Tiranë, 13 qershor 2017: Brikena Çabej, vajza e nderuar dhe e denjë e Eqrem Çabejit më dërgoi me email, që nga Parisi ku jeton, një shkrim të panjohur, ose shumë pak të njohur të babait të saj, të shkruar mesa duket në vitin 1977. Çabeji, i cili ka qenë edhe profesor i gjuhësisë, lektor, në Universitetin e Prishtinës, e ka shkruar këtë tekst për t’a botuar në ndonjë nga organet në gjuhën shqipe të Prishtinës.
Me sa di unë, ky shkrim nuk është i përfshirë në veprat në disa vëllime me format të madh, që Prishtina botoi, duke përmbledhur dhe koleksionuar trashëgiminë e paçmuar dhe shumë të rëndësishme të këtij dijetari të madh shqiptar.
Brikena Çabeji më shkruan se padyshim ky shkrim, që merret me origjinën e gjuhës shqipe në rrafshin e dyfishtë historik dhe linguistik, do të përfshihet në libra të tjerë që do të botohen sëbashku me korrespondencën ende të panjohur të Eqrem Çabejit, kryesisht me linguistë dhe albanologë të huaj të botës.
Ajo që të bën përshtypje, gjatë leximit të tekstit të Çabejit është fakti që ai mbështet, pa mëdyshje, origjinën ilire të etnogjenezës së gjuhës shqipe, pa përjashtuar këtu dhe një dimension trak. Çabeji e artikulon këtë subjekt gati të një vështirësie të madhe algjebrike, të ndërlikuar, me pak të njohura brenda të panjohurave të mëdha të shekujve, i bindur se instrumentat mendorë të gjuhës mund të përvijojnë historinë e gjenezës, të formimit, të zhvillimit, të ndryshimit, të identitetit të vijuar dhe të plotësuar deri në ditët tona.
Teza e Çabejit është një tezë e drejtë nga pikëpamja shkencore. Me të drejtë Çabeji nuk e mbështet tezën e origjinës pellazgjike të gjuhës shqipe, e cila në shek.XIX, për shkak të fazës parashkencore të dijes tek shqiptarët, u bë një lloj teze mit, një lloj totemi i paargumentuar i prejardhjes. Teza e origjinës pellazge është rigjallëruar tashmë nga një numër i madh të ashtuquajturish studiues, por që nisen nga rrafshi i diletantizmit dhe nuk e njohin as procesin shkencor, nuk njohin parametrat akribike të linguistikës dhe as procesin e evoluimit sipas ligjeve të brendshme sintaktike dhe morfologjike, të leksikut etj., të gjuhës shqipe. Por teza e Eqrem Çabejit qe me fat në shkencë dhe për faktin se zbulimet e prehistorisë shqiptare, të ndërmarra nga arkeologu i madh shqiptar siç është Çesk Prendi, vërtetuan se të paktën që nga epoka e bronzit dhe deri në antikitetin e vonë, kur spikat identiteti i arbërorëve, duke përfunduar deri në kohërat moderne, të sotmet, flasin për informim in situs, pra në këtë truall, pa ndërprerje të etnosit ilir, pa dyshim pa mohuar dhe një dimension trak. Deri më sot shkenca si e arkeologjisë historike ashtu dhe shkenca linguistike në Shqipëri janë komplementare, por dhe tek dijetarët më seriozë në botë, nuk e mohojnë këtë përputhje identitare të gjuhës dhe të etnogjenezës. Këtë mund ta mohojë vetëm ata që nuk kuptojnë asgjë nga shkenca ose që merren me fantazmagori që nuk i hyjn në punë askujt. Është kënaqësi nga ana ime dhe e falënderoj Brikenën, që më dha mundësi ta publikoj këtë shkrim të Eqrem Çabejit, për ta njohur jo vetëm publiku i gjerë, por edhe ata specialistë qëndrimëtarë, të paepur, që e kuptojnë dhe e mbrojnë idenë se shkenca është shkencë dhe s’mund të jetë fantazi.
Eqrem Çabej (1908 – 1980)
Teksti është si më poshtë:
MBI TEZËN ILIRE E PELLAZGE
( Eqrem Çabej )
Kur shtrohet problemi i burimit të një populli, ai do të shikohet të zgjidhet më fort nga ana e ruajtjes dhe e vazhdimësisë së gjuhës së tij sesa nga pikëpamja etnike, sepse më shumë se elementet e tjera gjuha është karakteristika që dallon një popull nga të tjerët. Një problem i tillë ndërkaq, për çdo popull, të çdo vendi qoftë e të çdo kohe, paraqitet kompleks, dhe për kushtet shqiptare veçanërisht i komplikuar.
Kompleks: sepse në formimin e një populli si një njësi më vete e me tipare vetjake që e dallojnë nga popujt e tjerë, kanë pjesë, sikundër dihet, rrethana të ndryshme të karakterit gjeografik dhe procese të shumëfishta historike, etnike, ekonomike, kulturore e gjuhësore.
I komplikuar: në këtë fushë të studimeve shqiptare është shumë e ndjeshme mungesa e burimeve historike e të shkrimit. Megjithatë, dija e re shqiptare, edhe me këtë varfëri burimesh, me mjetet që ka në dorë përpiqet t’i afrohet zgjidhjes së këtij problemi. Dhe ka arritur në këtë lëmë rezultate që mbeten, e që kanë zënë vend dhe në fushën shkencore ndërkombëtare. Për vetë karakterin kompleks të çështjes edhe metoda për t’u zbatuar këtu duhet të jetë komplekse. Aty duhet të bashkëpunojnë disa disiplina shkencore. Sidomos vijnë në vështrim aty gjeografia historike, historia, gjuhësia, etnografia dhe arkeologjia parahistorike. Rezultatet e njërës ndër këto fusha duhet të merren parasysh e të vlerësohen në masën e duhur nga disiplinat e tjera, të kombinohen me rezultatet e tyre, që të përmblidhen faktet e shumëllojshme në disa parime të përgjithshme, në disa fakte më të sigurta, për të arritur kështu disi në një sintezë.
Shqiptarët janë autoktonë ose anas në Gadishullin Ballkanik, duke qenë që rrojnë aty që nga kohët e lashta parahistorike. Ata janë bashkë me grekët populli më i moçëm i kësaj treve, janë trashëgimtarë të situatës etnike të periodës së lashtë në këtë pjesë të Europës Juglindore. Në këto rrethana pyetja se ku e ka burimin populli shqiptar, do të thotë me fjalë të tjera këtë:
– Stërgjyshët e shqiptarëve, ai popull që ka folur gjuhën nga e cila ka rrjedhur shqipja e sotme, me ç’emër njihej në kohët antike në Ballkan?
– Prej cilit popull të lashtë të këtij gadishulli rrjedhin pra shqiptarët e sotëm?
Në shekullin e kaluar u përhap shumëkund hipoteza se shqiptarët ishin stërnipët e pellazgëve. Kjo hipotezë a teori, e themeluar në tryezë të dijetarëve të huaj, pati jehonë të gjerë në lagjen e poetëve e shkrimtarëve shqiptarë të Shqipërisë e të Italisë. Ajo gjeti një truall pjellor në idetë e romanizmit, i cili në Europën Juglindore u përhap më vonë, në një kohë kur në Perëndim kishin dalë rryma letrare të tjera. Teoria pellazge ndërkaq më vonë ra poshtë. Pellazgët në burimet greke e romake përmenden si një shtresë etnike paragreke, jo më ekzistuese në periodën antike. Autorë si Herodoti e Straboni flasin për ta për një kohë më të lashtë dhe i paraqesin si një popullsi barbare, d.m.th. jogreke, e me një gjuhë të ndryshme nga greqishtja. I lokalizojnë në zonën e Detit Egje, kryesisht në Tesali, me përhapje më një anë nga Epiri, më anë tjetër nga Azia e Vogël, nga Kreta e nga ishuj të tjerë të zonës egjeane. Ata paraqiten ndërkaq gjithkund si një popull legjendar, i mbuluar me mjegullën e një miti, popull pa konsistencë historike konkrete. Ndonëse në kohë të reja janë pohuar disa lidhje të tyre me ilirët e me trakasit, duhet thënë se ai element etnik e gjuhësor që mund të quhej, me shumë rezervë, pellazg, për shumë arsye, edhe të karakterit gjeografik, nuk mjafton kurrsesi për të pohuar me një farë baze vërtetësie shkencore një birëri pellazge të popullit shqiptar.
Duke u nisur nga një platformë më reale, për sqarimin e problemit të burimit, do t’i sillemi pikësëpari historisë si vazhdim i situatës parahistorike në Gadishull të Ballkanit. Kjo trevë e Evropës Jugore, në periodën antike ka qenë e banuar prej disa popujsh, popuj të ndryshëm nga ata të sotmit dhe të ndryshëm edhe nga njëri-tjetri. Dihet se në viset perëndimore të Gadishullit kanë banuar ilirët, në viset lindore trakasit, në anët jugore grekët, në qendër makedonët, të cilët kanë qenë të ndryshëm nga grekët edhe me një gjuhë më vete, sipas Herodotit me “gjuhë barbare”, d.m.th. jogreke. Duke lënë mënjanë disa popullsi më të vogla, si fiset iranike në pjesën lindore të Gadishullit dhe disa fise kelte në viset veriperëndimore e qendrore, kjo ka qenë gjendja etnike në epokën greko-romake.
Në këtë mes shtrohet pyetja se prej cilit nga këta popuj zbresin shqiptarët, prej cilës nga gjuhët e tyre rrjedh gjuha shqipe. Në këtë problematikë grekët, ose si quheshin në atë kohë, helenët, përjashtohen vetvetiu, si një popull i ndryshëm nga populli shqiptar. Përjashtohen gjithashtu dhe makedonët e vjetër, si një popull relativisht i vogël dhe gjeografikisht më në skaj të truallit gjuhësor të shqipes, ndonëse për punë të afërsisë territoriale disa lidhje nuk mund të mohohen kryekrejet. Në këto rrethanat dy janë popujt që vijnë në vështrim si të parët e shqiptarëve,
– ilirët dhe
– trakasit.
Ilirët kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Europës së lashtë. Duke lënë mënjanë përhapjen e tyre në kohët parahistorike, në periodën historike ata shtriheshin që nga anët e Istrisë afër Triestës në veriperëndim e nga viset afër brigjeve të Danubit në veri gjer në gjirin e Artës së Çamërisë në jug, qytet që aso kohe quhej Ambrakia. Kështu fiset ilire banonin viset e sotme të Shqipërisë me Çamëri, të Malit të Zi, Bosnjes e Hercegovinës, Dalmacisë e Kroacisë, pra gjithë bregdetin lindor të Adriatikut me hinterlandin përkatës.
Të fisit ilir kanë qenë pas gjithë gjasësh edhe mesapët e japigët e Apulisë në Itali Jugore. Në lindje fiset ilire mbërrinin gjer në anët e lumenjvet Vardar e Moravë në Maqedoni Veriore e në Kosovë, një trevë që në lashtësi quhej Dardania, dhe shtriheshin edhe në një pjesë të Serbisë së sotme. Në ato anë ilirët ishin kufi me fiset trake, vise-vise edhe duke u përzier me to.
Edhe trakasit kanë qenë një ndër popujt e mëdhenj të Europës së lashtë: Herodoti e quan popullin më të madh pas indasve. Shkonin që prej kufijve të ilirëve në perëndim e gjer në brigjet e Detit të Zi në lindje, prej Detit Egje në jug e gjer në malet e Karpateve në Veri. Përfshinin kështu një pjesë të Greqisë e të Turqisë europiane të sotme, Bullgarinë, Rumaninë e një pjesë të Hungarisë e të Polonisë. Për fatet historike të këtyre popujve e të fiseve të tyre, nga mungesa e materialit burimor për të cilin u fol më sipër, shumë pak jemi në gjendje të dimë, dhe kjo errësirë njohurish shtohet sa më lart të ngjitemi në lashtësi të kohëve. Dimë p.sh. që koncepti edhe emri ilir erdhi e u përhap vetëm me kohë, duke dalë prej një popullsie me këtë emër e duke përfshirë edhe fise etnikisht e gjuhësisht të afra. Ky emër në epopetë e Homerit ende nuk shfaqet. Emri i ndonjë populli të veçantë, si ai i dardanëve dhe ai peonëve, të cilët në kohë historike kanë banuar në veri të makedonëve, del në skenë të historisë shumë më përpara se emri i përgjithshëm i ilirëve. Dihet gjithashtu që këta popuj të lashtë të Ballkanit, nën ndikimin e qytetërimit greko-romak, e sidomos me zotërimin e gjatë të Perandorisë Romake, me kohë pjesërisht u greqizuan, e për një pjesë të madhe u romanizuan.
Me fjalë të tjera këta, pa u zhdukur si popuj, me kohë u asimiluan: lanë gjuhët e veta dhe morën vise-vise greqishten, vise-vise në pjesën më të madhe – latinishten. Kjo ndodhi sidomos nëpër qytete, nëpër qendra administrative e ushtarake ku romakët kishin ngulur garnizonet e tyre. Nëpër vise malore ndërkaq asimilimi nuk arriti të kryhej kryekrejet. Popullsitë vendase ruajtën më gjatë karakterin e tyre etnik dhe gjuhën e tyre. Ndonjëri nga këta popuj bile i shpëtoi gjer në fund romanizimit. Dëshmi e gjallë për këtë është populli shqiptar, i cili duhet të jetë pasardhës i njërit nga këta popuj (a fise) të paromanizuar. Çështja e birërisë, e filacionit, d.m.th. e rrjedhjes së një populli të sotëm prej një të lashti, të një gjuhe të re e të njohur prej një gjuhë të vjetër e të zhdukur, paraqitet mjaft e lehtë kur prej popullit të lashtë e prej gjuhës së tij kemi njohuri relativisht të sakta. Po në lidhje me shqiptarët e me shqipen, kjo çështje, si u tha, mbetet veçanërisht e vështirë. Gjuhët e lashta të Ballkanit, për mungesë shkrimesh të tyre, mund të thuhet se njihen pak e aspak. Prej gjuhës së trakasve ka disa pak mbishkrime, prej gjuhës së ilirëve të Ballkanit nuk është gjetur gjer më sot asnjë mbishkrim. Mbishkrimet e mesapëve të Italisë Jugore lexohen, porse interpretimi i tyre ka mbetur gjer sot i pasigurtë. Prej të dyja gjuhëvet, ilirishtes dhe trakishtes, kanë mbetur disa të ashtuquajtura glosa, d.m.th. disa fjalë të tyre të dëshmuara prej autorësh grekë e romakë bashkë me kuptimet e tyre të dhëna greqisht a latinisht. Ka edhe një numër mjaft të madh me emra vendesh e personash, të gdhendur nëpër gurë a të dëshmuar nëpër tekste të autorëve klasikë; emra shumica me interpretim gjuhësor-kuptimor të dyshimtë dhe ku dijetarët modernë kanë gjetur prandaj një fushë të lirë për gjykime shpeshherë arbitrare. Kështu dy gjuhët në fjalë mbeten thuajse të panjohura për ne. Ne nuk ua dimë strukturën gjuhësore, as sistemin gramatikor, as fjalorin e tyre. Në këto rrethana mjetet e krahasimit mungojnë: mungon çelësi për të krahasuar materialin e shqipes me atë të dy gjuhëve në fjalë.
Duke qenë gjendja kështu, kriteri i gjuhës duhet të vështrohet së bashku me gjendjen gjeografike e historike. Në pikëpamje të gjeografisë historike dihet se shqiptarët e sotëm banojnë në ato vise ku në kohën antike banonin fise ilire. Në pikëpamje historike është vënë re me të drejtë, që sot e dy shekuj më parë, që nuk ka asnjë të dhënë, asnjë kumt historik që shqiptarët të jenë ardhës, që të kenë zënë vend në këto troje në një periodë historike të caktuar, si bie fjala aty nga mbarimi i kohës antike, ose në mesjetën e hershme. Në këto kushte vetë arsyeja e thjeshtë shtyn të pranohet që populli shqiptar është vendës, autokton në këto anë, në mos qysh prej periodave të mugëta parahistorike, së paku që prej kohës antike e këtej. Këto dy arsye, arsyeja e banimit në teritorin e dikurshëm ilir dhe arsyeja e autoktonisë, shpien vetvetiu në mendimin që shqiptarët e sotëm janë stërnipët e fiseve ilire të jugut dhe që shqipja është vazhdimi i njërit nga dialektet e vjetra ilire.
Mund të thuhet bile që barra e argumentimit më fort u bie atyre që mohojnë burimin ilir të popullit shqiptar e të gjuhës së tij se atyre që e pohojnë. Në lidhje me këto nuk mund të jetë një gjë gand e rastit edhe kjo, që emri i fisit ilir Albanoi, që përmend astronomi e gjeografi Ptolemeu i Aleksandrisë së Egjiptit në shekullin e dytë të erës sonë në trevën midis Durrësit e maleve të Kandavisë në Shqipëri të Mesme, vazhdon të rrojë në Arbën, Arbër, Arbënesh Arbëresh, emri i Shqipërisë e i shqiptarëve në mesjetë, i gjallë dhe sot e kësaj dite. Në pikëpamje gjuhësore këtyre rrethanave vjen e u shtohet ky fakt, që vazhdimi i emrave të qyteteve, maleve e lumenjve të trevës shqiptare të kohës së lashtë, në trajtat e tyre të sotmet ka rrjedhur në pajtim me rregullat fonetike të gjuhës shqipe. Aty hyjnë barazime të tilla si:
– Scardus : Shar,
– Scodra : Shkodër,
– Drivastum : Drisht,
– Pirustae : Qafa e Prushit,
Lissus : Lesh (Lezhë),
– Isamnus : Ishëm Ishm,
– Dyrrachium : Durrës,
– Aulon : Vlonë Vlorë,
– Thyamis : Çam e të tjera.
Edhe kjo dëshmon për autoktoninë ilire të popullit shqiptar: sepse ky zhvillim nga trajtat antike të këtyre emrave në të sotmet nuk gjen spjegim veçse me mjetet e shqipes. Nuk mund të spjegohet as me mjetet e gjuhëve romane as të gjuhëve sllave, e as nëpërmjet të ndonjë gjuhe tjetër të zonës ballkanike. Për vazhdimësinë ilire ka dhe të tjera të dhëna nga fusha gjuhësore, si disa barazime që dalin në emra personash ndër ilirët e hershëm e ndër shqiptarët e sotëm. Përveç këtyre, ato të paka fjalë që dihen prej ilirishtes, shpjegohen mirëfilli me anë të shqipes. Edhe mjaft fjalë të mbishkrimeve mesapike zbërthehen me gjuhën tonë. Në këtë mënyrë të dhënat e gjeografisë historike dhe të gjuhës vijnë e plotësojnë njëra-tjetrën. Nuk mungojnë edhe disa paralele të karakterit etnografik, në të cilat nuk po hyhet këtu.
Prej lëmit të arkeologjisë meriton vëmendje rrethana që në disa stacione parahistorike të trevës shqiptare vihet re një vazhdimësi e kulturës materiale, një kontinuitet nga epokat e lashta gjer në mesjetën e hershme; kjo rrethanë vjen e u shtohet argumenteve gjeografike, historike e gjuhësore që u shtruan më sipër. Për sa u përket trakasve dhe gjuhës së tyre, mbi dëshminë e disa të dhënave historike dhe gjuhësore (emra vendesh me tipare trake) është vënë re me kohë një prani elementesh trake në krahun veriperëndimor të Gadishullit Ballkanik e veçanërisht në viset bregdetare të Adriatikut të jugut. Ato duhet të jenë përzier me kohë me elementet ilire, pa mundur të themi se nga ilirët e trakasit kush qe anas e kush i ardhur.
Si përfundim, edhe për arsye historike mund të thuhet se në formimin e etnosit shqiptar në bazë qëndron elementi ilir, porse mund të ketë pasur dhe një komponente trake, me përmasa gjithsesi më të vogla. Si u krye procesi i këtij formimi etnik e gjuhësor, në ç’rrethana territoriale e historike, në gjendjen e sotme të njohurive është vështirë të përcaktohet. Aty shihet më qartë përfundimi, që është populli shqiptar me gjuhën e tij, sesa rruga e zhvillimit që u përshkua gjersa u arrit gjer në gjendjen e sotme.
If you want to improve your knowledge only keep visiting this site and
be updated with the latest information posted here.
This design is steller! You certainly know how to keep a reader entertained.
Between your wit and your videos, I was almost moved to start my own blog (well, almost…HaHa!) Great job.
I really enjoyed what you had to say, and more than that, how you presented it.
Too cool!