Tiranë, 20 shtator 2017: Para shume vitesh (20 vite me parë), botova librin tim “Kështu foli Mona Liza”. Imazhi i portretit më të diskutuar në të gjitha kohërat ende grish dialogje dhe debate të skajshme. Mona Liza si pikturë ndoshta nuk është shëmbëlltyrë dikur e gjallë e një femre. S’e dimë.
Lisa Gherardini, gruaja e tregtarit fiorentinas Francesco del Giocondo, e quajtur ndryshe edhe “Mona Liza”, gruaja më e famshme në botë, do të rishfaqet në Muzeun e Luvrit, në një kutizë të re, të denjë për madhështinë e saj.
Nuk është vetëm kutiza e re që tërheq vëmendjen në këtë rivendosje të Xhokondës në Luvër, por Salla e Shteteve 840 m2, e ndërtuar nga arkitekti Hector Lefuel, ndërmjet viteve 1855 dhe 1857, që është lënë në dispozicion të gruas me buzëqeshjen enigmatike.
Njëkohësisht është e tepërt të thuhet që ajo është kryevepra e Leonardo Da Vinçit (1452-1519).
Ky projekt i ishte besuar prej katër vitesh arkitektit me origjinë peruane Lorenzo Piqueras, ndërsa kostoja e tij është mbuluar, pothuajse totalisht, nga rrjeti privat televiziv japonez “Nippon Television Network” (NTV), një kosto që ka kapur shumën e 4.81 milionë euro.
E rikonstruktuar në vitin 1950, salla e Shteteve, që strehon gjithashtu edhe “Martesa e Kana”-së, të Veroneze-s (1528-1588), si edhe rreth 50 piktura të Shkollës Veneciane, të shek. XVI, nuk krijonte kushtet e përshtatshme për të admiruar në parametrat e duhur veprat e ekspozuara; ndriçim i keq, mungesë e ajrit të kondicionuar, e vështirë në qarkullimin e vizitorëve.
Në qendër të sallës, arkitekti peruvian ka krijuar një lloj “kulmi”, duke lënë një rrugë kalimi në të dy krahët e saj, në mënyrë që Mbretëresha Xhokonda të jetë e vetme në fron, kryevepra absolute e “sfumatos”, këtij efekti të mrekullueshëm të gjeniut të Rilindjes, një teknikë për të cilën ende nuk ka një përgjigje.
Gati përballë saj, në një distancë 28 m, prehet “Martesa e Kana”-së, tabloja më e madhe e Luvrit 6.77 m x 9.94 m.
Nga të gjitha anët e këtij “kulmi”, vizitorët kanë mundësinë të hyjnë në Sallën e Shteteve.
Por, edhe nga pas kulmit, ku është vendosur “Mbretëresha”, ka një tjetër hyrje.
Duke ardhur nga Galeria e Madhe, ka një pamje të plot të pikturës, brenda një vitrine të re, por sërish brenda kornizës së vjetër, u ajo ndodhet që nga viti 1974, në një ambient termo-higrometrik stabël.
Ndriçimi i ri, natyral dhe artificial, me një kundrapunto minimale jashtë vitrinës, që shmang reflekset e xhamërisë, por e vendosur në “zenith”, rreth 13 m lart nga sipërfaqja e dyshemesë.
Ndriçimi i përdorur nga Lorenzo Piqueras dhe Marc Fontoynont, përfshin gjithashtu edhe katër dritaret tokësore, të cilat të krijojnë mundësinë të vështrosh oborret Visconti dhe Lefuel, nëpërmjet tendave mbrojtëse.
Midis “Martesës” dhe “Xhokondës”, mbi muret që kanë ngjyrën e brigjeve të Senës, me tone të qarta dhe lyera sipër me “Montmorency”, duke u dhënë kështu një efekt si të mbuluara me dyll, shtrihen formatet e mëdha të pikturës veneciane të shek. XVI, ku bie në sy dashuria për ngjyrat, trashëgimi e Byzance-it.
Nga ana tjetër e kulmit të “Mona Lizës”, janë grupuar tablo të formateve të vogla.
Më tej ndodhen tablo të Tiziano Vecellio, disa dhjetëra piktura të Paolo Caliari, por edhe të Francesco dhe Jacopo Bassano, Lorenzo Lotto apo edhe të Paris Bordon.
Të gjitha këto vepra monumentale janë vendosur në një atmosferë me hapësira të lira, të bollshme, që ndriçojnë Sallën e Shteteve, dikur të zhytur në errësirë dhe lagështi, sot në një hapësirë tejet komode dhe luksoze, sikundër u takon “baronëve” të pikturës botërore.
Grua fatale për romantikët e shekullit XIX, grua-objekt për dadaistët, që e “pispillosën” me mustaqe, “Xhokonda” i ka shpëtuar statusit të saj si kryevepër në pikturë për t’u kthyer në një mit.
Jacques Frank, doktor në Historinë e Artit në Universitetin e Los Anxhelosit, specialist i Leonardo da Vinçit, e pranon se “Mona Liza” mund të konsiderohet si testamenti i mjeshtrit më të madh të Rilindjes Italiane.
“Edhe pse nuk është fjala për veprën e tij të fundit, “Xhokonda” është ajo për të cilën ai ka punuar me më shumë kujdes, gjë që i mundësoi përmasat relativisht modeste: 77×53 cm.”.
Nuk është rastësi që François I (mbreti i Francës, 1515-1547) këmbënguli në vitin 1518 ta blinte tepër shtrenjtë këtë vepër, unike për “sfumaton” dhe efektin e saj të kafesë së lehtë, pranë njërit prej dy nxënësve që Leonardo i kishte bërë trashëgimtarë të tij.
Nuk ishte arritur asnjëherë të jepej kaq bukur një delikatesë e tillë në këtë gjini.
Pikë madhore referimi në elaborimin e portretit klasik në shekullin XVI, ajo u “pikas” nga Rafaeli, që pasi vizatoi në vitin 1504 një karton sipas saj, ripunoi në vitin 1514, në “Baltazar Castiglione”, kompozimin monumental të “Mona Lizës”.
Afro 50 kopje u krijuan në shekullin XVII dhe XVIII. Më pas Ingres (piktor francez 1780-1867) u frymëzua nga “Mona Liza” për portretin e “Zonjushë Rivieres” dhe Corot (piktor francez 1796-1875) për “Gruan me perlë”.
Më pas romantikët, që nga Lamartin deri te Delacroix, e kthyen në ikonë.
Melankolia e çuditshme, vështrimi dhe buzëqeshja aq të afërta sa edhe të largëta, u kthyen në modelin e gruas fatale.
Në vitin 1911, vjedhja e saj nga një italian dhe rikthimi dy vjet më pas në Luvër e bënë të arrinte një nivel të pashoq për një tablo. Por kundërgoditja nuk vonon.
Marcel Duchamp (piktor francez 1887-1968, praktikat e të cilit konsideroheshin si antiart.) ishte i pari që vuri në dyshim nocionin e së bukurës dhe krijimit muzeal: “Xhokonda” e tij e vitit 1919 u pispillos me mustaqe dhe u pagëzua “L.H.O.O.Q”. Ndërsa në vitin 1954, Salvador Dali (piktor surrealist spanjoll 1904-1989) bëri një foto “Dali si Xhokonda me mustaqe”.
Pak nga pak “Mona Liza” transformohet në një grua-objekt, që riprodhohet sipas dëshirës, që mund të shqyhet, që mund të bëhet copë-copë nën putrën e një Rauschenbergu (piktor amerikan, lindur në 1925) apo të një Andy Warhol (piktor dhe kineast amerikan, 1929-1987, shef i rrymës antikulturë). Nat King Cole (pianist francez) e ktheu në një refren në vitin 1958, ndërsa Marylin Monro, Monika Lewinsky dhe Golda Meir janë karikaturuar në pozën e Xhokondës.
A do të mundet ndonjëherë kjo vepër ta thyejë mitin?
Pse Mona Liza përsëritet dhe ripërsëritet si arketip imazhi? Ku është sekreti i magjisë së saj?
Ç’enigma të panjohura dhe ende të pazbërthyera mbart ky portret?
Portret i portreteve?
Po pse?
A nuk kemi një fuqi absolutizimi?
Gati një idiolatri?
Libri im “Kështu foli Mona Liza” paraqitet me një titull sfidues, madje ironik me “Kështu foli Zarathustra” të Niçes. Nëse Zarathustra qe profet, Mona Liza nuk qe.
Ahere pse ky mitizim?
Pse vallë?
Ah, Mona Liza!
Sipas një trilli teorizues, apo të ftillëzimit për teori unë mund të artikuloj disa ide më të skajshme për Mona Lizën.
Idea A: Një vepër arti si Mona Liza përjeton në shekuj procesin mitologjizues të vetvetes, shndrohet në letërsi, filozofi, eseistikë, muzikë, film, kibernetikë etj. etj. për arsye të simbolikës dhe semiotikës. Procesi mitologjizues është gati një religjion laik, të pazakontë.
A nuk ka ndodhur kështu dhe Odiseun homerik, alias Uliksin e Jame Jyoce-in? Tendenca e gjithëmbarjes, apo gjithëpërfshirjes përbën një totalitet, ku detajet paradoksale nuk zhdukin njëri tjetrin, por kanë një bashkëpunim të fshehtë të një afirmimi të përhershëm dhe befasues.
Si çdo religjion edhe miti i Mona Lizës krijon priftërinjtë dhe tempullarët e arsyetimit dhe të dilemave.
Idea B: Portreti i Mona Lizës i Rilindjes Italiane është binjakja shemër e portretit ikonografik të shën Marisë.
Leonardo Da Vinçi kështu ishte një heretik i rrezikshëm në raportin midis fetares dhe laikes për triumfin e pashkatërrueshëm dot të laikes.
Mona Liza e Vinçit tejkalon Beatriçen e Dantes.
Dantja është ende brenda strukturës së ikonografisë së krishterë, ndërsa Leonardi bën thyerje, krijon një ikonografi laike të portretit rilindas, të fundmesjetës së gjatë dhe të mjegullt.
Por në çmitizimin e vjetër prap lind mitizimi i ri.
Ajo që është tani s’është më ajo që ishte dikur, ajo që ishte dikur mbijeton qoftë si kontradiktë në atë, që është tani, thyerja kohore është dhe vijimësi kohore.
Idea C: A është Mona Liza simboli i mëmësisë? Pra një metaforë e matriarkatit të stërzgjatur?
A nuk qe e tillë dhe shën Maria, por e një mëmësie tokësore të sublimuar më tepër si mëmësi hyjnore?
Po murgeshat janë të përjashtuar nga mëmësia. Dhe prostitutat. Dhe homoseksualët.
Ah, ironi e pamëshirshme dhe groteske e shekujve.
Idea D: Mona Liza është triumfi i imazhit.
Pikturat rupestre, shkëmbore të paleolitit janë triumfi i parë universal.
Mona Liza përfaqëson triumfin sundues, perandorak të dytë. Imazhi i fotografisë, kinematografisë, televizionit, kompjuterit, pra virtualizmi digjital shpreh triumfin e tretë dhe ndoshta përfundimtar mbi njerëzimin.
Ah, Mona Liza! Hyjneshë totalitare! Shkofsh në djall!