Tiranë, 9 qershor 2017: Moikom Zeqo me librin “Postierët e magjepsur”, me poezi të viteve 1994-2001. Janë poezitë e gjalla të të vdekurit, shkruan poeti, duke lënë mënjanë gjendjen e tij, vështirësitë shëndetësore që kaloi dhe vazhdon t’i krijojë e marrë forcë për t’i rezistuar vdekjes. Zeqo në një bisedë të lirë mbi dashurinë, poezinë, brezat, letërsinë e 26 viteve…
Antikja te njeriu bën të dyshosh, të vesh me enigma, të jep njohuri, të mbush me pyetje e kërshëri, për dije të thella e të errëta, një gjeometri që përcakton fatin e së ardhmes, që e bën qenien të vdekshme e të pavdekshme….në këtë brendi erudicioni i Moikom Zeqos s’të lë indiferent. Poet, shkrimtar, arkeolog, piktor, dijetar – ky njeri që mban të pandryshuar mjekrën e gjatë, të thinjur, ngjashëm me një rilindës nuk e heq humanizmin nga shqetësimet, për të kuptuar individin, veten, të tjerët.
Nuk e di po njeriu më shpesh jeton si në jerm. Por unë këtë gjë e mendoj tepër rrallë. Madje i shmangem kësaj ideje, ashtu siç reagoj pa vetëdije nga shpërthimi i pamasë i një vetëtime të befasishme. Enigmat e jetës janë të pambarimta…Në këtë përballje takohemi me Moikomin në vendin e miqve të librit, të njohur në kryeqytet Friend’s Book House, gati për të nisur një bisedë që nuk pengon njeriun nga poeti. Rasti është libri me poezi “Postierët e magjepsur”, me poezi të viteve 1994-2001, por autori i viteve ’94-2001, që ka mbi 20 vjet, i cili s’është më ai i viteve ’94-2001. Por janë poezitë e gjalla të të vdekurit…, shkruan Moikomi e lë mënjanë gjendjen e tij, vështirësitë shëndetësore që kaloi, dhe vazhdon t’i krijojë një gjendje force për t’i rezistuar vdekjes. “Poezia është kritika e ideologjisë së Vdekjes së Njeriut – kjo kritikë nuk do t’i mjaftonte vetvetes, që të bëhej faktor për të jetësuar ‘humanizmin jometafizik’ ”. Sipas tij, humanizmi është i grishur nga Poezia. Thënia madhështore që përdor është ajo e Protagorës “njeriu është masa e gjithçkaje”, është metafora e Humanizmit. “Na duhet patjetër një ‘negativ’ i mendjes, i një historie tjetër, asaj të estetikës, në të cilën janë shkruar, në mënyrë pozitive, vetëm kuptimet e ndryshme të subjektivitetit, që përbëjnë Kohërat Moderne, por edhe tendosjen e tyre më të mprehtë, në çështjen e fshehur, por gjithmonë në bazë të raportit të individuales me kolektiven”.
“Moikom Zeqo është një poet i jashtëzakonshëm” – Wayne Miller /
Zeqo ndalet të thotë se në Epokën postmoderne, të internetit, duket sikur poetët përjetojnë vizitat në Memorialin e Postierëve të Vdekur… një metaforë për të që s’është aq lehtë për ta përmbysur. Ndërsa ka punuar për këtë libër, poeti thotë se dëgjonte pa pushim muzikën e Alfred Schnittkes, sidomos “Requiem”, “Agony” dhe “Story of an unknow actor”. Poezia parakupton postierë të dukshëm, muzika është posta më e epërme e të padukshmes!
Domethënëse janë vargjet: Jetoj jetën e të tjerëve që kanë qenë shekuj më parë/ jetën time do ta jetojnë/ Ata që do të lindin/ shekuj në të ardhmen…
“Kërkoj ndjesë për skepticizëm tim dhe rebelizmin – s’besoj se poetët janë postierët e vërtetë, janë poezitë! Poeti është qenie e brishtë, vdekëtare, e përkohshme. Mbi të bjen Asgjësimi. Harresa është e pashmangshme. Poezitë kanë status tjetër, një ‘modus vivendi’, për të mos qenë një ‘modus moriendi’ ”. Kështu libri “Posterat e magjepsur” është strukturuar nga metaforat e skajshme. Citojmë se Wolfang Kayseri ka thënë se “forma më e rëndësishme, por edhe më e gabuar e gjuhës metafora”. Metafora është një tjetër gjuhë brenda gjuhës. “Në këtë kuptim ndarës dhe bashkues edhe poezia ime është diçka e panjehsueshme me traditën pesëshekullore të poezisë shqipe. Këtë e di mirëfilli, jashtë çdo apologjie dekorative”, ndalet Moikomi.
Ndërsa biseda jonë jo e zakonshme mjafton të dalë herë pas here në kushtet e sotme, ato reale, një paralele çfarë po ndodh në këta 26 vjet. Për poetin, s’është aspak normale që për çerekshekulli të mos dalë një shkrimtar i ri, një talent i shquar. Janë autorë që botojnë, thotë Zeqo, që u bëjnë shërbim emrit, por jo talentë, për të impresionuar letërsia e tyre.
“Kryesisht situata tani është siç ka qenë letërsia e realizmit socialist, tani është letërsia antikomuniste këto dy kritere janë të gabuara. Kriteri estetik duhet të jetë baza”.
Në rreth 50 vite krijimtari Zeqo është një arketip, me muzë origjinale poetike. E ka nisur me ciklet e botimit në gazetën “Drita”, viti 1968, kohë e errët për letrat shqip. Janë rreth 100 vepra në zhanre të ndryshme, por dominon poezia, e krijuar në disa etapa, me fillime mitologjike. Përgjatë përsiatjes së tij, poezia thotë Zeqo është gjendje sintezë e materiales dhe shpirtërores. Për poetin është një lloj ekstaze dhe transi i shenjtë. “Shpirti nuk pëson ethe. Ethet i përkasin trupit. Poezia ndërmjetëson ethet e trupit te shpirti dhe ndërsjelltas. Poezia është gjithmonë burimore, është i njëjti proces si ai i rritjes së gjallesave. Poezia është një bimë, që fare lehtë mund të kthehet në një shqiponjë fluturuese. Është një ylber, që fare mirë mund të mbijë si një kaktus ekzotik jonian…Të gjitha simbolet e poezisë përplasen dhe dalin nga Adami dhe Eva. Poezia është dashuria në atë masë që edhe dashuria është poezi, identitet nuk humbin, por dhe nuk fosilizohen. Çdo gjë është në lëvizje të pafundme. Prandaj të shkruash poezi është një nga mënyrat për të shqisuar infinitin…”. Zeqo mban humanizëm dhe shqetësime njerëzore çdo bëhet me ardhmërinë e tokës, me bankën gjenetike, me ushqimet, ç’është ky rrezik global…dhe njëkohësisht shprehet se është i mërzitur, me bindjen se edhe shoqëria jonë është e përfshirë në kriza sociale, përballja e të rinjve me gjendjet ekonomike, por edhe një brezi tjetër të detyruar të ndërpresin angazhimin profesional. Por, Zeqo i përfshirë dhe në “rebelizmin” politik, thotë se ky vend nuk ka shpresë, se në këtë atmosferë politike s’ka kush ta prishë frikën për të thënë të vërtetën: Ky vend nuk ka shpresë e kjo mund të vazhdojë gjatë kjo histori politike. Nuk bëhet më fjalë për demokraci normale. Unë jam pensionist. Problemi është se çdo të bëhet me brezat…Nuk besoj se do të ketë ndonjë ditë të bardhë për Shqipërinë…” Ndërsa është tjetër njeri kur flet për dashurinë, si një ekuilibër që e çoi tek poezia: “Vetëkuptohet, se dashuria është vetë njeriu në formën e tij të dyfishtë femër dhe mashkull. Pa këtë raport të ndërsjellë seksual nuk ka riprodhim njerëzor, shoqëri, popuj, njerëzim. Mekanizmi seksual ngjan me të kundërtat, që parakuptojnë dhe formojnë njëra tjetrën. Kështu do të thoshte për shembull Zarathustra, profeti poet i Iranit, të njëjtën gjë do të plotësonte me shembuj të vargëzuar edhe Herakliti i Errët i Efesit. Por, mekanizmi seksual duke qenë njëkohësisht instiktiv, i plotfuqishëm dhe në të gjitha kuptimet e fjalës i papërballueshëm nuk është i barabartë me dashurinë. Mekanizmi seksual është material. Dashuria është shpirtërore. Por nuk duhet të skajohemi në një marrëzi asketike për të thënë se dashuria është vetëm shpirtërore…Një ndërthurje e kuptimtë dhe e pavulgarizuar është krejt e vërtetë. Po sa e vështirë është të arrihet në këtë ndërthurje. Sa e mundimshme është të arrish ekuilibrin. Ky ekuilibër është poezia”./V.Murati-Mapo/