Tiranë, 9 shtator 2017: Faslli Haliti është thinjur duke shkruar poezi. Kjo është mënyra me elegantë dhe me sfiduese për t’u rinuar vazhdimisht.Për lexuesit dhe specialistët e poezisë, emri i tij ka një familjaritet afro gjysmë shekullor.
Para ca kohesh, poeti i shquar Faslli Haliti, kishte 80 vjetorin e lindjes. Kjo gjë nuk u përjetua si një motiv mediatik. Por askush, mos të trishtohet. Për lexuesit dhe specialistët e poezisë, emri i Faslli Halitit ka një familjaritet mbi gjysme shekullor. Meqenëse tek në, nuk ekziston semiologjia e debatit, është tepër e vështirë që të mediatizohet një poet i vërtetë, gjë që tregon një karakter relativ dhe spektakolar jo shumë poetik të mekanizmave mediatike.Meqenëse njohja ime me Faslli Halitin, është e gjatë, mendoj se duhet thënë patjetër diçka për tipologjinë krijuese të këtij poeti krejt të veçantë. Ai nuk duket si një 80 vjeçar, nga kjo pikëpamje mund ta krahasoja me ato figurat me “semantizëm” të padukshëm. Nuk kam njohur në jetën time njeri tjetër si ai, që i është përkushtuar vetem poezisë, pa i vënë asnjë kusht asaj. Poezia është një çështje dendësie, kërkon muskuj dhe nerv, për të realizuar kështu një delikatesë të brishtë dhe një vizion universal.
Rri shpesh me Faslli Halitin, bisedojmë për poezinë, ndonëse unë si me i pakujdesshëm dhe më dembel në raport me të, jam larguar shpesh me vite prej saj,por per rikthime te befta. Faslli Haliti është thinjur duke shkruar poezi. Kjo është mënyra me elegantë dhe me sfiduese për t’u rinuar vazhdimisht. I kujtoj Faslliut, jetën e Montales. Ai shkroi gjithë jetën vetëm poezi. Ndonëse jam skeptik, nuk mund ta mohoj se vetëm esenca poetike, mund ta shpëtojë gjuhën nga standardizimi global rutinor. Faslli Haliti nuk e artikulon ketë ide me fjalë, por fjalët e tij të shkruara e përmbajnë atë.
Shpesh me kujtohen dy vargje të Helderlinit:
Vetë tingujt dalin nga pylli profetik i Dodonës.
Ndoshta në shqiptarët kemi më të drejtë në këtë botë, që të ribëjmë tingujt e Dodonës të poezisë mijëvjeçare.
***
Duke mbërritur në skajin pllenues të një plotësie të dallueshme dhe të spikatur të krijimtarisë poetike, detyrimisht do të interesohemi për fillesat, motivet zanafillore, projektin fillestar.
Kjo ka vlerë për cilindo krijues të mirëfilltë, që mbijeton dhe bëhet pjesë e hierarkive artistike. Duke riparë nga optika e mbas pesedhjete e ca viteve krijimtari, veprën poetike të Faslli Halitit, e kuptojmë se formulat e interpretimit mund të jenë të përafërta, por asnjëherë shteruese, mund të jenë ndihmesë, shtjelluese, por nuk mund të kemi një Ultima Verba. Kjo gjë rrënjëzohet në vetëdijen e lexuesit, nganjëherë sipas konceptvështrimeve të tij, por fuqia kritike ndaj një plotësie poetike, synon përherë gjithëpërfshirjen cilësore, gjë, që përcakton tipologjinë shkrimore të një autori të rëndësishëm.
***
Faslli Haliti është një poet i shquar i letrave shqipe, që paraqitët me atributet e origjinalitetit të tij të patjetërsueshëm.
Ai nuk është i ngjashëm me askënd, është plotësisht dhe thellësisht vetvetja.
Në peizazhin e poezisë shqipe të shekujve, shpesh ka përafërsira të vetëkuptueshme të grupe autorësh, të shkollëzave, të stileve poetike, pa mohuar megjithatë ndryshimshmeritë e epërshme, të qarta, të paanashkalueshme dot, të koncentruara në unët e individualiteteve.
Gjithnjë kam menduar, se do ta kisha të lehtë të beja disa përcaktime lakonike dhe të vërteta për poetin Faslli Haliti.
Vetë krijimtaria e tij, që madhëron të thjeshtën dhe të vërtetën, të grish me lehtësi, por në substance është paksa e vështirë të bësh përqasje, domethënë saktësime për poetin dhe të tjerët.
Megjithatë mund të them diçka të ravizuar nga një përvojë tepër e gjatë si dhe nga njohja ime (njohje e dyfishtë, pra edhe e vetë Faslliut), një ndërsjelltësie intime, çka përbën një pasuri shpirtërore të padyshimtë.
***
Faslli Haliti i shkroi poezitë e tij të para në fillim të viteve 60′ të shekullit të kaluar.
Në poetikën shqipe kish ndodhur një ndryshim konceptual i madh. Ismail Kadare kishte ndryshuar sistemin figurativ poetik, ndryshim ky tepër i veçantë dhe i guximshëm, mbas ndryshimit epokal, që beri Migjeni në vitet 30′.
Të gjithë poetët e rinj, merrnin frymë, duke ndjere dhe shqisuar erën e ndryshimeve poetike, sipas përmasave të talentit vetjak.
Është e habitshme, por tepër interesante të themi se, poetët e rinj ishin të rrezikuar të binin në ndikime, apo dhe në imitime, për t’u vetëparaqitur si modernë.
Flas për talentet e vërteta, jo për mediokrit.
Faslli Haliti qe ndër të paktit poetë, i cili që në fillim synoi origjinalitetin dhe jo imitimin, konstruktoi vetveten, për të mos qenë i ngjashëm.
Ky projekt përbën thelbin e tipologjisë krijuese të Faslli Halitit.
Që në fillim poezitë e tij përfaqësonin fragmente të një moderniteti jo të sforcuar, larg komplekseve, apo kultizimit të modeleve paraardhëse.
I çliruar nga komplekset, Faslli Haliti, krijoi stilin e tij, meritë kjo historike. Faslliu është ai, që është i papërkulshëm, unitar në idetë e tij, por edhe i paimitueshëm në stilin e tij.
Ai ndoshta mund të jetë i vetmi poet shqiptar, që mund t’i botojë poezitë pa i nënshkruar, por që të gjithë e kuptojnë, se i ka berë vetëm ai dhe askush tjetër.
***
Përditshmëria, jeta e gjalle “Contagium Vivu” ( “Kontakti i Gjalle”) ka qenë vizioni i botës për Faslliun. Kjo përditshmëri lidhet me vendlindjen e tij, me Lushnjën, me token, me natyrën e gjalle, të kërthneset, potenciale, plot të papritura figurative dhe metaforike. Faslli Haliti, kurrë nuk ka mëtuar arratisjen ideore dhe përmbajtjesore në lashtësi, as në mistiken misterioze, ai nuk e parapëlqen temën okulte, as vjeljen e strukturave të çuditshme dhe hermetike.
Këtu qëndron humanizmi i tij i madh, humanizmi i përditshmërisë.
Ka poetë që e mallkojnë përditshmërinë dhe synojnë botën e epërme, madje mërgojnë edhe në futuristike, për të shprehur kështu protestën e tyre të thekshme ndaj përditshmërisë ambikuide, të dyshimtë. Faslli Haliti është njeriu krijues, që e shikon ndryshe përditshmërinë, me guxim i zbulon paradokset e saj, ka një demokraci të lindur dhe të gjere të motiveve, nuk e ndan botën e gjalle në dy pjese: në atë që pëlqehet dhe në atë, që nuk pëlqehet. Instinkti dhe ndërgjegjja e jetës të ky poet janë të plotfuqishme.
Por përditshmëria e tij ka një karakter të thelle filozofik.
Ai i bën monument të thjeshtë, por dihet, që e thjeshta nuk është gjithmonë e thjeshtë.
E thjeshta e vërtetë, është e ndërlikuar, polivalentë.
Poeti zbulon semantikat inkandeshentë, përplasësh me njëra tjetrën.
Ai nuk ngurron të hyje në dialog me botën, me gjithçka, madje dhe me perënditë, duke bere kriticizmin e teogonisë, duke na dhënë kështu kozmogoninë e tij poetike.
Aty njeriu është qenia me tragjike, por dhe me madhështore, ku sistemet politike janë të lëvizshme si dekoret e një teatri, por përtej butaforive ngrihet lart shpirti i njeriut.Shpirti, që njëson poezinë me lirinë, Artin me Dinjitetin, që lufton të Keqën, të Dëmshmen dhe i jep fuqi të mendimit,asosacioneve,imagjinates dhe gjakun e tij të trupit të Mirës dhe të Bukures. Kjo mund të na çoje drejt një përkufizimi me origjinal të se vërtetës si zbulim. Në ketë pike vepra e artit shfaq me shume sesa anën e saj të dukshme, ana e padukshme nënkuptohet, artikulohet emocionalisht dhe mendërisht.Ajo që ekziston në vargje është, shume me tepër sesa kaq. Subjekti krijues është dhe objekti krijues, thelbësorja në krijim është lëvizja me koncepte të fuqishme të zhvillimit, duke parakuptuar kështu rendin konceptual të ëndrrës, apo projektit artistik të autorit.
***
Stili i Faslli Halitit i takon estetikes natyrore dhe jo estetikes artificiale. Është e vërtetë që njeriu lind esteticien, mund ose nuk mund të behet poet. Çdo vlerësim i botës edhe tek njeriu me i rëndomtë ka karakter estetik, pavarësisht nga kuotat e lartësisë. Poeti lind për ta vërtetuar ketë gjë. Faslli Haliti ka lindur për të krijuar artin e tij. Është vendi të theksoj, se Faslli Haliti është një poet lakonik, stili i tij është ai i proverbave, që bartin mençuri të madhe në fjalët e shkurtra.
Poezitë e Faslliut janë si miniatura dramatike, ku hetohet dhe nuk mohohet kontradikta.
Stili i tij është muskulor, ndërtimi i poezive mbaron me një varg të formës se epilogut. Vesku i epigramave është në laboratorin krijues.Poeti ruan koherencën, por jo njëtrajtshmërinë. Poezia e Faslli Halitit, mund tklasifikohet si një poezi modernë, pa paraardhës dhe pa pasardhës. Duke mos qenë i imitueshëm, ai është i vërtetë deri në fund.
***
Përmbledhja e poezive është një lloj koleksioni.
Nuk mund të them se cdo përzgjedhje është gjithçka, por është një mënyre të paraqituri, pra një lloj përcaktimi konceptua. Faslli Haliti i takon brezit që në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar i cili formësoi disa individualitet poetike. Dogmat e realizmit socialist, dëmtuan, por qenë të pafuqishme për t’i rrënuar, thërrmuar, pluhurizuar dhe zhbëre këto individualitëte. Kjo duket mbas hyrjes në portën e shekullit Faslli Haliti, ku vetëm origjinaliteti poetik mund të ketë një kuptim hierarkik të vlerave artistike. Duke u kufizuar në figurën e tipologjisë krijuese në poetike të Faslli Haliti, mund të shtoja se ky autor ka spikatur edhe në fushën e prozës se shkurtër, të eseve dhe sidomos të përkthimeve.
Dua ta mbyll ketë vështrim paraqitës me thënien latinë: “Suus cuique mos” (“Secili ka natyrën e vet”).
***
Takohem përsëri me Faslli Halitin.
Sapo është kthyer nga Dita e Poezisë Botërore, që u zhvillua në Selanik, ku mori pjese.
Aty u takua me poetë të shquar si Nasos Vajanas, Tito Patriqio, Hristoforos Liondaqi, Antonis Fostieri, Anastasio Vistonici etj.
Poezitë e Faslliut, u vlerësuan lart.
Me ketë rast, poeti dhe kritiku shqiptar që jeton në Greqi, Dionis Qirzidhi beri një intervistë të gjatë, tepër interesante dhe substanciale me Faslli Halitin.
Kjo intervistë ishte pikërisht ngacmimi për të pikëzuar një dialog të shkurtër me mikun tim Faslli Haliti.
A mund të vdesë poezia, Faslli?
Mund të vdesë. Por ama, kur të vdesë njerëzimi. Poezia është si zjarri në vatër. Duhen lëvizur urat dhe duhen shtuar patjetër ura të reja drurësh.
Cili ka qenë libri i pare që ke lexuar në jetë?
Ka qenë një libër me përralla i Selman Vaqarit, me titull “Aleksandri i Madh”. Përralla e Aleksandërit, flet për një mbret i cili i vrau të gjithë, oborrtarët e tij: shërbyesit, fshataret. Kur mbeti vetëm, nuk e përballoi më urinë; filloi të mblidhte lakra duke i prerë me thikë, por preu gishtin dhe kështu vdiq. Ka qenë viti 1947. Unë isha në fillore atëherë, së bashku me fletën e lavdërimit më dhuruan këtë libër, një shishe me bojë të gjelbër, një penë dhe një fletore bukurshkrimi me vija. Kjo ishte rekuizita me të cilën unë u futa në aventurën e poezisë. Nëna ime, e ndjera Bukuri, me tregonte përralla. Poezinë e pare e shkrova kur isha në vitin e katërt të fillores për një shokun tim i cili vriste harabela. Këtu është zanafilla e kriticizmit tim në poezi. Harabelat që unë duhet t’i shpëtoja, me krijuan horizontet e poezisë së madhe.
Cili ka qenë shkrimtari i pare që ke takuar?
Shefqët Musaraj. Pinte shumë duhan dhe ishte fare i thjeshtë.
Kur e ke botuar poezinë e pare?
Nuk mund ta harroj: 22 prill 1963. Ma botoi Kadareja tek “Drita”. Titullohej “Unë, mësuesi i fshatit”.
A e kishe takuar me pare Kadarenë?
Jo, isha shumë i drojtur. Më vonë, ai më mori në telefon dhe më ftoi të vija në Tiranë. E takova para Hotël Dajtit, po shëtiste me Dritëronë. “Ti je Faslli Haliti?”, – me pyeti pasi u prezantova me të. Pastaj shpejt e shpejt, më tha: “Ti ke talent të veçantë, por poezia jote ka nevojë për një krehje aty – këtu”. Kaq. Pastaj, kur unë botova librin e parë Sot ai shkroi shkrimin e parë për mua i cili ka mbetur i paharruar dhe ndikoi në rritjen e vëmendjes ndaj krijimtarisë sime.
Ajo që më habit tek ti Faslli, është se ke studiuar për pikturë, posi vallë, nuk të tërhoqi piktura me shumë sesa poezia?
Piktura nuk me mjaftonte për të shprehur idetë e mia. Ketë mundësi do të ma jepte poezia. Piktura ishte figura pa zë.Duhej dhe zëri. Po të tregoj diçka, Moikom. Kur isha tepër i ri, pashë një fotografi të Nako Spiros. Nxora lapsin dhe e vizatova. Ka qenë viti 1953. Vëllai im, Biku, ia çoi këtë vizatim një llogaritari, quhej Fatmir, ishte me një dorë, por ishte mjeshtër për të vizatuar fotografitë. Ai e pëlqeu vizatimin tim dhe tha: “Duhej të studiosh për pikture medoemos”. Dhashë konkurs në Liceun Artistik dhe e fitova. Në shtator të vitit 1953 u futa shkollën artistike në Tiranë për pikturë. Më shumë më pëlqente akuareli. Por mësuesi i letërsisë në Lice, Thanës Shkurti, që dinte shumë mirë edhe anglisht, fliste në mënyre emfatike për hartimet e mia. Në vitin 1954 – 1956, më shkova ushtar në Skelë të Vlorës.
U bëra piktor i regjimentit Pas ushtrisë shkova përsëri në Licepër pikturë. Këtë herë pa konkurs. Që nga vitet 1957 – 1961, mësues kam patur Abdrrahim Buzën, Nëxhmedin Zajmin dhe Janaq Paçon. Si mbarova Liceun më emëruan mësues vizatimi në Lushnjë. Nxënës të mijë që u bënë poetë, kanë qenë: Sherif Bali, Visar Zhiti, Fatbardh Rusemi etj. Merresha më shumë me poezi. Pikërisht poezisë i detyrohem një peng të madh, tragjik. Në 1973, u kritikova për gabime ideologjike. Në vitet 1973 – 1977 kam punuar në kooperativën e Fier Sheganit. Në 1977 – 1983, në Komunale, në dekorin e qyteti. Nga vitet 1983 – 1985, punova si mësues me orë në disa fhatra. Në vitin 1985 më emëruan mësues letërsie në gjimnazin e fshatit Karbunarë e Madhe. Më 5 djetor 1990 dola në pension. Tepër e thjeshtë, tepër prozaike. Në vitin 1998 – 2001, isha deputet në Kuvend. Kjo është arsyeja që jam sot me shtëpi në Tiranë. Kjo është, në përgjithësi, jeta ime, Moikom!
Megjithatë, jeta jote nuk ka qenë edhe aq prozaike Faslli. E vështirë, po. Më habit këmbëngulja jote për të punuar. Ke përkthyer gjithë ato libra. Pse?
Po, kam përkthyer librat poetike të Nasos Vajanas, Lorkës, Majakovskit, Himenësit, Esseninit, Preverit, Bukovskit, si edhe proë e librin me tregime të Moravias “Lumturia në vitrinë”, si edhe romanin “Pastori i Reigit”të shkrimtares estoneze Aino Kallas. Kam shumë dorëshkrime për botim. Deri tani kam botuar 20 libra. Dyfishin mund të kisha botuar. Po gjithmonë kam pasur vështirësi botimi, për shumë arsye.
Megjithatë, keni pasur një fat, një familje të shkëlqyer.
Po, gruaja ime Nirvana me ka ndenjur gjithmonë pranë, më ka mirëkuptuar. Vajzat Manjola dhe Genta, mbaruan shkollën e lartë, kurse djali Helidoni, u be piktor.
Dhe u be piktor i shkëlqyer.
Me behet qejfi, sidomos kur e thua ti.
***
E pamundur, e pamundur ta ravijëzosh të plotë portretin e Faslli Halitit.
Mund të biesh në grackën e thjeshtësisë së tij, por jo ta nënvleftësosh. Shpesh më duket si një moshatari im. Kaq i gjallë është. Plot plane krujuese.
Ka përkthyer poetët italianë Aldo Palacevski, Montalen, Xhorxho Kaprionin, Ungaretin dhe sidomos poeten e mrekullueshme Alda Merinin. Ka ndërmend të hapë një ekspozitë retrospektive me pikturat e tij. Ka shkruar libra me tregime dhe me ese.
Pa dyshim, që Faslli Haliti e meriton ta kalojë moshën e 100 vjetëve. Të thjeshtët si ai, janë të fuqishëm. Dhe kështu duhet. Ai meriton çdo mirënjohje, ai e ka pasuruar poezinë shqipe me origjinalitetin e tij, gjë që ndodh tepër rrallë në rrafshin e krijimtarisë.
Botimi i librit më të ri të Faslli Halitit «Lamtumirë Kapedanët e mi» e ngre këtë poet absolutisht të veçantë nga çarku i paradoksit të gjatë, për herë poet i shkëlqyer dhe njëkohësisht për herë i harruar dhe ndoshta i pakuptuar edhe nga kapedanët e poezisë kombëtare. (Ka arsye, ose mungesë arsyeje) kjo nuk ka shumë rëndësi kapedanët e poezisë nuk flasin për kapedanët pa publicitet, por nuk mënojnë të flasin për lloj – lloj fillestarësh apo poetësh mediokër, që kurrë nuk bëhen kapedanë të vërtetë.
Faslli Haliti është një kapedan i vërtetë i poezisë, me një origjinalitet sa të vështirë, aq dhe të lindur lehtësisht. Ai asnjëherë nuk e ka huajtur zërin e të tjerëve, ashtu si të palokët parukat. Ky port është një mjeshtër i lirikës qytetare me trimëri e dinjitet moral të rrallë. Edhe në një varg të tij lakonik ka një jetë të tërë, sidomos një jetë plot privacione, mospërfillje, me një ndershmëri tronditëse e këmbëngulje të pabesueshme. Për të është shkruar shumë pak – po ndoshta s’ka qenë dhe shumë e domosdoshme – rëndësi substanciale ka krijimtaria e tij muskuloze, me një drejtperdrejtësi të çuditshme. Shija e realitetit për të është e fuqishme, se sa fallcitet librore, apo eksperimentet haluçinative.Haliti zotëron plotfuqishmërinë verbuese të logjikës normale, ai është fëmija e përrallës së Andërsenit që thotë se «Mbreti është lakuriq» ndërkohë të tjerët lavdërojnë kostumin e mbretit; ky fëmijë nuk zbulon as nuk shpik, të tjerët «zbulojnë» dhe «shpikin» atë , që nuk ekziston.Faslli Haliti është si pakkush poet i jetës.Midis një Preveri dhe një Brehti ai do të ishte përherë një Faslli Haliti shqiptar modest dhe tepër gjatë i mospërfillur.
Faslli Haliti nuk ka nevojë për paterica lëvdatash të paqena dhe publicitet të rremë. Ai është ai që është – njeri i papërkulur, pra me një stil të pa përkulur. Shkruan tepër shkurt, po thotë më shumë, sesa ata qe shkruajnë tepër gjatë. Kjo gjë nuk është pak. Kjo gjë është shumë për të dhe për të tjerët. Kapedanët le t’i heqin pak kapelat nga kokat e thinjura: ata po i përshëndet fare natyrshëm me zemër ( jo kapele) ne dorë poeti Faslli Haliti që guxon të na habisë me ndershmërinë e tij, të një arti të veçantë dhe të ndershëm.