DR.MOIKOM ZEQO: KOҪO PETRITI – KALORËSI I BALADAVE

Tiranë, 21. 05. 2014 – Në fillim të viteve ’60 të shekullit XX, Koçi Petriti boton librin me titullin grishës, kumbues dhe intrigues, “Lirikat e majit”. Ky libër parathotë, shpall dhe argumenton lindjen e autorit si botë autentike, temperament, ngjyrë përfaqësuese dhe fuqindjellëse. Për shumë arsye thelbësore, ky libër e përcakton dhe e emblematizon tërë krijimtarinë poetike të Koçi Petritit deri në ditët e sotme e në të ardhmen. Në një kuptim dialektik, aq sa është e vërtetë se autori është demiurgu i librit, mund të artikulohet ideja se është pikërisht libri demiurg i autorit. Kjo marrëdhënie gjenetike, jetike e ndërsjellë e krijuesit me krijimin asnjëherë nuk mund të formalizohet si ndarje e dallueshme për çdo studim serioz dhe kuptimshumë, sepse në substancë nuk ka dy të vërteta, por një të vërtetë. “Lirikat e majit” është një pikë ndriçuese reference në poetikën shqiptare. Poeti të huton me thjeshtësinë emërtuese. Në vitet ’60, poezia shqipe modernizohet, por edhe zotërohet nga himnet e angazhuara. Krijohet një epikë me timbër utopik, poetizohet politikja, kodi social, socialistizimi i vrullshëm, pretendues. Kjo përcakton hierarkinë e listës. Koçi Petriti, më i ndrojtur dhe modest, i beson lirikës së përjetshme. Ai rreket të përurojë thjesht ndjeshmërinë poetike të muajit maj, pa asnjë bujë dhe patetikë tribunale, një shmangie elegante ndaj politizimit të propagandës së skajshme. Ai gjeti kështu pozicionin e tij afatgjatë, aspak të përkohshëm, i sigurt në vetvete dhe i qetë deri në fund. Dhe ju bind vetëdijes, sepse kuptoi se lirika nuk mund të vdesë, as të zhvlerësohet asnjëherë. Poeti i ri në atë lak kohor i ndiente trysnitë. Poezia politike e ditës ishte një orkestër e madhe. Po a qe kjo rruga e madhe e afirmimit? A duhej të vishte edhe ai një kostum të rëndë, apo më saktë një parzmore plot shkëlqime të jashtme dhe shurdhuese? Ai gjeti në gjenezë shtegun e tij të rrugëtimit poetik. Shtegun, që nuk humbet në zona dhe gjeografi të pasigurta, virtuale: Lirikën. Dhe bëri mirë.

Koçi Petriti (1941 – 20 prill 2014)

Koçi Petriti nuk u mëdysh, as u shastis, as u tjetërsua: lindi si lirik i mirëfilltë dhe mbeti i tillë deri në fund: i besoi fatit të tij dhe jo Fat-thënave të Rreme të Bujës së tretshme, ndonëse farfuritëse.
Koçi Petriti është një nga lirikët më të sprovuar dhe të spikatur si pakkush të poezisë së sotme. Dhe këtë e arriti në heshtje dhe me një këmbëngulje të pandalur. Koçi Petriti e kishte të qartë projektin e tij: idenë e mbijetesës së lirikës. Dhe kjo nuk është asnjëherë pak. Lirika, sipas Lacan-it, është “poezia e poezisë”. I kemi disa shëmbëlltyra të mëdha të lirikës kombëtare. Shqipërimi delikat i disa fragmenteve të “Këngës së Këngëve” nga Gjon Buzuku më 1555 përbën institucionalizimin letrar të lirikës shqipe, pa mohuar trashëgiminë e jashtëzakonshme të lirikës orale popullore. De Rada, Naimi, Serembe, Lasgushi, Agolli dhe pak të tjerë e pavdekësuan në mënyrë panteonike dhe heraldike lirikën. Koçi Petriti e pasuroi, pa i imituar këta mjeshtër të vërtetë për t’u realizuar edhe vetë si një lirik i patjetërsueshëm me një individualitet të skalitur si në gdhendjet befasuese të miniaturave të artit. Ajo që thashë më lart vlen si argument për atë që do të them më poshtë.
Koçi Petriti e ka një veçanti të lexueshme si dallim vetjak në lirikën tonë. Që në hershmëri të krijimeve të frymëzuara të veprës së jetës, poetin e tërhoqi magnetikisht struktura e baladës. Janë të rrallë poetët që janë mahnitur nga balada si zhanër, si institucion poetik, si mbijetesë, si Koçi Petriti.
Ky autor sqimatar iu blatua baladës, për t’u metamorfizuar në të, me një profilizim gati tërësor, krejt ndryshe nga të tjerët.
Duke rilexuar që në dorëshkrim koleksionin mbresëlënës dhe mjeshtëror të baladave të Koçi Petritit, mendoj i bindur se poeti përfaqësohet si baladisti më i suksesshëm në poezinë shqipe. Ky klasifikim është i vërtetë dhe faktohet lehtë dhe qartësisht. Besoj se poetët e vërtetë nuk i shmangin, as i përbuzin strukturat e poetikës së shekujve. Shkatërrimi i zhanreve është i pamundur. Madje, edhe shumë kritikë të sofistikuar nuk e kanë kuptuar këtë të vërtetë parake – aq më keq për ta! Koçi Petriti e njeh shkëlqyeshëm baladën. Në doracakët estetikë mund të informohemi për gjenezën (më saktë, gjenezat) e baladës.
Balada është strukturë e rrëfimit poetik. Një strukturë e shkurtër, lakonike, ku parabola mbart një simbolikë që e tejkalon rrëfimin, pra simbolika është më parësore, më absolute.

Balada lind si krijim popullor, emblemë ndërlidhëse dhe përfaqësuese e kolektivitetit, një lloj miti i heroizuar, një lloj alternative e epikës homerike dhe virgjiliane. Pra, lindi si novacion i madh i epokës mesjetare, në raport me antikitetin. Balada e kultivuar është një krijim universal, europian, në shekujt XIII-XV. Ajo ka edhe karakter ceremonial, madje shpesh edhe kultik, teatror, gjithmonë me një audiencë popullore. Shënimet erudite të jashtëzakonshme për baladat europiane të “dinozaurit” të kritikës botërore, amerikanit Harold Bloom, kanë veç të tjerave edhe idenë se baladat janë arritje të mahnitshme artistike, të barabarta me Shakespeare-in, Emily Dickinson-in, Coleridge-in, Keats-in. Baladat popullore shqiptare janë të tilla. Balada e Rozafës ka mbarim tragjik (sakrifikues), apo e Ago Ymerit një përfundim fatlum, por në të dyja baladat humbet fjalëpërfjalësia e rrëfimit e ngrihet lart simbolika moderne e kumteve sublime.
Baladat e Koçi Petritit janë një rivlerësim i traditës së baladave popullore në shtratin konceptual të baladave letrare, të individualizuara sintetikisht nga poeti dhe vokacioni i tij vetjak. Duke e parë me vëmendje koleksionin petritian të baladave, sheh menjëherë, vrulltazi dhe gjatë projektin e tij për një institucionalizim të ri të baladës në poezinë moderne. Autori në hapësirat e poezisë e lartëson baladën, ashtu siç rivendoset një monument i rrëzuar përsëri mbi piedestal në një tempull të të gjitha kohërave. Balada e bën poetin jo thjesht t’i heroizojë njerëzit, por t’i njerëzojë heronjtë. Poeti, shqiptarësinë e ka substancë universale të amshimit. Personazhet e ndritura të historisë shqiptare janë populli (jo i vdekur) i baladave të tij. Ai nuk e klith thënien latine “Surgite mortui” (“Ngrihuni, të vdekur”). Janë pikërisht të vdekurit e mëdhenj që u japin kuptim të gjallëve të çdo populli historik, që mëton një të ardhme më humaniste.
Balada te ky autor është një strukturë vizionare, d.m.th. edhe aktualizuese, gjithmonë profetike. Balada bëhet kështu gjithëpërfshirëse e krejt poetikës. Përherë do të mbetet enigmatike, pse poeti u trupëzua shpirtërisht me baladat. Tharmi dhe shqetësimi i tij lirik e çoi te baladat e përjetshme, apo baladat e ruajtën dhe galvanizuan lirikën e tij? E vërteta qëndron në të dy skajet. Dhe ky është thelbi, jo thjesht i shpjegimit. Është profili i tij konceptual, që e ka dhe e shpalos vetëm ai. Është sinkretizëm krijues.

Poeti e modernizon poezinë krijuese me dy arketipa në dukje tradicionale: me lirikën dhe baladën. Por, ai i përmbajtëson estetikisht format e pashlyeshme dhe të përjetshme të poetikës.
Lirika e tij e poetizon baladën, kurse balada e strukturon lirikën. Ja një sekret i krijimit të perceptuar (apo edhe intuitiv) të poetit. Koçi Petriti, si mjeshtër i baladës, është tejet i përkorë në strukturimin e vargjeve. Po të shihet me kujdes, e zbulon se lakonizmi nga një varg në tjetrin krijon gjithmonë diçka eliptike. Jo vetëm kuptimin, por më shumë nënkuptimin.

***
DR.MOIKOM ZEQO: KOҪI PETRITI-MJESHTRI I VEҪANTË I LIRIKËS
HAPE:https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=2689

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura