FORTIFIKIMET KAONE TË BREGDETIT NË MBROJTJE TË AMANTËVE

FORTIFIKIMET KAONE TË BREGDETIT NË MBROJTJE TË AMANTËVE

 Nga Besnik Imeri, Vlorë 03. 02. 2022         

SOPOTI

Zhan Klod Faveirial flet për kalanë e Sopotit: “Sopoti-thotë  Pukëvili-gjëndet në  malet Akrokeraune, përballë Korfuzit (saktësisht ndodhet në fshatin Borsh). Në  muret mbrojtës të  tij, dallohen qartë  gurët ciklopikë  që  përbëjnë  themelin e tyre…”[1]

Fortifikimi i lashtë i Sopotit paraqitet me të njëjtat karakteristika si fortifikimet e tjera të Epirit dhe Ilirisë: Foinike, Buthroti, Amantia, Olympe, Nikaja, Lisi, Zgërdheshi, etj, me akropol, me disa periudha dhe rrethime të mureve të qytetit, mure tërthorë dhe të përbashkët që ndanin qytetin në pjesë, me themele të mureve direkt mbi tabanin shkëmbor dhe me blloqe gurësh të mëdhenj dhe të papunuar, etj.

Arkeologu Jano Koçi gjatë një ekspedite vrojtuese të kryer në vitin 1976 tregon se, ky fortifikim kishte një akropol me një sipërfaqe prej rreth 1,2 ha,..qyteti i poshtëm kishte mur të përbashkët me akropolin…Muri mbështet mbi një themel të fortë me blloqe gurësh të mëdhenj. Shpesh si themel përdoren shkëmbinj natyrorë…Qyteti së bashku me akropolin, përfshin një sipërfaqe prej rreth 2,5 deri në 3 ha. Muret që e rrethojnë kanë një sipërfaqe prej rreth 1000 m. [2]

Ndërsa arkeologu Dhimosten Budina për kalanë e Sopotit tregon se, ajo ndodhet 500 m mbi nivelin e detit…sipërfaqja e saj është shkëmbore…Mbeturina muresh të kohës antike ndodhen në anën jugperëndimore me gjatësi prej 10 m dhe një lartësi prej 1,33 m…Ato janë ndërtuar me blloqe gurësh të mëdhenj, me forma paralelopipedi dhe trapezoidalë…kanë përmasa: 1,20 x 0,30 m…muret datohen të shek. IV-III p.e.s…” [3]

Trakt muri pellazgjik i Sopotit

 Ndërsa arkeologu Dhimosten Budina për kalanë e Sopotit tregon se, ajo ndodhet 500 m mbi nivelin e detit…sipërfaqja e saj është shkëmbore…Mbeturina muresh të kohës antike ndodhen në anën jugperëndimore me gjatësi prej 10 m dhe një lartësi prej 1,33 m…Ato janë ndërtuar me blloqe gurësh të mëdhenj, me forma paralelopipedi dhe trapezoidalë…kanë përmasa: 1,20 x 0,30 m…muret datohen të shek. IV-III p.e.s…” [4]

Në lidhje me këtë fortifikim Jano Koçi, në një periudhë më të vonë, shprehet: “Kalaja e Sopotit ku ndodhet akropoli i qytetit antik të Borshit muri parahistorik ruhet pranë akropolit dhe hyrjes së kalasë mesjetare. Është ndërtuar me të njëjtën teknikë ndërtimi si Karosi. Muri parahistorik mbështetej në  një horizont banimi me qeramikë që datohet në  Bronzin e vonë.” [5]      

Arkeologu Neritan Ceka, me të drejtë, shikon ngjashmëri midis fortifikimeve amantine dhe atij të Sopotit për sa i perket tipologjisë dhe teknikës së ndërtimit të mureve dhe të  vetë qytetit, madje është i mendimit se ai është një fortifikim i avancuar në pjesën jugperëndimore të territorit të amantëve.

Trakt muri pellazgjik i kalasë së Sopotit. Foto K.Çipa e M.Meshini.

Nëqoftëse do ta shikojmë nga pikëpamja strategjike, për të hyrë në territorin e amantëve nga jugperëndimi dhe bregdeti dhe për të dalë në luginën e lumit Kelydnos (Shushica e sotme) duhet të kalohet nga tri drejtime: së pari, nëpërmjet luginës së fshatit Çorraj, së dyti, nëpërmjet luginës së Qeparoit dhe Kudhësit, dhe, së treti, nëpërmjet qafës së Pilurit dhe pllajës së Vumlosë. Për të mbrojtur hyrjen nga lugina e përroit të Çorrajt ka qënë i nevojshëm një fortifikim për të mbrojtur këtë rrugëkalim. Pa dyshim, këtë funksion do ta kryente më së miri një fortifikim i ngritur në kodrën e fshatit Borsh, prandaj në antikitet, apo prehistori, këtu është ngritur fortifikimi pellazg, që në mesjetë do të merrte emrin kalaja e Sopotit. Ndërsa hyrjen në territorin e amantëve nga qafa e Pilurit e mbron më së miri fortifikimi tjetër pellazgjik, kalaja e Himarës.

Arkeologia Nevila Molla është e mendimit se emrin kalaja e Sopotit ky fortifikim e ka marrë në shekullin e XIII, kur ai kaloi në zotërim të despotit të Epirit Mihal II Komneni, i cili, madje, duhet të ketë ngritur në pjesën e akropolit antik, kalanë mesjetare.[6]

Trakt muri pellazgjik i kalasë së Sopotit. Foto Jano Koçi.

Vetë emri Sopot ka një prejardhje pellazgjike dhe rrjedh drejtëpërsëdrejti nga emri i Poseidonit. Sopot ka kuptimin So-Pot, sipër potamit, sipër burimit të ujit. Emri i Poseidonit në kuptimin dorik (siç e është shpjeguar nga Spiro Konda tek paragrafi-Mitologjia e Epirit në këtë studim) ndoshta ka qënë Potidan=Poti-Dan=Poti-Dhan=Poti-Dhen. Përpiqemi të bëjmë një shpjegim më sqarues të kësaj fjale.

Nikolas Hamond për adhurimin e Poseidonit nga Dorianët thotë: “…Poseidoni sipas mbishkrimeve Dore ‘Poteidan’ dhe Dorishtes së lashtë, ‘Potidan’ dhe dëshmive mbishkrimore tregojnë se në Epir adhurimi i Poseidonit ishte popullor…”[7]

Me etimologjinë e kësaj fjale për Poseidonin merret edhe Spiro Konda, i cili i referohet edhe (“Fjalorit Homerik” të Jani Pantazidhit, Athinë, viti 1885, f,458):

“…Hesiodi tek “Teogonia”, f,52 e quan Poseidonin-Potidan…fjala “Poseidon” nxirret nga “Potis” që do të thotë lumë dhe nga “Dan” ose “Das” = “Zeus”. Si rrjedhim, trajta “Potidan” ose “Potidas” është më e vjetra dhe do të thotë: “Perëndi e ujrave”…”[8]

Pra këtu, nga njera anë kemi emërtimin e Poseidonit nga Hesiodi-Potidan, i cili thotë se ky është një emër i lashtë i Poseidonit; nga ana tjetër, kemi mbishkrimet e lashta Dorike, të cilat, edhe ato nga ana e tyre, e quajnë Poseidonin-Potidan. Pra në Epir emri i lashtë pellazgjik i Poseidonit ka qënë Potidan.

Në të mirë të kësaj teze vjen edhe fakti, që çuditërisht nuk është përmendur nga Spiro Konda, pleqtë tanë dhe nënat tona këtu në Toskëri (pasuesen e Epirit të lashtë) përdornin fjalën “Potis”.  Potis lulet, potis avllinë, potis perimet në baçe. Pra potis ka kuptimin e lagies me pak ujë, madje, kur bie shi i imët thuhet: potisi dhenë (dheun, tokën). Pra Poseidoni nuk ishte vetëm perëndia e deteve, lumenjve, liqeneve; por dhe perëndia që binte shiun në tokë, i cili ishte aq i domosdoshëm për bimët.

Shpjegimin etimologjik në këtë formë e bën edhe Aristidh Kola, i cili thotë: “Poseidoni: ishte përgjithësisht perëndia e ujrave dhe emri i tij vjen nga fjala ‘potis’, që në arbërisht do të thotë ujis dhe formohet nga greqishtja e lashtë ‘potos’, ‘posis’ dhe fjala ‘Dhenë’, që e shohim tek dorët si ‘Dhan’ dhe tek arbëreshët si ‘Dhea’. Gjithashtu ekzistonte dhe qyteti Posidhea dhe Potidhea. Pra, Posidhon, Posidhan apo Potidan, do të thotë ai që potis dhenë, pra, ai që ujit dheun…”[9]

Pra Potidan do të thotë edhe Zot i ujitjes. Por mund të jetë edhe ndryshe, pasi Poti(s)-Dan mund të jetë fare mirë edhe Poti(s)-Den ose Poti(s)-D(h)en. Pra ai që potis dhenë ose ai që ujit dhenë, vadis dhenë, zot i shiut. Zoti që potis dhenë.     

Sot, në fshatrat dygjuhësh, shqip dhe greqishtfolës, të Himarës, fjala ‘Potam’ ka kuptimin e burimit të ujit, kroit, ose përroit. Kjo fjalë mbase, kështu e transformuar, nëpërmjet pellazgjishtes kaloi tek greqishtja e vjetër dhe vjen deri në greqishten e sotme. Por më e mundshme është ajo që, kjo fjalë e përdorur në këtë territor, Bregdetin Jonian, qysh në kohë të pellazgëve, ka mbetur deri në ditët e sotme si një atavizmë e lashtë e pandryshuar dhe  ruajtur me konservatorizëm nga banorët e kësaj zone si një fjalë fosile që tregon adhurimin e Poseidonit, zotit të ujërave. Prandaj edhe rrënja e fjalës potam, që përdoret sot është ‘pot’ dhe ka kuptimin e një burimi uji të dhënë apo të dhuruar nga zoti. Këtë dhuratë që zoti, Poseidoni u ka bërë njerzve ata ja kanë shpërblyer me adhurim duke ngritur faltore dhe tempuj për Poseidonin. Në këtë kuptim emri Sopot i këtij vendbanimi ka kuptimin sipër ujit apo sipër burimit, apo sipër përroit, apo lumit. Tani shtrojmë pyetjen: a kemi ndonjë fenomen të tillë në Borsh. Në rrëzë të fshatit Borsh dhe në rrëzë të fortifikimit të Sopotit ka rrjedhje të mëdha uji, madje në formë ujëvare. Me siguri edhe emri i vendbanimit Sopot në rrjedhën e Shkumbinit në krahinën e Shpatit këtë kuptim duhet të ketë.

Fortifikimi i Sopotit ka qënë një fortifikim i rëndësishëm i vendosur në një pikë nyje, prandaj ka pasur edhe një jetëgjatësi, më e pakta, 2500 vjeçare. Kalaja e Sopotit, e kanë përdorur pellazgët, kaonët epirotë, por në antikitetin e vonë dhe në mesjetë ajo ka pasur rindërtime. Në antikitetin e vonë fortifikimi, për rëndësinë që kishte u meremetua nga Justiniani. Bizanti e përdori dhe mirëmbajti këtë fortifikim. Në vitin 1192 atë e përmend vajza e perandorit, Aleks Komneni, Ana Komnena. Despotët e Epirit, ashtu siç meremetuan kalanë e Beratit (1216) të Durrësit (1225), Kaninës, etj, meremetuan dhe riforcuan kalanë e Sopotit, madje sipas arkeologëve, Mihal Engjëll Dukë Komneni ngriti brenda akropolit të fortifikimit antik, kështjellën mesjetare. Ata e bënë Sopotin qëndër të Arhondisë së Sopotit: Archonteea Sopotu. Në vitin 1266 ajo ra nën sundimin e Karlit të I Anzhu dhe më pas në zotërimin e Republikës së Venedikut. Në shekullin e XV Sopoti zotërohet nga turqit, për disa kohë ka qënë edhe nën zotërimin e Ali Pashë Tepelenës, dhe nga turqit deri në vitin 1913, ku komandant i fundit i kësaj kalaje në vitet 1913-1914 ka qënë ai i qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Selim Shahaj, dërguesi i ulitimatumit të Luftës së Vlorës.

Në pellgun e Qeparoit gjenden disa fortifikime prehistorike si Kukumi, Ngura dhe Pirgu ku gjatë hetimeve dhe gërmimeve arkeologjike janë gjetur katër çekanë guri. [10]

 “Fortifikimi i Kukumit është ndërtuar në periudhën e bronzit hershëm (K.Zheku,1977-1978)…në vendbanimin e quajtur kodra e Kukumit qeramika e gjetur është datuar në periudhën e bronzit të  vonë…aty është gjetur edhe një rrotull boshti e plotë në trajtë bikonike…e cila ka ngjshmëri me rrotulla të gjetura në gërmimet e vendbanimit të Zagorës së krahinës së Shkrelit, të datuara nga bronzi i hershëm në bronzin e vonë…” [11]   

Kalaja e Himarës bën pjesë në ato fortifikime që kanë ekzistuar qysh në antikitet dhe këtë e tregojnë traktet e mureve, që për mendimin tonë, janë ndërtuar me blloqe gurësh pellazgjikë. Në pasqyrim të këtij mendimi ndjekim përshkrimin e arkeologut  Dhimosten Budina: “Kalanë e Himarës si qëndër të fortifikuar e përmend Plini (NH IV, 1), të cilën e vendos mbi malet Akrokeraune…Muret antikë janë ndërtuar me blloqe gurësh të mëdhenj në formë paralelopipedi dhe trapezoidalë…vendbanimi nga lindja dhe jugu është përforcuar me mure të trashë deri në 3,5 m…” [12]  

Ndërsa arkeologu Jano Koçi bën këtë përshkrim: “…pranë murit të     kalasë antike të Himarës u gjet një trakt muri 3,5 m i gjërë me teknikë ndërtimi si Karosi…Qeramika e daton kalanë e Himarës në bronzin e vonë…” [13]

Datimi i kalasë së Himarës në bronzin e vonë, padyshim që vërteton ato që ka thënë Zhan Klod Faveiriali dhe Mehdi Frashëri për muret e saj, që i kanë quajtur ciklopike apo pellazgjike. Pra e identifikon këtë fortifikim si ndërtim pellazgjik.

Në pellgun e Himarës evidentohet një dëndësi e habitshme fortifikimesh prehistorike si: Kukumi, Ngura, Pirgu të Qeparoit; Kule e Kudhësit; Katafiqi Çorrajt; Qyteza dhe Armeridha e Himarës; Kolëza, Kastria, Çipi ose Vreka, Pirgu, Çikopula dhe Vlatore të Vunoit, etj. Por me interes janë disa të dhëna që, për mendimin tim i identifikojnë këto si fortifikime pellazgjike: Në Kule të Kudhësit janë gjetur dy sopata bronzi të datuara në shek.XIII-XII p.e.s., ndërsa tek kalaja e Himarës, Kolëza, Vreka, Pirgu i Iljasit, trashësia e mureve shkon deri në 3 m. [14]

Në lidhje me këto gjetje arkeologjike arkeologu Frano Prendi parashtron: “Sopatat dytehëshe prej bronzi, përfaqësojnë një nga gjetjet e zakonshme të periudhës së vonë të bronzit. Ato kanë një përhapje të gjërë sidomos në Shqipërinë e Jugut (pra në Epir). Nga 11 ekzemplarë, deri tani të njohur, vetëm një e ka prejardhjen nga Shqipëria e veriut (Kukës)…Paralelet më të afërta të shumë prej këtyre sopatave dyshe i gjejmë në Maqedoni dhe Epir ku datohen si zakonisht si të shek.XIII-XII p.e.s.” [15]     

Por si ndërtime pellazgjike këto fortifikime i identifikon  edhe datimi i tyre gjatë periudhës së bronzit: “…Fasadat e mureve të këtyre fortifikimeve janë mjaft primitive me blloqe gurësh mesatar dhe të mëdhenj të papunuar, të vendosur në të thatë…këtu bëjnë pjesë të gjitha ato fortifikime të Bregdetit, që nisin nga periudha e bronzit të hershëm deri tek ai vonë si: Kukumi, Çipi (Vreka), Çikopula, Pirgu, Kastria, Vlatore, Qyteza, Badhra, Sopoti, Karosi dhe Himara…” [16]  

Hyrjen në luginën e Shushicës nga të tria drejtimet e përmëndura më lart, Borshi, Qeparoi dhe Piluri, e mbronin dy fortifikime të tjera prehistorike: Kalaja e Kuçit dhe Maja e Katafiqit: “Në veriperëndim të fshatit Kuç ndodhen rrënojat e një fortifikimi prehistorik në vendin e quajtur “Rrëza e Borshe”. Fortifikimi ndodhet në majën e malit të Valthit rreth 700 m mbi nivelin e detit, mbi lumin e Shushicë përballë qafës së Kudhësit dhe të Çorajve që e lidhin me bregdetin…gjashtë rradhë muresh…që rrethojnë një sipërfaqe prej rreth 3 ha…Muret janë vendosur në faqen e malit në formë taracash. Disa prej tyre kanë luajtur rolin e murit rrethues dhe disa të tjera të mureve të taracimit…Nga muret ruhet më mirë ai i rradhës së parë që ndodhet në pjesën më të lartë dhe ai i rradhës së katërt, trashësia e të cilëve është 3,5-4 m,…Në muret e harkut të pestë dhe të gjashtë gjenden blloqet më të mëdhenj të vendosur në fortifikim, me përmasa: 1,10 x 1 x 0,54 m; 1x 0,30 x 0,50 m…Teknika e ndërtimit të mureve i afrohet më shumë atyre të bronzit të vonë…Maja e Katafiqit ndodhet në jug të Kalasë së Kuçit ku u identifikua një fortifikim i vendosur në një shkëmb të lartë përballë grykës, që lidh Kuçin me Kurveleshin,…në të u gjet një fragment muri prehistorik i dëmtuar…” [17]

Trakt muri pellazgjik i kalasë së Kuçit. Foto K.Çipa e M.Meshini.

Duke vazhduar me Kaoninë në thellësi prapa maleve të Bregut të Detit rruga e pllajës së Kurveleshit ka qënë një nga rrugët prehistorike që lidhte pellgun Amantin me Dodonën, ku popullsia pellazge e asaj që në antikitet do të quhej Kaoni (ndoshta kështu është quajtur dhe në prehistori) kalonte në këtë rrugëkalim pellazgjik. Në vërtetim të asaj që kjo ka qënë një rrugë e rrahur që në kohë të pellazgëve si dëshmi e pakundërtueshme janë fortifikimet që mbronin këtë rrugë kalim, të cilat, në fillimet e tyre, kanë qënë që të gjitha fortifikime pellazgjike: Hyrja nga ana e bregdetit Jon për tek amantët mbrohej nga: Sopoti, Kalaja e Himarës, Katafiqi i Çorajt, Kule e Kudhësit, Kalaja e Kuçit dhe Katafiqi i Kuçit, Moçale e Bratit; Ndërsa hyrja nga Gjiri i Vlorës mbrohej nga: Oriku, Aulona, Kanina, Olympe, Amantia; ndërkohë që vazhdimi i rrugës nëpër pllajën e Kurveleshit mbrohej nga Cerja, Velça, Matohasanaj, Nivica, Piria,  Selo.  Kjo rrugë që i shërbentë popullsisë pellazge të amantëve të Kurveleshit kalonte nëpër një zonë të mbrojtur nga ana strategjike e rrethuar me male të larta, gryka të ngushta dhe të rrezikshme, kanione të thepisur dhe përrenj malor të rrëmbyeshëm.                 

Një rrugëkalim tjetër që lidhte amantët me Maqedoninë dhe Dodonën nëpërmjet lumit Aoos, të cilin e mbronin Kalatë e Armenit, Treblovës, Hadërajt deri në grykë Ylynecit, të cilin e mbronte Kalivaçi, pastaj me drejtim të bigëzuar drejt Aos për në Maqedoni, duke filluar me Klisurën, dhe drejt Drinos për në thellësi të Epirit, duke filluar me Leklin, Paleomanastrën, Antigonenë, Paleokastrën, etj.

Neritan Ceka, në lidhje me rrugët në antikitet, thotë se ato fillimisht parapëlqenin shpatet ose kurrizet e kodrave duke mënjanuar kalimin buzë lumenjve, që kërkonin trase të rregullta dhe ura për kalimin e lumenjve. Por unë mendoj se kalimi i rrugëve prehistorike në lartësi bëhej edhe për efekt sigurie, pasi luginat e lumenjve nuk e ofronin këtë siguri.

I përshkruajme më rradhë këto fortifikime. Një kala e rëndësishme para antikitetit, ka qënë edhe Oriku, i cili së bashku me Aulonën dhe Kaninën siguronin lidhjen e amantinëve me bregdetin. Duke qënë se për Orikun nuk janë bërë gërmime arkeologjike të plota, kanë mbetur të pashpjeguara koha e ndërtimit, shtrirja, gjatësia e mureve dhe plot të panjohura të tjera. “Arkeologu francez pat hetuar gjurmë mjaft të rëndësishme fortifikimi në këtë qytet. Ai thotë se qyteti ishte ndërtuar dhe fortifikuar me shumë shije, dhe se traseja e rrethimit kishte një formë ovale, ku muri helenik më i vjetër ishte rindërtuar më vonë me tulla dhe llaç. Një rrethim të veçantë krijonte gjithashtu akropoli, i cili ndodhej në majë të kodrës dhe ndahej në dy pjesë nga një mur i brendshëm.” [18]

Ago Agaj na tregon, se muret e kalasë së Orikumit (në fillim të shekullit të XX) ndodheshin një metër ndën ujë, dukeshin me sy dhe shkeleshin me këmbë…” [19]       

Por në qafën e Ravenës, pranë Orikut antik, dhe, me siguri për mbrojtjen e tij nga sulmet e mundshme nga deti Jon nëpërmjet kësaj qafe, gjendet një fortifikim prehistorik  i periudhës  së bronzit që vendasit e quajnë  “Maja e Qytezës”, ndërsa Pukëvili, kur e ka vizituar, muret e saj i ka quajtur pellazgjike: “Pouqueville përmend një fortifikim me mure të tipit “pellazgjik” mbi gjirin e Ariut, “Val d’Orso”…ndodhet në pllajën e Ravenës 300 m mbi nivelin e detit…Ngjashmëria me fortifikimet e bregdetit e datojnë midis fundit të periudhës së bronzit dhe fillimit të periudhës së hekurit. Pranë këtij fortifikimi ndodhen tumat e fushës së Dukatit, çka sugjeron se ndërtues dhe përdorues të tyre janë e njëjta popullsi.” [20]

Besnik Imeri  (marrë nga libri “Epiri pellazgjik”)


[1] Zhan Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë, Bot.Plejad-2004, Përkth.Frëngj.Gent Ulqini, f,321

[2] Jano Koçi, “Qyteti antic i Borshit-Sopoti”, ILIRIA Nr.7-8, 1977. f. 269-270

[3] Dhimosten Budina, “Harta arkeologjike e bregdetit Jon dhe pellgut të Delvinës”, ILIRIA Nr.1 – 1971, f. 284

[4] Dhimosten Budina, “Harta arkeologjike e bregdetit Jon dhe pellgut të Delvinës”, ILIRIA Nr.1 – 1971, f. 284

[5] Jano Koçi, “Fortifikime parahistorike në bregdetin Kaon”, ILIRIA Nr.1-2, 1991. f. 57

[6] Nevila Molla, “ARCHONTEA SOPOTU”-Kronologjia dhe funksionii një kulle byzantine në kalanë e Sopotit”, ILIRIA Nr.36 – 2012

[7] Nikolas Hamond, Epiri dhe Invazioni Dorian, Bot.QSN 2004,Përkth.Angl.Leka Ndoja, f,121

[8] Spiro Konda, Shqiptarët dhe Problemi Pellazgjik, Bot.UEGEN-2011, f, 380-381

[9] Aristidh Kola, “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, Bot.”55”-2002, Përkth.Greq. Aldior Agora, f, 194-195

[10] Jano Koçi, “Fortifikime parahistorike në bregdetin Kaon”, ILIRIA Nr.1-2, 1991. f. 44-52

[11] Kriledjan Çipa-Mariglen Meshini, “Të dhëna të reja rreth fortifikimeve paraurbane në Shqipërinë jugperëndimore”, ILIRIA Nr.XL-2016. f. 61-70

[12] Dhimosten Budina, “Harta arkeologjike e bregdetit Jon dhe pellgut të Delvinës”, ILIRIA Nr.1 – 1971, f. 280

[13] Jano Koçi, “Fortifikime parahistorike në  bregdetin Kaon”, ILIRIA Nr.1-2, 1991. f. 53

[14] Jano Koçi, “Fortifikime parahistorike në  bregdetin Kaon”, ILIRIA Nr.1-2, 1991.

[15] Frano Prendi, “Epoka e bronzit në Shqipëri”, ILIRIA Nr.7-8, 1977-1978, f. 16

[16] Kriledjan Çipa-Mariglen Meshini, “Të dhëna të reja rreth fortifikimeve paraurbane në Shqipërinë jugperëndimore”, ILIRIA Nr.XL-2016. f. 74-75

[17] Kriledjan Çipa-Mariglen Meshini, “Të dhëna të reja rreth fortifikimeve paraurbane në Shqipërinë jugperëndimore”, ILIRIA Nr.XL-2016. f. 72-73

[18] Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet Fortifikime në Shqipëri”, Bot.”8 NËNTORI”-1981, f. 90

[19] Ago Agaj,“Lufta e Vlorës”,Shkruar në Mehdie,Egjipt-1962, B.TOENA,Tiranë-2002, f. 20-22

[20] Kriledjan Çipa-Mariglen Meshini, “Të dhëna të reja rreth fortifikimeve paraurbane në Shqipërinë jugperëndimore”, ILIRIA Nr.XL-2016. f. 72-73

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura