DR.MOIKOM ZEQO: TË VËRTETAT E POLITIKËS SHQIPTARE

Pashtriku.org, 25. 11. 2014 – Të vërtetat e politikës shqiptare flasin ende për një nivel mediokër dhe provincial, ende retrograd të klasës politike, për ekzistencën e një numri të madh të deputetëve gati anonimë, të mediave të klientelizuara, të kuptimit relativist të politikës si improvizim dhe spektakël, si nënkulturë, si gladiatorizëm absurd. Të vërtetat e politikës shqiptare flasin për mungesën e një ekonomie kombëtare rentabël, pa funksionin e partneritetit ekonomik të vetë shqiptarëve, strukturat e kompanive të mëdha telefonike, ose të elektrikut etj., administrohen si monopole, pra mundon frikshëm logjika ekonomike e shoqërisë shqiptare, politika vizionare ekonomike, papunësia është e lartë dhe aspak e justifikueshme, shërbimet sociale në nivele të mjerueshme, sistemi privat universitar, një treg virtual fitimi të parave por aspak të fitimit të gjeneratave të reja të dijes së vërtetë.

***

• Cilat janë të vërtetat e politikës shqiptare?
• A mund t’i klasifikosh rigorozisht të vërtetat e politikës shqiptare në rrafshin e besueshmërisë shkencore, të dijes së saktë, matematikisht të vërtetueshme?
• A janë këto të vërteta të qëndrueshme, afatgjata, apo të zhbëshme, të thërrmueshme?
• A janë fakte kaotike dhe improvizuese të ditës, apo aksioma serioze të historisë?
• A janë të vërteta të të gjithëve, apo vetëm të vërteta të disave, të vërteta të thelbit, apo të sipërfaqes?
• Mbas 20 vjetësh politika shqiptare është ende diletante, apo politikë vizionare?
• Mbas 20 vjetësh a kemi një strukturë politike moderne shoqërore dhe shkencore, apo ende një politikë të lidershipeve klanore, provinciale, koniunkturale, që politikën me institucionet e saj publike e privatizojnë mjerueshëm në emër të fitimit të panginjshëm, të paturpshëm, mizor të klaneve klienteliste që mbiquhen si parti, mazhoranca fitimtare madje edhe publishitare etj.?

Filozofi Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel – Sh.B) ka thënë se “asnjeri, apo epokë nuk mund të vlerësohen nga ato që thonë për veten e tyre”, d.m.th të vërtetat e artikuluara nga vetë politikanët, sidomos për veten e tyre nuk janë të vërtetat e Historisë, ose shkencërisht të artikulueshme përfundimisht. Të vërtetat e protagonistëve kryesorë të politikës janë gjykime virtuale ose për vetveten, forcat politike që përfaqësojnë dhe simbolizojnë, apo edhe për tërë shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Këto gjykime virtuale përsëritshëm, mediatikisht janë demagogji të mëdha, ciklike, hipnotizuese, pra jo të thelbit të së vërtetës. Për shkak të konfliktualitetit bipolar të politikës shqiptare dhe jo të partneritetit të ndërsjellë të domosdoshëm dhe jetik, ka dy lloje të ashtuquajtura të vërteta për të njëjtat subjekte të së njëjtës shoqëri.
Hanah Arendt ka thënë se brenda shoqërisë ravijëzohen pikërisht dy lloje strukturash konceptuale të politikës,
• ajo e politikës publike të partive dhe
• ajo e politikës së vetë qytetarëve,

që shpesh nuk përputhen fare dhe ky është problemi ekzistencial më i ndërlikuar i politologjisë moderne shkencore. Kryesore është struktura e dytë konceptuale, ajo e qytetarëve, gjithmonë me sens opozitar progresiv, më afër së vërtetës shkencore të përjetshme, që lidhet sipas Arendit “me humanizimin e pandërprerë dhe real të politikës dhe të vetë historisë.“ Ky është edhe kyçi i artë i kuptimshmërisë pa ekuivokë, pa dy të vërteta që asgjësojnë njëra-tjetrën, për shkak të autoritetit të së vërtetës së popullit të emancipuar.
Të vërtetat e politikës shqiptare flasin ende për një nivel mediokër dhe provincial, ende retrograd të klasës politike, për ekzistencën e një numri të madh të deputetëve gati anonimë, të mediave të klientelizuara, të kuptimit relativist të politikës si improvizim dhe spektakël, si nënkulturë, si gladiatorizëm absurd. Të vërtetat e politikës shqiptare flasin për mungesën e një ekonomie kombëtare rentabël, pa funksionin e partneritetit ekonomik të vetë shqiptarëve, strukturat e kompanive të mëdha telefonike, ose të elektrikut etj., administrohen si monopole, pra mundon frikshëm logjika ekonomike e shoqërisë shqiptare, politika vizionare ekonomike, papunësia është e lartë dhe aspak e justifikueshme, shërbimet sociale në nivele të mjerueshme, sistemi privat universitar, një treg virtual fitimi të parave por aspak të fitimit të gjeneratave të reja të dijes së vërtetë. Problemet janë të mëdha, kanë prekur varfërimin e popullit deri në nivelin më të ulët ekzistencial. Këto janë të vërtetat kryesore dhe më të rëndësishme të qytetarëve, siç i cilëson Hanah Arendi.
Rreziku më i madh i situatës postkomuniste të vendeve ish-komuniste, sipas mjeshtrit të analizës politike Zbigniev Brzezinskit, është shndërrimi i shteteve të tyre në shtete mafioze, ku korrupsioni i llahtarshëm është përbindëshi që vesh (për fat të keq!) petkun mediatik të politikanëve. Nuk ka shqiptar në këtë vend që nuk e di se korrupsioni i klasës politike ka shkatërruar konceptualitetin e politikës së vërtetë dhe ka njollosur imazhin e Shqipërisë në botë. Kjo është pika e kapërcimit të Rubikonit për politikanët vizionarë, për popullin që nuk e ka humbur shpresën te plotfuqishmëria e demokracisë serioze funksionale. Kjo është substanca inkandeshente e politikës opozitare të qytetarëve shqiptarë dhe vetë opozitës politike të sotme. Kërkohet një ndryshim prej ekuinoksi moral dhe konceptual. Një ndryshim historik dhe demokratik në përputhje me të vërtetat reale, të ndryshme nga të vërtetat virtuale.
Asnjëherë si tani, partnerët tanë ndërkombëtarë nuk e kanë pasur në qendër të vëmendjes korrupsionin skandaloz, buçitës, vetëvrasës të politikanëve shqiptarë. Prova historike më shumë se e partive është ajo e të tërë qytetarëve të ndërgjegjshëm e të emancipuar të Shqipërisë. Konflikti marramendës politik pas demonstratës së 21 janarit, mbas dhunës krejt të panevojshme dhe vrasjes së marrëzishme të demonstruesve viktima, u bë diçka e pabesueshme, groteske dhe surrealiste, një makth arkaik. Konflikti verbal u bë dhe fizik, pra politikanët tejkaluan thelbin e të bërit politikë. Përgjegjësia është e politikanëve dhe jo e qytetarëve.
U deklarua një demonstratë e ligjshme e opozitës me terma ekuivokë dëshpërues, si e drejta kushtetuese e popullit është më e madhe se e partive politike (nuk është aspak e vërtetë, ndryshe do të kishim një bigëzim, ose dy kushtetuta, një për partitë dhe një për popullin), ose tautologjia e pavend për Tunizinë etj. Po ndryshimi qe fatkeqësisht i frikshëm në raport me të tëra demonstratat europiane të kohës së fundit, ku ka edhe dhunë, djegie, plagosje të ndërsjellë por jo të vdekur. Demonstrata më 21 janar krijoi rekordin e zi në rrafsh europian me tre ose katër të vdekur. Dhe kjo është absolutisht skandaloze dhe kriminale. Formulën më konceptuale për këtë situatë tragjike e artikuloi qartësisht ambasadori amerikan (Aleksander Arvizu – Sh.B) në Tiranë: “Nuk ka fitimtarë, por vetëm të humbur”, formulë kriticiste për të dyja partitë e mëdha.
Ky imazh i Shqipërisë, i plagosur egërsisht dhe thirravajshëm nga politika u artikulua nga tërë mediat botërore. Kryeministri e humbi gjakftohtësinë, stereotipoi energjikisht idenë groteske të pavërtetë të puçit dhe grushtit të shtetit (mirë që nuk u quajt katastrofë kozmike) që nuk e beson askush, as deputetët dhe as ai vetë, ide tmerrësisht e kushtueshme dhe para së gjithash e dëmton (dhe e dëmtoi pariparueshëm) pikërisht atë vetë. Kjo ide si kukullat ruse mbartte njëra pas tjetrës shëmbëlltyra të tjera agresive dhe aspak demokratike dhe politike që dalin nga njëra-tjetra si: krijimin e një komisioni fantazmë parlamentar, sulmim ndaj Prokurorisë, SHISH-it si dhe kërcënimin in extremis ndaj vetë jetës së kreut të opozitës. E tmerrshme! Kjo nuk është më politikë, këtu mbaron politika, është ekstrapolitikë, tejkalim i pikëllueshëm i çdo të drejte dhe logjike njerëzore. Armiku më i madh i Kryeministrit është vetë Kryeministri, halucinacioni i grushtit të shtetit është grushtimi i vetvetes, ashtu si politikanizimi i tepruar, i zgribshëm deformim dhe zhbërje e politikës. Paralajmërimi festiv i një antimitingu pakuptim është një antipolitikë e një diletantizmi jashtë kohe (politika nuk është spektakël!).
– Qetësohu Kryeministër!
– Nuk është fatalitet mbarimi normal (kushtetues) i ciklit.
– Qetësohu kreu i opozitës!
– Është ora e opozitës.
– Por kujdes!

Mbi ju qëndron diçka më e madhe dhe sublime: vetë Historia, e vetmja, që gjykon me gjakftohtësi dhe si duhet. Para Historisë ju jeni të përkohshëm, nuk keni ju tagër mbi Historinë, ka Historia tagër mbi ju! Si PS ashtu dhe PD janë dy vlera kombëtare të shqiptarëve të të njëjtit komb. Unë kam qenë kriticist ndaj PS dhe kreut të opozitës për hir të rregullimit të gabimeve shpesh të natyrshme dhe të pashmangshme, të mungesës së një programi të qartë, kundër bojkotit të stërgjatur, sepse e konsideroj servilizmin një tautologji idiote dhe vetëvrasëse në të gjitha partitë, por ky kriticizëm e vitalizon opozitën nuk e plogështon. Kriticizmi katharstik është mrekullia e mendimit të lirë, siç është servilizmi dogmatika e mungesës së vizionit.
Unë e çmoj PS, por çmoj edhe PD, pa njërën s’do të ishte dhe tjetra dhe pa të dyja nuk do të ishte as vetë Parlamenti. Por kriticizmi shkencor i guximshëm nuk ka të bëjë me tjetërsimin dhe imoralitetin e kobshëm politik, as me mercenarizmin klientelist. Kriticizmi i një partie vlen edhe për partinë tjetër. Të dyja elektoratet nuk janë dy popuj kundërshtarë për vdekje, antagonistë të verbër brenda të njëjtit popull po janë në substancë vetë populli. E ritheksoj: vetë populli shqiptar që as nuk mund të tjetërsohet as të shpikë një binjak të klonuar, apo një bedel. Për hir të këtij populli të sfilitur por edhe inteligjent (marketingu i votave nuk ka të bëjë sipas optikës së politikanëve karizmatikë, por aspak vizionarë me substancën e përjetshme të popullit) do të ishte normale që të dy gladiatorët e paepur të jepnin dorëheqje, por mrekulli të tilla ndoshta edhe për 100 vjet nuk mund të ekzistojnë në Shqipëri.
Po çdo të ndodhë?
Bumerangu i politikës vepron. Kthimi jetik tek mjetet politike është enigma e sfinksit. S’ka rrugë tjetër. Kompromisi politik si partneritet. Partneriteti është institucioni më bashkëpërfshirës. Pa partneritet nuk do të kishte Europë të Bashkuar.
Atëherë:
• pse mungon partneriteti jetik, pavarësisht debatit (a)normal politik në Shqipëri?
• A është kjo utopike?
• Kush e thotë?
• Pse e thotë?
• Mos shqiptarët janë budallenj, popull i mallkuar, që nuk kanë aftësi shtetformuese?

Askush nuk i beson më këto përralla shtrigane dhe primitive. Të ashtuquajturit analistë të politikës, përherë të paguar këndshëm (rëndshëm), shumica mediokër, ekzibicionistë dhe narcizistë i kanë kthyer ekranet e TV-e në objekte alergjikë. Kanë kaluar 20 vjet. Pavarësisht të metave Shqipëria ka arritje të pamohueshme. Standardi ndaj opozitë është edhe standard brenda partisë qeverisëse. Nëse i skualifikon dhe margjinalizon deputetët e opozitës atëherë ke bërë të njëjtën gjë edhe ndaj deputetëve të shumicës qeverisëse. E njëjta gjë ndodh edhe në çdo rotacion të pandalshëm.
Opozita e quan Kryeministrin të çmendur.
Gabim!
Kryeministri aktual është një politikan profesionist i zoti, ndoshta më imponuesi këto 20 vjet, pra edhe më problematiku, më i tejkaluari, me besueshmëri të konsumuar, për fat të keq e ka fondamentalizuar politikën si të tillë. Kryeministri e quan kreun e opozitës si kryekriminel, e metaforizon manikeisht si Satanain, me duart e tij Kryeministri e ka modeluar kundërshtarin si një figurë mitike, duke i apostoluar disfatën i ka siguruar afirmimin.
Gabim!
Kreu i opozitës e ka paguar tmerrësisht shtrenjtë me fyerje të demonizuara dhe të egra mungesën e përvojës dhe diletantizmin, me vështirësi, me reflektime, me një qëndrueshmëri të çuditshme, por i sigurt po e mëson politikën profesioniste. Ai është pashmangshëm Kryeministri potencial i nesërm, kjo s’ka asnjë dyshim. Mjaft më me sharje groteske dhe përbaltje të kota. Kthehuni me modesti te politika demokratike. Hiqni dorë nga sloganet e një antikomunizmi të rremë, nga ideologjizime bizantine të ndërsjella. Ky vend nuk ka nevojë për heronj ose antiheronj, as për liderë karizmatikë mbarëkombëtarë, as për martirë, por për kulturë dhe përgjegjësi të lartë qytetare të secilit pa përjashtim dhe jo vetëm të disave të vetëquajtur si mesianikë që janë skllevër të iluzionit efemer dhe të përkohshëm. Një popull qytetarësh të ditur nuk ka nevojë për prijës shumë më pak të ditur se ata.
Në një kryevepër të Bernard Shout (George Bernard Shaw – Sh.B) thuhet: “Mjerë ai popull që ka nevojë për heronj, duhet që secili të mendojë dhe të veprojë si heroi më i përkushtuar në histori, kështu mungesa e heronjve do të emanciponte kohërat dhe popujt”. Përbindëshi apokalitik i korrupsionit i kërcënon dhe i ka brejtur (dhe do t’u brejë) kockat të dyja partive. Krijoni ekipe deputetësh personalitete, jo me anonimë që bëhen publikë nga mandatet dhe harrohen menjëherë mbas mbarimit të mandateve. Mos i privatizoni dhe personalizoni partitë! Shpërdorimi i mjeteve politike është vdekja e politikës. Vdekja e politikës, sipas së paharruarës Hanah Arendit është fundosja dhe shkatërrimi i idesë më të vyer të qytetërimit botëror d.m.th Demokracisë. Kështu do të humbiste humnershëm kuptimi ekzistencial dhe moral i vetë partive. Vetëm pavarësia kushtetuese e institucioneve dhe pushteteve është ekuilibruese dhe pllenuese. Kjo pavarësi te ne është shkelur. Drejtësia duhet të funksionojë më në fund. Do të jetë një proces i ndërlikuar por i pandalshëm dot. Të gjallët edhe harrohen, kurse të vrarët pafundësisht nuk mund të harrohen, drejtësia është paqja e tyre. Demokracia nuk ka nevojë për asnjë viktimë tjetër, jo më për 13 mijë siç deklaroi në mënyrë virtuale një patetik.
Mjaft më me viktima!
Muzeu i marrëzive shqiptare është mbushur plot dhe nuk ka vend për marrëzi të tjera.
Mjaft më!
Siç transit Gloria mundi!
Ringjallu politikë!
Vetëm kështu do të jenë të gjithë fitimtarë dhe asnjëri humbës!
Tiranë, 25. 01. 2011

==========================
Berisha: Rama, skenar per te marre pushtetin me dhune

Demostrata e 28 Janarit 2011

 Ilir Meta – Kush eshte Edi Rama.MP4

Dritan Prifti – Kush eshte Edi Rama.MP4

…………………………………………..

(Iluistrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura