DR.MOIKOM ZEQO: TAKIM ME POETIN E MADH SUEDEZ TOMAS TRANSTROMER

Pashtriku.org, 16. 04. 2014 – Vera e nxehtë qe marramendëse, megjithatë në brigjet e Strugës nuk ndihej kaq rëndëshëm dhe në mënyrë rraskapitëse. Struga në një farë mënyrë është kthyer në një pikë poetike, ku prezantohet poezia botërore dhe ku kanë ardhur poetë të shkëlqyer nga të gjithë planeti. Dikur, kjo veprimtari bëhej akoma më e bujshme dhe në një farë mënyre edhe më e kushtueshme. Vit për vit jepet kurora e poetit më të mirë të netëve poetike të Strugës. Këtë kurorë e kanë fituar poetë famëmëdhenj dhe të rëndësishëm bashkëkohorë si Alen Ginzberg, Voznesienski, Mirosllav Holub, Marin Soresku, Iv Bonfua, Sanguineti etj. Fitimi i kurorës nuk është fryt i një konkursi vjetor, por i përzgjedhjes së individualiteteve. Në përgjithësi kjo përzgjedhje ka qenë realiste dhe kurorat kanë qenë të merituara plotësisht. Poetë të shquar nga të gjitha etnitë e botës kanë patur fatin e përfaqësimit. Poetë kinezë, japonezë, rusë, turq, francezë, amerikanë, anglezë, afrikanë etj., kanë ardhur në Strugë dhe në këtë mënyrë kanë njohur një realitet magjik natyror, siç është Struga.
Sipas një tradite të motshme për nder të tyre mbillet një pemë dhe pranë pemës vendoset një obelisk i vogël mermeri me emrat e të kurorëzuarve. Për vitin 2003 kurora ju dha poetit të madh suedez Tomas Transtremer. Prej shumë vitesh e kam përcjellë krijimtarinë e këtij poeti të çuditshëm. Duke qenë shpeshherë nopran e tekanjoz në shijet e mia shpesh kam menduar se dhe poetët mitizohen ashtu siç mitizohet çdo gjë, falë dhe funksionimit të çdoçastshëm dhe të kudogjendshëm të mediave elektronike si dhe të perandorisë së shtëpive botuese, të reklamave të tregut të librit në krejt planetin. Kemi të bëjmë me një tovolli, apo katrahurë të pabesuar emrash, ku shkëlqimet e rreme dhe varaku i ekzibixionizmit dhe lavdërimeve apologjike shpesh ka një karakter mbytës. Është shumë e vështirë të orientohesh në mënyrë të qartë dhe të ndershme në këtë tirani mediatike emrash dhe veprash. Shpesh kam reflektuar që gjithsesi autorët e vërtetë, origjinalë dhe që nuk ngjajnë me të tjerët, e kanë vështirë të vendosin ekuilibër në këtë ç’ekuilibër informacioni. Të arrihet informacioni real do të thotë të kuptohet dhe të strukturohet një hierarki vlerash reale. Kam qenë në disa nga metropolet e botës, ku flitet për letërsinë dhe përurohen vepra. Shpesh jam zhgënjyer nga personazhet e librave bestseller. Fjala vjen kohët e fundit në Shqipëri po bën kërdinë shkrimtarja Daniel Still me librat e saj bestseller. Kur lexova një polemikë të shkrimtarit më të madh bashkëkohor të Amerikës Xhon Abdajkut për rëndomësinë dhe kultizimin e panevojshëm të kësaj shkrimtareje, ndjeva që kriticizmi ende nuk ka humbur dhe se ky kriticizëm funksional mund të luaj një rol dlirësues, madje dhe klasifikues.

Strugë, 2003: Dr.Moikom Zeqo, gjatë takimit me poetin e madh suedez Tomas Transtremer dhe gruan e tij, Monikën.

Megjithatë furia e botimeve si në Shqipëri edhe në botë është praktikisht e pandalshme dhe në këtë rrafsh potencialiteti dhe fuqia thithëse e librit nuk mund të bëjë dot pa arsenalin e organizuar si një makineri e sofistikuar të reklamës, të recensioneve të parapërgatitura, jo nga vlerat origjinale, se sa nga domosdoshmëria për shitje. Ky është një problem jo thjesht artistik, por edhe sociologjik. Kjo ka krijuar një problematikë edhe në shoqërinë shqiptare, por edhe në atë kategori inteligjente të njerëzimit, që quhen thjeshtësisht dhe nga ndonjëherë edhe në mënyrë pezhorative si lexues. Është e vërtetë që lexuesit duket sikur janë pakësuar në botë, por megjithatë ata ekzistojnë dhe do të ekzistojnë. Por jo sipas parimit shkak-pasojë, për të krijuar një raport të deformuar botim dhe lexues. Menutë mendore të gatshme krijojnë sterilitet të të menduarit, si dhe një rrezik humbëtirës për ushqimin e ideve të gjalla dhe sidomos të origjinalitetit modern krijues. Egzistenca e një kritike serioze do të mund të krijonte një lloj institucionalizimi të hierarkisë së vlerave.
Nga kjo pikëpamje mua më duket mjaft interesante, që fituesit e kurorës së “Netëve poetike të Strugës” janë fitues të vërtetë dhe jo të rremë. Nga që e njoh mirë krijimtarinë e Tomas Transtrenerit pata një kurizitet shumë të madh që ta takoja personalisht këtë krijues të jashtëzakonshëm. Në hotelin e madh të Strugës po rrija në kolltukët e hollit kur u shfaq Tomas Transtremer. Kisha dëgjuar që para shumë vitesh, më saktë para 12 vjetësh, poeti kishte pësuar një paralizë. Prej saj kishte pasur pasoja të rënda, i kishte ikur të folurit, i qe bërë e palëvizshme dora e djathtë dhe kishte vështirësi të mëdha në të ecur. Gjithsesi nuk mendoja, që shëndeti i tij mos qe përmirësuar dhe ai mos të qe restauruar trupërisht. Kur e pashë që po lëvizte i ulur në një karrocë me rrota të invalidit, që e shtynte gruaja e tij e bukur dhe serioze, Monika-, ndjeva një tronditje shpirtërore. E takova menjëherë dhe e përqafova. Por detyrimisht fola në anglisht me Monikën, e cila në këtë dyshe bashkëshortore qe e vetmja që përgjigjej. I thashë se jam një poet nga Shqipëria dhe vlerësoj jashtëzakonisht lart poezinë e Tomasit. I thashë Monikës. Gjatë ditëve të qëndrimit në Strugë u takuam disa herë sëbashku, qëndruam dhe diskutuam me njëri – tjetrin. Epiqendra e gjithë bisedave dhe dialogëve tanë qe shprehimisht dhe substancialisht Tomas Transtremer. Personaliteti i figurës së tij qe rrezëllitës, zotërues, i shumëfishtë, i padiskutueshëm. Bëmë disa fotografi me Tomasin dhe me Monikën. Morëm pjesë në konferencën e shtypit që u bë me këtë rast. Komunikimi midis tij dhe Monikës qe i çuditshëm. Tomasi i dëgjonte pyetjet pasi ia përkthente ato në suedisht Monika. Tomasi e ka ditur shkëlqyeshëm anglishten, por si pasojë e paralizës ai ruante në kujtesë vetëm gjuhën amtare, suedishten. Të dëgjuarit e Tomasit qe gjithçka. Ai reagonte ndaj përcjelljes së pyetjeve prej së shoqes dhe në këtë mënyrë qe krijuar një kod gjestesh dhe të disa fjalëve të rralla për të dhënë karakterin pohues, apo mohues të përgjigjeve, që bëhej tashmë prej Monikës, bazuar dhe në njohjen shumë të thellë dhe intime te jetës dhe të krijimtarisë së të shoqit. Ky komunikim tepër i çuditshëm dhe i brishtë kishte krijuar një perfeksion, gjë, që bënte, që tek dëgjuesit të ringjallej një komunikim apo dialogim sui generis.
Vetëkuptohet që Monika mund ta përfaqësonte konvencionalisht poetin e papërsëritshëm Tomas Transtremer. Por në thelb ajo e pasqyronte të vërtetën, që harmonizonte pyetjet me përgjigjet. Unë bëra disa biseda me Monikën e cila tregoi një interes të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Ky poet i madh qe si ato personazhet e mëdhenj të filmave pa zë. Dihet se filmat pa zë bënë një epokë të papërsëritshme, por Tomasi nuk qe as konvencionalisht pa zë. Zëri i komunikimit me anë të gruas buronte nga qënia e tij. Ajo më e çuditshmja dhe më tronditsëja qe se ai shkruan me dorën e majtë ndonëse me vështirësi dhe se mendja e tij ishte e fuqishme dhe se ai kishte krijuar gjatë viteve të fundit libra të rinj poetikë. Dora e majtë bënte çudira te Tomasi, vetëkuptohet që çudirat qenë të vetë Tomasit. Ai rrinte me orë të tëra mbi tastat e një pianoje dhe u binte tingujve me gishtat e dorës së majtë. Kishte krijuar dhe vetë melodi, por dhe disa miq të tij, kompozitorë të famshëm evropianë i kishin dërguar partitura të veçanta, të paracaktuara, që ai t’u binte melodive vetëm me një dorë. Në këtë mënyrë Tomasi kishte krijuar një rekord vetiak dhe se ai mund të qe sot në botë intelektuali i vetëm që sintetizonte në të njëjtën dorë edhe poezinë edhe muzikën. Vullneti i tij është kështu i pamposhtur dhe një dëshmi e plotfuqishme e racës njerëzore.
Nuk ndihej tek Tomasi jeshillëku i njelmët i depresionit, kufizimi i lëvizjes së gjymtyrëve të trupit që ndoshta një shaka e zymtë, por lëvizja e pashtershme e trurit dhe talentit të tij arrinin kështu në një akord madhështor, të paharruar, mësimdhënës për të gjithë ne vdekëtarët e zakonshëm, ankimtarë të mërzitshëm për gjërat më të vogla dhe mediokre. Në këtë kuptim Tomas Trastremer është një hero i pasionit dhe i mbijetesës, i grishjes poetike dhe papajtueshmërisë me plogështinë dhe banalitetin. Tomas Transtremer është mjeshtër i lartë dhe posedues dhe rikrijues i virtytit të thellë. Ai nuk mton që të jetë një mësim morali, ai e tejkalon vetveten, pavarësisht nga të papriturat e fatkeqësisë. Eshtë tepër krenar për t’u përshtatur, është tepër rebel për t’u tërhequr. Kjo këmbëngulje e tij titanike është në raport të drejtë me talentin e tij të madh. Kur u bë ceremonia për mbjelljen e pemës për nder të tij ai u ngrit nga karroca me rrota dhe me dorën e majtë gjithsesi e kapi lopatën dhe hodhi pak dhe mbi gropën, ku u mboll pema. Pikërisht ky moment kur ai e mbolli vetë pemën mendoj se krijon metaforën më të bukur të tij dhe se pema qe e denjë për poetin, kurse poeti qe i denjë për të gjitha pemët e botës, pa harruar këtu në asnjë mënyrë kryepemën e tij shpirtërore, të shkrimit, të rrënjëve dhe të degëve poetike në kohë dhe në hapësirë.
* * *

Tomas Transtromer – Muzikë me duar të paralizuara mbi pjano

—————————————

Tomas Transtromer, winner of the 2011 Nobel Prize in Literature

Por kush është Tomas Transtremer? Duke qenë një emër i madh i artit botëror ai megjithatë është pak i njohur në Shqipëri. Libri i përkthyer nga Natasha Lako është libri më i rëndësishëm për mendimin tim pas librit poetik të përkthyer në shqip të Uollt Uitmanit nga Skënder Luarasi. Kjo tingëllon paksa si këlthitëse dhe si shumë e skajshme. Por unë e them me bindje këtë gjë pa mitizuar, por duke respektuar të vërtetën. Shumë libra poetësh të mëdhenj të njerëzimit janë përkthyer në shqip, madje dhe shkëlqyeshëm. Por asnjë libër nuk është i ngjashëm me nivelin shumë të lartë të imazheve dhe të ideve siç është përmbledhja “Perandoria e barit” e Tomas Transtremer, botuar në shqip. Madje ky libër është më tepër se sa duket, sepse është një sintezë librash të krijimtarisë së Tomas Transtremer. Letërsia suedeze paraprihet nga kultura e skalitjes në shkëmbenj, me skena kultike që para tre mijë vjetësh. Në shekullin II pas Krishtit shfaqen shkronjat e ashtuquajtura “runa”. Mbishkrimet suedeze i ndeshim të shpërndara edhe në Evropë, për çudi edhe në Greqi, gjatë ekspeditave vikinge në Mesjetë. Ajo më e pabesueshme është që një fis suedez i Mesjetës i quajtur Rusi i ka dhënë emrin gjeografik vetë Rusisë (fqinjët finlandezë i quajnë akoma dhe sot suedezët Routsi). Emri i vjetër anglo-sakson Beowul flet për jetën e Skandinavisë e pikërisht të Suedisë. Këngët pagane e kishin qendrën e tyre në tempullin madhështor pagan në Upsala. Në shekullin XII vikingët e Suedisë u krishterizuan. Në 1477 themelohet Universiteti i Upsalës. Mos ta harrojmë se Faik Konica, erudit, e vendos edukimin universitar të Doktor Gjilpërës, personazhit të tij pikërisht në Upsala. Vikingët në Mesjetë kanë ardhur deri në brigjet e Adriatikut, madje dhe të Durrësit. Dy udhëtarë suedezë të shekullit XIII gjatë një udhëtimi në Tokën e Shenjtë në Jeruzalem kaluan dhe në Shqipëri dhe kanë lënë shënime tepër interesante. Suedezët krijuan një letërsi të larmishme. Liriku i madh i shekullit XVII qe Lars Divallius, ai konstruktoi Renesancën dhe krijoi shtratin e lirikës suedeze. Mbretëresha Kristina (1646-1689) qe mike e Dekartit, i cili jetoi në oborrin e saj, madje vdiq në kryeqytetin suedez në vitin 1650. Kaq e kulturuar qe Kristina sa që mbahet si Palada suedeze. Poezia suedeze arriti kulmin e saj me Artur Lundvist ). Në rrethin e poetëve Taobe, Setterlin, Johanson, më i shquari është Tomas Transtremer. Ky poet i lindur në 1931 në Stokholm bëri epokën më të madhe të poezisë suedeze. Në vitet 1956 deri 1960 punoi në Universitetin e Stokholmit në Fakultetin e Psikologjisë, pastaj punoi si psikolog pranë qendrës së rehabilitimit të të rinjve të kriminalizuar. Jeton në qytetin Vesteros ku u dha mbas krijimtarisë dhe shumë shpejt emri i tij mori përmasat e një poeti të madh botëror. Ka fituar shumë çmime letrare dhe ka qenë shumë herë kandidat i çmimit Nobel. Është përkthyer në 35 gjuhë të botës. Unë e kam njohur krijimtarinë e tij gjatë viteve dhe kur mora vesh se ai do të vinte në Strugë, u nisa dhe unë në Strugë me motivin e vetëm për ta takuar atë. Për mendimin tim krijimtaria poetike e Transtremerit përbën majën më të lartë të poezisë evropiane të sotme. Përsiatjet e tij janë jashtëzakonisht të holla dhe të thella. Poezia e tij ka një imazhinizëm të veçantë. Ai rindërton universet me anë të fjalës. Duke perifrazuar metaforat e tij unë mund të them se Transtremer është një krijues gjenial, i plotfuqishmërisë së humanizmit dhe i iluminimit të botës.
Palimpseset i Transtremerit: “Horizont i pafund, diçka duan të thonë të vdekurit që s’hanë, që s’marrin frymë por ende kanë zë, katedralja është si Hëna që bën batica, të zgjohesh është si të hidhesh me parashutë prej ëndrrës, një udhëtar vjen që nga thelbi i mëngjesit, në orët e para të ditës, ndërgjegjja mund ta kapë botën, si dora që shtrëngon një gur të ngrohur nga Dielli, fluturimi i vjeshtës është si një mantel i papeshë, e blertë prej algash është paterica e shpirtit, një burrë i përbërë prej detrash vjen i ngurtësuar, qielli ka vrapuar deri në fibrat që zbresin nëntokë, hapësira e vjedhur është si një gërshet i mpleksur me gjelbërimin, një antizog po këlthet mes boshllëkut të yjeve, të gjitha vërtitjet e rrotave kundërshtojnë vdekjen, një kalorës të rrëzuar e bëjnë një konstelacion në qiell, tani ora tre ecën rëndë si thundrakët, errësira copëtohet në murin e dritës dhe qyteti zvarritet në derën e detit, duke vezulluar nën vështrimin prej teleskopi të një grabitqari, mëngjesi vën ëbravë rrezet e tij dhe dyert e errësirës i hap, ora e dorës ndriçon pa ndërprerje, sëbashku me insektin e rrudhosur të kohës, shkrimtari derdhet në mëdyshje në përfytyrimin e tij atje, ku janë rrugët në të njëjtën kohë shqiponjë edhe mole, në çdo çast gjendet një njeri që sheh gjithçka pa urrejtje, pamundësia e ka ndërruar rrugën, çdo njeri është një derë gjysëm e hgapur që të çon në një dhomë për të gjithë, diku Elyari prek ca susta dhe muri hapet që kopshti të tregojë vetveten, një shaka e vjetër nderet atje brenda po aq e bukur sa një anije e shpejtë, e njohin shijen e jetës njerëzore në përfundim të çdo seriali, poetët Shiki, Bjerling dhe Ungareti lëvizin shkumësin e jetës mbi dërrasën e zezë të vdekjes, revolucionarët dhe reaksionarët jetojnë sëbashku si në një martesë fatkeqe, të formuar nga njëri – tjetri dhe të varur nga njëri – tjetri, por ne që jemi fëmijët e tyre mund ta shkëmbejmë humbjen, se çdo çështje këlthet në gjuhën që ka, tani retorika është e pamundshme, ndjehemi si në një anije që s’na nxë, miq ju keni pirë errësirën dhe jeni bërë të dukshëm, drita rritet ngadalë si flokët tanë, në mesin e jetës ndodh që vdekja vjen për të na marrë masën, vizita harrohet dhe jeta rrjedh, por kostumi është qepur në heshtje, unë eci ngadalë brenda vetes përmes një pylli prej kostumesh të zbrazur, isha në provimin e Univeritetit të harrimit në të njëjtin boshllëk si këmisha e futur për larje, unë nuk jam zbrazëti, unë jam hapja, bregu i ndritshëm hipnoptizon të errëtin, një trumpetë e shurdhët më depërton nga brenda, është zëri i një miku: merre varrin tënd dhe shko!, kam erë Zoti pas shpinës…”.
Imazhet e mësipërme janë tepër tronditëse dhe metaforika kultivon ndjeshmëri të lartë. Bëra disa biseda me Monikën. Dija që dikur Transtremer kishte vizituar Malin e Zi dhe kishte bërë poezi të pashlyeshme për të. I thashë se dëshiroja që të vinin në Shqipëri se Shqipëria mund ta gjallëronte poetin e madh. Monika iu përgjigj pozitivisht kësaj kërkese. Vërtet përse të mos ftohet në Shqipëri qoftë dhe nga qeveria shqiptare ky poet i mrekullueshëm? Aq më tepër që libri i tij në shqip është nga më të goditurit e nga më seriozët. Mbase poeti më i madh i brigjeve të liqenit të Ohrit në të gjithë kohërat, i thashë Matevskit është dhe mbetet Lasgush Poradeci. Poezia shqipe është padyshim e nivelit evropian. Pse mos të organizohet në Shqipëri një veprimtari ndërkombëtare si ajo e Strugës? Pse mos të bëhet në Kalanë e Lëkurësit të paktën një tubim ballkanik, ose evropian i poetëve dhe i shkrimtarëve? A nuk do të ndikonte kjo në lartësimin e vetë emrit të Shqipërisë? Sa shumë gjëra mund të bëhen nëse egziston vullneti dhe këmbëngulja vizionare. Mundet që dhe vetë Tomas Transtremer të përuronte një veprimtari kulturore në Shqipëri. Në çastin e ceremonisë së dhënies së kurorës brenda katedrales së Shën Sofisë në Ohër, ku ka qenë dhe Onufri ynë si funksionar i lartë i Patriarkanës së Ohrit në shekullin XVI, të gjithë mjedisësit ceremonialë prisnin se çdo të bënte poeti madhështor Tomas. Brenda katedrales kishin vendosur një piano. Tomasi u ul në piano dhe me dorën e majtë i ra si magjistar dy melodive të jashtëzakonshme. Tingujt në këtë mënyrë artikulonin zërin e tij të humbur. Këta tinguj falenderonin, ndërsa në realitet falenderuesit ishim ne të tjerët. Muzika kështu shpaloste tërë qënien e poetit Tomas Transtremer duke e shpërndarë në kozmos dhe në brendësinë e qënieve tona


– Shkëputur nga libri “Anima Mundi” i Moikom Zeqos, Ombra 2010.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura