DR.LUFTULLA PEZA: DJE NUK I DHAMË KODIN TELEFONIK, SOT NUK I JAPIM PASAPORTAT!

Golem, 2 nëntor 2017: Ç’është kjo punë me ne shqiptarët, që politika jonë e ka të keqen në shpirt? Të gjitha shtetet e botës kanë pakica kombëtare jashtë territorit të tyre, por mundohen me të gjitha mjetet ti ndihmojnë bashkëatdhetarët e tyre politikisht dhe ekonomikisht. Vetëm qeveritë shqiptare veprojnë kundra këtij rregulli ndërkombëtar.
Asnjë vend në Europë nuk ka nevojë për viza, vetëm Kosova është shndërruar në geto të re europiane dhe qytetarët e saj të kombësisë shqiptare e kanë detyrim marrjen e vizave të udhëtimit. Kjo vetëm për shqiptarët e Kosovës, sepse serbët, malazezët dhe nacionalitetet e tjera të Kosovës udhëtojnë kudo lehtë dhe pa viza, sepse janë të pajisur me pasaporta serbe, malazeze etj., nga vendet e tyre amë.
Qeveria greke i ka pajisur të gjithë minoritarët grekë, që jetojnë në Shqipëri e kudo, jo vetëm me pasaporta, por ju jep edhe pensione, pa punuar asnjë ditë në Greqi. Ajo për më tepër me këto privilegje ka pajisur edhe disa shtetas shqiptar, që janë vënë në shërbim të interesave greke.
Po kështu serbët dhe malazezët e Kosovës nuk kanë nevojë për viza, sepse janë të pajisur me viza nga vendet e tyre nanë. Jetimë dhe pa përkrahjen e nanës së tyre janë vetëm shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e tjerë nëpër botë, që qeveritë shqiptare nuk i njohin fare dhe nuk i ndihmojnë në ditët e vështira. Ky është veprim në të kundërtën me vendeve e tjera dhe në kundërshtim me interesat tona kombëtare.

Para 2-3 vjetësh Kosova pat problem të madh të siguronte paranumrin (prefiksin) telefonik. Qendra ndërkombëtare për këtë sherbim në Zvicër i bëri thirje publike Shqipërisë, që ti japë Kosovës paranumrin e saj telefonik. Por mos e fol, burokratët shqiptar e ruajnë atë si gjë të shenjtë dhe kështu Kosova u detyrua të kërkojë ndihmë gjetiu. A e nderon ky veprim në botë Shqipërinë? Kurrsesi. Kjo i paraqet shqiptarët të egër edhe me vëllanë e vet dhe ngjall kudo keqardhje. Për mendimin tim, kjo qe një mundësi e madhe për të ndihmuar popullin vëlla të Kosovës, për ti dhënë lirinë e mohuar, por burokratë shqiptarë nuk e deshën këtë, ndërsa ata të Brukselit fërkojnë duart, që shqiptarët luftojnë ndërvedi dhe serbët janë më mirë.
Para 2-3 vjetësh kur plasi konflikti në Ukrainë dhe në Krime u krijua gjendje e vështirë, vështirësi të mëdha në këtë vend u krijuan edhe për mjaft familje të pakicës çeke, që jetojnë në Krime nga shekujt e kaluar. Qeveria çeke për tu ardhë në ndihmë këtyre vëllezërve jashtë atdheut, hapi konsullatë të përkohshme provizore në Krime dhe ju bëri thirje bashkëqytetarëve çekë, me banim të përhershëm në Krime dhe Ukrainë, kush don pasaporta çeke mund ti marrë në konsullatën provizore. Dhe të gjithë ata qytetarë ukrainas me origjinë çeke, që deshën morën pasaportat çeke. Por lufta në Ukrainë u ashpërsua dhe shumë nga këta familje çeke, me banim të përhershëm në Ukrainë, shprehën dëshirën për tu kthyer në vendin e tyre amë, nga ku ishin larguar të parët e tyre shekuj më parë. Qeveria çeke u a plotësoi dëshirën, aeroplani qeveritar çek bëri disa rrugë dhe të gjitha familjet, që deshën të kthehen në Çeki u kthyen. Qeveria çeke me të mbërritur në vend, ju dha në dorë çdo qytetari të rritur nga rreth 800 euro dhe rreth 250 euro për çdo fëmijë. Më pas atyre ju dhanë shtëpi dhe punë për të rriturit dhe fëmijët filluan shkollën. Ky është interesimi për bashkëatdhetarët jashtë vendit. Qeveria shqiptare dhe funksionarët e tjerë le të marrin shembull nga ky rast human i Çekisë.
Sot lavdrohemi dhe me të vërtetë përbën nder të madh për ne shqiptarët, që në fatkeqësinë më të madhe të jetës, qeveria shqiptare e A.Zogut i dha pasaportën shqiptare, shkencëtarit të shquar me origjinë çifute, Ajnstainit. Ai me ndihmën e saj mundi të largohet nga Gjermania naziste dhe kështu pasaporta shqiptare i shpëtoi jetën.
Ne, që të jemi të nderuar dhe të na respektojnë të tjerët duhet me pasaportat shqiptare të pajisen të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë, sepse ajo tregon që je shqiptar dhe vendi amë të ka në zemër. Me këtë pasaportë në radhë të parë duhet të pajisen vëllezërit shqiptarët të Kosovës, për të dalë nga geto, ku i ka futur BE, por edhe shqiptarëve të tjerë në Serbi, Mali Zi, Maqedoni, Greqi e gjetkë. Ajo duhet të jetë nder për çdo shqiptar, kudo ku jeton. Por nga ana tjetër çdo shqiptarë duhet të dijë ta mbajë atë me nder dhe të zbatojë të gjitha rregullat që rrjedhin prej saj.
Pasaportat shqiptare të mos jepen jashtë rregullave si bamirësi. Duhet të zbatohen rregullat nga shteti për këtë problem. Në radhë të parë, të huajtë, që do të marrin pasaporta shqiptare, duhet të kenë dhënë provimin përkatës për njohuri të bollshme për gjuhën shqipe dhe historinë e popullit shqiptar. Kjo është normë edhe në vendet e tjera
Për ta bërë më tërheqëse dhe më të vlefshme pasaportën shqiptare, në te duhet të shkruhen edhe disa udhëzime për mbajtësit e saj, që i ka pasur pasaporta shqiptare në kohën e mbretit Zog. Ato janë disa rregulla, që duhen të dihen dhe të zbatohen nga kushdo:
1-Ta dish dhe të jesh i sigurtë se fatbardhësia dhe lumturia jote gjindet në Shqipëri, e cila të jep nderë dhe të fal emrin shqiptar.
2-Ruaje mirë karakterin kombëtar dhe kryelartësinë shqiptare, bindju ligjeve dhe rregullave në vendet kudo që të jesh.
3-Ç’do shqiptarë është vëllai jot, nderoje kurdoherë dhe ndihmoje kur të ketë nevojë.
4-Mos e përbuz gjuhën amtare, por krenohu me te, sepse është më e lashta në botë. Mos fol në gjuhë të huaj, kur nuk është nevoja.
5-Ndero flamurin e Atdheut tënd; kush nuk e nderon shenjën e kombësisë, ç’nderon veten e vet.
Dashuria për Atdheun ndihet më tepër në mërgim, prandaj këtë dashuri ruaje edhe kur të kthehesh në vendin tënd.
Qeveritarët shqiptar duhet të dinë se dhënia e pasaportave shqiptare për të gjithë shqiptarët jashtë Atdheut, por në radhë të parë për shqiptarët e Kosovës, është jo vetëm një detyrim moral kushtetues ndaj bashkatdhetarëve tanë jashtë Atdheut, por edhe një vepër moralisht fisnike dhe shprehje e lartë e atdhedashurisë. Pa këtë veprim, pa i çliruar nga geto shqiptarët e Kosovës, duke ju dhënë pasaportat shqiptare, ndjehem me turp para bashkëkombësave të mi kudo ku janë.
Mos dhënia e pasaportave shqiptare vëllezërve tanë në nevojë, siç propozoi presidenti kosovar Hashi Thaçi, kudo ku jetojnë, përbën vepër kundra bashkimit kombëtarë, për të cilën po përpiqemi të gjithë ne që e duam dhe e nderojmë Atdheun tonë njësoj si familjen tonë. Është përgjegjësi e madhe për këdo, që vepron kundra interesave kombëtare. Asnjeri nuk do të shkojë në botën e përtejme, pa dhënë llogarinë të plotë për veprën, që ka lënë pas.
Habitem me qëndrimin e opozitës shqiptare, pati rastin e mirë të bënte një veprim mjaft të drejtë për interesin kombëtar dhe të shqiptarëve jashtë atdheut. Kur u hap problemi i pasaportave, ta kundërshtonte me forcë qendrimin e Qeverisë Shqiptare dhe ta mbështeste me forcë dhënien e pasaportave shqiptare, shqiptarëve jashtë atdheut. Kështu do të prishej geto, që i është vënë ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe do të ngrihej krenaria jonë kombëtare. Por opozita në kuvendin tonë nuk u kujtua fare për këtë çështje, me të cilën do të kishte fituar shumë përkrahës për veten e vet.
Me keqardhje vejë re, që opozita shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, sapo mbarojnë zgjedhjet, nuk bëjnë opozitë si në vendet e tjera, por e quajnë opozitë vetëm luftën për të rrëxuar qeverinë aktuale. Ky nuk është roli themelor i opozitës. Qeveria ka dalë nga zgjedhjet, e mirë apo e keqe, asaj ja dha populli shumicën e votave. U vodhën shumë vota, hynë në kuvend shumë të pa merituar, po ky është kulaçi që na ka dhënë marveshja PS-PD. Roli i opozitës, është të respektojë vullnetin e shumicës së popullit, në kuvend të sjellë dhe të miratohen ligje sa më të mira për vendin, që ai të përparojë, ta përkrahë qeverinë për punët e mira dhe ta kritikojë atë rëndë për punët e këqia. Të ndërmarrë vetë nisma për të mirën e komunitertit: të mbrojë interesat kombëtare në marrëdhëniet me shtetet e tjera. Deputetët e saj duhet të sjellin në kuvend mendimin e popullit, nga zonat që vijnë, varfërinë dhe hallet e tij. E din opozita se në Shqipëri ka familje me 5 antarë dhe jetojnë në muaj me 2600 lekë asistencë? E din opozita shqiptare se vetëm shqiptarët në Kosovë janë në geto dhe kanë nevojë për viza, sepse serbët, malazezët e Kosovës i kanë pasaportat nga vendet e tyre amë, vetëm shqiptarëve ju refuzohen pasaportat nga vendi i tyre amë? E din opozita se për dëshmorët e kombit thuhen fjalët më të mira, por shumë familje dëshmorësh jetojnë në varfëri? Familjeve të dëshmorëve nuk ju kthehen pronat? Këto janë disa tema, me të cilat opozita duhet të merrej seriozisht në kuvend, në se don të fitojë zemrat e shqiptarëve.
Më habiti shumë përkrahja që PD i dha Dules dhe disa minoritarëve, ditët e fundit, në përkrahja të kërkesave të Greqisë, për ta kthyer Himarën në zonë minoritare. Kjo është në kundërshtim me interesat tona kombëtare, sepse Himara asnjë herë nuk ka qenë vendbanim minoritarësh, ajo ka qenë gjithmonë shqiptare dhe kështu do të mbesi. Kjo përkrahje e PD për këtë çeshtje, tregon se Partia Demokratike është larguar shumë nga platforma e Dhjetorit 1990, siç e kam shtjelluar në një shkrim më parë.
Duke luftua për rrëximin e qeverisë në Kosovë, partitë opozitare LDK dhe VV, kanë krijuar situatë mjaft të favorsdhme për serbët e Kosovës, ata zunë vend kyç në qeverinë Haradinaj dhe po e dredhin perin mjaft mirë në dobi të tyre. Dy partitë opozitare po luftojnë për rrëximin e qeverisë, jo për interesat e Kosovës, por të vetat personale, nga kjo çdo ditë po përfitojnë terren serbët, që ndihmohen nga diplomacia e fortë serbe. Edhe demat e egër, që janë armiq njeri me tjetrin, kur vjen rreziku, ujku, luani etj., bëhen me një herë miq dhe të bashkuar fitojnë dhe mbrohen më mirë. Por politikanët e Kosovës nuk e kuptojnë këtë diplomaci, mirë është të shkojnë të marrin përvojën e demave të egër! Udhëheqësit e VV dhe LDK me një herë duhet ti bashkohen qeverisë Haradinaj, pavarësisht inateve të vjetra dhe kështu serbët dalin jashtë loje. Vuçiçi në vend të fërkojë duart, siç bën tani, do të vrasë mendjen se si ti përçajë shqiptarët. Kështu bëhet politika, në dobi të Kosovës dhe të popullit të saj autokton, që e dinë mirë edhe demat e egër.
Edhe për demarkacionin me Malin e Zi ka zgjidhje të favorshme për Kosovën, por duhen njerëz të zot në trajtimin e çështjeve ndërmkombëtare. Qeveria e Kosovës le të angazhojë në këtë punë ekspertin Prof. Myslim Pashaj nga Universiteti i Trianës. Ka një marëveshje midis Malit të Zi dhe Kosovës, që e ka kufirin aty ku diskutohet sot. Mali i Zi e ka miratuar në parlament marveshjen me Kosovën, që edhe Kosova e ka në fuqi. Tani kërkohet, që Kosova të rrëxojë atë marëveshje, të bëjë të pavlefshme dhe kështu detyrimisht të dy vendet duhet të shkojnë drejtë një marëveshje të re. Në marëveshjen e re fiton Kosova, sepse kufijtë gjithmonë vendosen në kreshta dhe jo në luginë.
Kemi dy ministri për diasporën, që për mendimin tim merren me metingje në Amerikë, Gjermani, Zvicër etj., ku shqiptarët e atjeshëm kremtojnë dhe brohorasin me mall për atdheun e tyre të largët. Por për Preshevën, fshatrat shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni, Greqi etj., asnjë interesim nuk ka. Këto rajone shqiptare kërkojnë ndihmën tonë, mbështetjen e madhe, që të mbijetojnë nga presioni i fortë shfarosës që bëjnë vendet fqinjë.
Vetëm me luftë të drejtë në kuvend opozita si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë do të fitojë zemrat e popullit dhe vota më shumë në zgjedhjet e ardhëshme. Por mua më duket se, hallet e opozitës shqiptare nuk janë interesat e popullit, por të rrëxojë qeverinë, të marrë pushtetin dhe të rikthejë privilegjet për veten e vet.
Golem, më 2 nëntor 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura