DILAVER GOXHAJ: EPIDEMIA E ËNDËRRAVE (VEGIME TË KOTA TË NDËRGJEGJEVE TË SËMURA)

Tiranë, 4 prill 2018: Ishte dita e fundit e muajit mars të këtij viti, por dhe dita e parë e ngrohtë pas atij dimri të gjatë. Ndjeja një gëzim të madh tek rrija fillikat, në qetësi dhe vetmi, te tavolinat e jashtme të bar-kafesë së madhe, në aeroportin e Rinasit. Prisja të vinte nipi nga Italia. Pas pak pashë një burrë që po afrohej drejt meje. Tërhiqte një valixhe lëkure të madhe, e cila mbështetej mbi rrotat e saj të vogla, dhe papritmas ndaloi para meje. Ishte një burrë i gjatë dhe i filiz i drejtë. Ngaqë diellin e kisha përballë, nuk mundesha ta shihja qartë në fytyrë. Mu avit dhe më foli me një zë të trashë e të mbytur:
-Tung, vëlla Shpëtim!
-Tungjatjeta! – dhe u ngrita nga vendi, duke i shtrënguar dorën e madhe dhe të butë, që më kishte zgjatur.
-Nuk po më njeh, a? Jam B.F.
-Ooo, doktori ynë i luftës! – fola gjithë habi dhe u përqafuam, ku atij iu desh të përkulej disi se është shumë më i gjatë se unë.
Pasi pyetëm njeri-tjetrin për shëndetin e për familjet tona, biseda rrodhi në ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë. Dhe në një moment e pyeta:
-Për ku kështu doktor?
-Kam fituar një specializim për psikiatri, dhe jam duke shkuar për në …
-Por, me sa di unë, ju më duket se për psikiatri jeni specializuar pas lufte, apo jo?
-Po, po, por me sa duket nuk jam në nivelin që duhet.
-Si është e mundur!,- shpreha unë habinë,- Tash pas dhjetë vitesh e më shumë punë si mjek psikiatër dhe kini përsëri nevojë për specialzim përsëri për psikiatri!… Apo e keni për mbulesë e shkoni për ndonjë biznes, doktor?
-Jo, jo. Zanati nuk ka fund, Shpëtim. Madje, këtë vendim e morra pas një sërë vizitash të muajve të fundit të shumë pushtetarëve, të cilat më bënë të kuptoja, se, ose unë nuk jam në nivelin e duhur, ose pacientët e fundit që kam pas duhet të jenë ndonjë lloj specie që duhet të dalloi nga të gjithë ne shqiptarët e tjerë.
-Pse, kaq shumë popuj të tjerë kanë ardhur në Prishtinë, që dallojnë nga ne shqiptarët?
-Jo, jo! Nuk kam pas rastin të vizitoj deri sot ndonjë të huaj, veç shqiptarë. Sikundër të thashë, janë pushtetarë e politikanë tanët që kam pasur kohët e fundit pacientë, dhe simptomat e tyre më kanë bërë të dyshoj në aftësitë e mia profesionale, prandaj dhe kërkova një specializim të ri, dhe për fat m’u plotësua dëshira, dhe jam duke shkuar për atje.
-Po pse jeni munduar deri në Rinas? Me sa di unë biletat janë shumë më lirë prej Prishtine se sa prej Tirane.
-Ashtu është. Por e bëra këtë “baj pass” vetëm e vetëm që t’u shmangem pacientëve të kohëve të fundit, se ndoshta më delnin përpara në aeroportin “Adem Jashari”, dhe më pengonin të ikja. Më beso, janë shumë të sëmurë.
-Si është e mundur doktor?! Edhe deputetë, edhe shumë të sëmurë! Unë nuk kam dëgjuar që të ketë ndonjë lloj epidemie sëmundjesh psiqike. Apo janë nga ata që kanë qenë në luftë dhe duhet të kenë pësuar trauma ndoshta? – dhe qesha.
-Qesh ti, qesh, por po të tregoj se çfarë lloj “epidemie” është kjo, do habitesh. Ata që kanë qenë në luftë po e po, dhe ke të drejtë që dyshon për ata, por me sa po shoh, ka shumë edhe prej atyre që bridhnin plazheve kur ne ishim maleve, Shpëtim.
Dhe filloi të më tregonte.
-Gjithçka që do të tregoj është sa e vërtetë aq edhe e çuditshme.

* * *
Doktor B.F. po tregonte, ndërsa unë e shikoja me ngulm. I gjatë e i thatë, flokët e zeza dhe fytyra disi ezmere e tregonin doktorin më plak se sa ishte në të vërtetë. Megjithatë ai nuk i ka kapërcyer të gjashtëdhjetat. Vetullat pak të përkulura e tregonin si një njeri që nuk rrëmbehej kurrë në bisedime. Nuk mbahet mend, thonë, që të ketë dalë jashtë klinike e jashtë shtëpie pa kostum e pa gravatë. Sytë dhe fytyra rrudha-rrudha e tregonin si një njeri të sëmurë. Rasti e kishte bërë B.F. mjek psikiatër – madje as ai vetë nuk i besonte shumë shkencës të cilën e zbatonte ndër të tjerë. Ishte përgatitur mjek në një nga universitetet e dëgjuara të Perëndimit. Me fillimin e luftës çlirimtare shkoi si vullnetar në një spital të krahinës së vetë. Atëherë zbuloi dhuratën që i kishte dhuruar natyra. Porsa prekte me duart e tij ndonjë të sëmurë rëndë, shumë herë ndodhte që ia lehtësonte sëmundjen dhe dhimbjet. Me sistemin e tij bëri të mundur që disa ushtarë të flisnin, të cilëve u kishte humbur të folurit prej tonditjes që kishin pësuar nga shpërthimet e predhave të artilerisë armike në afërsi të pozicioneve e në transhetë e tyre. Dhe çudia më e madhe, nga sa kuptova prej tregimeve të tij, ishte se vetë doktor B.F. kishte filluar të mos i besonte shkencës së tij edhe pse nuk e shpjegonte dotë arsyen.
Pas përfundimit të luftës doktori hapi klinikë private në Prishtinë. Çmimet e vizitave nuk i kishte shumë të larta, kjo edhe ngaqë shumë pacientë ishin nga radhët e pjesmarrësve në luftë, por dhe ngaqë kishte shumë të papunë. Mirëpo, pati suksese të habitshme, duke i dalë nami nga të gjitha anët e vendit. Megjithatë, shumë herë i dukej vetja sharlatan meqenëse nuk e shpjegonte dot fuqinë e tij shëruese. Qëndronte i habitur përballë fshehtësirave të shpirtit njerëzor; me sytë e tij vëzhgues e shikonte botën krejt ndryshe nga njerëzit e tjerë.
* * *
“Isha duke pritur për vizitë parlamentarin Z . . ., -filloi të më tregonte doktori – që ti Shpëtim e njeh që nga lufta. Në një moment hodha sytë tek ora e dorës. 18.25. Çudi! Ai është njeri i përpiktë, thoshja me vete. Ardhja e tij në klinikë ishte caktuar për në ora 18.00. Parlamentari nuk po dukej ende. Ora shkoi 18.30, por parlamentari nuk po dukej ende. Mua më interesonte shumë ardhja e atij në klinikë, se deri atëhere nuk kish pasur rastin që të kisha pas ndonjë klient që të ishte personalitet i lartë i vendit.
Sikundër edhe ti e njeh, ai është një person tepër i zgjuar dhe shumë i shkathët, edhe pse nuk dihet saktë se çfarë shkolle të lartë ka mbaruar. Është një politikan i zhdërvjelltë, të bën për vete, ndaj dhe njerëzit nuk i flasin në emër, por i kanë vënë nofkën “Xhepi”, ngaqë qysh në bisedën e parë të bën për vete. “Të fut në xhep”, si i thonë fjalës. Besoj e di që ka qenë edhe ministër i disa herëshëm, edhe pse pa hyrë ende në të tridhjetat. Në sallën e Parlamentit shkëlqen përherë. Në moshën tridhjetenjëvjeçare është martuar me bijën e një tregëtari të pasuruar gjatë luftës, kuptohet, ngaqë ishte marrë me kontrabandë. Ka tre fëmijë dhe tashti çështja familjare nuk para e preokupon. Gruan dhe fëmijët, me sa thonë, i ka vetëm sa për sy e faqe të botës. Ajo që e preokupon është politika. Mendja e tij është thithur krejt prej problemeve politike dhe shoqërore. Rrjedh nga një familje e vjetër dhe patriote, besoj se dhe ti Shpëtim e di, dhe për këtë gjë krenohet e ka të drejtë të krenohet, por pak si tepër më duket. Me njerëzit e rangut më të ulët tregohet ironik e hokatar, për t’u dukur sa më i thjeshtë e i ngrohtë me njerëzit. Ndaj dhe janë të shumtë ata që e respektojnë. Por, ka edhe shumë armiq, të cilët i përbuz. Më së shumti armiqtë i ka shtuar gjatë viteve kur ka qenë ministër. Përsa u përket miqve të vërtetë, ata, me sa di unë, i ka shumë të rrallë. Dhe është vëtë ai që më pat telefonuar, duke më thenë nëse mund t’i shkoj për t’i bërë një vizitë mjekësore në shtëpinë e tij. Por unë i thashë se nuk e praktikoj dhe nuk është mirë që pacientët, të cilët kërkojnë ndihmën time si psikiatër, që t’i vizitoj në shtëpinë e tyre. Prandaj dhe ai u detyrua të pranonte, dhe vendosi të vinte në klinikë.
Më së fundi ai hyri në klinikë.
-Zoti doktor, më tha, është më lehtë që njeriu të takoi kryeministrin sesa juve.
-Uluni!, – ia preva unë.
Por ky zyrtar i rëndësishëm vijoi të qëndronte në këmbë.
-A është nevoja t’iu kujtoj se kush jam, doktor?
-Uluni!, – përsërita unë.
Parlamentari u inatos dhe ishte gati të delte jashtë, por u përmbajt dhe më në fund u ul.
Unë hapa regjistrin e vizitorëve dhe, pa e vështruar në sy, e pyeta:
-Sa vjeç jeni?
– Po u afrohem të pesëdhjetave.
-Jeni i martuar?
– Po!
-Prej sa kohe?
-Prej shtatëmbëdhjetë vitesh.
-Keni fëmijë?
-Tre. Dy djem e një vajzë.
-Përse keni ardhur tek unë?
-Më shumë nga kurioziteti, ngaqë kam dëgjuar shpesh herë se jeni profesionist i mirë.
E përqëndrova shikimin drejt në sytë e tij, dhe më së fundi i thash:
-Jo! Çudira nuk kam bërë, – duke e shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë. – Por, lutem, më tregoni çfarë u shqetson që keni vendosur të vizitoheni tek unë? Besoj se e dini që unë jam veç mjek psikiatër.
Parlamentari nuk u përgjegj menjëherë. Qëndroi pak. Unë nuk po ia ndaja shikimin e ngulët në fytyrë.
-Jam fare mirë nga shëndeti, doktor. Sipas regullit, dje bëra vizitën e radhës te mjeku i institucionit, të cilin kam bindjen se edhe e njihni. Fizikisht ndihem sikur jam tridhjetëvjeçar. Punoj shumë. Nga çdo pikëpamje ndihem mirë. Dhe me siguri do të befasoheni pse erdha te ju.
E pashë se duhej ta ndihmoja për të hyrë në temë, dhe i thashë:
-Nuk di nëse do të mundem t’u shërbej. Megjithatë do të përpiqem; por, mesa po gjykoj, nga çfarë po më thoni, ndoshta gabohem, por u gjykoj disi fatkeq. – dhe e vështrova drejt në sy. – Pikërisht, zoti kryeparlamentar, për këtë bindje timen u kërkova të vinit këtu; prandaj nuk erdha në shtëpinë tuaj, pasi këtu mund të flisni açik.
-Zoti doktor, historia që do t’iu tregoj, është kaq banale sa, kur ta mbaroj, kam bindjen se do ta quani kohë të humbur.
-S’ka gjë, -i thashë,- ka pas raste që nga shumë gjëra, që fillimisht duken si të kota, kanë lindur zbulime të mëdha në mjekësi.
Dhe pralamentari vendosi të fliste:
-Kohët e fundit kam filluar të shikoj shpesh ëndërra të mërzitshme, gjë që nuk më ka ndodhur më herët. E kuptoj që është budallaki që po u jap rëndësi ëndërrave, por puna është që më mërzitin ngaqë shumica e tyre po më përsëriten. Ëndërra e parë që do t’iu tregoj, e që më ka tronditur, ka ndodhur para dy muajve a më shumë, dhe konkretisht:
-“Ëndëroja sikur isha në një pritje madhështore, të cilën e organizonte Presidenti ynë. Hyra! Vura re se në atë pritje ndodhej edhe kryetari i opozitës, të cilin, me thenë të drejtën, doktor, nuk e honeps dotë, prandaj dhe shpesh herë i thërras: “Hë mo zevzek, ç’do na thuash?” U befasova kur e pashë atje atë zevzek, pasi e dija që edhe Presidenti nuk para e kishte qejf. Por, më befasoi fakti që Zevzeku po më vështronte me habi. Kur u afrova t’i jepja dorën zonjës së parë të vendit, ajo ia shkrepi gazit; dhe më vështroi me tallje. Me tallje po qeshte edhe ai zevzeku. Përshëndeta më të djathë e më të majtë. Kur ja, sytë më zunë ambasadorin e Gjermanisë që po bisedomte me atë të Amerikës dhe iu afrohem, se doja të ndëroja disa mendime me ta. Kur u shkova pranë, edhe ata ia dhanë gazit. Isha gati që t’u kërkoja llogari për atë lloj talljeje, por në atë moment u afrua edhe Presidenti, duke më shikuar nga këmbët. Atëherë vura re se të gjithë të pranishmit qeshnin me mua; kisha harruar të vishja pantallonat”. Këtu, doktor, mbaroi ëndërra. U tmerrova dhe u zgjova i llahtarisur. Mirëpo, kur të nesërmen hyra në sallën e Parlamentit – pashë Zevzekun, i cili, ndërkohë që u fut në sallë para meje, ktheu kokën, më mbylli njërin sy me buzëqeshje dhe më vështroi me vërejtje, duke i ngulur sytë nëse kisha veshur apo jo pantallona. U habita dhe u tmerrova njëkohësishtë dhe thashë me vete: “Mos di gjë ky mbi ëndërrën time?” Pastaj mejtova: Jo, jo, është e pamundur.
-Tregomë një ëndërr tjetër, i thashë, pa ia shqitur sytë.
Por edhe dy ëndërrat e tjera që më tregoi kishin të bënin po me atë deputetin, që ai e quant Zevzeku.
* * *
Kaluan disa ditë, Shpëtim, dhe më erdhi për vizitë kryetari i grupit parlamentar të partisë…, që është në koalicion qeveritar. Edhe ai ishte shqetësuar nga ëndërrat që kishte filluar t’i shfaqeshin kohët e fundit. Dhe ja se si filloi të më tregonte:
-Doktor, kjo ëndërr që do t’iu tregoj është më e hershmia që kanë filluar të më shfaqen, dhe ndoshta edhe më absurdia, prandaj dhe kan vendosur t’ua tregoj. Por, lutem, më dëgjoni me vemendje:
“Më doli në ëndërr sikur ndodhesha në sallën e Parlamentit. Diskutohej rreth një orientimi të ri të politikës sonë me fqinjët. Bota e tërë priste me padurim bisedimet tona. Fati i vendit tonë varej ndoshta nga ajo mbledhje. Salla e Parlamentit ishte mbushur plot me gazetarë, diplomatë, por edhe me popull. Kisha vendosur që fjalimi im të ishte i përshtatshëm në përqasje me çfarë kërkojnë ndërkombëtarët për vendin tonë. Isha mjaft i turbulluar kur mendoja se fati i vendit tonë ishte i varur dhe në buzët e mia. Në ëndërr më delte se në Parlament mbretëronte një heshtje varri, ndryshe nga ditët e tjera që deputetët bënin zhurmë. Dhe, ja, m’u lexua emri për të diskutuar. Fillova fjalimin tim. Pa filluar ende mirë vura re se deputeti opozitar . . ., – dhe çuditërisht edhe ky përmendi emrin e atij që ai i pari e quante Zevzeku, – po më përqeshte duke më nxjerrë gjuhën. Dhe unë atëhere fillova të këndoj atë këngën që këndojnë dashakeqët tanë: “Jemi garda kombëtare, / Heqim bërllogët pa pare….”, në vend që të vijoja fjalimin. Habitje e madhe! Partia opozitare e atij tipit të neveritshëm bërtiti: Vazhdo, vazhdo! Dhe kur fillova të këndoj strofën tjetër të këngës, shpërtheu një gaz i përgjithshëm në të gjithë sallën e Parlamentit. Gazetarë, diplomatë të huaj, zonja e zotërinj u shkulën gazit. Vetëm kryetari dhe kryeministri rrinin si të mbërthyer për karrigesh të tyre. U hodha një sy dhe kujtova menjëherë marrëzinë; mendova se të nesërmen do të isha qesharak përpara syve të të gjithë botës. Isha gati për të dhënë dorëheqjen nga deputeti kur …”, – kur hop u zgjova i tronditur nga gjumi, doktor. Isha gjithë djersë.
Në mbarim së treguari të asaj ëndërre ky parlamentar, për të cilin po flas, ishte zverdhur në fytyrë, por e mblodhi vehten shpejt dhe vazhdoi:
-Zoti doktor, këtë ëndërr edhe pse është shumë fantastike, e kisha harruar gati krejt kur hyra të nesërmen në sallën e Parlamentit. Isha fare mirë nga çdo pikëpamje.
Bisedimet e asaj dite ishin fare pa interes. I pari fare fjalën e morri ai, (dhe përmendi emrin e po atij deputeti, Zevzeku), gjë që nuk e kishte bërë herë tjetër. Ajo që më befasoi më shumë, ishte se e filloi fjalimin duke cituar vargun e parë të asaj kënge që kisha kënduar unë në ëndërr! Nuk e mbajta dot veten dhe e shikova me habi dhe me inat. Vura re se ai, në një moment kur po citonte fjalët e këngës, vështrimin e përqëndroi në drejtimin tim. M’u duk si çudi që ai citoi atë varg të asaj kënge fatkeqe. Më kot u përpoqa ta mbledh veten; ai deputet më tmerronte. Mos ishte vallë konçidencë, doktor? A ishte e mundur që ai të shikonte po ato ëndërra që shikoja edhe unë, si më thua doktor?”
Kjo ide e dytë m’u duk krejt pa kuptim.
* * *
Nuk kaloi as edhe një javë dhe në klinkë më erdhi kryetari i partisë …, edhe kjo, sikundër e di, pjestare e koalicionit qeveritar. Edhe ai, porsa u ul filloi të më thoshtë:
“I nderuar doktor, nëse nuk ju mërzis, po ajo që më ka shtyrë të vij te Ju, është një ëndërr, e cila pothuajse më përsëritet çdo natë, madje gati edhe në të njëjtën orë.
Në këtë ëndërr më bëhet përherë sikur po hyj në librarinë më të madhe që ka kryeqyteti. Të them të drejtën, rrallë kam hyrë nëpër librari prej sa kam filluar të merrem me politikë, doktor. Megjithatë, duke e parë shpesh ëndërrën, tash e mbaj mend fort mirë rrugën dhe hyrjen nga hyhet në librari. Gjithmonë më bëhet sikur është ditë e shtunë. Dhe sa herë që e shoh, më bëhet sikur një tym i trashë po më shpon sytë, ndoshta ngaqë kryeqyteti këta muajt e fundit ka pasur shumë ndotje ajrore. Më bëhet sikur të gjithë personat që gjej atje brenda janë të dehur. Në një cep të librarisë më bëhet gjithmonë sikur dy gra po luajnë një lloj valle të shëmtuar. Gjithë të tjerët rreth tyre qeshin e këndojnë. Një burrë më afrohet e më thotë: “A pimë nga një gotë birrë bashkë?” Dhe porsa e marr gotën e birrës, e pi të tërën. Ndërkohë, një nga ato gratë që hedh valle më afrohet e më thotë: “Ç’po bën ashtu?! Birën time pive?”. Më falni zonjë, i them, po nuk e dija, dhe para se ta mbaroj fjalën më rrëmben për krahu dhe hedhim valle së bashku. Kur mbarojmë vallen, ulemi të dy në të njëjtin fotelje. Në atë kohë afrohet përherë një nga ata deputetët e opozitës radikale e majtë, (dhe edhe ky përmend të njëjtin emër si dhe dy të parët), gjysëm i dehur dhe i thotë zonjës: “Kij mëndjen se mos të fluturon portofoli!” Dhe në të gjitha rastet që e shoh atë ëndërr, nuk më durohet. Ngrihem në këmbë, marr shishen e birës dhe e godas në kokë atë djallin opozitar, me sa kam fuqi. Dhe në atë kohë zgjohem prej gjymit.”
-Kjo lloj ëndërre nuk është e rrallë, i thashë unë. – Kjo, zoti parlamentar, është hakmarrja e natyrës kundër njerëzve të drejtë e pa njolla.
Ndërkohë parlamentari vijoi:
“Është idiote kjo histori, por e tregova nga shkaku që më shfaqet pothuajse përnatë. Në një nga ditët atyre netëve me këtë ëndërr shkova në bibliotekën e Parlamentit, se kisha nevojë për një libër. U ula në tavolinën më të afërt dhe fillova të kërkoja në libër faqet që më duheshin, pa e vënë re se ngjitur meje ndodhesh edhe ai dreq deputeti opozitar. Me habinë më të madhe dëgjova atë vetë që po i thoshte një deputeti tjetër që ndodhej në krah të tij: “E kam kokën shumë të rëndë, tamam sikur më ka rënë njeri me ndonjë shishe…”. Dhe kur po thoshte këto fjalë vështroi me bisht të syrit në drejtimin tim. Koinçidencë të jetë kjo, doktor? Si e shpjegoni ju, zoti doktor, këtë ëndërr?”
-As unë nuk di si të them. – i thashë. Më dukej sikur parlamentari po më gënjente.
-Kjo është ëndërra e juaj e fundit? – e pyeta pas pak.
-Jo doktor, jo! Çdo natë shikoj ëndëra të tilla dhe gjithnjë ai dreq deputeti çuditërisht është brenda tyre?!
– Si? Gjithnjë u del ai në ëndër?
-Po, po! Më bëj derman doktor! Se në vazhdoftë puna kështu, shpejt ose vonë do të marrosem fare. Nuk guxoj të fle. Ka ditë që nuk mbyll sy. Dhe kur fillon gjumi të më zerë, ngrihem në këmbë dhe lëviz. Mirëpo kam nevojë për gjumë. Me të mbyllur sytë, ai maskarai më del përpara. Më vështron me tallje; më martirizon. Është për mua një persekutim i vërtetë. Nuk është e drejtë të më gjykosh keq për këtë gjë, doktor. Unë jam i ndershëm, besoj se e dini këtë? Jeta ime private si dhe ajo publike janë pa njolla. E vetmia ambicie që kam është t’i shërbej atdheut për ta lartësuar gjithnjë e më shumë atë. Kam sakrifikuar çdo gjë për t’ia arritur kësaj shkalle. Qëllimi im është që e gjithë partia të më bindet pa përjashtim, se vetëm kështu mund të hartojmë ligje të mira për popullin. Mirëpo, nervat e mia sa venë e po më shkatërrohen për shkak të atij zevzekut. Dhe gjithë këto më duket se më vinë nga shkaku i atij zevzeku. Më bëhet sikur ai i di të gjitha të palarat e mia. Mos vallë ai e di të gjithë jetën time intime? Si është e mundur që ai ka parë çdo gjë që shikoj unë në ëndër, doktor?! Madje më duket sikur i ka parë edhe gjëra që unë nuk guxoj t’ia tregoj as vetes sime. Sa herë që më takon, më shikon shtrembër. Prandaj, ja ku po ua them: ose do t’ia heq vetes, ose do të vras atë, vetëm në mos u çmendsha. Rugë tjetër nuk ka.
-Po të isha unë në vendin tuaj, nuk do ta vrisja,- i thashë.- Se është e rrezikshme t’i shkurtosh tjetrit jetën, por edhe ju do të përfundonit në burgim të përjetshëm.
-Doktor, ëndërra ime e shpeshtë më tregon se si duhet vepruar ndaj atij djalli. Ndijimet që ndjej prej tij në ëndërr zgjaten edhe pas zgjimit nga gjumi; ndjej, si të them, një makth, doktor. Dhe kësaj here nuk do t’i bie më me shishe, si në ëndërr, por me thikë, doktor, me thikë. Është e vetmia mënyrë për të shpëtuar prej tij.
* * *
Kushdo tjetër, përveç meje, që do t’i dëgjonte këta parlamentarë, miku im Shpëtim, do t’i merrte për të marosur. Por falë faktit që jam i stërvitur në gjëra të tilla. Duke ushtruar psikiatrinë, e di fare mirë se sa e vogël është diferenca që ndan njeriun normal nga ai anormal. Në shumë njerëz, që duken si të ekuilibruar, zbulohen shumë herë anormalitete dhe estravaganca të çuditshme, sa mund t’i quash pa hezitim anormalë. Dhe sikur të duash t’i mbyllësh këta tipa nëpër çmendina, zor se gjen vend bosh. Sidoqoftë nuk mund të futet në spital një njeri për shkakun e ëndërrave të tij. Pastaj, edhe të jetë se janë me të vërtetë të sëmurë mendërisht, nuk mund të dërgosh në Shtimje më shumë se një prej tyre, ndryshe njerëzia do të thonë se në Kosovë zgjidhen deputetë veç të sëmurët mendorë.
-A jeni konsultuar edhe gjetkë? – i kam pyetur jo vetëm këta të tre rastet që të përmenda, por të gjithë.
-Pse thua “të gjithë”? – e pyeta unë. Mos kanë ardhur edhe të tjerë përveç këtyre tre rasteve?
-Mund të them se janë jo më pak se njëzet raste deputetësh dhe, pothuajse, të gjithëve, çuditërishtë, u del në ëndërr e i tmerron po ai deputetit fin i opozitës. Dhe më thonë afërsishtë të njëjtën përgjigje: “Po! Jam parë te X doktor, pasi nuk ma nxjerr fjalën. Ai më rekomandon udhëtime, mirëpo mua nuk më lejon puna. Më ka dhënë edhe disa medikamente, por më kot”.
Dhe që të gjithëve u bëj të njëjtën pyetje: “Nuk më thua, përse nga hera ai njeri vjen e shfaqet në ëndërat e tua? Përse vallë u duket se ai njeri u persekuton? Mos vallë i ke bërë ndonjë padrejtësi? Fol! Fol, pa ndroje”.
-Jo, jo, asgjë, më thonë, veçse ngaqë ka raste që na akuzon për tradhëtar, vetëm pse ne votojmë sikundër na urdhëron kryetari i partisë dhe i Parlamentit.
-Po s’më tregove të vërtetën, u them, nuk kam çfarë të të bëj, – duke ua ngulur shikimin drejt e në sy.
Ata, çuditërishtë, ulin sytë dhe nuk flasin. Diçka detyrohen të fshehin. Ka gjasa të jenë të dyzuar ngaqë duhet t’i kenë detyruar jashtë vullnetit të tyre që të votojnë disa ligje për interesa individësh dhe jo për interes të Kosovës. Pak a shumë, kjo do të thotë se kanë krizë identiteti. Po njëri prej tyre më tha diçka më shumë se të tjerët, por që ishte e ngjashme me justifikimet edhe të tyre, gjë që identifikon se vota e tyre është e imponuar dhe jo e vullnetshme: “Nuk të fola deri tash rreth kësaj çështjeje, doktor, – më tha ai – për arsyen e thjeshtë, ngaqë më duket se nuk ka shumë rëndësi. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, çuditërisht, ai opozitari orator fitoi vota më shumë se të gjithë ne parlamentarët e tjerë. Duhet të jetë njeri me fat. Dhe, kam bindjen se po të mos ishte zgjedhur deputet ai dhe ajo pjesë e partisë së tij, që janë pothuajse njësoj, Parlamenti nuk do të kishte fare probleme. Po ja që nuk ndodhi. Mirëpo, për fatin e keq tonin, partia dhe elektorati i tij e çmojnë shumë! Dhe gjithnjë është ai që e ngatëron Parlamentin. Nervozizmi ynë vjen më së shumti se gjithherë ai djall flet shumë mirë e bindës, ndaj dhe ka sukses, ta hajë djalli, ta hajë! Leni të tjerat, por hiqet sikur vetëm ai e do Kosovën! Por ka edhe një të keqe tjetër, doktor: frazat bosh të deputetëve tanë demagogë i lot në majë të gishtave. Ka raste që nuk e duroj dot më dhe i ndërhyj, për t’ia ndërprerë fjalën”.
-Ndërgjegjia nuk u vret ndopak për këtë gjë? – e pyeta unë.
-Ke të drejtë, por ja që nuk e duroj dot, pasi na e mbyll gojën me logjikën e tij, ai dhe shokët e tij; e s’ke ç’u thua. Ku dreqin i gjejnë ato përgjigje, xhanëm, tak-fak!
* * * *
Përdora për një kohë të gjatë, Shpëtim, çdo mjet për t’i shëruar këta parlamentarë nga këto fiksime ëndërrash, por më kot. I kam hipnotizuar një pjesë prej tyre disa herë, madje edhe duke i këshilluar të harrojnë çdo gjë që u prish gjumin, por më kot.
Dhe atëherë vura re me dëshpërim dështimin e metodës sime, miku im Shpëtim. Madje edhe pse i kam këshilluar deputetët në fjalë, veç e veç, që të shkojnë të miqësohen me kolegët e tyre opozitarë, por ma presin shkurt: “Jo! Kurrë!” Të lënë përshtypjen se janë të frikësuar.
Atëherë u interesova dhe më në fund arrita të fitoj një specializim të mëtejshëm për psikiatri, duke shkuar në …..”, duke përmendur një shtet Perëndimor.

Me kaq e mbaroi tregimin miku im, doktor B.F. U desh të ndaheshim, sepse i erdhi koha për t’u paraqitur në sportel.
Tiranë, 3 prill 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura