DR.MOIKOM ZEQO: NJË LETËR E RRALLË E KRIST MALOKIT KU FLET PËR MIGJENIN

Tiranë, 28. 05. 2014 – Po publikoj një letër të kritikut dhe estetit Krist Maloki ku flet për krijimtarinë migjeniane. Letrën pati mirësinë që na e tregonte zonja Lina Ceka, e bija e Skënder Luarasit dhe Ollgës, motrës së Migjenit. Letra i është dërguar nga Graci i Austrisë më 15 janar 1961 Skënder Luarasit. Letra nis si ngushëllim për vdekjen e Ollgës e flet pastaj me konsiderata për Migjenin e madh.
Krist Maloki në vitet ’20 e ’30 u aktivizua në shtyp e është bërë i famshëm për dy ese të gjata e të sofistikuara: një për Naim Frashërin dhe tjetra për Lasgush Poradecin. Të dy esetë kanë qenë si sfida blasfemije për kohën.
Krist Maloki me një kulturë e indikacione të shumta letrare e kulturore, me një shtrat erudit e filozofik, shkruan për Naimin sipas disiplinës së antropologjisë. Maloki është i pari që ka futur analizën frojdjane ndaj shqyrtimit të figurave të mëdha artistike
Kurse eseja për Lasgush Poradecin mirrte përsipër diçka utopike për të vërtetuar se Lasgushi nuk ishte poet i madh po një mit i madh.
Këtë ese të fundit (tepër të gjatë) Maloki nuk e mbaroi asnjëherë, ndoshta dhe u bind për pabazueshmërinë e tezës së tij.

– Migjeni dhe Krist Maloki –

Para Malokit askush nuk kishte shkruar me kaq shumë kulturë dhe me një manierë që ndryshonte nga kritika tradicionale, që rebel dhe kontradiktor.
Më poshtë po japim tekstin e plotë të letrës së Malokit, ku ai shfaq dëshirën e madhe për të shkruar diçka për Migjenin.
***
I dashur koleg dhe shok i vjetër,
E kam marrë këto ditë lajmin e zi për vdekjen tragjike të zonjës s’ate Olga dhe po ngutem të t’i paraqes ngushëllimet e mija më të ndijshme e të përshpirtshme!
Para një viti kam qenë n’Ulqin postafat për të mbledhë material historik e letrar rreth Migjenit. Atje u njoha me zonjën Leposava, me të bijën e kunatës s’ate, zonjës Lenka, me shokun e vjetër të Migjenit nga penda e jote, për të cilën edhe pse ti vet nuk ma e ke, të jem mirënjoftës. Kam mbledhë përndryshe nga shumë anë material aq të plotë sa mundem t’i përmbledhi argumentet e mij rreth një studimi kritik-letrar si aj rreth Lasgush Poradecit më 1939, por me drejtim dhe konkluzion të përkundërt.
Shka ka mbetë mysterjoze në jetën e Migjenit asht qëndrimi i tij kundrejt seksit femnor, për shka nuk po ka njoftime kurrkush nga të njoftunit e tijë.
E pra ner Kangët e Rinis bahet shumë herë aluzjon për ndeshje me ndonjë femën, vende-vende shpërthejn tonalitete si ato të Beethoven-it në “Unsterbliche Geliebte”.
A ke ti njoftime ma të hollsijshme në kët pikëpamje? Unë të lutem-po s’pate pengesa e ngatërresa – të hyjsh në korespondencë të dendunë me mue vetëm e përvetëm rreth Migjenit dhe vetëm për të mirën dhe nderimin e poetit.
Tuj i përsëritë ngushllimet e mija, po jes me shumë të fala si ty si shokëve të hershëm aty.
Dr.K.Maloki
Graz 15/I/61

***
POST SCTRIPTUM

Me sa më tha zonja Ceka, Skënder Luarasi nuk i është përgjigjur letrës së Malokit.
Nga letra del qartë se Maloki ka takuar dëshmitarë ad hoc e flet se ka mbledhur një lëndë për një studim (të cilin e krahëson me studimin e tij për Lasgushin në 1939, “po me konkluzion e drejtim të përkundërt”, dmth afirmativ). Maloki nuk harron të japë të fala për Justin Rrotën e Çabejin që i çmon për kapacitetin e tyre e profilin intelektual të dorës së parë.
Ai i bën Luarasit një ofertë për një korrespondencë intelektuale, gjë që për fat të keq nuk u realizua asnjëherë.
Jam i bindur se në arkivin familjar të Krist Malokit duhet të jenë materialet që ai ka mbledhur për Migjenin si dhe materiale të tjera analoge për studimin e letërsisë dhe kulturës tonë kombëtare.
Sa me interes do të ishte të mblidheshin e të botoheshin shkrimet e Malokit në një libër të vetëm!

***

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

 
KUSH ËSHTË KRIST MALOKI

Krist Maloki lindi në Prizren, më 8 prill 1900. Mësimet fillore i mbaroi në vendlindje, pranë shkollës katolike të Prizrenit. Si nxënës i dalluar që ishte, përfaqësuesit e Austro-Hungarisë në Prizren e dërguan në Austri për t’i vijuar mësimet në shkollën e mesme. Studimet i ndoqi në Salzburg, në Vjenë dhe në Graz. Në moshën 12 vjeçare dërgohet me bursë për studime në Austri. Aty kreu shkollën e mesme dhe mori dy doktorata, të parën me 1929 në Filozofi-Pedagogjike me temën “Die Grundprobleme der Kunsterziehungsbewegung”; dhe të dytën në Jurisprudencë më 1934. Në Graz i përfundoi studimet për filozofi, histori të arteve dhe pedagogji. Qe profesor i rregullt i Akademisë Tregtare të qytetit të Gracit dhe profesor pranë këtij Universiteti për letërsinë shqipe e ballkanike. Më 1966 qeveria austriake i akordon titullin Kryekëshilltar arsimor. Vdiq në nëntor 1972 në Grac të Austrisë. Malokit i është botuar vitet e fundit vëllimi “Refleksione” dhe “Oriental apo Oksidental”. Është i njohur si kritik letrar. Kritikat e tia më të njohura do të ishin ato mbi Naim Frashërin, Lasgush Poradecin, Gjergj Fishtën etj. Qysh para Luftës së Dytë Botërore Krist Maloki në Universitetin e Graz-it të Austrisë hapi edhe lektoratin për gjuhë shqipe, ku ai ishte lektori parë dhe i fundit i këtij lektorati. Po në këtë Universitet ishte edhe bashkëpuntor shkencor dhe shumë kohë punoi në Institutin e Historisë për Europën Juglindore. Këtu Maloki i mbante kompetencat për historinë e popullit shqiptar, ku edhe ligjëronte, sidomos për çështjen e ekonomisë dhe të politikës. Një kohë të gjatë veproi në Akademinë tregtare në Graz, ku po ashtu, ligjëroi ekonominë politike. Ishte i nderuar edhe me urdhërin më të madh, lartë, të Qeverisë së Styrisë (Steiermark) në Graz nga departamenti i arsimit, për kontributin e tij për këtë akademi. Qe bashkpunëtor i shumë revistave shqiptare si “Minerva” në Graz, “Djalëria” në Vjenë, “Hylli i Dritës”, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, e më vonë edhe i revistës “Shqiptari i Lirë”, “Dielli” etj. Ka bashkëpunuar edhe me revista të gjuhës gjermane, me artikuj të ndryshëm. Ishte edhe bashkëpunëtor i enciklopedisë së gruas (Zvicër) në gjuhën gjermane, ku ai shjellon problemin e gruas shqiptare. Ka bërë edhe disa komponime dhe një prej tyre, që vlen të përmendet, është „Mbi vorr t’Avni Rrustemit“. Ka botuar edhe disa shkrime me pseudonim si: K. Lepeteni, Male Krishna, Krraba Malsore etj. Ka lënë shumë dorëshkrime të pabotuara në shqip e gjermanisht, të gjitha studimet e tij janë shpërndarë nëpër revista dhe gazeta shqipe e të huaja, sidomos gjatë viteve ’30. Ka lënë një bibliotekë të pasur me vlera albanologjike. Krist Maloki është një ndër mendimtarët më të mprehtë të viteve 1930-’45.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura