DR.MOIKOM ZEQO: PJETËR MAZREKU, DIJETARI I SHEKULLIT XVII

Tiranë, 9 korrik 2018: Një figurë tepër interesante e kulturës shqiptare e ballkanike është dhe Pjetër Mazreku, arqipeshk i Tivarit, i cili ka lindur në gjysmën e dytë të shekullit XVI, (në 1586), dhe ka vdekur në gjysmën e parë të shekullit XVII, (konkretisht ne dimë datën e saktë të vdekjes: 28 maj 1635).
Pjetër Mazreku ka lindur në Prizren të Kosovës, është shqiptar kosovar. Ai e quan me krenari Prizrenin “atdheu im”.
***
Nga jeta e tij vetjake dimë disa fakte kryesore.
Patjetër, që fëmininë dhe rininë adoleshente e ka kaluar në vendlindje.
Ka kryer studimet në Kolegjin e Loretos në Itali, në këtë qendër, ku ka studiuar edhe Frang Bardhi, Budi, Bogdani, Kazazi etj.
Këtë kolegj e pati themeluar Papa Gregori XIII në vitin 1574.
Në fakt ai quhej Kolegji i Madonës (“Collegio della Madona”), po mbiquhej edhe si Kolegji Ilirik.
Mbas studimeve Mazreku ka hyrë në jetën ekleziastike, ndjek shkallët hierarkike fetare.
Fokusi i veprimtarisë së tij baritore e kulturore është Ballkani.
Në një relacion të viteve 1623-1624 Pjetër Mazreku e quan veten si “vizitator apostolik”.
Ai përshkruan përshtypjet e tij të kualifikuara për disa vise të Ballkanit.
Ritin e kishës lindore ortodokse të sllavëve në lidhje me kishën greke Mazreku e quan “skizmatik” të papranueshëm për katolicizmin.
Kjo armiqësi ndaj kishës latine të Romës konkretizohej me mosbindje ndaj Selisë Apostolike e mospranimit të Pontefiksit Romak.
Kjo mbrapshti, sipas Mazrekut, “rrjedh së pari, se kur grekët po armiqësoheshin me kishën romake, meqenëse si grekërit dhe sllavët mbahen me të njëjtin rit dhe të njëjtat ceremoni të liturgjive dhe të zyrave hyjnore gjykuan edhe më shtrembër, se grekërit, (të cilët shkëlqenin më shumë se sllavët në shkencë e dituri) se kanë vepruar mirë e me arsye kur u ndanë nga kisha latine”.
Në këtë aspekt Mazreku bën thirrje se shqiptarët katolikë janë më afër Europës dhe jo rastësisht katolicizmi shqiptar është një atu, për t’u distancuar nga sllavët e nga islamizmi.
Është në të njëjtin mendim si Pjetër Bogdani, i cili katolicizmin e quan si një “besim të shqiptarëve”, duke patur parasysh periudhën para pushtimit osman, si dhe karakterin e ndryshëm etnik të shqiptarëve nga sllavët e grekët.
Nga një metaforë teologjike kjo ide e Mazrekut i shërben idesë së ruajtjes së identitetit të shqiptarëve.
Në lidhje me qëndrimet skizmatike Mazreku sheh edhe faktin e mospranimit të kalendarit gregorian, që ndryshoi kalendarin e vjetër julian në Europë, (kurse në viset ballkanike për shumë kohë funksionoi kalendari biblik bizantin, ose edhe kalendari i hixhras myslimane).
Në relacionin e tij Pjetër Mazreku, ndonëse nuk e ka vizituar Shqipërinë në 1623-1624 flet për kombin shqiptar e bile shton këto fjalë: “Vizitatori nuk do të zgjatet duke treguar mjerimin e këtij kombi (të shqiptarëve – shëmim im M.Z.), sepse nuk ju dha urdhri ta vizitonte Shqipërinë, megjithatë, po t’i kërkohet kjo gjë, ai do t’i jepte kuptimin e vet Papës dhe Kongregacionit të Shenjtë”.
Ai përfiton dhe bën disa propozime për lartësimin kulturor të kombit shqiptar.
