PROF.DR.AGIM ZOGAJ: DY VJET PA BACËN ADEM: MENDIMI, VIZIONI POLITIK – KOMBËTAR I ADEM DEMAÇIT

 Prishtinë, 28 korrik 2020: Shqiptarët, edhe pse u rreshtuan në krah të Aleancën Botërore Antifashiste, Lufta e Dytë Botërore nuk i solli zgjidhje të drejtë, të merituar dhe paqësore popullit shqiptar. Shqipëria, me apo pa dëshirën e saj, pra, edhe si rezultat i Luftës së Ftohtë ra në orbitën e gjeopolitikës së Lindjes. Shqipëria, më 1945 kishte ngelur në po të njëjtit kufij të vitit 1913, Kosova, u ripushtua nga serbët, jugosllavët, shqiptarët ndërsa, në trojet etnike në Maqedoni ngelën nën pushtimin e sllavëve maqedonas, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi, poashtu ngelën nën sundimin e malazezëve jugosllav. Filloi epoka e totalitarizmit, Lufta e Ftohtë, Perëndim – Lindje, jo vetëm se e defaktorizoi kombin shqiptar, por, pjesë të tij i la në harresë, nën pushtimet e sllavëve. Greqia, edhe me përkrahjen e Anglisë, vazhdonte t’i pretendonte hapur territoret e jugut të Shqipërisë, Perëndimi ndërsa, kundërshtonte vendosmërisht anëtarësimin e Shqipërisë në OKB, duke e lënë të hapur mundësinë se, mund të diskutohej pavarësia edhe e asaj gjysmë Shqipërie! Edhe pas vitit 1945, mbi popullin e Kosovës po rëndohej sundimi, pushtimi i egër sllav. As një zë mbështetje nga kançelaritë diplomatike Evropiane dhe ato të Perëndimit, Shqipëria ndërsa, e gjetur në fillimin e izolimit të hekurt Perëndimor, Kosovës nuk mund t’i delte krah, sepse, po luftonte për ta ruajtur integritetin, edhe ashtu të nëpërkëmbur, të cenuar territorial. Populli i Kosovës, dhe përgjithësisht shqiptarët e mbetur nën sundimin jugosllav vazhduan t’i nënshtrohen pushtimit barbar të serbëve, maqedonasve, malazezëve dhe të sllavëve tjerë, duke qenë kështu në rrezik edhe mbijetesa e qenies sonë kombëtare. Megjithatë, populli shqiptar, në radhë të parë Kosova trime, nuk u nënshtrua, e vazhdoi rezistencën kombëtare, si dikur Isa Boletini, Azem Bejta, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Shaban Polluzha dhe atdhetarë tjerë. Edhe pas vitit 1945, shpirti kryengritës, liridashës i popullit të Kosovës rilindi, duke vazhduar traditën e atdhetarisë. Ndër atdhetarët e orëve të para të historisë së re të qëndresës sonë kombëtare, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ishte Adem Demaçi me shokët e idealit, me shokët e guximit të cilët ishin betuar para Flamurit të Skenderbeut!

Adem Demaçi, 1936 – 2018

Në historinë e rezistencës dhe të çlirimit të Kosovës, në veçanti në historinë e Lëvizjes sonë kombëtare Demaçi, reflekton më shumë se simbolikë, është më tepër se metaforë politike e atë dhetarisë shqiptare, është shpirti, kuptimi, ideali i historisë së Lëvizjes Atdhetare Shqiptare e të kohërave moderne, e cila Lëvizje, si qëllim madhor e kishte Bashkimin e Kombit. Pra, që në ato vitet e rinisë së tij, Demaçi e mbarështroi doktrinën për krijimin e shtetit etnik të shqiptarëve! Më 29 maj 1963, ndër të tjera e bënte kushtrimin skenderbegian: ”Vllazni e motra… Në emën të nji milion shqiptarëve që rënkojnë të robnuem…të bashkohemi të gjithë nën Flamurin e Skenderbeut dhe ta realizojmë ma në fund andrrën tonë shekullore…bashkimin kombëtar”! Demaçi, si nga dimensioni kombëtar, historik dhe ai politik është institucion kombëtar!
Në fakt, Demaçi, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ishte ndër atdhetarët e parë, i cili, nga para ardhësit e Atdhetarisë Shqiptare, e mori flamurin e betejës së popullit të Kosovës, jo vetëm për çlirim nga sundimi serb/jugosllav, por ishte i pari dhe më i guximshmi që, idealin e shqiptarëve, ta sublimoj, shpall (9 shtator 1963) përmes Organizatës patriotike, Lëvizja Rezolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Mendimi, vizioni i tij politik, kombëtar nisej nga premisa e filozofisë kantiane, “ Ke guxim t’i shërbesh arsyes tënde”! Arsyeja e patriotit Adem Demaçi, nënkuptonte: Atdheu mbi të gjitha!
Idealizmi, zgjuarsia e tij politike, edukimi kombëtar i mundësuan një varg pyetjesh hamletiane siç ishin: Përse Aleatët Antifashist Anglo-Amerikan nuk i njohën vendimet e Konferencës së Bujanit, përse e heshtën ripushtimin e Kosovës nga sundimtarët serb, përse, pas vitit 1945 i njohën kufijtë Versjian të Jugosllavisë mbretërore dhe të asaj Avnojiane, përse, mbi bazën e Kartës së Atlantikut, popullit të Kosovës nuk ia pranua e drejta në vetëvendosje? Gjithsesi, në edukimin e tij kombëtar, atdhetar, veç frymëzimit të historisë së qëndresës, ai e kishte në mendje e në shpirt përmbajtjen, vendimin e Nenit të Parë të programit të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe Dibrës aprovuar me 30 gusht 1920 ku bëhej thirrje: ”Me i dalë zot vetsundimit e tanësisë tokësore të Shqipnisë”! E kishte në mendje edhe Pikën 4 të vendimit të Kongresit të NDSH-së mbajtur më 25 qershor 1945 në Lipovicë ku jepej betimi që: ”Që Shqipëria të formohej si shtet demokratik në të gjitha territoret etnike shqiptare…”!
Demaçit, në ato kohëra, kur populli shqiptar, sërish gjendej para përballjeve dhe thirrjeve të historisë, po i vinte frymëzimi edhe nga idetë kombëtare, politike të mësuesit të Ilegalës shqiptare në Kosovë, Metush Krasniqit, i cili ishte themelues, ideolog dhe prijës i Organizatës, Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë”, e themeluar në pranverën e vitit 1957. Demaçi, i dënuar tre herë me burg, dënimin dhe burgun i ndjente, siç e thoshte, si detyrë dhe si borxh ndaj Atdheut. Prandaj, ata të cilët kishin thënë se, Demaçi para burgut është një herë udhëheqës i shqiptarëve, kurse pas vuajtjës së burgut është dy herë udhëheqës, prijës i shqiptarëve, gjithsesi kishin pasur të drejtë!
Me mendimin, vizionin e tij politik, kombëtar, Demaçi, ai luftëtar fisnik që në vitet e 50-ta, përkatësisht 60-ta, 70-ta, 80-ta, 90-ta dhe deri në çlirimin e Kosovës, ishte shndërruar në popull, për tu bërë më pastaj, dritë dhe shpirt i Lëvizjës sonë kombëtare e cila kulmoi dhe shpertheu me luftën dhe fitoren e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës! Ideali, guximi, vizioni kombëtar, lufta e UÇK-së i bashkoi, në një front, dhe në një epokë të përbashkët të historisë së çlirimit, të lirisë, Adem Jasharin dhe Adem Demaçin! Në radhë të parë, ai realitet historik, politik, kombëtar ishte rrjedhojë e historisë së Lëvizjës Kombëtare për çlirimin e Kosovës.
Mendimi, vizioni politik, kombëtar i Demaçit, pra, i ideologut, i frymëzuesit shpirtëror të Organizatës LRBSH ishte shumë i qartë dhe i drejtpërdrejt kur ishte fjala për strategjinë e çlirimit nga sundimi serb/jugosllav dhe i bashkimit me Atdheun Mëmë, Shqipërinë:
”1. Lufta e jonë ka me qenë e gjatë…
2. Lufta e jonë duhet të përfshijë në gjiun e vet të gjitha shtresat dhe mbarë popullin tanë.
3.Lufta e jonë duhet të zhvillohet në pajtim me kushtet e rrethanat… brenda popullit tanë, në pajtim me kushtet e rrethanat të cilat mbretërojnë në Shqipni…
4. Lufta jonë duhet – kryesisht-të mbështetet në forcat tona të brendshme…”.
Demaçi, ai Flamurtar i Atdhetarisë së shqiptarëve të Kosovës, e qartësonte pozicionin e tij dhe të grupeve atdhetare me qëndrimin se, zgjidhjen e çështjes kombëtare duhet kërkuar në gjiun, në guximin e popullit, në fuqinë e tij morale, në shpirtin e tij të pa përkulur, para stuhive të historisë, në vendosmërinë që, me jetë a vdekje të arrihej çlirimi, liria dhe bashkimi kombëtar. Demaçi e mbronte pikëpamjen se, liria nuk falej, madje as në tryezat e diplomacisë, ajo fitohet, sepse, para së gjithash, lirinë, shtetin, bashkimin kombëtar duhet merituar!
Që sot mund të themi se, në historinë shqiptare, Demaçi, i cili, përherë i ngjan një Flamuri të ngritur, është i pa përsëritshëm, por jo vetëm për shkak të rrethanave kohë dhe hapësirë. Në radhë të parë, Demaçi është figurë e madhe e kombit, është institucion kombëtar, sepse, në periudhat më të vështira të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, u ngrit mbi të gjitha stuhit e kohërave politike. Falë, guximit të pa përsëritshëm, falë vendosmërisë e cila i karakterizon vetëm përsonalitetet në nivel të historisë botërore, falë urtisë njerëzore deri në kufijtë biblik, ai arriti që nga disidenti dhe kryengritësi shqiptar i viteve të 50-ta, 60-ta, 70-ta, 80-ta të arrijë që, në vitin 1998 të jetë Përfaqësues i Përgjithshëm Politikë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me seli në Prishtinë. Derisa pushka e trimave të UÇK-së jehonte nëpër fushëbetejat e Kosovës, Demaçi nga Prishtina porosiste: “…ne jemi të gatshëm ta çojmë deri në fund luftën tonë për liri e pavarësi…”! Ishte, po ai zë i guximshëm i Demaçit sikur në vitet e 50-ta, 60-ta, 70-ta, 80-ta 90-ta, zë politik, kombëtar i cili mobilizonte qindra mijëra shqiptarë që të qëndronin të paluhatur, të pa përkulur, të pa trembur në luftën për çlirim, liri, dinjitet kombëtar, Republikën e Kosovës, Bashkimin Kombëtar!

Demaçin e quajtën Mendela i Kosovës, Drajfusi i Kosovës, Simboli i qëndresës, Simboli i Ribashkimit kombëtar, por, Demaçi nuk është figurë e jashtëzakonshme vetëm në rrafshin kombëtar, të luftës sonë për liri dhe për çlirim. Me idetë e tij për të drejtat universale, me pikëpamjet se liria nuk është privilegj i asnjë kombi, me qëndrimin e pa lëkundur për ta humanizuar filozofinë moderne, Demaçi, i ka tejkaluar kufijtë e një tribuni kombëtar, duke i bër nder kombit shqiptar, që sot mund ta quajmë, pse jo, edhe Haveli shqiptar! Demaçi, ky Hero i Kosovës, i cili i bashkon epokat e rrugëtimit tonë nga robëria deri në themelimin e shtetit të Kosovës, dhe gjithsesi edhe drejt ribashkimit kombëtar, kishte pasur guximin që, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, t’i kundervihej, aparteidit serbo-jugosllav, mbi popullin shqiptar. Atëherë, pra, kur Demaçi atdhetar dhe disident shqiptar i përmasave evropiane përndiqej nga regjimi serbo-jugosllav, pra, edhe nga udhëheqësit e atëhershëm komunist të Kosovës, populli ynë po e rivazhdonte betejën për jetë a vdekje, për çlirim. Edhe nga qelitë e burgjeve serbe, porosiste: “ Mjerë ju, që kaq shumë ju ka lodhur robëria dhe nuk po e hetoni”! Demaçi, të cilin në rrugëtimin e tij deri në shpalljen e Republikës së Kosovës, një prej idealeve të tij madhore, e kishte shoqëruar filozofia hemletiane të jesh a të mos jesh, është ngritur mbi të gjitha situatat, duke u dëshmuar guximtar, i vendosur, i urtë, i pa përkulur, i drejtë dhe, në rast që kërkohet, edhe fal. Demaçi ishte ai që, kur doli nga burgu, në vitin 1990, pranoi të bashkëpunonte politikisht edhe me ata, të cilët, kur ai ishtë i dënuar për herë të tretë, në vitin 1975, kishin qenë udhëheqës politikë në Kosovë. Në vend të hakmarrjes primitive predikoi pajtimin kombëtar, paqen dhe harmoninë midis shqiptarëve dhe të tjerëve!
Vitet kur Demaçi ishte përfaqësues politikë i SHP të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë një prej epokave më të ndritshme të veprimtarisë së tij atdhetare. Më 29 tetor 1998, në takimin me Ambasadorët Hill dhe Petriç, Demaçi u kishte thënë: ”UÇK-ja është bartëse kryesore dhe vendimtare e luftës çlirimtare në Kosovë… Asesi nuk bën as të provokohet as të anashkalohet…”! Fjalia e tij ndërsa, e thënë në epokën e UÇK-së se: “… ne jemi të gatshëm ta çojmë deri në fund luftën tonë për liri e për pavarësi…”, kishte bërë jehonë të madhe, duke e ngritur moralin për luftë gjithë popullore dhe për çlirim. Prandaj thoshte: ”…UÇK-ja, e cila lindi nga gjiri i këtij populli nuk mund të asgjësohet derisa të jetë populli ynë gjallë dhe i fortë… UÇK-ja është e gjallë, e fortë dhe e konsoliduar”!

Natyrisht, historia do vlerësojë se Demaçi nuk e kishte pasur të lehtë, kur në bisedë me Sekretaren Amerikane të Shtetit dhe miken tonë, Medlin Ollbrajt, në kulmin e luftës së Kosovës, ndër të tjera t’i përgjigjej. “Ne kurrë nuk do heqim dorë nga ëndrra për të qenë të lirë”! I bindur në filozofinë e lirisë së popullit tonë, se lufta për çlirim është luftë e drejtë, se UÇK-ja zhvilloi luftë çlirimtare, me 2 janar 1999 kishte deklaruar: “…meqë ne nuk kemi ku të shkojmë-ka ardhur puna: të jemi a të mos jemi fare”.
I edukuar të jetë fitues dhe të mos e pranoj asnjëherë humbjen, Demaçi, ai zjarr i ngritur, nga hiri i betejave të pa rreshtura kombëtare ishte në kërkim të vlerave universale, duke mos u mjaftuar vetëm me lirinë e kombit tonë. Prandaj, në fjalimin e tij me 10 dhjetor 1991, në Parlamentin Evropian, kishte kërkuar:”… që ta krijojmë një botë në të cilën të gjithë njerëzit do të jetojnë pa frikë, pa privime dhe me të drejta të barabarta njerëzore e kombëtare”.
Sot, dhe veçmas nesër, shqiptarët do të jenë të nderuar për këto thirrje aq fisnike dhe qytetëruese, thirrje këto të cilat, Demaçi ynë i ka shpallur para civilizimeve të sotme dhe përplasjeve të epokës së globalizimeve.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura