ABDULLAH ZENELI: MOIKOM ZEQO, NJË FISNIK I LETRAVE SHQIPE

 Prishtinë, 14. 11. 2013: Moikom Zeqon e kam njohur shumë më parë, para se ta kisha privilegjin ta takoja personalisht. Fundja, për letërsinë kjo ka pak rëndësi. Lexuesi dhe leximi i çdokohshëm e ka këtë mundësi magjike, pavarësisht rrethanave (shqiptarët këtë e dinë më së miri), të komunikohet pavërejtshëm, duke shpërthyer pastaj një ditë, përse të mos e them pa ekuivok, në ekstazën e adhurimit. Sepse, një krijues, një letërsi e tërë, një stil autorial, një përballje realitetesh, dijesh, profesionesh, ëndërrimesh fantazmagorike, si reminishenca kulturash, qytetërimesh, dishepujsh identifikohen lehtësisht në gjithë veprën e Moikomit. Moikom Zeqos. Moikomit shkrimtar, Moikomit historian, Moikomit arkeolog… me një fjalë Moikomit erudit që dijen dhe dhuntinë e shkrimit i funksionalizon mjeshtërisht.

Zbërthimi editorial imi nuk ka qëllim as glorifikimin e një proze apo tregimtarie të një autori që të fle, që të kandis me çdo rrëfim, histori, përballje realitetesh sa të rrafshit tokësor, të kapshëm, përthithës, po aq mistik, trallisës, trill aromash dehëse, sprovuar tashmë jo pak dhe me aq sukses si Cvajg, Borhes, Markes… (nuk është qëllimi im të përmend emra të tjerë të shumtë), por që tek Moikomi ynë kanë një shije tjetër: Shije e meny shqip! Refleksion shqip! Erudicion shqip! Të cilat nuk i kanë munguar kurrë njeriut e qenies sonë. Hapësirës sonë. Mitologjisë sonë… Po! Moikom Zeqo është tregimtar i pashoq. Përsëritja, si kategori filozofike ka të mirën e vet, duke qenë se ravijëzon thelbësoren, e cila nuk duhet harruar as anashkaluar. Njerëzimi, e këtu hyn edhe lexuesi ynë, ka prirjen dhe domosdonë për të mësuar e rimësuar fshehtësitë e mëdha, komplotet e mëdha, mistikët e mëdhenj, kaosin dhe harmoninë, botët që përsëriten, qofshin ato të Lindjes së Largët, qofshin ato të Botës së Re, qofshin këto të afërmet, pjesë e së cilës është edhe vazhdimësia ilire-arbërore-shqiptare… Në këtë pikë Moikomi nuk të falë, duke gjurmuar, gjetur por edhe “shpikur” tharmin (trillin) pikant, sinopset e pafund, që herë i zhvillon deri në përsosje, sa mbetesh pa mend, herë i lë të presin, të pasurohen, për të reflektuar në krijimin e radhës, tregimin e radhës, historinë e radhës, librin e radhës. Sepse kush më mirë se njeriu i librit, i aq e aq eksponateve magjepsëse arkeologjike, të hipotekuara nën tokë e mbi tokë, di t’ia ofrojë ato fillimisht unit dhe më pastaj neve, lexuesve, që letërsinë e kemi pasion e dhunti, por kurrë konsum “populist”. Ky është, pra, Moikomi i këtij libri përfaqësues, “Abraxas, Mbreti i Botës”, i cili është një përmbledhje perlash tregimtare autoriale shteruese deri në skajshmëri. Një dëshmi kjo se letërsia shqipe nuk është mediokre, sa e si pretendojnë ta thonë jo pak thashethemexhinj, por e denjë, më se e denjë! Moikomi nuk paragjykon, as anon, madje identifikohet lehtësisht me secilën kulturë e qytetërim, me secilin arketip apo demiurg, të krishterë apo jo të krishterë, sepse mbi të gjitha, është Mbreti i Botës, Abraxasi personal apo i secilit nga ne. Duke gërshetuar rrëfimin si fillesë të të bërit art, letërsi, Moikomin e kemi edhe fantazist edhe real, edhe plot edhe të etshëm për të komunikuar me heronjtë e humbur nëpër kohë, por ja që është fisniku i letrave ai që do t’i rikthejë, ringjallë e shembëllejë për aq sa zgjat procesioni i leximit. E ky është i pafund! Vite më parë, derisa po realizoja një paraqitje javore të librit në një televizion vendor, e cila zgjati më shumë se një vit, pata nderin të paraqes edhe librin e Moikomit, “Adami i fshehur” me tregime, rrëfime onirike dhe etyde, por që atëherë e prisja me padurimin e një të urituri librin e radhës të botimeve “Buzuku” nga ky autor! Kush thotë se Libri nuk është Mbreti i Botës?

======================

Frankfurt, tetor 1997: Me Abdullah Zenelin në Panairin Ndërkombëtar të Librit…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura