Pashtriku.org, 05. 2014 – Një klasë e vërtetë politike e frenon dhe e lufton korrupsionin dhe nuk bëhet vatra pllenuese e këtij korrupsioni. Të gjitha arritjet pozitive të këtyre 20 vjetëve kanë qenë të vonuara. Të fundit në rajon e fituam liberalizimin e vizave, por jemi të parët në mburrjet estradeske. Tiparet më tipologjike të një klase (para)politike janë kur për problemet më të ankthshme madhore nuk ka fuqi për t’i zgjidhur vetë dhe thërret për ndihmë ndërkombëtarët… – A ka pasur gjatë kësaj periudhe të gjatë (20 vjet në historinë politike të çdo vendi janë jashtëzakonisht shumë) politikanë që mund t’i quajmë me plot gojën burra shteti? Këto 20 vjet në Shqipëri ka pasur politikanë të vetëquajtur, por jo burra shteti.
– Nuk është një çështje e një klasifikimi emërtues pyetja: a është klasa politike shqiptare në të vërtetë një klasë (para)politike?
Kjo kërkon një debat serioz dhe një ndershmëri shkencore. Të gjitha përgjigjet e mundshme mund të mbartin elemente të pjesshme të argumentimit pohues dhe mohues dhe kjo çështje substanciale të trajtohet në mënyrë relativiste dhe ekuivoke. Por shtrimi problemor i kësaj çështjeje është faza e parë e procesit analitik të shumanshëm, objektiv për të arritur në një sintezë konkludive të besueshme për të gjithë. Mbas 20 vjetësh mund të themi se pyetja: a është klasa politike shqiptare një klasë (para)politike nuk është aspak një pyetje thjesht retorike, por një shqetësim i gjallë, torturues i përditshmërisë deri më sot. Për më tepër, kjo është një pyetje popullore dhe qytetare gati e pashmangshme. Klasa politike në historinë totalitare shqiptare në shumë kuptime formale nuk mund të quhet (para)politike, por që ekstremisht politike në sensin më totalitar të mundshëm të instrumentalizmit grotesk ideologjik vertikal. Monopartiake, ajo nuk e njihte dhe nuk mund ta konceptonte institucionin e opozitës, pa të cilën humbet kuptimi përmbajtësor i sistemit demokratik. Kjo trashëgimi për gati gjysmëshekulli qe një modul politik i tmerrshëm, por edhe i dështuar. Këtë e provoi kushtueshëm vetë historia.
Kodoshët e politikës shqiptare!
Konfiguracioni pluralist i partive politike që kushti i parë përcaktues për lindjen dhe konsolidimin e një klase politike demokratike. Kështu nisi dhe kështu kanë shpresuar besoj që të gjithë qytetarët në Shqipëri, se fitorja më autentike dhe më e rëndësishmja do të ishte pikërisht krijimi dhe profesionalizmi me dinjitet i një klase të shëndetshme dhe efektive politike. Shumë marrëzi të fillimit të partive dhe të politikanëve deri diku justifikoheshin me shumë zemërgjerësi nga qytetarët, duke arsyetuar mungesën e përvojës, reflekset retrograde, por shpresohej se zelli i të mësuarit të kulturës demokratike nuk do të mungonte, se kriticizmi i guximshëm ndaj gabimeve do t’i vitalizonte dhe gjallëronte partitë dhe përfaqësuesit e tyre.
– Po a ndodhi kështu?
– A u veprua kështu?
– Mbas 20 vjetësh a mund të shprehemi pa komplekse se e kemi një klasë politike, vërtet ndoshta të papërsosur, por megjithatë një klasë politike, që meriton respekt dhe mirënjohje?
– A mund të themi se kemi një klasë politike deri diku të afirmuar, që i ka konceptuar dhe i ka stimuluar fuqishëm zhvillimet pozitive?
– Është kualifikuar apo është skualifikuar nga historia?
– A ka krijuar kjo klasë politike personalitete të vërteta apo thjesht personazhe virtuale?
– A ka pasur gjatë kësaj periudhe të gjatë (20 vjet në historinë politike të çdo vendi janë jashtëzakonisht shumë) politikanë që mund t’i quajmë me plot gojën burra shteti?
Këto 20 vjet në Shqipëri ka pasur politikanë të vetëquajtur, por jo burra shteti.
– Pse vallë?
– Ka qenë e pamundur?
– Po pse ka qenë e pamundur?
– Çfarë i ka penguar?
– Çfarë forcash misterioze i kanë shfytyruar politikanët shqiptarë të mos bëhen burra shteti?
Kjo është dilema e madhe. Sepse ky është realiteti. Do të donin të ishte krejt ndryshe! Filozofi i politikës i ditëve tona Janos Kis ka thënë: “Filozofia politike është normative. Ajo shtron tri lloj pyetjesh.
– Së pari, cili është rendi i drejtë institucional për një shoqëri?
– Së dyti, cilat janë standardet e përshtatshme, në bazë të të cilave do të vlerësohen institucionet shoqërore? Dhe
– së treti, si arrijnë standardet e vlerësimit të realizojnë përzgjedhjen dhe miratimin e rendit institucional demokratik?“
Sipas kësaj optike, secili mund të bëjë ballafaqimin me politikën shqiptare.
Demokracia është një sistem politik institucionesh jo vetëm politike, por të pavarura kushtetueshmërisht të tri pushteteve:
– legjislativit,
– ekzekutivit dhe
– gjyqësorit,
– pa harruar edhe pushtetin e katërt, atë të shtypit dhe të mediave.
Kjo strukturë është bazore në formë dhe në përmbajtje.
– Po si është vepruar në Shqipërinë politike?
Partitë fituese qeverisëse kanë pasur prirjen e partikracisë, për të sunduar me një keqkuptim të çuditshëm të shumicës formale të votave edhe Parlamentin, edhe ekzekutivin, edhe kryeprokurorinë, gjykatat, shërbimin inteligjent, institucionin e Presidentit, edhe klientelizimin e mediave. Koncepti i partikracisë është koncept totalitar. Në demokraci, ky koncept konsiderohet antidemokratik. Raporti shumicë qeverisëse dhe opozitë përcaktohet gjithashtu në frymën e partikracisë, ku sistemi i hapur demokratik koncentrohet artificialisht te Njëshi i ekzekutivit, duke iu kundërvënë të gjitha domethënieve kontestuese dhe sidomos opozitës politike në veçanti dhe opozitës qytetare në përgjithësi.
– A mund të vazhdohet kështu?
– Mos vallë duhet të presim edhe 20 vjet të tjera fatalisht dhe dëshpërimisht?
Prova e partive politike moderne është kuptimshmëria e drejtë e institucioneve politike, pra edhe të vetë partive. Mungesa e demokracisë në parti është edhe mungesa e demokracisë në shoqëri. Termat “parti qeverisëse” dhe “opozitë” janë terma konvencionalë të përkohshëm dhe të ndërkthyeshëm, opozita bëhet parti qeverisëse, kurse qeverisësja bëhet opozitë, mungon monopoli. Çdo qeverisje është pashmangërisht mandatore dhe aspak një epifenomen mistik. Kjo duket e thjeshtë, por për klasën tonë (para)politike nuk është e thjeshtë, në shumicën e rasteve rotacioni i pushteteve konceptohet si një gjëmë e tmerrshme.
Politikanët e suksesshëm shqiptarë që dominojnë shtrëngueshëm skenën politike janë përgjegjës historikë
– për mungesën e diturisë konceptuale të drejtë dhe moderne të politikës,
– për diletantizmin sfilitës,
– për modulin kaotik pa strategji kombëtare të ekonomisë,
– për papunësinë e pajustifikueshme,
– varfërinë e dhimbshme të shumicës,
– universitetet private virtuale,
– rritja marramendëse e çmimeve të materies jetësore, ekzistenciale,
– klientelizmin kapilar në çdo fushë të jetës,
– për bipolaritetin gati antagonist PD dhe PS dhe sidomos për korrupsionin e llahtarshëm dhe të frikshëm.
Një klasë e vërtetë politike e frenon dhe e lufton korrupsionin dhe nuk bëhet vatra pllenuese e këtij korrupsioni. Të gjitha arritjet pozitive të këtyre 20 vjetëve kanë qenë të vonuara. Të fundit në rajon e fituam liberalizimin e vizave, por jemi të parët në mburrjet estradeske. Tiparet më tipologjike të një klase (para)politike janë kur për problemet më të ankthshme madhore nuk ka fuqi për t’i zgjidhur vetë dhe thërret për ndihmë ndërkombëtarët.
– Ahere pse ta quajmë klasë politike, e aftë dhe profesioniste?
– A nuk është diletantizëm mungesa e partneritetit politik midis partive të mëdha?
– Viti 1997,
– të vrarët e Gërdecit,
– të vrarët e 21 janarit etj., flasin në mënyrë të adresuar për elementin dhe emrin më të skajshëm të parapolitikës në Shqipëri.
Dhuna nuk është politikë, por ekstrapolitikë. Kjo duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë. Tani vërtet dhe natyrshëm është ora e opozitës, por nuk duhet harruar se më shumë se fitoret elektorale është kapërcimi i Rubikonit, moment historik i jashtëzakonshëm dhe i shumëpritur nga të gjithë, që klasa (para)politike shqiptare të bëhet në mënyrë normative, më në fund një klasë politike e vërtetë.
Tiranë, 08. 02. 2011
…………………………………………………….
(Ilustrimin e përzgjodhi editori i pashtriku.org, Sh.Berisha)