Mazreku shkruan: “Le të dihet se si Serbia, Bullgaria dhe Greqia janë plot skizmatikë, kurse pjesa më e madhe e Shqipërisë është plot katolikë. Vizitatori mbeti i çuditur se si për të gjitha kombet e Europës, si anglezët, gjermanët, grekët, sllavët, si dhe për kombet e Azisë e për shumë të tjerë janë themeluar kolegje, kurse për këtë komb të varfër e të mjerë, që shumë më tepër ka nevojë si asnjë tjetër, duke qenë si të thuash te dyert e vetë Romës, nuk është thënë kurrë, bile dhe ndonjë mendim, as nuk i është dhënë ndonjë ndihmë, që t’i jepej dora kaq mijërave frymëve, që kanë humbur e po humbasin, sepse kanë patur pak meshtarë e ndonjë aq të paditur sa nuk ka njohur edhe alfabetin, prandaj nuk janë gjetur njerëz të aftë, të shkolluar, për t’i bërë ipeshkvë.
Selia Apostolike çon në Shkodër e në Lezhë ipeshkvë me kombësi të huaj që nuk e kuptojnë gjuhën shqipe e që nuk nxjerrin kështu ndonjë frut… prandaj po e kujtoj Shenjtësisë së tij Papës dhe Kongregacionit të Shenjtë që të ketë mëshirë për këtë komb dhe të mos e përjashtojnë prej prehërit të dhimbsur të Kishës, por t’u jepen urdhëra ipeshkve të kësaj Mbretërie (dmth të ish shtetit të Skënderbeut – shënimi im M.Z.) që cilido famulltar të rrisë një ose dy të rinj, të cilët të dërgohen në kolegjin, që mund të shpresohet për t’u themeluar veçanërisht për shqiptarët, ku 12 ose 15 të rinj të mësojnë letërsinë greke (kulturën e vjetër klasike të antikitetit – shënimi im M.Z.) sepse një pjesë e Shqipërisë është në kufi me grekët e bile nuk do të ishte e pavend, që të dinin dhe greqisht.
E nxitur nga dhëmshuria për atdheun e vet penda e vizitatorit vrapoi më shumë se sa besonte”.
***
Mazreku hedh kështu një ide themelore të karakterit iluminist, për arsimin e organizuar të shqiptarëve.
Mazreku e kupton se kultura është vetëdije e kombit.
Këtë kulturë e parapëlqen të vektorit europian perëndimor.

***
Mazreku i dhëmb zemra për Prizrenin, qytetlindjen e tij.
E përshkruan me pak rreshta; “ky vend gjendet nën Malet e Zeza të Fushës së Kosovës, jo shumë larg nga vendi ku Millosh Kobiliqi, ushtar me shumë guxim e me vlera vrau Muratbeun, perandorin e turqve dhe humbi jetën e vet, mbasi për shumë kohë, po më kot u mbrojt trimërisht, ndaj i ka ngelur kujtimi i përjetshëm.
Këtu janë ngulur tri shtylla të vogla, shumë larg nga njëra tjetra për të dëshmuar (siç thotë populli) tri kërcime që ai (Milloshi) bëri për të shpëtuar kur e ndoqën, por mjafton për të besuar se kjo hapësirë nga njëra shtyllë te tjetra ka qenë vendi ku u mbrojt me shkathtësi; sepse në të vërtetë kërcimet e thëna ja kalojnë shkathtësisë njerëzore“.
Ky pasazh tepër kuptimplotë ndërthur historinë me legjendën e Fushës së Kosovës e mitin shqiptar të Millosh Kobiliqit – sipas folklorit të popullit, që e përmend Mazreku, i shtyllave, që shënojnë gjurmën e heroit (kujtoni gjurmët mitike të Skënderbeut në vise të ndryshme të Shqipërisë – shënimi im M.Z.).
Mazreku e kupton qartë racionalitetin e së vërtetës historike dhe konvencionalitetin legjendar të thënieve popullore për heronjtë e bëmat e tyre të jashtëzakonshme e bën një shpjegim të tipit brehtian, për të parë nën lëvozhgën mitike bërthamën e arsyes.
***
Nga korrespondenca dërguar Kongregacionit të Shenjtë mësojmë, se arkipeshkvi i Raguzës, Vinçensi, i shkruan letër kardinalit Ludovizi, se i ka dërguar disa të holla Pjetër Mazrekut, që ishte ngushtë financiarisht.
Kjo letër e datës 20 janar 1624 na bën të ditur, se Pjetri ka qenë dy muaj në Raguzë e është nisur në Romë.
Në 15 maj 1625 Mazreku ka shkuar në Kosovë dhe shkruan një letër nga Trepça për një prelat në Romë, ku i arsyeton t’i dërgohen të holla për të ndihmuar popullin e mjeruar.
Ndërkohë Pjetër Mazreku është ngjitur në shkallë hierarkike e është bërë arkipeshkv i Tivarit.
***
Në 15 korrik 1625 Mazreku ndodhet për vizitë baritore në Shkup dhe i shkruan letër Kongregacionit të Propoganda Fides e kërkon sërish ndihmë financiare, për të mundur të kthehet në Tivar.
Pra, vështirësitë e këtij shqiptari janë të mëdha e sakrifica është jeta e tij e vërtetë.
Disa relacione të Pjetër Mazrekut të vitit 1623 – pra 360 vjet më parë – janë tepër të çmuara në shumë pikëpamje kulturore, shkencore, atdhetare.
Që në fillim ai shkruan se “kombi shqiptar është më i mjeri dhe më i braktisuri ndër të gjitha kombet që janë në Europë“.
Mazreku bën një paraqitje të karakterit gjeografik tepër të saktë për trojet shqiptare, sidomos të Kosovës, të maleve, të fushave, të lumenjve Drini i Zi e Drini i Bardhë.
Këto përshkrime gjeografike të shoqëruara me indikacione të autorëve antikë janë proza të bukura e tepër tërheqëse, ç‘ka e bën Mazrekun një nga shqiptarët e parë të lëvrimit të zhanrit të prozës së udhëpërshkrimeve, si letërsi e njohur për kohën e më pas.
Ai bën fjalë dhe për pasurinë minerare të Trepçes, për argjendin dhe floririn etj.
Për tokat pjellore mund të thuhen sipas Mazrekut se janë “vetë shtrati i Cereres dhe Bakut“.
Ai bën kështu metaforizime të emrave të mitologjisë së vjetër. (Cerere te romakët që si Demetra te grekët, kurse Baku është Dionizi – shënimi im M.Z.).
“Në Shkup, shkruan Mazreku, është ndërtuar një urë mbi atë lumë (Vardar i quajtur motit Aksius – shënon vetë Mazreku – shënimi im M.Z.) shumë urë madhështore e mund të jetë më e bukura dhe më artistikja, që ka në Europë, me 14 harqe madhështore.
Po lumi krenar i ka shkaktuar një plasje e i ka rënuara 5 harqe, të cilat më vonë janë rindërtuar me trarë e shtylla druri mbi vetë rënojën“.
***
Relatori më për zemër ka përshkrimet e karakterit historik, duke u bërë një lloj kronikani i kohës.
Flet me krenari të dukshme për bëmat e shqiptarëve.
“Serbi, greku, bullgari, boshnjaku, hungarezi – po flas për banorët e katundeve nuk guxojnë të mbajnë armë as nuk i mbajnë në shtëpi; shqiptari në shtëpi të tij e jashtë saj shkon kudo i armatosur, gjë që i çudit të gjithë.
Kombet e tjera nuk guxojnë me i mbart armët si shqiptari, sidomos krerët e quajtur qefalij flasin të armatosur me sanxhakbejlerët turq“.
***
Për banorët e Dukagjinit Mazreku jep edhe episode konkrete të historisë.
Në vahun ku bashkohet Drini i Zi dhe Drini i Bardhë është vendi i fisit të madh të Kukajve, ndaj dhe vahu quhet i Kukit (Kuksit) “Me sa kam ndëgjuar prej të ndjerit tim atë, shënon Mazreku, ata, kukejtë rjedhin prej Italisë“.
Kukajt janë fis i madh e i rëndësishëm, që kanë luftuar në shekullin skënderbejan e i përmend edhe Barleti.
Mbas vdekjes së Skënderbeut ka mundësi të kenë ekziluar në Itali, ndaj edhe babai i Pjetrit tonë, i cili në vitin 1633 ka kohë i vdekur, i ka treguar në fëmini, ose në rininë e hershme, djalit se Kukajt janë me origjinë nga Italia.
Ka shumë mundësi, që në moshën e hershme Pjetër Mazreku të jetë endur edhe në zonën dukagjinase, ose së bashku me të atin, nga i ka mbetur në kokë legjenda gjenealogjike e kukajve.
Në 1633 ky fis ishte islamizuar, që prej 100 vjetësh, pra, të paktën që nga viti 1533, siç e thotë vetë Pjetri me dhimbje, “por janë bërë turq, duke ndryshuar vetëm emrin, pa e patur mendimin ta mohojnë fenë e krishterë me gjithë zemër“.
***
Dihet, ekzistenca në viset pranë Prizrenit e bashkësisë shqiptare “të kriptokrishterëve“, që i përmend edhe mis Durhami shekuj më vonë.
Mazreku shënon një ekspeditë luftarake të Ahmet Kukas në tetor 1610 në Iballë.
“Këso fitoresh, thotë Pjetri, dukagjinasit kanë korrur shumë dhe mjaft herë sa mund të bëhej për to një libër për këto ndërmarrje të guximshme“.
Pra një libër historik.
Mazreku shkruan: gjindja e këtij kombi (sikurse e tregon edhe një Tuberon Cerva, fisnik raguzian, murgar i shën Benediktit në një libërth të shkruar latinisht për origjinën e turqve) janë mbeturinat e maqedonëve të motshëm, sepse as ndër historitë greke e latine nuk thuhet të kenë ardhur nga Azia, sikurse shkruajnë modernët (autorë të kohës së Pjetrit – shënimi im M.Z.), po të shtyrë e të dëbuar prej serbëve, bullgarëve e kombeve të tjera të jashtëme u tërhoqën në vende malore.
Qenë quajtur albanezë prej qytetit të Shqipërisë që thirrej Alba“.
Kjo tezë kundërshton hapur dhe qartë tezën e prejardhjes së shqiptarëve nga Koldida (Deti i Zi), nga Kaukazi, që mendohej nga shumë autoritete të kohës.
Kështu Enea Pikolomini (1405-1464) humanist i madh, që më vonë u bë Papa Piu II, në veprën e tij “Përshkrimi i Azisë dhe i Europës“ (kap. XV fq. 337-338) në vitet 1458-1464 ka shkruar “ajo që sot quhet Shqipëri dikur ka qenë një pjesë e Maqedonisë e kthyer nga Perëndimi me Durrësin dhe Apolloninë – qytete këto, jo të papërmendura në kohë të lashta.
Gjuhën e këtij populli nuk e marrin vesh as grekët e as ilirikët (sllavët), besoj, se ky popull do të ketë ardhur dikur nga Albania, që ndodhet afër Koldikës, në Skitinë aziatike, ashtu si shpesh dyndja e kombeve barbare pat pushtuar krahinat e Greqisë dhe të Italisë“.
Pra, nisur nga ngjashmëria e emrit Albania të Kaukazit, pa asnjë argument, Enea Pikolomini cakton apriori origjinën aziatike të shqiptarëve.
***
Në 1508-1510 Barleti në kryeveprën e tij për Skënderbeun, ndonëse e çmon në disa pasazhe Enea Pikolominin, si autoritet kulturor e fetar, tezën e ardhjes aziatike të shqiptarëve e lidh jo me Azinë po me Europën. Ky është një ndryshim konceptual shumë i madh dhe novator për kohën.
Barleti shkruan: “Epirotët, të cilët janë quajtur edhe arbër, thuhet se e kanë zanafillën e tyre nga albanët, popuj të motshëm e dikur të dëgjuar të Italisë, të cilët kanë banuar dikur edhe në një pjesë të Kolkidës.
Siç ma merr mendja mua, ndoshta nuk do të gabonte kush, po të thoshte se prej këtyre ka rrjedhur gjuha arbërore, apo epirotase, gjersa Straboni përmend se atje kanë lulëzuar gjashtëmbëdhjetë gjuhë (shih Straboni libr. II, ku thotë jo 16 po 26 – shënimi im M.Z.).
Për origjinën e tyre po këtë mendim kanë patur gjithashtu Papa Piu II, burrë fort i ditur në të drejtën hyjnore dhe njerëzore dhe disa nga më të rinjtë dijetarë që kanë shkruar pas Trog Pompeut (historian romak i kohës së Augustit – shënimi im M.Z.).
Trog Pompeu thotë, se origjina e arbërve është italike sepse pohon, se albanët Herkulin, i cili, i kishte shpënë lopët e Gerionit në Itali e ndoqën pas, kur u largua së andejmi, mbasi i mbajti pak për t’i kullotur në malin Alban, i magjepsur nga kullota e pasur.
Nga këta, kanë dalë arbërit, një pjesë e të cilëve sot zënë vend në Peloponez, një pjesë në Maqedoni apo në Arbëri dhe në Epir“.
Barleti, në mënyrë pak të tërthortë, bën një sofizëm për origjinën nga Albania e Kaukazit dhe i lidh shqiptarët me epirotët, të cilët e ndoqën Herkulin mitik, kur ky mori kopenë e Gerionit në Epir e kur arritën në malin Alban të Italisë u mbiquajtën nga ky emër.
Barleti me elegancë e kundërshton mendimin e Enea Pikolominit, duke theksuar origjinën epirotase vëndase dhe të një emërtimi italik europiano-perëndimor të malit Alban.
***
Në 1633 Pjetër Mazreku bindet se origjina e shqiptarëve nuk është aziatike e kaukaziane, por vendase dhe i lidh shqiptarët me maqedonët e vjetër të motshmërisë duke patur parasysh kështu dhe jehonën historike të Aleksandrit të Madh.
***
Mazreku citon Tuberon Cerban.
Interesant është të vihet në dukje, se këtë dijetar nga Raguza e përmend në vitin 1636 edhe Frang Bardhi, në librin e tij “Apologjia e Skënderbeut“.
Tuberoni raguzian e ka quajtur Skënderbeun “shqiptar“ dhe Bardhi e përdori këtë pohim në polemikën me Jan Tomkun, i cili i mohonte shqiptarësinë Skënderbeut tonë.
Për tezën e autoktonisë së shqiptarëve Mazreku përdor dy argumente së pari në historitë antike e greke dhe latine nuk thuhet gjë për ardhjen e shqiptarëve, më saktë, të paraardhësve të tyre, se kanë ardhur nga Azia.
Këtë argument shkencor modern që me Thunmanin e deri te Çabej e kanë vënë në reliev, sepse është tepër i rëndësishëm për autoktoninë.
Së dyti, duke u mbështetur edhe te harta e Ptolemeut, (e shekullit II të erës sonë), për qytetin e quajtur Albanopolis Mazreku thotë mendimin se pikërisht emri i këtij qyteti i ka dhënë emrin dhe popullit në tërësi.
Këtë mendim gjithashtu shkenca moderne e ka në konsideratë.
Fisi ilir i parthinëve (i bardhinjëve – që lidhet me shqipen i bardhë, ose me latinishten albus, albanët) i ka dhënë emrin albanëve, ose arbërve.
Përveç tezës së autoktonisë Pjetër Mazreku bën dhe një përpjekje të një mikroskice të etimologjisë shkencore të disa fjalëve të gjuhës shqipe si fond përdorimi, duke treguar origjinën e tyre neolatine (italiane, që rrjedh nga një origjinë më e vjetër latine).
***
Ja lista e fjalëve:
Il pane: bukë o bukela (bucella)
Il cavallo : kalë
Mascio : mashkull
Femina : femënë
Pollo : pulë
Canto : kangë
Cielo: qiell
Gente: gjind
Popolo: popull
Lago: Lëqe (liqen)
Gamba: kambë
Pelago: pelag (pellg)
Cartha: kartë
Similitudine: shëmbëllëturë
Miracolo: mrekullë
Popla: puplë
Spada: shpatë
Scuolo: shyt (shqyt)
Arco: ark (hark)
Seatta: shëgjetë
Grano: grunë
Miglio: mel
Lepre: lepurë
Capriolo: kapruell
Faccia: faqje
Segno: shenj
Neo: nye
Frassino: frascënë (frashër)
Cerro : çiarr (qarr)
Gregge : grigj
Pesce : peshk
Trotta : troftë.
Përveç këtyre ekuacioneve të thjeshta gjuhësore Mazreku bën edhe disa shënime të tjera, po të karakterit gjuhësor.
Për shqipen thotë, se është e ndryshme nga gjuhët fqinjë, po ka shumë fjalë italishte dhe greke.
Për emrin e peshkut troftë shënon se, “në shqipe duke e shkëmbyer një t në f thuhet troftë”.
Për serbishten që e quan “serbskijezik është me e pastra e më e kthjellta që mund të jetë te sllavët siç është toskanishtja në Itali”.
Për familjen e gjuhëve sllave të Ballkanit shkruan se “qoftë skizmatikët (banorët) e Serbisë, qoftë ata të Bullgarisë dhe në Bosnje të gjithë këta flasin gjuhën sllave vetëm me ndonjë ndryshim në shqiptim”.
Natyrisht kjo është vërejtje e thjeshtëzuar.
Në një vend tjetër Mazreku shpjegon, duke u nisur nga latinishtja një kuptim të mirëfilltë etimologjik : “Këtu pranë është territori i quajtur Shullah, që po ta themi latinisht do të thotë ; vende të thata, ose thatësira, (in latino) loca apirca sive apricationes)”.
Në shënimet gjuhësore të Mazrekut del në pah aftësia e tij prej filologu, ai jep me një grafi ortografike të saktë, fjalët shqipe, e njeh traditën e Buzukut, disa nga fjalët janë të qarta dialektore gegërishte dhe shpjegimi me italishten është një mënyrë e saktë krahasimi.
***
Të mos harrojmë, se në shekullin XIII Danteja bëri një krahasim të fjalëve italishte me fjalët latine e gjeti lidhje mes tyre.
Shkolla krahasimtare e gjuhësisë u krijua në shekullin XIX nga Franc Bobi.
Mazreku ka të qartë dhe familjet e gjuhëve, siç është rasti i familjes së gjuhëve sllave etj., – koncept ky i përparuar dhe shkencor.
Në një fjalë pikërisht në fjalën “bukë” Mazreku e lidh jo aq me fjalën italishte “il pane”, se sa “bocca” – goja, ose “boccata” – kafshatë, pra, e birëzon nga kjo fjalë, që tregon organin e përtypjes së bukës, ç’ka ka bërë të mundur krijimin e emërtimit të objektit të përtypjes në shqipen “bukë”.
Në këtë rast Mazreku bën shumë më tepër se sa një paralele të fjalëve të përbashkëta në italisht dhe në shqip.
***
Dy shekuj para shkollës krahësimtare në gjuhësi Mazreku bën një veprim analize si gjuhëtarët e kësaj shkolle.
***
Së fundi për të bërë më të plotë portretin e Mazrekut nuk mund të heshtim edhe për shënimet e tij për pikturat dhe librat e çmuar.
“Prizreni, shkruan Mazreku, mund të ketë pesëdhjetë familje katolikësh shumë të bindur ndaj meshtarëve. Ata kanë një kishë që është famulltarja e kushtuar Ngjitjes së Shën Marisë në Qiell.
Në 1522 u dogj me dëm të madh librash shumë të vjetër e të pajisjes së shenjtë.
Sot ata që e dijnë dhe e kujtojnë qajnë për humbjen e ikonës së Ngjitjes së lavdishme, sepse pajisja pjesërisht qe përtëritur, po altari mbetet pa këtë ikonë të përshpirtshme”.
***
Pra, Pjetër Mazreku, atdhetar, kishtar i madh, personalitet i shkëlqyer i kulturës shqiptare në shekullin XVII na shpaloset me diturinë e tij dinamike në shumë rrafshe të shpirtit kombëtar.
Krenaria e tij për origjinën shqiptare nga Prizreni theksohet edhe nga shënim tepër simbolik që e quan këtë qytet “vendin ku lindi perandori Justinian”.
Bën një ndërlidhje të kohërave, të shekujve të një tradite kulturore tepër të lashtë.
***
Teza e tij e autoktonisë është një sfidë për akademikët shqiptarofagë të Serbisë së sotme.
Teza e tij e autoktonisë është thelbi i ilirologjisë dhe albanologjisë shkencore moderne të përfaqësuar, jo vetëm nga dijetarët shqiptarë, po nga shumë dijetarë të mëdhenj të huaj, nga e gjithë bota.
***
E meriton prej kohësh një monument Pjetër Mazreku në Prizren. Nëse sot ka vështirësi në Prizren, nuk ka asnjë vështirësi për ta ngritur këtë monument në Tiranë.
***
Relacionet e tij duhen mbledhur e botuar se përbëjnë një Libër të Vërtetë – Librin Mazreku, plot substancë kulturore për historinë e Shqipërisë. (Tiranë, 20 maj 1993)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura