DR.MOIKOM ZEQO: MIGJENI, MALI QË S’BZAN (PARABOLË MIGJENIANE)

Tiranë, 2 dhjetor 2017: Vite më parë në Shtëpinë Muze të Migjenit (si vallë u shpërbë me një gjakftohtësi kriminale ky monument përkujtimor i Kombit e i Artit? Ajme!) kisha parë një Bibël në greqisht, përdorur nga Migjeni, kur ai studionte teologjinë në Manastir.
Bibla ishte plot nënvizime.
Kjo gjë dëshmonte studimin e thukët, me një seriozitet të pazakontë e kuriozitet përvëlues, të shumëfishtë.
Referencat biblike janë të shumta në krijimet migjeniane, ndonëse autori me një sharm e dyshim niçean shndërrohet në një mendimtar të lirë, të çuditshëm.
Ndoshta më i madhi dhe më i ndershmi mendimtar i lirë, i pafrikshëm dhe prometeik i letrave shqipe në të gjitha kohërat.
Migjeni si dikur Artur Remboja, kryengritjen e tij konceptuale e bën si një kryengritje të pashembullt poetike, ai triumfon mbi Bastijen estetike, duke diellandritur verbueshëm e në amshueshmëri horizontet shqiptare plot hirnosje shkrumbi e mjegulla të neveritshme e rutinore e plogështi vdekësore, paralizuese.
Te Bibla, që përmenda më sipër, te “Libri i profetit Jeremia” (51-25) Migjeni i ri, sa i ri që ishte atëherë! – kishte nënvizuar edhe këtë fragment tronditës poetik: “Ja, ku jam unë kundër teje, o mal i shkatërrimit, thotë zoti, ti që shkatërron tërë tokën.

Unë do të shtrij dorën time kundër teje, do të rrokullis poshtë nga shkëmbinjtë dhe do të të bëj një mal të djegur.”
Profecitë e Jeremias janë apoteoza metaforike të drejtësisë.
Jeremia është një poet i madh!
Migjenit i është thadruar në mbamendjen e tij të fuqishme ky fragment sintetik sa librat e një biblioteke të tërë.
Fragment si i gdhendur në bronx të lashtë e të përjetshëm.
Pastaj Migjeni është përpëlitur krenar brendapërbrenda vetes.
Asnjëherë me horizonte të gurëzuara, ose të mbyllura përdhunisht.
***
Migjeni ishte shqiptar, bir i një toke klasike malesh.
Simboli i malit është bërë mendësi, metaforë e jetës, në epos, në vuajtje, në vdekje, në urinë legjendare, në ëndërrat enigmatike, në humnerat e kuçedërshme, në ujëvarat e ndritura e pyjet e shfarosura si një apokalips i nëmshëm.
Simboli i malit, përtej kuptimit pozitiv, dmth përtej mitit shqiptar të malit, përjetonte një tjetërsim, dmth, një ç’malëzim.
Migjeni qe i pari që guxoi të çmitizonte atë, që dukej më e qëndrueshme se çdo gjë, simbolin konvencional të malit.
Ky qe një guxim i hatashëm, një përmbysje revolucionare e konceptit.
Një revolucion ideor!
Migjeni heton trishtueshëm përtej tipit gjeologjik ose gjeografik të dekorit.
Për Migjenin mali i ekzistencës, ose mali ekzistencial, mali si hierarki sunduese, zotëruese, urdhërlënëse, i pakundërshtueshëm, mali si shoqëri e osmozë e përçudnuar, mali si pseudomal, një iluzion i turpshëm, që ka rrëmbyer vendin e realitetit të vërtetë e të vonuar, është mali që hesht e që në heshtje qesh, është mali që “s’bzan”.
Mali që s’bzan.
Mali që s’bzan!!
Mali i vizionit të qëmotshëm të Jeremias.
Mali i vizionit të ri të Migjenit.
***
Kështu, në vetëdijen e paskajshme lindi Recitali i Malësorit migjenian.
Ky malësor jemi të gjithë ne, shqiptarët, kaq shumë të vonuar në histori, kaq të sfilitur dhe tragjikë, po edhe komikë, për marrëzitë tona këlthitëse, shpesh të pakonceptueshme.
“O, si nuk kam një grusht të fortë” – kjo thirrje e apostrofuar e Migjenit është e shumëkuptimshme.
Migjeni flet për një grusht shpirtëror ndaj së keqes shekullore, prapambetje e mendësisë së gurëzuar, për një bashkim të të gjithëve në një grusht, jo të shqiptarit kundër shqiptarit – në asnjë mënyrë jo!
Po të shqiptarit me shqiptarin!
Dhe me integrimin, me botën e qytetëruar dhe progresive.
Migjeni apelon për ekzorcizmin e shqiptarëve si komb dhe si vetvete e secilit.
Pra, për rilindjen e të tërëve.
Migjeni ka shkruar për malësorin e mitizuar, me brekë e këmishë legjendare mbi shtat, që bjerr cilësitë e bëhet frikacak, servil, përpara një nëpunësi, para kokrrës së misrit.
Ky servilizëm i neveritshëm si mënyrë jetese është një shoqëri pa liri, pa ndërgjegje të lirisë.
Sa intelektualë shqiptarë, fatkeqësisht, turpërisht, përsëritën servilizmin ritual, duke përdhosur kështu vetveten.
***
Mali që s’bzan!
Sot ky mal është demokraci e keqpërdorur barbarisht, është korrupsioni i llahtarshëm, shkatërrimi i shtetit, degradimi i shoqërisë, përdhosja e moralit, është mafia shqiptare e përbindshme.
Askush nuk duhet të aspirojë dhunën – në asnjë mënyrë grushti i dhunës – jetojmë në një kohë të ndryshme, kur grushti ndaj malit “që s’bzan” është votimi i lirë, absolutisht i lirë e demokratik, është demokracia e vërtetë dhe jo demokracia apokrife.
Askush s’mund ta akuzojë Migjenin për terrorist, ose për antikombëtar, sepse metaforat poetike nuk janë identike me realitetin konkret, por kanë më tepër simbolika shpirtërore.
Mali që s’bzan do të mbetet edhe mbas votimeve, sepse ai mal është prapambetja jonë e madhe, që kërkon forca titanike të kapërcehet.
Mali që s’bzan është brenda shpirtit tonë.
Mali që s’bzan janë konceptet antidemokratike, qoftë të totalitarizmit komunist, apo të totalitarizmit antikomunist.
Mali që s’bzan është primitivizmi ynë shqiptar, është përçarja e politizimi absurd.
Mali që s’bzan është kriminalizimi e sadomizimi i realitetit, i popullit, është triumfi i përkohshëm, por shumë i dhunshëm e shkatërrimtar, i një klike të pashembullt në histori.
Mali që s’bzan është ankthi i eksodeve, braktisja e Shqipërisë, e tokës që nuk i mban njerëzit, është puna e vdekur dhe arti i prostituuar, është rrënimi ekonomik e imoraliteti i llahtarshëm.
Përtej malit që s’bzan janë horizontet e mëdha!
***
Skica ime e mësiperme, konceptuale, rebele u botua ne 26 qershor 1997 në ZP.
Ishte koha e katrahurës apokaliptike e regjimit të Berishës.
Në cakun e vitit 2017, pra, mbas 20 vjetësh (si vallë, kaluan kaq shpejt?) situata nuk është si në 1997.
Por ende Shqipëria politike është e demonizuar dhe në krizë të ndjeshme.
Kjo është e pamohueshme dot.
Ndonëse nuk kemi thjesht një tautologji.
***
Grushti Migjenian ndaj malit, që s’bzan, është akoma një kryesimbol.
Të plogëtit, le të vegjetojnë, në kalbësirën e tyre morale, kundërmuese, sulfurike, fosilizuese, vetshkatëruese përfundimisht, fatalisht.
Duket sikur Migjeni nuk shkruan thjesht me fjalë.
Shqyen kohërat.
Kohërat e prapambetjes dhe të vonesave mendore.
Konstrukton Shpresën.
Për një të Ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura