BEJTUSH ISUFI: KAFSHIMI FATAL I MARRËZISË!

Prishtinë, 17 shtator 2017: (Skicë për një ese) – Edhe e ndjej, edhe e preku edhe më zë frymën dhe nuk di si ti ankohem dikuj… sepse nuk di si t’ja përshkruaj zbrazësinë? Ndoshta zbarëzësia ime kish mundur të përshkruhet edhe si gjendje e pa peshë, jo si ajo e fizikës, por si mungesë peshe njerëzore, që rëndon, që godet fuqishëm… por përsëri nuk arrin te veshët e askujt…
Zbrazësia ime ka ngjyrën e hirit (atij që mbetet nga zjarri), erën e ka të hiçit, shijen e helmit të gjarprit dhe ngjyrën e gurit. Kuptohet se ajo nuk ka kufij, nuk ka lindje, as perëndim as…as fillim e as mbarim, as hyrje e as dalje, por ka pafundësi të kohës e të hapësirës, të etjes dhe urisë, të krismës dhe heshtjes, të zjarrit dhe ujit, të dritës dhe errësirës…
Në këtë hapësirë të pa anë janë humbur të gjitha kuptimet, drejtimet, motivet, nevojat, ndjenjat, dëshirat, ambiciet, kërkesat, ankesat, pritjet, rëniet dhe ngritjet dhe për çdo pyetje tjetër kam vetëm një përgjigje të zbrazët, me ngjyrë të hirit. Kaherë janë zhdukur; mollët e skuqura, bari i shtrirë, vala e ujit, ngjyrat e vajit dhe vaji i qyqes, retë dhe yjet, qiejtë dhe detet, që të gjitha janë zhytur në këtë zbrazësi, nuk mund të them të madhe sepse thash se ajo është e pakufishme dhe me ngjyrë hiri…
Dikur nuk ka qenë kështu, sepse zbrazësia së paku kishte kufijtë e sajë si dhe gjithçka që i përkiste asaj, si ngjyra, këndet, shija, edhe drita, edhe lëvizja, ndërsa tash ajo është e ngrirë në vetvete, është e mbyllur në heshtje, e vetmuar dhe është shtrirë gjer e gjatë pa anësisë së sajë… Ishte një herë njeriu, edhe dera edhe dritarja, ngjyra dhe zëri, prekja dhe shqisa, ndjenja dhe dëgjimi, tuneli dhe dalja, fundi dhe fillimi, pritja dhe gëzimi, ishte koha dhe drejtimi, e djeshmja dhe mallëngjimi, atëherë ishte edhe drita edhe errësira, qielli dhe yjet, ishte djersa dhe flladi, ishte rrezja dhe hija, ishte kuptimi…dhe shpresa…

E gjithë kjo zezonë filloi të kuptohej vonë, edhe pse kjo herët i kishte shfaqur kasnecët e sajë, më kujtohen mirë disa prej tyre… u tregoja njerëzve diellin e ata i mbyllnin sytë, thonin e kalojmë ne urën sy mbyllur, ose nuk na del ne asgjë në rrugë, ose hajt se… etj. Edhe kur mbyteshin në lumë, edhe kur thyenin pjesë të kokës ata e përsëritnin këtë vazhdimisht, kuptohet përpos atyre që mbyteshin, por këta të tjerët, kokëthyerit, madje e thyenin kokën në të njëjtin lis dhe e thyenin të njejtën pjesë të kokës, kjo shpesh përsëritej për herë të tretë, të katërt…
Pastaj më vonë nuk e mohonin më se dielli nuk ishte në qiell, se sy mbyllur mund ta thyesh kokën, por thjesht të gjitha i pohonin, ndërsa po sa e kthenin kokën ata dhe ato e bënin të tyren, e më vonë filluan edhe të premtonin se në të ardhmen gjithmonë do të vepronin si u thuhej, por as nuk prisnin ta kthenin kokën prej teje dhe ata dhe ato e bënin të tyren. Ndoshta nga mallkimi i Zotit u ishte shlyer kujtesa, kishte filluar amnezia totale dhe kolektive shqiptare.
Para se gjithçka të shkrihej dhe tretej, puna kishte rrëshqitur edhe më tutje… ata të betoheshin jo se do të bënin, por se kishin bërë pikërisht si u ishte thënë, nuk skuqeshin fare për rrenën, përkundrazi krenoheshin me të, i konkurronin njëri tjetrit, i krahasonin rrenat e tyre, organizuan festivalin e rrenës dhe i shpallnin fituesit, i jepnin kurorat, shpërblimet dhe dekoratat… kuptohet për rrenën më të mirë.
Që nga kjo kohë të gjitha ngjyrat filluan të zbehen dhe ngadal ti përpij e përhirta, u zhduken të gjitha njëra pas tjetrës, kishte pllakosur daltonizmi, i cili vinte pas amnezisë, dhe në stadin e tretë e të fundit kishte ikur edhe arsyeja, ajo që e quajmë mendje, sepse as ajo nuk kishte më me çka të ushqehej, ajo mori me vete emrat, kuptimet..këngët, vajin e fëmijëve…, nga e gjithë ajo bukuri e arsyes mbeti vetëm hiri, prandaj prej kah mund ta kuptoj se çka ka mundur të jetë tretur aty, cilat shije, cilat eshtra dhe cilat kohë,… të gjitha i mbërtheu nën nofullat e sajë një zbrazësi monotone nga kafshimet e së cilës u krijua një pluhur i hirtë kozmik që mund ta mbush sërish vrimën e zezë dhe ta kthej Big Beng-un në shtëpinë e tij.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

GJEOPOLITIKË…

Berlin, qershor 2022 GJEOPOLITIKË… (Mbim dhunën e vizave) Nga Rexhep Kasumaj Kisha lexuar herët mbi gjeopolitikën e Polonisë…