VANGJUSH ZIKO *): STILI I JASHTZAKONSHËM I MOIKOM ZEQOS

Kanada, 5 nëntor 2017: Moikom Zeqo është, përveçse një krijues shumëplanësh, historian, arkeolog, piktor, studjues, eseist, kritik, aktivist shoqëror dhe politik, një intelektual shumëdimensional, di disa gjuhë të huaja dhe ka një horizont të rrallë kulturor. Edhe fjala e tij poetike është e rrallë për nga dimensionet e saj semantike, përmasat e saj konotative, shumëkuptueshmëritë e saj figurative, ajo prek caqet e enigmës dhe nuk është lehtë për të depërtuar në thellësitë e saj artistike dhe estetike. Të veçanta janë metaforat dhe alegoritë si dhe teknika e tij kompozicionale, pra, një poet me një stil të jashtëzakonshëm.
FJALA POETIKE
Fjala në vetvete, si shenjë, ka shtrirje të ndryshme semantike reale dhe potenciale. Kuptimi real ngërthen në vetvete kuptimin minimal të saj.
Kuptimi potencial nënkupton një kuptim më të gjerë difuziv semantik, që nënkupton shfrytëzimin maksimal semantik të fjalës.
Detyra e poetit është të zbulojë thellësinë semantike të fjalës duke shfrytëzuar tërë hapësirën e mundshme potenciale konotative të saj, e cila mund ta shndërrojë atë deri në kufijtë e një enigme.
Cila është, pra, enigma e fjalës poetike të Moikom Zeqos?
Edhe vetë poeti i bën pytjen vetes:
“Pse fjala ime
është kaq e ndjeshme
si në studimin laboratorik?”
Gjuha poetike e Moikomit është një gjuhë impulsive me një ngarkesë maksimale. Moikomi është poet emocional, vazhdimisht i shqetësuar. Laboratori i tij gjuhësor është gjithmonë në kërkim të fjalës me ngarkesë semantike jo të zakonshme, që përpiqet të përcjellë të plotë mendimin dhe ndjenjën e vet. Ai, sikurse shkruan është “skllavi i fjalës, për t’u dhënë liri mendimeve”.
Duke perifrazuar një mendim të Leibnicit, Moikomi guxon t’i shkojë deri në fund thellimit semantik të fjalës, gjë e cila e çon në thelbin e saj. “Fjalët e mia, thotë ai, janë si epruveta të thyera të një laboratori alkimist”.
Dhe ai, si një alkimist i vërtetë, shkruan fjalë “për të qenë një mobilim inteligjent i zbrazëtirës dhe heshtjes!”.
Ai i ripërtërin dhe i shumëfishon kuptimet semantike të fjalës duke i bërë ato “ikona lëvizëse” të mendimit, fjalët e tij janë “gra, për të lindur njëmijë Krishtër” dhe “material ndërtimi” për të ndërtuar qytete.
Ky është qëndrimi i tij semantik ndaj fjalës poetike.
E tërë godina e tij e çuditshme poetike është ngritur mbi me këtë “material”.
Ai ka kuptuar të vërtetën e madhe, që e ka formuluar qartë Josif Brodski: “Gjuha nuk është instrument i poetit, por ai vetë është mjet i gjuhës. Poeti është mjeti i ekzistencës së gjuhës” dhe i pafundësisë kuptimore të saj.
MJESHTËRIA METAFORIKE
Aseti i fjalës poetike e ka bërë poetin edhe mjeshtër të rrallë të metaforës dhe të alegorisë, me të cilat ai arrin të komunikojë emocionalisht dhe maksimalisht ndjenjat dhe mendimet e veta. “Imazhet dhe metaforat e Zeqos, shkruan Wayne Miller”, grumbullohen dhe ngatërrohen për të formuar labirinte marramendëse gjuhësore”.
Metafora është një nga mjetet kryesore të njohjes së objekteve të realitetit, emrave të tyre, krijimit të imazheve artistike dhe gjenerimit të kuptimeve të reja.
Metafora në letërsi synon konkretizimin maksimal. Metafora kryen funksione të ndryshme: kognitive, gnoseologjike, nominative, artistike dhe semantike
Moikomit i intereson metafora artistike me natyrë racionale e cila krijon figura “super të ndjeshme”, që pasurojnë në pafundësi kuptueshmërinë e mendimit artistik duke transmetuar mendime universale kozmike, raportin eterik të kohës me dimensionet e saj të së tashmes, së shkuarës gërshetuar me të ardhmen.
“Instikti i metaforës tek unë, shkruan Moikomi, është në luftë me intuitën e shkencëtarit”.
Ai i bën metaforat “pasqyra të absolutes”.
Autori nuk analizon apo përqas fakte, nuk nxjerr përfundime dhe formula, nuk bën deduksione, ai na zgjon ndjenja të madhërishme ose të ulta duke na pasuruar imagjinatën tonë të zakonshme të Gishtos që ”jeton bëmat e një gjiganti”.
Heroi liriko-filosofik i Moikomit e quan veten pjesë të harmonisë dhe të disarmonisë kozmike, ai e ndien fillesën e asaj që është e Bukura dhe e Shëmtuara. Poeti, në sintoni me mendimin aristotelian, na pohon se në hapësirën kozmike ekziston një shpirt suprem i pavarur, që ve në lëvizje mendimin.
Ky vizion filosofik është burimi dhe çelësi kryesor për t’i kuptuar dhe interpretuar metaforat e poetit që janë pafund dhe pafundësisht të larmishme, ai ka krijuar me to një kozmogoni të paparë alegorike, një mozaik ekstazist universal në të cilin ndjenjat dhe mendimet kanë impulse dalldije dhe një sublimim të gjuhës poetike dhe të realitetit.
***
Figuracioni metaforik i poezisë së Moikomit të kujton një ëndërr plot makth ku realja me irealen qëndrojnë bashkë, bashkëveprojnë në mënyrë të çuditshme duke të krijuar një ndjenjë ekstatike, ndjenjën e ekstazës hipnotizuese, që ngërthen në vetvete kontradiktën, parninë e nocioneve të kundërta, të pikëllimit dhe të gëzimi: “qefini i të vdekurve” bëhet “mbulesë e gostive”, përbri “sendeve efemeride” qëndron “qenia e pakufishme” njerëzore; një tablo vërtet surealiste e cila të përfton ndjenja kontradiktore, trishtim dhe gëzim, çastin dhe përjetësinë.
Metaforat e Moikomit të tronditin me mesazhet e tyre të sofistikuara, duke të lënë në ndërgjegjen tënde shijen e një diçkaje sublime dhe magjepsëse, që vazhdon të të emocionojë edhe pasi e ke mbyllur librin.
TEKNIKA KOMPOZICIONALE
Poezia e Moikomit është komplekse dhe solide në llojin e vet, ka strukturën e saj kompakte, ka staturën e vet.
Ajo, për mua, është një mozaik barok i kompozuar sipas një ligjësie kompozicionale strikte.
Për ta kuptuar dhe shijuar plotësisht atë, pse jo, për ta bërë sa më të afërt për lexuesin e vemendshëm ajo do dekodifikuar.
Dhe kjo nuk është aspak e lehtë, ose më mirë të themi, është e vështirë.
Për ta konkretizuar mendimin, po marr poezinë, ku përshkruhet një panoramë vjeshte, një poezi lirike në thelbin e saj, por jo vetëm kaq.
DIONISI I KRYQËZUAR NË VEND TË KRISHTIT
Ja, shkëmbejtë, – këpucët e zotave! – Por unë, – s’jam lustraxhiu i tyre! – Amen!
Agimi, – kalë, – i papikturuar, – plotësisht, – nga artisti impresionist!
Vjeshta, – rri, – në supet e fëmijërisë time – si këmishë princi, – e arnuar!
Ah, – gjer, – në palcë, – të eshtrave, – e ndjej, – pagjumësinë jeshile, – të pemëve!
Në Apokalipsin ekologjik – e gjej Dionisin, – të kryqëzuar – në vend – të Krishtit!
Zakonisht, në poezi të tilla mbi natyrën jepet një tablo poetike me një figurë kyçe që përbën bërthamën e poezisë.
Në këtë poezi dhe në poezitë e Moikomit, në përgjithësi, gjejmë jo vetëm peizazhin, por edhe përjetimet e thella të heroit lirik të lidhura ngushtë me të, i cili e përjeton në mënyrë filosofike këtë peizazh.
Jo vetëm kaq.
Në të nuk gjejmë vetëm një “bërthamë”, por disa “bërthama” të tilla në koleracion figurativ dhe emocional me njëra-tjetrën.
Poezia përcjell emocione reflektive të heroit lirik ndaj një “apokalipsi ekologjik”: shkëmbinjtë janë të zhveshur, agimi i kësaj dite vjeshte është i mangët (një pikturë impresioniste). Vjeshta e veshur me një “këmishë të anuar”, që e bën ta ndiejë “gjer në palcë” këtë “apokalips”; poezia ka figura ndihmëse që e plotësojnë si referime të veçanta, duke përqëndruar vemendjen e lexuesit në shenjat semantike të figurës qëndrore.
Këto figura (metafora, personifikimi, shprehja hiperbolike dhe mesazhi biblik) janë shënjat e pavarura të tekstit poetik.
Për të analizuar semantikën e brendshme të figurave dhe vendin që zenë ato në strukturën e poezisë në tërësi, na duhet të veçojmë figurat kyçe si njësi individuale sintetike, jo thjesht si sende, por si ide të mendimit dhe si vlera estetike, që së bashku na përcjellin mendimin apokaliptik “ të fshehur”: “shkëmbinjtë-këpucët e zotave (të pabojatisura), agimi i papikturuar plotësisht (pikturë impresioniste); vjeshta, “këmisha e arnuar” e saj; “pagjumësia” e pemëve; Dionisi i kryqëzuar (kurbani natyrë si ndëshkim biblik); të gjitha detaje-argumenta të apokalipsit ekologjik, detaje piktoreske, detaje psiko-fizike, shqetësim, ankth, trishtimi i heroit lirik. Kështu, duke hulumtuar natyrën substanciale të subjektit lirik, zbulojmë edhe perspektivën e gjykimit të kësaj tabloje nga ana e poetit: ndëshkimin universal biblik.
Ndërgjegjia krijuese e autorit na flet kështu, jo thjesht për një mbresë, përjetim impresionist të çastit, por për një subkoshiencë universale njerzore, që ka të bëjë me një katastrofë universale e cila është e denjë për një hero emblematik, që sakrifikohet për një të mirë universale.
Jo më kot poeti e përqas figurën e perëndisë antike të bollëkut dhe të gëzimeve tokësore, Dionisin, me Krishtin e sakrifikuar nga Ati i vet për t’u treguar njerëzve se deri ku ka arritur degjenerimi i tyre.
Në këtë njëjësim të paradigmës dhe të sintaksës së ligjërimit subjekti lirik zbulon edhe perspektivën e arsyetuar të tablosë së botës prej vetë krijuesit të saj.
Poezia e Moikomit është, mbi të gjitha, një poezi konceptuale që mbështetet në një sistem këndvështrimi shumëplanësh për të arritur qëllimin dhe kuptimin e fenomenit. Materiali tekstor renditet në një mënyrë të tillë që t’i paraqitë sa më qartë idetë.
Kurse titulli i poezisë e orienton lexuesin që ta lexojë qartë këtë ide.
***
Moikomi i jep një rëndësi të veçantë teknikës së poezisë. Ai nuk rradhit, thjesht, vargje dhe figura, ai shpalos ide dhe parashtron mendime.
Siç thotë Ilia Kaminsky, ai “gërsheton referenca të ndryshme, për të krijuar një miksazh të ri të egër”, një mozaik tokësor dhe kozmik, do të thosha.
Në çdo poezi të Moikomit kemi një alternim disa shtresor mendimesh, figurash, emocionesh.
Ato do t’i quaja “strofa” të një poeme pa fund.
Ato janë strofa të mbyllura, krijime të pavarura, me një strukturë krejt të veçantë strikte.
Struktura, kompozicioni i një vepre poetike është përcaktues jo vetëm i formës, por edhe i simetrisë së mendimeve dhe të konceptit estetik dhe atij artistik të autorit, është forma që merr plazma poetike.
Çdo poezi e Moikomit ka simetrinë dhe asimetrinë vet.
Çdo varg i saj është një nuklë poetike më vete, ashtu siç janë pjesët përbërëse të një mozaiku.
Çdo cikël i tij është një mozaik më vete. Dhe ashtu siç kuptohet dhe shijohet një mozaik në bashkësinë e gjithë detajeve dhe ngjyrave, që e përbëjnë atë, ashtu duhet lexuar, në koleracion, që të kuptohet dhe të shijohet.
Çdo varg i shkëputur, i analizuar ose komentuar më vete, do ta humbte bukurinë dhe kuptimin alegorik të mozaikut.
Kjo teknikë kompozicionale përbën sekretin dhe veçantinë e stilit të jashtëzakonshëm të Moikom Zeqos.
Ky kombinim ishte vërtet i paparë në poezinë tonë.
***
Moikomi, jo vetëm me fjalën, me gjuhën poetike të figurshme, por edhe me teknikën e tij të veçantë ka krijuar, tashmë, një model krejt të ri dhe të panjohur më parë nga poezia jonë kombëtare.
Kjo krijimtari është komentuar dhe vlerësuar lart edhe nga studjues të huaj. “Moikomi,- shkruan poeti amerikan Wayne Miller,- është poet i rendit të lartë poetik, autor që përpiqet të thotë gjithçka që ai di”.
Kurse profesore Kathryn Nuernberger: “Mund të imagjinojmë një lypës si një luan të plotë që mund të hapë gojën për të na shpjeguar lidhjet midis të gjitha gjërave të kohërave”.
__________
*) VANGJUSH ZIKO, është poet, dramaturg, eseist dhe përkëthyes i shquar i letrave shqipe, i gjeneratës së Kadaresë, Agollit, Arapit etj. Autor i shumë librave. Shkruan dhe punon në Kanada.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura