DR.MOIKOM ZEQO: ALEKSANDËR STIPҪEVIҪ – PRINCI EUROPIAN I BIBLIOGRAFIVE

Tiranë, 07. 09. 2015: (Nderim për ilirologun Aleksandër Stipçeviç) – Mbylli sytë dhe shkoi në amshim dijetari i njohur kroat me origjinë shqiptare Aleksandër Stipçeviç në moshën 85 vjeçare. Lindi më 19 tetor 1930 në fshatin Arbanas pranë Zarës, në Kroaci. Vdiq më 1 shtator 2015. Emri i tij u bë një motiv inkandeshent i mediave dhe botës akademike botërore. Kam pasur rastin ta njoh dhe ta takoj disa herë Aleksandër Stipçeviçin. Kam bërë biseda me të dhe kam pasur letër këmbime në vite. E kam shumë vështirë të them diçka me një stil epigramatik për këtë dijetar dhe njeri të madh. Ai ishte një Princ Evropian i Bibliografive.
Ka punuar në bibliotekën e Zagrebit, ka botuar mbi 230 vepra shkencore në kroatisht, italisht, shqip dhe anglisht. Ai të kujton eruditët e mëdhenj filologë të kohës së Rilindjes Evropiane ose të Epokës Aleksandrine. Nuk kam njohur kurrë në jetën time një njeri që të ketë qenë kaq shumë i lidhur gjatë jetës me librat.

Aleksandër Stipçeviç (19 tetor 1930 – 1 shtator 2015)

Kur e kam takuar për herë të parë në vitin 1991 në një simpozium shkencor ndërkombëtar për kulturat midis dy brigjeve të Adriatikut në Ankona të Italisë, befas fytyra dhe pamja e tij më kujtuan një binjakëri me Jorge Luis Borgesin. Dihet se dhe Borgesi ka punuar shumë vjet në bibiotekën e Buenos Aires. Kjo përshtypje, në fakt përshtypja e një përqasje midis dy burrave të ditur ka mbetur tek unë e ngulitur në kujtesë.
Në Ankona ndenjëm disa ditë bashkë. Unë kisha lexuar prej tij librin “Arti i ilirëve” në italisht. Ndërkohë ai më dhuroi librin kryesor dhe substancial të jetës “Ilirët”, të botuar në shqip nga Rilindja e Prishtinës. Më shkroi një dedikim në italisht: “A Moikom Zeqo, con simpatia, Ancona. 01.02.1991. Al. Stipçeviç”. Për librin “Arti i ilirëve” i thashë se më kishte pëlqyer shumë, por gjithsesi më linte idenë e diçkaje të paplotësuar. Nuk ma keqkuptoi këtë kritikë. Përkundrazi.
Gjatë muzgjeve në kafenetë e Ankonës shtjelluam shumë subjekte dhe mendime ftillëzuese. Folëm për Papa Piun II, Silvio Pikolominin dhe Gjergj Kastriot Skënderbeun. Pa harruar Kërlezhën dhe Fan Nolin.
Ai qe shumë i kujdesshëm dhe i qetë. Sytë e tij sikur shikonin larg dhe dialogu me të ngjante pa përmasa të kohës dhe të hapësirës.

Kishte një kujtesë titanike. Me lehtësinë më të madhe citonte emra autorësh të të gjitha shekujve. Kishte një njohje të pakufishme për historinë e librave që nga antikiteti deri në kohërat moderne.
Herën e dytë Aleksandër Stipçeviçin e kam takuar në Tiranë në vitin 2001. Ai erdhi në zyrën time të Drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar së bashku me gruan e tij. Këtë radhë ndenjëm më gjatë dhe u takuam edhe një ditë më pas. Kryesisht biseduam për kryeveprën e tij, për “Ilirët”. Ai kishte parë disa qytete arkeologjikë dhe muze të Shqipërisë dhe qe habitur nga materiali i pasur i artefakteve dhe monumenteve.
U ankua se nuk kishte kohë të lirë për t’i kushtuar disa vjet studimi thesarit arkeologjik të Shqipërisë, ndonëse literaturën arkeologjike shqiptare e njihte shumë mirë. Unë i fola për arkeologët tanë posaçërisht për babanë e Prehistorisë Shqiptare Çesk Prendin. Pa zbulimet prehistorike problemi i etnogjenezës civile shqiptare do të ishte i mangët. Prendi ka bërë për arkeologjinë prehistorike atë që ka bërë Çabej për gjuhësinë historike.
Por duhet të përqendrohemi në thelbin e thelbeve të dijes së këtij shkencëtari. Librat e tij për ilirët, kulturën materiale, historinë, artin dhe simbolet e religjionit, janë librat e një studimi që është shumë e vështirë të besohet se e ka bërë një njeri i vetëm. Ky dijetar ka qenë një institucion. Ai ka synuar sintezën.
Askush si ai nuk i njeh të dhënat bibliografike për ilirët. Askush si ai nuk bën një gërshetim dhe interpretim të monumenteve në fokusin e kësaj çështje. Prandaj librat e tij kanë një synim gjithëpërfshirës. Nga ana tjetër dua të theksoj se Stipçeviç tenton të bëjë edhe një teori shkencore të ilirëve ndërmjet ballafaqimit dhe përplasjes së teorive të ndryshme qoftë pozitiviste, qoftë negativiste.
Në studimet e tij ai i ka dhënë shumë rëndësi dimensionit filologjik. Ndihet në formimin e tij kulturor, shkolla e gjuhësisë krahasimtare gjermane dhe përgjithësisht tradita e studimeve ilire të ilirologëve të mëdhenj të Universitetit të Zagrebit.

Stipçeviç ka zbuluar, ka përpunuar, ka plotësuar. Gjithmonë në emër të sintezës për të krijuar atë që quhet në gjuhën shkencore një unitet të elementëve të diversitetit. Të gjithë studiuesit europianë dhe ata shqiptarë që janë marrë me çështjen e ilirëve, nuk i afrohen dot erudicionit dhe kthjelltësisë së tij për të qartësuar edhe ato gjëra që duken si të mjegullta.
Ai lidh pikat e këputura të kohërave, mungesën e kronikave e shtjellon ndërmjet interpertimit të monumenteve, veprave të artit dhe epigrafisë. Ai e meriton plotësisht titullin si ilirologu më i madh i të gjitha kohërave.
Vdekja e Aleksandër Stipçeviçit do të lërë një boshllëk të madh për shkencën. Është shumë e vështirë të përsëdytet një njeri i tillë. Ai gjithmonë do të mbetet një dijetar i referencës së pashmangshme. Por krijimtaria shkencore e Stipçeviçit është shumë më e komplikuar dhe më e gjerë. Ai ka botuar në dy botime të mëdha Bibliografinë Ilire. Ai ka botuar një nga gjërat më ambicioze në kulturë, Historinë e Librit. Por edhe një libër për Historinë e Censurës së librave.
Pa dyshim që nuk ka harruar të shkruajë edhe për arbëreshët e Zarës. Sepse në venat e tij rridhte gjaku shqiptar. Figura kaq të mëdha si Aleksandër Stipçeviç për fat të keq të kujtojnë edhe një” specie në zhdukje”, domethënë specien e lexuesit serioz dhe të paepur. Në kohën e sotme të kitsch-letërsisë dhe të një “vdekje të bardhë të librit” apo të zëvendësimit të leximit libror me leximin dixhital, shëmbëlltyra të tilla si Stipçeviçi janë gati një apel dhe një mrekulli që nuk duhet harruar.
Nderimi i pafund për këtë dijetar të papërsëritshëm.
Fizikisht ai nuk është më. Por shpirtërisht është i pashkatërrueshëm dhe përherë me një vesk rilindës, plot grishje të mëdha të shekujve.

SHUHET ALBANOLOGU ALEKSANDAR STIPCEVIC

…………………………………………………………………………………..

(Ilustrimet i bëri editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura