DR.MOIKOM ZEQO: EUNUKËT QIELLORË

Pashtriku.org, 20. 10. 2013 – /Eunuku (nga greqishtja eunuchos, “ruajtës i shtratit”). Me fjalë të tjera, një i kastruar, që ruan haremin. Sapo lindën haremet, doli nevoja e shërbyesit, që mban atje rregullin e caktuar. Mendohej që këtë rregull mund ta sigurojnë krijesa pa gjini, pa seks, njerëz, që nuk i kanë shenjat dalluese të mashkullit por që ruajnë paraqitjen e jashtme prej mashkulli. Instituti i eunukëve u hap në lashtësi për herë të parë nga asirianët, persët, bizantinët dhe u përhap më tej në Kinë. Por përçmues, në Kinë pozita e tyre qe e ndryshme, sepse këtu eunukët formonin një klikë goxha të fuqishme e të egër, të gatshme për t’iu kundërvënë kujtdo, që guxonte të vinte dorë mbi privilegjet e tyre. Sundimtarët i përdornin ata edhe në detyra të tjera. Kështu, perandori Suan Xun emëroi një farë Gao Lishi “eunukun-dragua”, shef të shërbimit të sigurimit, duke e drejtuar dobësinë e tij mashkullore në “rrjedhën” që i interesonte…/

*  *  *

Mbrëmë i ripashë disa shënime të hershme, që formulonin një lloj sinopsi për një roman mbi Jan Kukuzelin e madh, i thashë Makabe Zaharisë.
– Ashtu? Ti ke shkruar shpesh për Jan Kukuzelin.
– E vërtetë. Kam shkruar shpesh. Është një personazh i jashtëzakonshëm.
– E di.
– Më shumë se i jashtëzakonshëm. Një personazh që përfaqëson disa personazhe brenda vetes. I përket edhe historisë edhe legjendës. Është e sigurt që ka lindur në Durrës. Janë shkruar qindra biografi ose më saktë hagjiografi për të. Të papërputhshme dhe kontradiktore. Disa kronikanë të Bizantit thanë se ka lindur në shekullin XI, të tjerë në shekullin XII, disa historianë modernë janë të bindur që ka lindur në shekullin XIV. Gjë e çuditshme. Personazh real dhe i pabesueshëm.
– Po. E vërtetë. Është si të thuash se Hamletin e ka shkruar Dante në shekullin XIII dhe më pas Shekspiri disa shekuj më pas, ose vetë James Joyce në shekullin XX.
– Me mundësi të pakufishme në kohë dhe në hapësirë.
– Sigurisht. E çuditshme!
– Në shënimet e mia përqendrohem në një fakt kryesor. Jan Kukuzeli lindi dhe e kaloi fëmininë në Durrës. Pastaj shkoi (pse? si?) në Kostandinopojë. Aty e kastruan. E bënë eunuk. Për të fituar një zë engjëllor. Kështu ai këndoi në katedralen e Shën Sofisë dhe u bë këngëtari më i madh i Bizantit. Kronistët e quajnë si Kryeengjëllori i Muzikës.

– JAN KUKUZELI – 

Ai kishte një zë që trondiste gjithçka, madje “e lëngëzonte edhe diamantin”. Zëri i tij ishte përtej njerëzores dhe hyjnores. Jo i dyfishtë por mbi gjithçka.
– Ky është zëri i një eunuku. Të kujtohet parabola e Krishtit për “eunukët qiellorë”. Teologët eruditë dhe idiotë të shekujve nuk kanë mundur dot ta shpjegojnë këtë enigmë. Ç’janë eunukët qiellorë? A mundet një eunuk tokësor të bëhet edhe eunuk qiellor? Ç’lidhje misterioze ka mes tyre?
– Pikërisht Makabe. Ky është subjekti i pamundur të realizohet i shënimeve të mia. Zëri i Kukuzelit eunuk. Si u bë eunuk Kukuzeli? Padyshim s’e ka dashur një thagmë të tillë. Privimi nga seksi për hir të harmonisë së zërit.
– I shkreti Kukuzel!
– Kukuzeli duhej të dilte nga normaliteti njerëzor. Të kapërcente ndjesitë e seksit.
– Në fakt diçka antibiblike. Në Testamentin e Vjetër thuhet se Jahovai krijoi Mashkullin dhe Femrën. Në Testamentin e Ri Krishti (vetja e dytë e Jahovait) flet me admirim për “eunukët qiellorë”.
– E tmerrshme!
– Një nga të krishterët më të famshëm të hershëm Origjeni u vetëkastrua, sepse mendonte me bindje profetike se organi i tij gjenital qe shpikje e Satanait.
– Po. Origjeni ka shkruar shumë libra. Ai mendonte se librat e tij plotësonin mungesën e urryer (ose të bekuar) të fallosit të tij.
– Në mesjetë ekzistonte një lloj industrie e kastrizmit. Kishte mjeshtra të famshëm për të bërë eunukë fëmijët dhe të rriturit. Mjeshtëria e tyre qe mjekësi dhe alkimi. Një formë e pasurisë dhe tregtisë së llahtarshme. Për Artin bëheshin eunukët e ndjeshëm për hir të Pushtetit bëheshin eunukët e pandjeshëm. Arti dhe Pushteti qenë një simbiozë! Por eunuku qe më tepër simbol i haremeve.
– Eunuku (nga greqishtja eunuchos, “ruajtës i shtratit”). Me fjalë të tjera, një i kastruar, që ruan haremin. Sapo lindën haremet, doli nevoja e shërbyesit, që mban atje rregullin e caktuar. Mendohej që këtë rregull mund ta sigurojnë krijesa pa gjini, pa seks, njerëz, që nuk i kanë shenjat dalluese të mashkullit por që ruajnë paraqitjen e jashtme prej mashkulli. Instituti i eunukëve u hap në lashtësi për herë të parë nga asirianët, persët, bizantinët dhe u përhap më tej në Kinë. Por përçmues, në Kinë pozita e tyre qe e ndryshme, sepse këtu eunukët formonin një klikë goxha të fuqishme e të egër, të gatshme për t’iu kundërvënë kujtdo, që guxonte të vinte dorë mbi privilegjet e tyre. Sundimtarët i përdornin ata edhe në detyra të tjera. Kështu, perandori Suan Xun emëroi një farë Gao Lishi “eunukun-dragua”, shef të shërbimit të sigurimit, duke e drejtuar dobësinë e tij mashkullore në “rrjedhën” që i interesonte. Ja një rast interesant. Një ditë perandori e urdhëroi Gao Lishin të ndërmerrte një operacion ndëshkimor kundër disa murgjëve budistë. Gao, nga ana e tij, urdhëroi t’i sterilizonin shërbyesit e qiellit, pastaj gjenitalet e fajtorëve t’i skuqnin e t’ia jepnin në trapezë… murgeshave. Fantazia e eunukut – xhelat shkoi edhe më tutje: murgeshave me gjoks të bëshëm i prenë sisat, i gatuan dhe ia servirën murgjve të kastruar. Shpagimi vazhdoi me tri tortura shumë të egra. E para: fajtorëve u vendosën në sy qese me gëlqere të pashuar. Pastaj i erdhi radha “shtypjes së gishtave” dhe së fundi trupat e zhveshur i pështollën me tuba të butë metalikë, nëpër të cilët lëshuan ujë të përvëluar. Me sa duket, kjo egërsi e pashoqe qe pasojë jo vetëm e zakoneve të epokës, por edhe e zellit të ekzekutuesit të ndëshkimit. Pas vdekjes së eunukut, në haremin që kishte ruajtur ai mbetën 500 skllave dhe një koleksion unikal edhe për atë kohë, pajisjesh seksuale të të gjitha llojeve, që i la pa mend bashkëkohësit. Një tjetër “eunuk-dragua” gjatë dinastisë Cutin Xun ishte një farë Vaj Fejshen, i cili ngriti “Pallatin e përbindëshave të dëshiruar”. Në të jetonin femrat më të shpërfytyruara, më të shëmtuara, të mbledhura nga të katër anët e rruzullit: shkurtabiqe e trupmëdha, gungaçe e uloke, të mbushura me dregëza, që rridhnin qelb… Kishte aty, siç shkruajnë kronikat historike, edhe një grua me dy kokë, që dallohej për një pasion të veçantë. Pikërisht kjo histori në “pallat” e ngriti shumë lart Vanin. Eunukë bëheshin me dëshirë, por edhe kundër dëshirës. Shumë baballarë, që jetonin në varfëri të plotë, duke dashur të siguronin jetë të mirë për djemtë e tyre, i dërgonin vetë ata në këtë lloj shërbimi tejet të veçantë. Një hap i tillë në fillim shpërblehej mirë, kurse më vonë, kur arrinin të merrnin pozita të larta, këta djem mund të ndihmonin të afërmit e tyre vetë. Kastrimi ekzistonte në Kinën e vjetër edhe si ndëshkim, ama kasta e eunukëve “furnizohej” jo vetëm nga kriminelët, sepse shumë shpesh sterilizonin edhe ushtarët armiq të zënë rob.Kishte tre lloje të këtij operacioni të dhimbshëm. I pari ishte kastrimi i plotë; mashkullit i hiqnin edhe penisin, edhe kokrrat. I dyti nënkuptonte vetëm heqjen e penisit. I treti, heqjen vetëm të kokrrave. Kur bëhej kastrimi i plotë, kur plaga niste të mbyllej nga anëtm në vrimën e krijuar futnin një tub metalik, ose prej bambuje, për urinim. Kjo pajisje ishte e domosdoshme edhe kur ruheshin kokrrat; të kastruarit shpesh provonin dëshira seksuale dhe nëpër tub rridhte lëngu i përtëritjes së jetës. Më vonë shpikën një send tjetër prej kauçuku, penisin artificial. Se çfarë vuajtjesh provonte gjatë operacionit njeriu që vendoste të bëhej eunuk, tregon me hollësi specialisti për Kinën, shkencëtari anglez Karter Stent. Më 1877 ai shkruante: “Operacioni kryhet në këtë mënyrë: Pjesën e poshtme të barkut dhe atë të sipërme të kofshëve i fashojnë, për të parandaluar hemorragjinë e tepërt. Pastaj pjesët, që do të hiqen, i lajnë tri herë me ujë e piper dhe i presin deri në rrëzë me një thikë në formë drapri. Me të mbaruar, plagën e mbulojnë me letër të lagur në ujë të ftohtë dhe e fashojnë me kujdes. Pacientin, të cilin e mbajnë dy “kirurgë”, e vënë të bredhë nëpër dhomë për 2-3 orë, pastaj e lejojnë të shtrihet, por nuk i japin gjë për të pirë gjatë tri ditëve. Ditën e katërt ia heqin fashat dhe martiri i gjorë më në fund mund të shkojë në banjë. Nëse arrin kjo do të thotë që ai është jashtë rrezikut, përndryshe e pret një vdekje e mundimshme sepse kanalet i janë ënjtur dhe asgjë nuk e shpëton dot”. Më pas njerëzit e privuar nga organet mashkullore, por që i kishin provuar më parë kënaqësitë seksuale, nisin të vuajnë nga dëshira për të patur herë pas here kontakte të tilla. Shkrimtari i njohur france Monteskje, në “Letrat persiane”, na jep një tregim psikologjikisht të besueshëm të një eunuku: “Nisa punë në një harem, ku gjithçka më ngjallte keqardhje për ato që kisha humbur tashmë. Çdo minutë provoja emocione; mijëra bukuri të natyrës hapeshin para meje, si të donin të më zhytnin në dëshpërim të plotë… Sa herë shoqëroja ndonjë bukuroshe për në shtratin e zotërisë, kur e zhveshja, kthehesha pastaj në dhomën time si i tërbuar e i pashpresë… Mbaj mend, një ditë, tek fusja njërën prej tyre në vaskë, u eksitova aq shumë sa e humba mendjen dhe e preka në një pjesë delikate të trupit. Kur erdha në vete, mendova se më erdhi fundi. Mirëpo pata fat dhe i shpëtova ndëshkimit të egër”. Vështirë ta besosh, por shumë eunukë jo vetëm janë martuar, por dhe kanë bërë njëfarë jete seksuale. Kjo ndodhte kur u shpikën organe seksuale të veçanta prej kauçuku. Fara dilte përmes organit artificial. Janë shkruar shënimet e gruas së një eunuku, ku flitej për rrezikun e madh, që ngjallte i shoqi, tek përpiqej të arrinte të kryente kontakt të plotë seksual. Gruas fatkeqe i duhet të mbante një jastëk para të shoqit, i cili e kafshonte jastëkun dhe e copëtonte, tek tentonte të arrinte qëllimin e vet, ndryshe gjoksi dhe supet e saj do të bëheshin gjak. Midis eunukëve ka ekzistuar një besim, sikur pas kontakteve të vazhdueshme seksuale, mund të ndodhte ripërtëritja e shenjave të humbura të seksit. Ata që ishin të martuar, bënin dashuri (në mund ta quajmë kështu) me gratë e tyre, të tjerët bënin si bënin në hareme. Edhe këto veprime të fshehtë bartnin rrezik, sepse mund të ngjallnin zemërimin e perandorit. Prandaj edhe shumë eunukë synonin të forconin pozitat e tyre në oborr dhe të rrëmbenin pushtetin. Jo, ata nuk pretendonin të zinin fronin, ama ndonjë detyrë ministri mundoheshin të kapnin, duke përdorur edhe dinakërinë, edhe mashtrimin, apo intrigat e komplotet. Ndikimi në zgjidhjen e problemeve shtetërore i njerëzve të tredhur u rrit veçanërisht gjatë sundimit të Canlun-it (1736-1796) dhe vazhdoi deri në shembjen e monarkisë. Perandori ishte estet dhe merrej vetëm me letërsi dhe artet e bukura. Punët e shtetit kaluan në duart e eunukëve, të cilët menjëherë huazuan nga oborrtarët e degjeneruar, të cilëve u kishin shërbyer dikur, mënyrën e tyre të jetesës. Kastratët, që u bënë pronarë të vërtetë të jetës së njerëzve, morën pushtet e pasuri. Mbetej vetëm të kthenin ç’kishin humbur. Rolet ndryshuan: tani nuk i shërbenin eunukët haremeve, por haremet eunukëve. Këtu ata jepeshin pas dëfrimeve të shfrenuara seksuale, duke shpresuar, se kështu do të mund të rifitonin organet e vazhdimësisë së jetës. Gratë lakuriqe duhej të uleshin tek ai vend i eunukut, ku nxinte blana famëkeqe dhe të “hidheshin përpjetë” derisa të mos mundnin më. Puna është se pranë shenjës së plagës, kastratët provonin ndjesi të forta erotike. Ata besonin se eksitimi i zgjatur nga kontaktet seksuale me femrat do të bëjë që tek vendi i njohur të rriten sërish organet e prera. Megjithëse tentativa të tilla mbetën të kota, fatkeqët përdornin edhe gjithëfarë metodash e ilaçesh. Bie fjala, përdornin gjakun e menstruacioneve të virgjëreshave. Me të përgatitej një pomadë, me të cilën lyenin plagën e mbyllur prej kohësh. U përdorën edhe komponentë të tjerë, jo më pak ekzotikë nga pikëpamja europiane, si mëlçia e njeriut, placenta dhe sperma. Mjekët e lashtë thoshin se pikërisht këto bëjnë efekt për rivendosjen e burrërisë së humbur. Disa eunukë madje kërkonin… tru njeriu, në pamjen më natyrale të tij. Kryeeunukët që gëzonin të drejtën për të ndëshkuar me vdekje armiqtë e perandorit, urdhëronin xhelatët që menjëherë pasi t’i pritnin viktimës kokën, ta çanin atë e t’u sillnin trutë e freskët. Eunuku Li Go, që ka jetuar në shek. II të erës sonë, nuk i bënte naze as gjakut të njeriut, sepse sipas gojëdhënave, ai që pi rregullisht gjak njeriu, natën u bëka i padukshëm. Përse i duhej kjo eunukut Li Go, vetëm mund të merret me mend, por në fund të fundit atë e paditën, se duke qenë i padukshëm, bridhte midis bukurosheve të perandorit në orë të papërshtatshme. Për më tepër, tek gratë, që prej kohësh nuk ishin futur në shtratin e sovranit, gjetën shenja kafshimi e pickimi të pasioneve mashkullore të papërmbajtshme. Meqë, veç perandorit dhe eunukut, askush tjetër nuk lejohej të hynte në harem, nuk qe e vështirë të gjendej fajtori. Li Gosë i takoi një ndëshkim i tmerrshëm: prerje në copa të vogla!…Besëtytnitë ndesheshin edhe në majat më të larta të shtetit. Shumë perandorë besonin që mrekullia është diçka reale: eunukët pushtojnë së qeni eunukë. Prandaj sovranët gjithmonë merrnin masa paraprake, duke i kërkuar mjekëve të oborrit t’i “përpunonin” për së dyti shërbëtorët e tyre. Shumë interesante lidhur me këtë është historia e njëfarë Vej, ish kryeeunuk gjatë sundimit të Canlunit. Veji besonte aq shumë në pushtetin e tij, sa u grind keqas me kryeministrin dhe as donte të dinte më për të. Por edhe ai nuk e hante thatë dhe shpiku një lloj hakmarrje shumë të stërholluar e të dhimbshme për kastratët. Canluni, një sovran mëse i durueshëm, e mbyllte njërin sy ndaj “ruajtësve të shtratit” të vet. Por gjithçka kishte kufi. Duke luajtur me telat më të ndjeshëm të sovranit, kryeministri i fryu në vesh perandorit, që eunukët e tij bënin të tilla dëfrime në harem, sa atyre kanë filluar t’u rriten sërishmi penisët e prerë dhe tani, duke mos u kënaqur me robinjat e veta, vënë dorë edhe mbi ato të Birit të Qiellit. Sado human të ishte Canluni (sipas normave të shek. XVIII), kjo e alarmoi aq shumë, sa ai e ngarkoi vetë informuesin të bënte hetime të hollësishme. Nuk do shumë mend ta imagjinosh, si mbaroi kjo punë: perandorin e njoftuan se eunukëve diçka po u rritet. Kryeministri urdhëroi t’i bënin “fatlumëve” operacion të dytë dhe kuptohet, torturat më të rënda i ranë për pjesë kryeeunukut Vej. Në monumentin e letërsisë antike kineze me titull “Libri i Këngëve”, thuhet: “Burimi i të këqijave të njeriut nuk është qielli, por femrat dhe eunukët. Njëlloj çjerrës janë zërat e grave dhe të burrave të privuar nga shenjat mashkullore. Prandaj nëse mendimi i të vjetërve për gratë dhe femrat në tërësi edhe mund të ndryshohet edhe mund të diskutohet, ai për eunukët… jo!”
– Ç’panoramë haluçinante!
– Histori haluçinante!
– E pamëshirshme!
– Çdo e vërtetë është e pamëshirshme!
– Vetëkuptohet!
– Të shkruash për Kukuzelin si këngëtar dhe muzikant s’është asgjë. Historia e tij prej eunuku është gjithçka.
– Kukuzeli qe reformator i muzikës bizantine. Ai shpiku neumat, një lloj shkrimi dhe Kodi të notacionit të sofistikuar. Ai krijoi edhe sistemin e “rrathëve muzikorë”, sipas sistemit astronomik të Ptolemeut aleksandrinas. Shkroi poezi dhe traktate teorike për muzikën. Dhuntitë e tij qenë të jashtëzakonshme. Për këtë nuk do të harrohet asnjëherë.
– S’do të harrohet!
– Ai nuk e njohu seksin e femrës. Nuk diti ç’është femra!
– Ndonëse e ëma e lindi si femër.
– Edhe Shën Maria e lindi Krishtin jashtë aktit seksual. Ndaj u quajt Mbretëresha e Virgjëreshave.
– Por Nëna e Kukuzelit nuk qe shën Maria. Kukuzeli ka lindur nga akti seksual.
– Kjo është e padyshimtë!
– Prap se prap historia e Kukuzelit është ndoshta historia më e madhe e një eunuku në historinë botërore.
– Besoj se po!
– Po këtë histori s’e ka shkruar askush. Mendo sikur Dostojevski apo Frojdi ta njihnin dhe të shkruanin për këtë histori. Do të çmendeshin fare!
– Por nuk e kanë njohur.
– Kukuzeli ka lindur në Durrës ku ende nuk ka një monument për të.
– Por askush nuk ka menduar për jetën sekrete prej eunuku të Kukuzelit.
– Askush!
– O Zot! Pse kështu?
– Por ja që kështu është.
* * *
Biseda me Makabe Zaharinë qe e skëterrshme.
Gati qeshë i penduar që i fola për shënimet e mia të nëmura.
Mund të mos ja kisha treguar këtë gjë.
Por ja tregova.
Mendova i dyzuar se ky subjekt ndoshta nuk kishte fare kuptim.
Ndërkohë në ndërgjegjen time më përvëlonte, më torturonte prej vitesh një tjetër sinops, ndoshta më i pabesueshëm por frikërisht i vërtetë.
Pranë shtëpisë time, pranë lagjes antike “Kala” të Durrësit ishte edhe shtëpia e një familje armenësh me të cilët unë kisha miqësi.
Burri i njërës familje quhej Aznavur Zagorjani. Punonte si orëndreqës, më i njohuri i Durrësit.
Qe i hijshëm, madhështor, serioz dhe shumë i heshtur.
Gruaja e tij, po armene qe një bukuroshe e rrallë. Quhej Aznaja. Punonte si doktoreshë në maternitetin e qytetit.
Qenë një çift i përsosur. Kishin një dashuri të parrëfyer me njëri tjetrin.
Për shumë vjet nuk lindën fëmijë.
Pastaj Aznaja mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë.
I vunë emrin Kukuzel.
Kukuzel Zagorjani. Qe moshatari im.
Kemi studiuar bashkë në shkollën e mesme. Kishte prirje të pazakonta për matematikë. Në vitin e maturës i ndodhi një fatkeqësi: xhaxhai i tij, një inxhinier që punonte në kantierin e ndërtimit të anijeve, beqar (nuk u martua kurrë) vrau befas veten.
Të tërë u habitën dhe u tronditën shumë. Në funeral i erdhi i tërë qyteti.
Para vetëvrasjes ai nuk kishte lënë asnjë letër të shkruar shpjeguese. Asgjë. Absolutisht asgjë.
Tri vjet më vonë i vëllai i tij, orëndreqësi vrau gjithashtu veten.
Tani tragjedia arriti kufijtë më të pakonceptueshëm, qe një absurd.
Kufomën e të vetëvrarit e çuan në morg.
Gjatë autopsisë u zbulua se i ndjeri dhe i mrekullueshmi Aznavur Zagorjani qe eunuk. Hetuesit që u morën me këtë çështje mësuan nga goja e gruas së tij se kur erdhi në Durrës që nga Stambolli në fund të shekullit XIX me të atin e tij (po orëndreqës) Aznavurin fëmijë e kishin rrëmbyer dhe e kishin kastruar për të shitur në Romë, por i ati kishte mundur ta gjente.
Erdhën në Durrës për të qenë më të sigurtë dhe për të harruar fatkeqësinë e kobshme.
Aznavuri u rrit. Qe njeriu më i mrekullueshëm dhe më i ndjeshëm i botës.
Ra në dashuri me vajzën e një tjetër familje armene të Durrësit me Aznajan. Miti i Romeos dhe Zhuljetës është i zbehtë përpara dashurisë së tyre.
Aznavuri i tregoi që në fillim mallkimin fatal. Por Aznaja s’e mori parasysh.
S’bënin dot fëmijë. Por donin shumë të kishin një fëmijë.
Mbas shumë dilemash të llahtarshme Aznavuri bisedoi me të vëllain dhe i propozoi që pikërisht ai ta linte shtatzënë Aznajan.
I vëllai i tmerruar nuk pranoi. Qe e pamundur!
Atëherë vetë Aznaja i shkoi dhe i tha se qe edhe vullneti i saj i plotë.
Aznaja qe një femër me bukuri të papërballueshme.
Akti seksual qe një delir.
Por vëllai i Aznavurit që nga ai çast u bë tjetër njeri.
Jeta e tij ndryshoi.
Ai qe njëkohësisht xhaxhai dhe i ati i vërtetë i djalit që lindi.
Hetuesit e mbyllën dosjen me këtë histori që askush në botë mos ta mësonte këtë sekret të mynxyrshëm.
Shumë vite më vonë, mjeku që kishte bërë autopsinë e Aznavurit, një kushëri i im nga babai B.H. më tregoi mua – mbasi më vuri nën be, të mos ja tregoja askujt, faktin se Aznavuri qe eunuk.
E shënova këtë sinops se po të mos e shkruaja ndoshta do të çmendesha.
Një sinops marramendës.
Por jo për t’u botuar ndonjëherë.
Durrës, qershor 2004

—————————

…………………………..

(Ilustrimet janë të pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura