
Bukuresht, 12 Maj 2017: Flasim, kritikojmë, përflasim, sugjerojmë, shpallim dhe deklarojmë, nga njëherë dhe shfryjmë, fyejmë, ofendojmë ata…
KONFERENCË SHKENCORE: “TË PERSEKUTUARIT DHE TË BURGOSURIT POLITIKË SHQIPTARË NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË”
Tetovë, 22. 02. 2017: Të nderuar, me rastin e 139-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Shoqata për kulturë “Tradita”,…