VAL D’AGRI SHQIPTAR …

Val d’Agri shqiptar ku qeveria vendos “kurora” me lule për të mbuluar dështimet e saj

Isuf Tushe, Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike

Specialist dhe ish-shef i kabinetit të vendburimeve në ish-Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier

Është një shkrim i diktuar nga intervista e k/ministrit Edi Rama me zv-k/ministren Balluku, para ca gazetarëve, ku ri-deklaruan zbulimin e naftës në Shpirag, pikërishtë një ditë pas turneut të tyre në sondën e shpimit. “. . . sot ne këtu, bashkë me Ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, për të folur për zbulimin e rëndësishëm . . . testi do të filloj në Tetor”! Shprehje pa kuptim, kontraditore, sepse flasin “për zbulimin e rëndësishëm” pa testuar pusin! Sadoqë metodat gjeologo-gjeofizike vrojtuese apo matjet që kryen sot industria hidrokarbure gjatë dhe në fund të shpimit janë të avancuara, të dhënat që ato japin e kanë të domosdoshme ballafaqimin me testin e pusit mbi fluidmbajtjen dhe më pas studimin e tij, për një kohë të mjaftueshme, në mënyrë që specialistët të vlerësojn aftesinë debituese të rezervuarit, vetitë e tij, qëndrueshmërinë e rrjedhjes në kohë, natyrën e fluideve, matjet termobarike, etj. Vetëm pasi janë siguruar këto të dhëna, gjykohet në se kemi një vendburim hidrokarburesh me vlerë ekonomike rentabël apo me grumbullim sporadik të tyre, që në praktikën tonë ka patur disa të tillë dhe sidomos në rezervuarët karbonatik. Këtë praktikë pune nuk e kemi vetëm ne, por tërë industria botërore e naftës. Pra, kjo e bënë të pabesueshëm dhe të parakohëshëm deklarimin e këtij zbulimi në Shpirag nga k/ministri.

Për 2-3 ditë rresht buҫitën ekranet e studiove televizive nga propoganda zhurmuese e qeverisë dhe turma e lëpirsave të saj mbi zbulimin imagjinar të “gjigandit Val d’Agri shqiptar”, të cilën po e vazhdojnë akoma tellallët e saj, kryesisht gazetarë dhe ekonomistë, që flasin me siguri absolute për rezervuarin, teknologjinë, rezultatin, “fitimin” që do marrë shteti, etj., si me qenë gjithologë. S’kishte gjë të re, por këtë propogandë helmuese, që qeveria ka vite që e ka filluar, e freskon ҫdo 2-3 muaj me të njëjtën melodi dhe sazexhinjë që luajnë “veglat frymore”. Këtë radhë është më interesante se aktivizohen dhe ca specialistë që nuk po e hedhin tamam vallen me ritmin e qeverisë, por shumica e luajnë belin aq mirë ashtu siҫ e do ajo, ndërsa ҫifti k/ministror, që kërceu të njëjtën vals, për ti bërë qejfin pensionistëve, pasi ata janë shumicë në Shqipëri se rinia ka marrë gomonet për në Angli, i “siguruan” se dhe këta do e “flakin” tej fukarallëkun me krijimin e Fondit Sovran, sigurishtë nëse SHELL do hedhi ndonjë kacidhe në arkën e shtetit. Tani të gjithë po qetësohen, dëgjojnë tellallët dhe me lugën boshë luten për Shpiragun, ndërsa disa shtete po përgatitin ҫisternat që të importojnë naftë nga Shqipëria se kursejnë transportin, pasi lindja mesme u afrua tani!   

Tani më e kënaqur është qeveria, sepse ndodhej në një pozicion politik shumë të rënduar nga korrupsioni me konҫesionin e inceneratorëve, sterilizimit, check-up-it, vjedhjen e fondeve të BE për bujqësinë, mandatin e Xhaҫkës për grabitjen e pronave si familje investitori strategjik, denoncimet e përditëshme mbi vjedhjen e pasurive hidrokarbure dhe minerare nga politikanët, qeveritarët bashkë me koҫesionarët në vëndburimet ekzistuese, që është pasuria më e madhe e zbuluar nga shqiptarët në 5 dekada të sistemit kaluar me parat e popullit, e plotë afera tjera korruptive që dalin përditë për këtë qeveri. Me këtë shou të fuqishëm mediatikë dhe propogandën e saj, që sigurishtë ka faturën e shpenzimeve nga pas, qeveria ja tërhoqi vëmëndjen popullit nga skandalet e saj tek Shpiragu, por rezultati akoma është larg. Qëllimi ishte për të zhurmuar dhe jo se u zbulua vërtetë vendburimi i paparë, me naftë si e Arabisë Saudite, se qeveria si “konsulente shkencore” e SHELL ka vite që e ka shpallur atë. Unë jamë me kompaninë e cila akoma s’ka të dhëna të plota që ta deklaroj atë dhe të japi verdiktin e saj në se do vazhdoj me konturim-vlerësimin apo do iki andej nga erdhi. Pse qeveria zgjedhë Shpiragun? Sepse ajo e di mirë sa i interesuar është populli ynë për pasuritë natyrore të naftës, gazit, kromit, bakrit, etj., dhe se varfëria e tij, boshatisja vendit dhe pakënaqësia publike në rritje kundër saj, lidhen pikërisht me vjedhjen dhe korrupsionin e tyre. Prandaj me këtë turne zhurmues-propogandistikë-mediatikë, ajo pothuajse e qetësoi publikun, me premtime tepër të ekzagjeruara dhe gënjeshtra, se gjoja vetëm Shpiragu do ndryshoj jetën e tyre dhe jo ato që ne kemi zbuluar!, por ndërkohë i garantoi hajdutët që të vazhdojn të qetë vjedhjen dhe shkatërrimin e vendburimeve. Lind pyetja, kjo ishte zhurma e fundit e propogandës për Shpiragun? JO, ajo do bëhet akoma më e madhe nëse rezultati do jetë pozitiv, sepse aty fillon faza më interesante ku këta hajdutë do ndajnë fitimin me konҫesionarin! Nëse SHELL nuk do jetë i kënaqur me testin dhe ikën, qeveria që tani e hodhi gurin se ai do vazhdoj me kërkimin në Bodard dhe në Dumre po punon Kompania Italiane ENI. Pra, ne s’duhet të mërzitemi se do kemi prapë haeng, por me sazexhinjë të rinjë dhe të mbajmë lugën fortë!    

Që ka naftë në zonën e Shpiragut, këtë e kanë treguar me fakte specialistët e Institutit Naftës që për dekada kryenë dhjetra studime shkencore gjeologo-gjeofizike, analiza laboratorike, etj., projektuan dhe shpuan disa puse, pikërisht aty pranë ku Kompania Shell ka marrë ca barrela naftë dhe gaz, por kërkimi u ndërpre për arsye ekonomike që ҫuan në ndryshim të sistemit politik. Pra, Shelli i mori falas të gjitha studimet tona dhe po shpon puset. Në këtë rrëmujë mediatike edhe me jehonë ndërkombëtare, nga intervistat e specialistëve më bënë përshtypje heshtja e tyre mbi idenë e servirur se ky zbulim është i njëjtë me Val d’Agrin, në Italinë Jugore, i zbuluar në vitin 1991 dhe vënë në shfrytëzim në 1996-tën me 24 puse, që operohet nga ENI me 61%/SHELL 39% të kapitalit. Asnjëri nuk e kundërshtoi me fakte gjeologjike se Shpiragu nuk ngjanë me atë, sepse:  

Val d’Agri është në një zonë tektonikisht të rrudhosur, ka një model strukturor gjeologjik tjetër kurse ne kërkojm strukturë nën një mbihypje të madhe. Me këtë model ne kemi dështuar në Karbunarë dhe Delvinë.

Kompleksi i rrudhosur ku është Val d’Agri ka kontakt direkt me Platformën Apuliane dhe është pjesë e saj, e cila ka influencuar në modelin strukturor, në vetitë e rezervuarit dhe mbushjen e tij me hidrokarbure.

Kjo situatë gjeologjike ngjason me bregun perëndimor gjatë vijës bregdetare nga Vlora në vazhdimin jugor, ku Greqia ka zbuluar naftë në Katakolon (tokë) dhe po e zgjeron në det, prandaj zona e shelfit tonë detar është me interes. Zonat e rrudhosura në kontakt me platformën janë me perspektivë të lartë kërkimi.

Në zonën e Shpiragut, brezi Beratit, që është pjesa më lindore e zonës tektonike Jonike, ne jemi shumë larg influencës së Platformës Apuliane. Ambienti sedimentimit ndryshon, sepse gëlqerorët në Val d’Agri (Kretak–Eocen) janë facie e ujrave të cekëta me influencë të lartë dolomitizimi, përmbajnë lëndë organike që është fosilizuar (poroziteti organik), karakteristika këto të zonave platformike, ndërsa në zonën Jonike kjo facie është e ujrave të thella, prandaj krahasimi nuk qëndron, (Skica më poshtë).

Të bëshë politikë me Shpiragun që po zvarritet 22 vite në kërkim, pas rezultatit të parë në vitin 2001 dhe ta propogandosh atë si Arabi Saudite, kur akoma jemi larg rezultatit për të lejuar vjedhjen e shkatërrimin e vëndburimeve të naftës/gazit, që prodhojn rreth 1.5 milion ton naftë/vit dhe shteti merrë vetëm 2-3% Royalty Tax, kjo është ose ҫmënduri ose keq-qeverisje! Çifti K/ministror, ҫdo 2-3 muaj flet kodra pas bregut, me një fjalor teknik komunikimi në nivel shumë të dobët, i pakuptueshëm, na tregon daltën e shpimit ku njëherë e quajtën “kokat e pompës” dhe tani “kokat e sondës” apo “thyerja e përsëritur e sondave si rezultat i formacionit gjeologjik” dhe broҫkulla të tjera, ndërsa në anën tjetër dalin tellallët e tyre të vetëquajtur “ekspertë”, flasin po me atë fjalor, sepse me të tillë janë mbushur gjithë institucionet shtetërore të rëndësishme të naftës. Kjo është fytyra e kësaj qeverie që predikon “meritokracinë” dhe mbush institucionet me injorantë, servilë, hajdutë dhe mafiozë që vetëm gënjejn publikun, pa u skuqur dhe zverdhur, sa herë qeveria gjëndet keq me aferat korruptive dhe në periudha zgjedhjesh.

Shpërthyen mediat e qeverisë nga propoganda e tyre, kurse për mendimet dhe sugjerimet e specialistëve, nuk pyet njeri, bile kanë urrejtje për këta njerëz të ndershëm që i dhanë kaq shumë Shqipërisë dhe nuk fituan asgjë nga kjo pasuri. Deri tani predikuan teorinë e naftës rëndë bituminoze në vëndburimet tona, se gjoja nuk përdoret për makinat, deri sa ja arritën qëllimit dhe shkatërruan Rafinerinë e Ballshit, pasi i prishte punë oligarkëve tyre. Tani k/ministri, me gjysëm zëri, në vend të ndjesës për gabimet e rënda të tij dhe qeverisë që ai drejton, mohon arritjet në zbulimin dhe shfrytëzimin e pasurive natyrore, ku midis broҫkullave të tij shtoi se: “Për fat të keq për shkak të keq-administrimit, keq-qeverisjes, keq-kuptimit të madh dhe abuzimit historik me burimet tona natyrore . . . ne nuk është se kemi pasur deri tani ndonjë pasuri të jashtëzakonëshme në dispozicion” . . . burimet e shfrytëzuara në vite kanë qënë burime modeste, të keq-përdorura, faktikisht konҫesionet e bëra në të shkuarën kanë qënë skandaloze . . . megjithatë edhe kjo pasuri është keq-shfrytëzuar . . . duke u gjetur përballë situatash kontraktuale të blinduara dhe të pamundura për tu axhustuar . . . ! Skandale dhe gënjeshtra ordinere nga k/ministri, që mohon pasuritë e vendit tij. Hiqet “sikur lindi sot” dhe nuk njehë historinë e zbulimit dhe kontributin e tyre në ekonomi në të shkuarën. Këtë e bënë qëllimisht, që të ligjëroj interesat oligarkike-kolonialiste të qeverisë tij, që vjedhin ato bashkë me konçesionarët dhe që janë më të mëdha se interesat e popullit.

Ju z. k/ministër keni 10 vjet që qeverisni vendin dhe pse nuk ndalët vjedhjen dhe shkatërrimin e pasurive natyrore, hidrokarbure dhe minerare, të pezullonit kontratat dhe të ri-shtetëzonit ato? Pse nuk i keni denoncuar ata para jush për këto abuzime?, por vazhduat lojën e tyre, bile dhe me keq se ata, sepse:

Me ardhjen tuaj në qeveri, pothuajse të gjitha konҫesionet ju i transferuat nga oligarkët e Saliut tek oligarkët tuaj, me të njëjtën tip kontrate dhe pas tyre fshehët “aksionerët” e rinjë të bandës tuaj politike.

Disa nga vendburimet, kompanitë konçesionare i shfrytëzuan, i vodhën sa deshën, nuk i paguan detyrimet shtetit dhe u larguan, atëherë pse qeveria juaj nuk i ri-shtetëzoi ato por i dha prapë me konҫesion tek oligarkët dhe miqët tuaj hajdutë, po me atë tip kontrate? Pra, kontratat nuk ishin të blinduara!

Jo shumë larg, ju firmosët dhënien me konҫesion tek oligarkët tuaj disa vendburime gazi me 1-2 puse në shfrytëzim, pa garë, pa tendër dhe po me atë tip kontrate, si e vlerësoni këtë veprim? Pra, ato 5 kacidhe që shkonin në arkën e shtetit nga shitja e gazit në furrat e bukës, ju edhe ato ja falët privatit!

A keni dijeni ju se sa qeveritarë dhe politikanë nga të gjitha qeveritë, Nano-Berisha-Rama, fshihen si “aksionerë” pas konҫesioneve në vendburimet e pasurive natyrore, që vjedhin dhe ndajnë fitimet me konҫesionarët? dhe nëse nuk i dini pse nuk denonconi në SPAK që të hetoj këtë grabitje?

Mos vallë qeverisë tuaj dhe personalisht ju, gjatë gjithë këtyre viteve, ju ka munguar dëshira për të menaxhuar pasuritë natyrore minerare?, pse nuk i keni dëgjuar mendimet dhe sugjerimet e specialistëve për keq-administrimin e tyre, por keni heshtur? Kush ka përgjegjësi për këtë?

Zotërinj, mund të na thoni sakët kur pritet zbulimi Shpiragut, se vetëm dy pika në rezervuar njihen, një tek puset 1, 2, 4, ku është marrë ca naftë gjatë testimit dhe tjetra në pusin 5 që janë afër midis tyre? Sa kohë merrë shpimi puseve të konturim-vlerësim-shfrytëzimit? a janë mjaftë ato dhe investimet që ofron Shelli në infrastrukturë deri tek shitja e naftës/gazit nëse ai vazhdon, se kontrata me termat e saj mbahen sekret, sa do nxirret, sa fiton privati dhe sa shteti? Pse s’ka transparencë për Shpiragun dhe vendburimet ekzistuese? sepse kompanitë operojn pasuritë që janë pronë publike! Këto janë thënë në disa shkrime nga ne specialistët, bashkë me sugjerimet tona, por qeveria juaj vetëm ka heshtur, nuk ka dashur të na dëgjoj dhe diskutoj me ne për një zgjidhje më të mirë.Rastësisht, nga intervistat e tellallëve të qeverisë tuaj në TV, fiksova pak terma të kontratës, që jepen në skicën më poshtë, ku mund të interpretohet fitimi:   

E “sigurtë” për shtetin është vetëm Royalty Tax prej 10% të naftës që do nxirret, sigurishtë vetëm nëse nuk abuzohet në raportimin e prodhimit, e cila është detyrim ligjor për konҫesionarin që ta paguajë atë për të vazhduar aktivitetin. Kjo tax në SHBA është 12.5% dhe në vende të tjera më shumë.

Konҫesionari që në fillim josh shtetin me vlerën 1% të nxjerrjes naftës, se fitimi në këtë fazë është i ulët, investimi vjenë në rritje më shpejt se fitimi dhe faktori “R” do qëndroj gjatë midis 0<R<1.50. Me shpimin e puseve vendburimi futet tërësisht në shfrytëzim. Në këtë fazë nëse nxjerrja naftës rritet siҫ flitet, investimet gradualisht ulen dhe fitimi rritet. Faktori “R” mundet të kaloj mbi vlerën 1.50 dhe shteti humbet fitimin 1% të nxjerrjes naftës, por merrë përqindjen e njerës nga vlerat në intervalet 1.50-2.00; 2.00-2.50 ose atë mbi vlerën 2.50. Pra, shteti do të marrë vetëm përqindjen e fitimit që i përket vlerës në intervalin e ri, pra 5%, 10% apo imagjinaren 15% të nxjerrjes naftës. Gjasat janë që shteti do marrë 5% fitim se konҫesionari e di fitimin nga nxjerrja naftës dhe llogaritë investimin që të kontrolloj faktorin “R”, pra gjithësej 10 + 5 = 15%.

Ose, maksimumi që mund të fitoj shteti nga nafta që nxirret do jetë 10%-Royalty Tax dhe jo më shumë se 15% fitim, gjithësej 25% të nxjerrjes naftës, shumë i ulët. Bazuar në faktin se koha e shpimit, kompletimit, deri tek vënia në shfrytëzim e një pusi në Shpirag zgjatë mbi një vit dhe me kosto të lartë, faktori “R” do e “shtrydhi” mirë shtetin në vlerën e fitimit 1% plus 10% Royalty Tax, pra gjithsej 11% të nxjerrjes naftës.

Shteti nuk merr asnjë fitim nga gazi shoqërues i naftës dhe kondensatit, por shpenzimet operative dhe investimi për infrastrukturën e tij deri tek konsumatori janë pjesë e paketës së investimit të konҫesionarit që futen në llogaritjen e faktorit “R” dhe vlera tij ulet artificialisht bashkë me fitimin total që merr shteti.

Bazuar në të dhënat e testimit në puset Shpirag-1, 2, 4, nëse vërtetohet zbulimi, ai është gaz-kondensat me kat të vogël nafte. Nga eksperienca jonë, kati naftëmbajtës në vendburimin Cakran ishte rreth 3.5 herë më i vogël se ai gaz-kondensat, pavarësisht se rezervat e konvertuara të gazit ishin pothuajse të barabarta me ato të naftës. Në Delvinë, ku të dhënat nuk janë të plota, kati i naftës interpretohet sa gjysma e atij në Cakran. Nëse kati naftës do jetë aq sa në Delvinë, rezervat janë të vogla. Nëse është i njëjt apo disi më i madh se në Cakran, rezervat e naftës do jenë diҫka më shumë, por shpimi i puseve për të shfrytëzuar naftën me prioritet, në këtë thellësi, rritë kohën e shpimit, puset mbyten shpejt nga ujrat fundor dhe rritet kosto e nxjerrjes, prandaj ai do të përpunohet me puse si vendburim gaz-kondensati dhe naftënxjerrja do zvogëlohet. Gjatë shfrytëzimit në këto dy vendburime, me regjim optimal, raporti gaz/kondensat ishte rreth 3,000 Nm3 gaz/1 m3 kondensat, i konvertuar ky është 3 me 1 dhe në Cakran ҫdo pus nxirrte 250-300 mijë Nm3 gaz/ditë dhe 80-100 m3 kondensat. Në Shpirag flitet se do shpohen 15 puse, atëherë mund të nxirret rreth 3,8-4,5 milion Nm3 gaz/ditë dhe 1,200-1,500 m3 kondensat. Në kontratë gazi i falet privatit dhe ai ndan me shtetin kondensatin sipas faktorit “R”, pra shteti merrë rreth 120-150 m3 kondensat/ditë apo 750-950 barrela si Royalty Tax dhe 1% të tij si fitim nëse faktori R<1.50. Më vonë, mbase për 30 vite, kur puset gradualisht do kapen nga lëvizja e naftës lartë, nxjerrja saj do rritet por do ulet sasia gazit dhe kondensatit, do rritet kosto e nxjerrjes dhe shteti aq do marri prapë. Atëherë fondi sovran nuk nevoitet!     

Pra, vërehet se loja vazhdon me faktorin “R” dhe luhet midis privatit dhe hajdutëve të qeverisë, ndërsa për ekonominë dhe popullin faktori (R = Fitimi/Investimi) është bërë një gangrenë që po grabitë gjithë pasuritë tona natyrore, ku shteti ligjërisht ja falë ato privatit. Duket sikur gjithë fitimin e merrë privati, por me qeveri të korruptuar ai ndahet midis tij, “ekspertëve” që përgatitën kontratën dhe firmëtarëve të saj. Në këtë kontratë, me aq sa shikoj apo sa dëgjova, nuk bëhet fjalë për ndarje prodhimi 51/49% në favor të shtetit, por ministrja me gjysëm zëri tha se tatimi mbi fitimin është përcaktuar 50%, me siguri pasi shlyhet investimi. Vetëm tek ne ndodhin këto ҫudira që falim pasuritë natyrore dhe shteti vjelë vetëm Royalty Tax, 2-3% deri në 10% dhe privati jo më pak se 90% të fitimit. Pra, me këtë kontratë dhe me këtë qeveri të korruptuar, SHELL duhet të jetë më se i kënaqur dhe s’ka pse abuzon, se këtë fitim nuk e merrë dot në asnjë vend të botës dhe s’ka pse ngutet që ta vërë sa më parë vendburimin në shfrytëzim duke investuar miliarda, ndërsa kështu investon pak nga pak në ecuri, mund ti rritet pak kosto por fitimin e ka më të lartë sepse e kontrollon me faktorin “R” dhe paguan më pak Royalty Tax. Sa për bonuset apo ndihmat e SHELL në zonën për rreth, që flasin me të madhe tellallët dhe qeveria, ato janë vetëm ca thërrime krahasuar me fitimin që ai do marrë nëse zbulohet. Kacidhet që hedhin kompanitë konҫesionare për të ndërtuar ndonjë copë rrugë apo shkollë, i përdorin që të fitojn kredite nga komuniteti për rreth, i cili mund ti prishë punë nëse ato lënë pasoja gjatë aktivitetit tyre. P.sh SHELL, ka humbur një kontratë kërkimi për naftë/gaz në Bregun e Egër të Afrikës Jugut për shkak të denoncimit në Gjykatën e Lartë nga komuniteti për rreth, e cila e pezulloi atë se SHELLI nuk ishte konsultuar me ta por me drejtuesitë shtetëror dhe nuk kishte marrë parasysh dëmin që mund të shkaktonte në jetën e banorëve, bizneset e tyre dhe ndryshimet klimaterike. Pra, nga Val d’Agri ynë, shteti nuk fiton më shumë se sa “fiton” nga vendburimet ekzistuese. Do hapen ca vende pune për roje tubacionesh, siҫ ndodhi me TAP-in dhe mund të krijohet një Patos-Marinës e dytë, siҫ jepet në video!

https://l.facebook.com/l.php?u=https%3A%2F%2Fwww.bing.com%2Fvideos%2Friverview%2Frelatedvideo%3F%26q%3DTe%2520dhena%2520mbi%2520Vendburimin%2520Val%2520D%25E2%2580%2599Agri%2520ne%2520Itali%26mid%3DC83B9056D4829B51E466C83B9056D4829B51E466%26FORM%3DVRDGAR%26fbclid%3DIwAR0aUpVWfOPTHMgnh7y36LhMHZn4AXi_2mYpAk2GfyGex7ADt3O6yP2RNm8&h=AT1PtGh1Z8zVi3tynrSfa6Vh4mjGBvG0O6buwib22O3YqEHAFlijzz50cuucJXLNX4z0o2qgEPcX-3LJblnh583FkIaoXhfDz1b6D0AhYwakJK8hN23aG6UcppjuvyhSekH2ajXcffEPN-5jCNDyDQ

Të komentojm ca fragmente tjera kryesore nga kjo intervistë, ku broҫkullat dhe ekzagjerimet e tyre janë pafund dhe nuk mund të trajtohen të gjitha në një shkrim. Midis të tjerash ata theksuan se: “ . . . nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë, është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë . . . është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite . . .”. Zotërinjë, ne specialistët dhe naftëtarët e thjeshtë, i njohim mirë cilësitë e naftave në vëndburimet tona. Kemi zbuluar vendburime gazi kondensat me brez nafte të lehtë në Cakran-Mollaj, Delvinë, në ranorët e “Suitës Bubullima” dhe naftë e lehtë në ranorët e “Suitës Marinëza” në vendburimin Patos-Marinës-Kolonjë, në atë të Kuҫovës deri në zonën e Poshnjes, në Pekisht-Murriz dhe në Drashovicë. Kondensati kishte 60-70% fraksione të bardha kurse naftat 30-40% dhe pak bitum, etj. Në vendburimet tjera është zbuluar naftë e rëndë me përqindje të lartë bitumi dhe më pak fraksione të bardha, etj. Të gjitha i rafineronte Uzina e Ballshit, e cila siguronte një gamë të gjërë nënprodukte me cilësi të lartë, por Berisha e privatizoi atë, ndërsa ju e shkatërruat dhe e ҫuat për SKARP, sepse ashtu donin oligarkët e qeverisë tuaj, kush ka përgjegjësi ligjore për këtë?

Gjatë turneut tuaj në sondë nuk pamë ndonjë prezantim të veҫant, siҫ u shprehët ju se: “kemi parë një vepër ekselence . . . punën ekselente që ka bërë një kompani ekselente, siҫ është SHELL”. Sondat e kërkimit janë të paisur me aparate vrojtimi, laboratorë, etj., që regjistrojn gjithë informacionin gjeologo-teknik gjatë shpimit dhe ka specialistë që interpretojn atë në ecuri që të parashikojn ecurinë e pusit dhe  korigjojn projektin e tij, kjo bëhej dikur edhe në sondat tona. Nuk pamë asgjë të prezantohej për ju si drejtues shteti që edhe ne të gjykonim mbi rezultatin e pritshëm, por ju deklaroni se janë secret! Ato nuk janë më secret se studimet tona i ka në përdorim SHELLI dhe për ne ato qënkan sekret! Ata treguan vetëm prerjen e gëlqerorëve në sipërfaqe rreth pusit dhe folën se kjo është ajo që shpojm në thellësi. Ne specialistët e institutit, e kemi studiuar në ҫdo metër prerjen e Shpiragut, Këlcyrës nga Tepelena në Përmet, Kremenarës deri në Poҫem, Sarandës, etj. Kemi bërë analiza dhe studime të detajuara mbi rezervuarin, mbulesën flishore, shënjat e naftës, etj., sepse rreth tyre kemi zbuluar vendburimet dhe të gjitha këto “ekspertët” tuaj ja falën SHELLIT, ndërsa për ne të dhënat e puseve në Shpirag qënkan sekret!         

Sa për teknologjinë që përdor SHELL, ju deklaruat se: “. . . aty Kompania ShELL ka përdorur teknologjinë më të fundit . . . ajo që po bëhet në Shpirag është fjala e fundit në industrinë gaz dhe naftënxjerrëse botërore” apo siҫ fletë ministresha juaj që nuk ka njohuritë elementare mbi naftën, ku nxënësitë ato i mësojn që në klasat e 8-vjeҫares, kur thotë se “. . . ndarja e këtij produkti . . , i cili ndahet në 3 nënprodukte, pra gazi, nafta dhe acidi sulfurik . . , etj.”  Ne specialistët, që kemi studiuar për naftën por dhe nga eksperienca në shfrytëzimin e vendburimeve, dimë se gazi dhe nafta kanë squfur dhe jo acid sulfurik, por ja që nga ju “shkencëtarët e qeverisë” ne do mësojm shumë gjëra. Zotrinjë, pas zbulimit të vendburimit Cakran, shteti asaj kohe bleu një sondë të thellë, vërtetë ishte uzinë dhe u montua në pusin Cakran-39 me projekt gjeologjik për të provuar fluidmbajtjen e gëlqerorëve në nivele më të thella se ato më sipër. Në ecuri, me ndërhyrje nga lartë projekti u anullua dhe pusi kaloi në shfrytëzim. Pastaj, sonda shpoi pusin Ardenica-18, 6,700 m i thellë, në prerje gjeologjike të komplikuar. Pas saj, u blenë edhe rreth 10 sonda tjera, për shpime deri në thellësinë 5,000 m. Kulla e njërës prej tyre, që nuk u përdor, ka vite që dergjet në Kuҫovë se s’ka projekt kërkimi pasi institutin e mbylli Berisha në vitin 2007 dhe specialistët ikën nëpër botë. Nëse ju bëni fushatë zgjedhjesh në Kuҫovë, për merak ҫoni një tufë lule atje. Në atë kohë, uzinat mekanike të naftës, prodhonin sonda me kapacitete të ndryshme dhe kishim një park me mbi 80 sonda që shponin një metrazh të madh në vendburime dhe në fushat e reja për kërkim. Të gjitha këto Berisha i ҫoi për SKARP dhe duhet të përgjigjet ligjërisht. Për teknologjinë le të flasin specialistët e shpimit.

SHELLI dhe simotrat e tij, s’kanë sonda, as brigada shpimi, as inxhinierë, ҫdo gjë i marrin me qira dhe kosto e tyre tepër e lartë rëndon mbi konҫesionin. Ato kanë vetëm parat ose marrin kredi në banka dhe grupe projektimi me specialistë. Atë teknologji dhe specialistët ne i kishim. Megjithatë ashtu si Shelli, ato mund ti merrte me qira edhe Albpetroli dhe e shponte vetë Shpiragun, Velҫën, Dumrenë, etj., me shpejt dhe me kosto disa herë më të ulët. Projektet ishin përgatitur nga specialistët tanë, por “Shelli ynë” është plotë me patronazhistë, drejtohet nga hajdutë që nuk mendojn për naftën por si të vjedhin. Nëse Albpetroli administron vendburimet, fitimet janë mjaftë për të investuar në kërkime dhe s’ka nevojë për investime nga shteti. Pra, ri-shtetëzimi është emergjensi kombëtare se këtë pasuri po e vjedhin oligarkët bashkë me hajdutët që kanë fshehur qeveritë si “aksionerë” dhe konҫesionarët. Mos na duket e veҫantë teknologjia e SHELL, ajo është një sondë normale, shpoi një pus vertikal me kosto tepër të lartë dhe në një kohë të gjatë. Me atë “kokën e sondës” që është daltë me diamant, Shelli shpon 2 m/orë në gëlqeror, kurse ne me daltë të zakonshme shponim 2-3 m/orë. Pra, teknologji e fundit nuk janë vetëm sondat, por eksperienca që sjellë rendiment, shpimi dhe orientimi pusit në rezervuar deri tek kompletimi tij me kosto të ulët. Sot shpohen puse 4,000 m horizontal ose kaҫub në rezervuar dhe bëhen ҫarje hidraulike me presion të lartë. Ky pus nuk është i tillë. Me këtë kosto, Albpetroli mund të blinte 10 sonda, do shponte 10 puse njëherësh, pastaj edhe po ti ҫonte ato për SKARP prapë do dilte me fitim dhe naftën dhe gazin që do nxirrte do e merrte vetë 100%. Pra, ju zoterinjë qeveritarë, që nuk mbani këshilltarë specialistë të fushës në institucione, por hajdutë, servila dhe “ekspertë” që nuk janë marrë kurrë me naftën, jeni kthyer në një grup humoristik!

_____________

TË VËRTETAT QË S’MBULOHEN ME INTERVISTA MAFIOZËSH … 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura