Tiranë, 04. 09. 2014: (esse për një ilirolog të harruar) Vepra e Eduard Norden (1868-1941), filolog gjenial gjerman, “Alt-Germanien Völker – und mamengeschichtliche” u botua në Leipzig në 1934. Kjo vepër është tepër e rëndësishme për kërkimet shkencore mbi ilirët e vjetër. Dijetarët shqiptarë gati nuk e njohin fare këtë studim madhor. Më poshtë po shtjelloj disa nga tezat kryesore të mjeshtrit të analizës Nardenit. Për Nardenin hulumtimi i Ilirëve të Ballkanit, ndërkaq, ndesh sot në vështirësira shumë më të mëdha nga ato që ndesh hulumtimi i Ilirëve të Italisë. Nga morfologjia kulturale e Ballkanit, dhe veçanërisht nga ajo e Ballkanit të Veriut jemi më larg se nga morfologjia kulturale e Gadishullit Apenin.
Megjithatë kërkesa është këtu e njëjtë me atë të atjeshmen. Botën ilire ne do të mund ta rrokim pikësëpari vetëm në marrëdhëniet e saj me “kulturën mesdhetare” ose me kulturat e Ballkanit që afrohen me ‘të.
Do të vinte të besosh se kulturën mikene, me gjithë tiparet e saj karakteristike, e suallën me vete Ilirët nga veriu, mbasi zakoni miken i varrimit princëror është ruajtur më gjatë nga të gjithë në territor të tyre, pranë Trebenishtes buzë liqenit të Ohrit, dhe paralele të tij janë gjetur madje edhe në afërsi të Graz-it1.
Por prap se prap legjenda e shtruar për diskutim nga E.Fabricius-i2 lidhur me dëbimin e Kadmos-it, që erdhi në Iliri dhe themeloi qytetin buzë liqenit të Ohrit3, flet për diçka tjetër: për mundësinë që kultura mikene të ketë një origjinë esencialisht jugore, megjithëse, natyrisht, mbartës me ndikime veriore e ngritën atë në lulëzimin më të madh dhe e përhapën atë më tej në veri.4
Atëherë këtu do të vinte në konsiderim ndjeshmëria, e presupozuar për arsye të tjera, e Ilirëve për format mesdhetare të vjetra.
Ilirologu gjerman Eduard Norden (1868-1941)
Por lidhur me të gjitha këto gjykimi përfundimtar do të duhej të formulohej jo me indikacione të thjeshta ose duke u bazuar në identitetin e motiveve të veçuara, por vetëm në bazë të afërive të mëdha morfologjike.
Ndërsa kërkimet toponomastike rrallë e tek arrijnë tej rezultateve atomiste, ndërsa hulumtimi historik i fesë gjendet akoma ndër shpërngej dhe prehistorianët mbeten shumica në mbledhjen dhe krahasimin e motiveve, C. Schuchardti orvatet t’i afrohet më shumë elementit ilir në kulturën mikene përmjet poezisë homerike.
Faktin “që Mikenët u aklimatizuan aq shpejt dhe shumanshëm në botën mesdhetare”5ai e shpjegon me ndikimin e fortë ilir dhe sheh në Odisenë “ilirin autentik”6. Në fakt ai është mbret ishujsh që gjenden në sferën ilire dhe ndryshon “me mendjen e tij të matur dhe gjakun e qetë” në mënyrë rrënjësore nga “figurat me frymë pagane të Iliadës Agamemnon, Akil dhe Aiaks”7 me “gjakun e tyre grek verior”
E gjithë Odisea vë në pah karakterin jugor të Ilirëve: “E gjithë përmbajtja e saj është lundrim në det, të gjitha ngjarjet zhvillohen në Mesdhenë perëndimor, çdo gjë është mençuri e jetës së përditëshme, çdo gjë është haptazi mënyrë dhe traditë ilire”.
Të gjitha këto janë thënë, natyrisht, pa ndonjë provë konkrete.
Megjithatë ekzistojnë rezultate të kërkimeve filologjike mbi të cilat Schuchardti mund të mbështetej.
Emri i Odiseut ka ardhur në literaturën romake si Ulixes me ndërmjetësi ilire,8 Messapus-i apo Metabos-i i Italisë jugore dëshmon se përhapësat perëndimorë të kultit të Poseidonit kanë qenë ilirë (në fakt ai është sigurisht një formë ilire e kësaj perëndie9 dhe na është treguar se legjenda e Eneas dhe kulti erycinian i Afroditës u suall në Siqili prej ilirëve me rrugë detare nga Azia e Vogël.10
Përparimi i mëtejshëm në drejtimin iliro-mesdhetar të vjetër do të mund të bëhej vetëm përmjet traditës jo-greke mbi Odisenë.11
Ajo që Schuchardti, mendon se është karakteristike për Odisenë është tashmë një plasmin grek.
Është përgjithësisht fuqija plasmuese e pakrahasueshme e botës greke ajo që dallimin e asaj që është ilire na e bën shumë më të vështirë në kulturën helene se sa në atë italike.
Akoma më të mëdha janë vështirësitë e kërkimeve ilire përsa u përket zonës danubiane, nga një anë iliro-dake dhe nga tjetra iliro-kelte. Hungarisë dhe zonave akoma më në veri. Shkaku është i përkundërt me atë të Greqisë: mungesa e një kulture të madhe plasmuese që në strukturën vet të përmbante me kuptim edhe elemente kulturash primitive. Megjithatë edhe këtu po bëhen përpjekje.
Emrat vendas të Panonëve janë mbledhur12, gjeografia e Panonisë dhe Dakisë po përpunohet nga ana filologjike.
Këtu do të vemë akoma në dukje problematikën e “formimit të botës ilire”.
Çështja me të cilën kemi të bëjmë këtu është një e vetme dhe ndoshta nuk do të zgjidhet kurrë në mënyrë të sigurt: cila kulturë e vjetër, e kohës së bronzit apo të gurit qe ajo që koncidoi territorialisht dhe kronologjikisht me formimin e botës ilire, përpara se ajo të bëhej bartëse kryesore e kulturës së Halshtatit dhe të merrte pjesë në themelimin e kulturave të larta evropiane jugore?
Zakonisht, prej kulturave të kohës së bronzit e ashtuquajtura kulturë e Lausitzit konsiderohet ilire dhe pikërisht si “iliro-veriore”, mbasi gjithshka që më vonë mund të quhet, me ku më shumë dhe ku më pak të drejtë, ilire, gjendet shumë larg, në Europën jugore dhe prandaj duhet të konsiderohet si diçka e ndryshme, “ilirojugore”.
_____________________
Fusnotat:
1. Schuchardt, Die Antike, 9, 306 e vazhd.; Sitz-Ber., Berlin 1934, XI.
2.Tek Norden, f. 269 e vazhd.
3.Anth.Pal.VII 696, krh.Strob.VII 326.
4. Shumë shenja të përhapjes së motiveve jugore tregojnë urnat e Soproner (Ödenburger) Burgstall në periudhën e halshtatit të vonë, ndër to edhe figura grashë me veshje që kanë afëri të madhe me veshjet e vjetra të Kretës, krh.S. Gallus, Die figuralverzierten Urnen vom Soproner Burgstall, Arch.Hung.XIII, Budapest 1934. Në kohën romake të vonë dhe në mesjetë shfaqen akoma motive greke të hershme-etruske, që erdhën në veri me ndërmjetësinë e ilirëve të Dalmatisë dhe të Panonisë, krh, A.Alföldi, Numizmatikai Közlamények 28/29, 1929-30, f.20 e vazhd.
5. Schuchardt, Alteuropa, 5, Aufl. Berlin 1935, f. 254.
6. Schuchardt, Sitz. – Ber.Berlin 1934, XLIII 73) Alteuropa, vend cit.
7. Sitz.-Ber. vend cit.
8. Kretschmer, Ein. in die Gesch.der griech.Sprache, Gottingen 1896, 280 e vazhd.
9. Altheim, Arch. f. Rel. – Wiss, 29, 22 e vazhd.
10. L. Malten, Arch. f. Rel. – Wiss 22, 33 e vazhd.
11. Mbi një legjendë “tireniane” mbi Odisenë tek Plut. De and. poet. 27 e, lidhur me natyrën e përgjumur të Odiseut, ka tërhequr tashmë vëmendjen F.G.Welckeri në Kleine Schriften II, Bonn 1845, f. 10, por ai ka dashur të derivojë atë nga Odisea, gjë që në fakt nuk është domosdo e nevojshme. Mbasi qenë Ilirët ata që e suallën legjendën e Odiseut në Itali, mundet fare mirë që versioni “tirrenian”, d.m.th. sigurisht etrusk, ta ketë burimin tek ajo.
12. Nga I.Gronovszky, Nomina Hominum Pannonica certis gentibus adsignata. Dissertationes Pannonicae ser. I. fasc. 2, Budapest 1933.