DR.MOIKOM ZEQO: TREGIM PËR DAVID FOSTER WALLACE

Pashtriku.org, 16. 07. 2014 – E befasishme, zbulimtare, epifanike qe njohja me shkrimtarin amerikan David Foster Wallace, magjistari i ndërlikuar, autoritativ i prozës moderne në SHBA. Lindi më 1962 në New York dhe vrau veten më 12 shtator të vitit 2008. A mundet vallë një 46-vjeçar të arrijë zenitin e lavdisë së merituar? Shkrimtari tjetër i madh amerikan Don de Lillo ka thënë për të “David Foster Wallace është njëri nga të paktët shkrimtarë, që mundi t’i zgjerojë kufijtë e letërsisë bashkëkohore, ai është një raketë trishkallëshe në të ardhmen”.  Më 1997, Davidi fitoi çmimin “Genius Grant”, më 1999 çmimin “O’Henry”.
Kryevepra e tij është “Infinitive jest” (Shakaja e pafundme), roman i pazakontë për paradokset dhe kurthet fatale të botës virtuale, për rolin skllavërues të drogës dhe perandorisë brutale të toksikomanisë.
Ai kritikon mitologjitë moderne të ankthit tjetërsues të teknologjisë, modelimit brutal kibernetik, ku njeriu instrumentalizohet.
Për David Foster Wallace, aty ku humbet kuptueshmëria e jetës është bota e rreme e konsumit dhe e manipuluar e reklamës, ndaj ai ngrihet kundër tyre si një ikonoklast i fuqishëm, si një rebel konceptual.
Për të, letërsia është gjeneza e humanitetit kundër tjetërsimit e afirmimit dhe jo e mohimit të vlerave njerëzore.

David Foster Wallace (1962 – 2008)

Në komunikimi tim me postë elektronike me shkrimtarin tjetër të njohur Richard Poewers kam marrë prej tij vlerësimin e lartë për krijimtarinë e D. F . Wallace.
Ja cfarë më shkruan Richard Poewwers :
“Fillimisht, mësova rreth Davidit në anën tjetër të Atlantikut.
Atëkohë, jetoja në Holandë dhe një ditë në fillim të 1988, një holandez, njeri i shquar i letrave më pyeti nëse e kisha parë një roman debutues të një bashkatdhetarit tim, një libër, i cili ishte botuar vetëm pak muaj më parë.
Kur unë i pohova injorancën time, shkrimtari holandez mori atë pamjen – e nderimit të përgjysmë të lexuesit dhe një gazmend gjysmë të ndjerë, se ai përgjithmonë, do i binte të më kishte treguar, i pari për këtë ngjarje. “Ju duhet t’i hidhni një sy”, më tha. “Ka ndodhur diçka atje. Po, dhe… diçka e mrekullueshme”.
I hodha një sy dhe menjëherë, kuptova se njeriu, që më pati folur, kishte pasur vërtetë të drejtë. Diçka kishte ndodhur në të vërtetë, tutje në vendin tim, diçka e sertë dhe si me gazmend, që ngjante pakufi ndjellëse, diçka që mund të thuhet se ishte vërtetë shekspiriane, një diçka e lirë dhe e mrekullueshme bash si ferri-ashtu si ai ferri i përditshëm në zemrën e thyer të vendit tonë.
Libri i tij ndërthurej poshtë e lartë, me ndërfutje të mahnitshme me një si empirizëm rigoroz, një satirë të zhveshur me vajtime të shpirtit. Përmbante dhe lebeti.
Më bëri që ta çaja kanavacën time, të theksoja papajtueshmërinë dhe ambicien drejt një rruge, që nuk kisha pasur guxuar ta bëja më parë
Libri më bëri të kujtoja dhe t’i rikonsideroja të gjitha gjërat e mia të dashura të letërsisë dhe më ka dhënë mua atë shkreptimë të soditjes së letërsisë të rishikuar vetë dhe krejtësisht. Si shkrimtar, më kishte kapur paniku, xhelozia dhe ndjehesha si i plagosur me zilinë.
I ndjeja të gjithë këto gjëra, por shkrepja e habisë më zbuloi peshën e rëndë të gjithë përgjigjeve të tjera.
Kur ky roman i parë i madh është ndjekur menjëherë nga një seri e tij e veçantë me rrëfime, e gjeta konfirmimin tim: Këtu ishte dikush që mund të na mësonte ne të gjithë për pafundësinë e gjërave. Si mund ta ndjeja tashti veten, përveçse të isha plot mirënjohje?
U ktheva në Central Illinois më 1992, tamam kohën kur erdhi dhe Davidi. Të dy ne jetonim tamam poshtë njëri-tjetrit në pjesën e brendshme të Shtetit, por që s’i kishim kaluar rrugët e vendit për gati dy vjet.
U ndjeva i turpëruar me të dhe të dy s’do të ishim takuar kurrë me njëri-tjetrin nëse John O’Brien dhe Curtis White, të na e kishin rregulluar këtë takim. Isha shumë nervoz dhe pak si gojëkyçur në takimin që po ndodhte të hasja këtë mrekulli të epërme të rrëfimit amerikan. Davidi, ishte krejt i pafajshëm, i hapur dhe shumë i gjerë-e shpejt do të na bënte të gjithëve të qeshnim.
E kujtoj atë si tani: ngaqë ishte kaq shpirtmadh me fëmijët dhe shumë i këndshëm për atë që ishim mbledhur, i angazhuar dhe mundohej t’i kënaqte të vegjlit pa asnjë notë paternalizmi apo përqendrimi të shtirur.
Ai vetë kishte diçka të përkorë dhe fëminore si ata, një lloj në mes të Wittgenstein dhe Peter Pan. Ai u shfajësua me pak turp për llojin e cigares që përtypte, edhe pse vazhdimisht e freskonte atë.
Ai fliste shumë më pak sesa shkruante, jashtë një arsyeje të lartë, drejtuar nga entuziazmi për gjetjen e një si lidhjeje të nënkuptuar, që i lidhte të gjithë gjërat. Mendoj se do të kishim qenë më të afërt bashkë për gjithë llojet e gjërave në botë.
Po ai ishte edhe konkurrues.
Ai tha se Willaim Vollman e bënte atë të ndjehej përtac dhe i padisiplinuar. Ai tha se Curtis dhe Carol Maso dhe shoqëria e tyre ishin novatorët e vërtetë; se puna e tij ishte mjerane, ndërsa ato të mirësjella dhe me traditë të kufizuar.
Në të gjithë këtë kuptim të vlerësimit mund të ndieja drejtimin e tij mbresëlënës dhe si të ngritur drejt kënaqësisë.
Por, nëse Davidi ishte jashtë të mirës së çdo gjëje, nuk ishin kaq shumë vlerësimet e tij- për miqtë e tij shkrimtarë, në gjërat që kishin të bënin me gravitetin, entropinë, kohën, topitjen dhe vdekjen.
Ne folëm rreth Nabukovit dhe Borgesit dhe kuptova se ky njeri mishëronte një nga pasazhet e favoritëve të mi në botën e letërsisë dhe se çdo pjesë e tij e shfaqte këtë përgjatë dhe asaj që e shpërfaqi me Pierre Menard, që:Duke menduar, medituar, imagjinuar..dhe ende s’jam anormal-ata duken si një frymëmarrje e inteligjencës. Për të nderuar ushtrimin rastësor të këtij funksioni, duhet të arkëtoj tej çmimit antik dhe mendimeve të huaja, për të rithirrur me një llahtar dyshues atje ku disa doktorë të mendimeve universale, janë për të pohuar topitjen tonë, vetë barbarinë tonë.
Tek Davidi, fillova të shihja diçka që mu bë aq e mirë sa t’i drejtohesha për të kuptuar disa nga idetë si dikush.
Ne qëndruam në kontakt. Pak vite pas këtij takimi, ai më kë dërguar një kopje të përmbledhjes së Infinite Jest .
U ndjeva si Keats duke lexuar Homerin e Chapman. Këtu ishte një nga disa romanet, që më bëri të ndjehesha sesi një shkrimtar i gjallë mund të ishte i ngarkuar drejt një detyre të plotë për të na rrëfyer këtej e tutje: se kush ishim dhe mënyrën sesi jetonim tani.
Ne të gjithë jemi të zhytur në tregje, duke i dhënë vetes somnambulizmin e konsumimit dhe shushatjes edhe pa e njohur atë.
Por këtu në këtë performancë të prozës më hamendëse të ndonjë shkrimtari tjetër të brezit tonë, Dave ka arritur të na ngrejë neve shumë sipër. Infinite Jest ishte momenti ynë i summa dhe ne të gjithë shkrimtarët, që kishim ëndërruar të shkruanim një të tillë libër, tashmë duhet të gjenim diçka tjetër për të bërë.
Jo shumë larg nga dalja e librit, Davidi më thirri dhe kërkoi që t’i bashkohesha atij dhe Curtis për një lexim mirëbërës në Babit Books.
E sikletosa disi, kur i thashë se e kisha disi vështirë të merrja pjesë në lexime, por që do e bëja këtë vetëm për të.
Dikush në librari e afishoi ngjarjen si “The literary Three tenors”, megjithëse nga atëherë që të gjithë në Central Illinois e dinin mirë se cili nga tenorët ishte duke e mbajtur vërtetë melodinë.
Pas një leximi të trefishtë, jam mahnitur me durimin e pakufishëm të David-it dhe kujdesin për të gjithë lexuesit që e nderonin dhe që donin ta monopolizonin atë si mikun e tyre më të mirë.
Ai më dukej mua i rrallë në trajtimin me këdo që e takonte, një burim të një entuziazmi intelektual të pafundmë, njëkohësisht dhe po aq bujar sa edhe një kryevepër e sapo botuar.
Do të kisha dobinë në këtë kohë për këtë pafundësi ndjenje kaq bujare, mbi vitet dhe ajo po më trulloste për t’i marrë parasysh të gjitha.
Lexova sërish me Davidin dhe njëherë tjetër në Santa Fe në Nëntor të vitit 2000.
Isha në skenë me të, nën hijeshinë e bujarisë së tij të madhe dhe kujtesa ime e këtyre pak ditëve në këtë shoqëri më ka lënë mua me sensin e një njeriu për të cilin ndërgjegjja dhe zgjuarsia ishin kompensimet më të mëdha-ndoshta edhe nga antidotet-për qenien gjallë.
Në skenë ai ishte komplet i hapur, pa shtirje dhe si pa mbrojtje.
Jashtë skenës, ai ishte i shpejtë dhe që hante gjithçka dhe shumë i këndshëm në një mënyrë që dukej sikur të cënonte për ta parë.
Në atë moment, ai ishte thellësisht i zhytur në kompozimin librit të tij për Cantor dhe e gjithë ajo që donte-ishte të flisnim për pafundësinë. Kapa vetëm një fraksion të kësaj çdo gjëje që ai ishte duke kërkuar.
Por unë kapa aq mjaft sa të mund të shikoja që të isha më gjerë sesa kisha qenë deri atëherë dhe pas saj.
Nga të gjithë shkrimtarët, që njoh, Davidi merrte pamjen më të egër në atë që ne kishim të shndërruar në motin e rehatisë fundore.
Ai angështohej për mbërthimin e gjurmëve të ecjes sonë, që ishte mbi vetë ne, por çdo frazë e tij virtuoze i rezistonte kësaj ekstaze.
Madje edhe në errësirë, fjalët e tij nuk ndërpriteshin nga kjo sidoqoftë e dëshpëruar, shpenguar dhe disi transcendente.
Kjo ishte arsyeja sepse të huajt e hutuar të panumërt, kur vdiq ndjeheshin sikur ata të kishin humbur vëllanë apo shokun e ngushtë.
Por ne e kishim këtë ngushëllim: një strukturë pune që do të lexohej për aq kohë sa njerëzit duhet të lexonin, me prozën që do të bënte sjelljen në vete të këtyre njerëzve me çdo lloj mundësie dhe më shumë akoma…”
***
Varreza antike e Elsinorit. Varrmihësit. Princi Hamlet. Kafka e gastorit, Jorikut. “Ku m’i ke buzët që më puthje dikur?” Klithma: infinitive jest!
Për Jorikun më parë, për Hamletin më pas.
Kafka me makiazh balte, substanca e komicitetit vdekësor, kalimshmërisë, ironisë së skajshme, fatalitetit pa zhurmë, kafka e zhveshur nga forma prej mishi, që është maskë teatri, kafka, që është forma inorganike, reale, e përjeteshme, e fshehur, fosilare.
Fytyra i takon lëvizshmërisë së rreme, kafka palëvizshmërisë së sigurt. Dy gjendje antagoniste, përjashtuese, që dikur ishin e njëjta gjë, unitet i brishte, i shkurtër, dhe një shpërbërje, po aq e shkurtër.
Por ç’përfuqishmëri që mbart dhe kapërcen këtë shpërbërje?
Kafka e Jorikut. Kafka e Hamletit. Kafka e David Foster Wallace. Kafka e vetë Shekspirit. Amëshimi koleksionon kafka.
Pse Hamleti mendoi të bënte vetëvrasje?
Pse Davidi bëri vetëvrasje?
Kafkat e tyre morën vendime të ndryshme, njëra hezituese dhe tjetra jo. Davidi vari veten, bëri një ndarje midis kafkës dhe trupit, kjo ishte pika gjeometrike e shuarjes, vullnetare, e vdekjes.
***
46 vjeç! Pse jo 56? Pse jo 66? Pse jo 76? Pse jo 86?
***
Që jeta është një shaka e pamatshme kjo s’ka asnjë diskutim. Por edhe vetë vdekja është gjithashtu një shaka e pamatshme.
Kjo ka nevojë për diskutim.
***
A është vetëvrasja e David Foster Wallace vërtetë vdekje? This is the quistion!
***
Si ka mundësi që vetëvrasja e një njeriu, që s’e kisha njohur asnjëherë më parë të më tronditë kaq shumë, kaq thekshëm, kaq pa ngushëllim?
Ndjeja se edhe brenda qenies time të trazuar kishte ndodhur vetëvrasja e tij, jo thjesht simbolikisht, por edhe fizikisht, pra jo një vetëvrasje, por dy vetëvrasje, ndryshimi se Wallace nuk ishte më, kurse unë ende isha, qe një ndryshim koncensional, pra edhe i kotë, madje absurd.
Ç’do të thotë se ai nuk është kurse unë ende jam?
Pse ai shpëtoi nga prangat e natyralitetit, kurse unë ende jam i prangosur?
Pse s’veprova dhe unë si Wallace kur qeshë 46 vjeç, por mjerisht ju nënshtrova rendit pa shpirt të përditshmërisë?
Ai e sfidoi botën virtuale, të rremë, kurse unë jo?
Ky është hamletizmi kaq i diskutuar furishëm dhe formalisht, entuziasshëm dhe pikëllueshëm?
Hamletizmi i Davidit?
Jo i Hamletit.
***
Davidi nuk fjeti tërë natën.
Brenda përbrenda qe kaos, plot ëndrra si emblema të ndryshkura, të shkatërruara, lule të purpurta qeramike të bëra pluhur, stajuja egjiptiane të bëra baltë, teologji prej acidi, banka metropolitane prej marimangash dhe dollarë prej të pëgërash, metaforat si psikikë e deformuar, bestiarët e iracionales, këpurdhat e haluçinacioneve, downtime të përditshmërisë, rënia e perandorisë romake të Un-it, shpellat e kujtesës që janë dhe arenat e skëterrës, rrethi i mbyllur dhe iteratio-ja e alkimisë si një rrugë për t’u bërë ç’ka jemi, ose ç’ka nuk jemi, purgatori i përsëritjes rituale të të njëjtave gabime që përfaqëson një mitologji sotorike në stil individual, riprojektimi i Amerikës së kompjuterave të një breshke e plagosur detare, madhështia e shkretëtirave që janë negativi i planetit dhe trilleve njerëzore, qytetëruese, të vdekurit e kthyer në mineralogji, inteligjencë në të shuar e sipër, rraskapitja e formave, primitiviteti hiperbolik, jonjerëzor i një universi që ikën e kapërcen larg arsyen e vet morale, sociale, ose ekologjike, shfarosje e kuptimit të detajeve dhe qenies, ezoterizmi i zbrazëtirave, shqenderzimi i gjithçkaje, makiazhi i kotë, prej kukulle i funeral homes, format endemike të qelbëzuara, speciet që kanë tradhtuar gjenezën, ndjesia shfytyruese e jorealitetit, Halloween-i i të gjallëve, me të vdekur se të vdekurit, banaliteti i frikshëm si kiç-kulturë, tjetërsimet makabre, e tashmja pa apokalips, pra pa të ardhme.
Davidi u lëkund, mezi qëndronte drejt në këmbë.
Lidhi litarin tek abazhuri në tavan, futi kokën në nyjën e litarit dhe…
Në çastin e fundit i pa disa imazhe të dritësuara në gjysmëterr.
Pa një fëmijë të vogël, të bukur me një shkop hokei në duar, Hamletin nudo me vraga kanceri në trup, me sy të çakërritur dhe të pikëlluar.
David Foster Wallace kuptoi në të njëmijtën e sekondës se fëmija qe vetë ai, në moshë shumë të re, kurse Hamleti sozia, (një nga të njëqind soziet) e tij.
Kjo ishte një vdekje e tjetërsojtë, pa dhimbje të bujshme, pa ceremonira baroke, madje pa asnjë lloj funerali.
….
Gropa e varrit mund të gëlltiste iluzionin e tij, jo atë vetë.

Tiranë, 2009

………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura