DR.MOIKOM ZEQO: ZGJEDHJET E LIRA DHE CENSURA E FILMIT

Tiranë, 19 prill 2017: (Intervistë dhënë Besim Cengut)
– A ka krizë politike?
Pa dyshim që ka krizë politike.

Kriza politike është e përhershme dhe e vijueshme. Kriza politike nuk është asnjëherë paradoks. Kriza politike është gati-gati një normalitet. Ç’do të thotë krizë politike? Debat, mosmarrëveshje, luftë politike midis partive, pra një gjendje intensive e ideve, “luftës së fjalëve” etj.
Është kusht kriza politike për të arritur në ndryshime të skajshme siç është p.sh kërkimi i “Qeverisë Teknike”? Jo nuk është kusht. Kriza politike nuk do të thotë se ka një krizë konstitucionale. Kriza politike nuk do të thotë prishje të numrave kushtetues për ndryshime apo rrëzime qeverish legjitime. Derisa numrat kushtetues janë ende në fuqi, relativizmi i tyre me anë të thirrjeve patetike nuk ka vlerë sepse të dëshirosh një gjë nuk do të thotë ta ndryshosh atë.
Këto janë një ABC e thjeshtë e politikës, janë disa të vërteta që mund të quhen Abetarja e Politikës. Tjetër është kriza konstitucionale e cila kërkon një zgjidhje të një lloji adekuat.
Kriza politike nuk ka kufi kohor. Çdo parti që humb zgjedhjet ka të drejtë të kërkojë rrëzimin e partisë që fiton zgjedhjet. Por kjo luftë bëhet në rrafshin mendor, pra është një luftë ligjërimore, ku përjashtohen veprimet mekanike të dhunës apo shkeljet e mandateve kushtetues. Kriza politike mund të amplifikohet ose të qetësohet sipas interesave të partive kundërshtare.

Në rastin konkret ne jemi dëshmitarë të një lufte politike e cila nuk paraqet diçka origjinale.
Protesta e opozitës, më saktësisht e PD-së në Çadrën në bulevard, siç e kam quajtur dhe në një shkrim të mëhershëm, është një sindromë e imitimit. Të njëjtën gjë ka bërë Berisha kundër qeverisë Nano. Bëri protesta të vijueshme sipas një kalendari ditor në sheshin Skënderbej. Por nuk arriti asgjë. Diçka tautologjike bëri dhe Rama kundër qeverisë Berisha. Madje protesta shumë më të forta. Rama bëri një bojkot prej 9 muajsh të Kuvendit. Bëri dhe grevën e urisë në vendin ku është tani Çadra e PD-së. Pothuaj nuk arriti asgjë. U desh darka në restorant Krokodili si një alibi për të dalë nga një çark i vetvetes dhe për të bërë ndryshimin e dëshiruar vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të përgjithshme politike. Basha gjithashtu imiton edhe Berishën e dikurshëm, por edhe Ramën e dikurshëm.
U bë një kohë relativisht e gjatë që fjalori politik i ditës është pasuruar me togfjalëshin “Çadra e Lirisë”. Metafora e Çadrës nuk e di pse më kujton diçka nga kultura e nomadëve në shkretëtirë. Nuk është çadra që i fuqizon idetë. Idetë kontestuese mund të bëhen edhe në çadër, edhe në ndonjë shesh të ndonjë qyteti tjetër, edhe në shtypin e printuar, edhe në rrjetet sociale dixhitale. Domethënë kudo. Fuqia e ideve nuk varet nga ngujimi në një pikë të caktuar hapësirore, por nga semantika e tyre e së vërtetës.
Të ngresh një Çadër për ta sakralizuar si vendin e një harakiri politik nuk më duket një ide qytetëruese. Por ajo që më shqetëson është pse opozita e bën këtë gjë? Le të marrim postulatin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Të gjithë shqiptarët e dëshirojnë këtë gjë. Në radhë të parë e dëshirojnë votuesit e elektorateve të majta e të djathta apo të qendrës, me parti ose pa parti. Pra është një çështje substanciale e qytetarëve në përgjithësi se sa e partive. Ka qenë pikërisht në historinë e këtyre 26 viteve PD-ja që ka manipuluar rëndshëm dhe në mënyrë skandaloze institucionin e zgjedhjeve të lira. Askush në mënyrë aprioristike nuk mund të thotë se një Qeveri Teknike garanton Urbi et Orbi zgjedhjet më të lira dhe të ndershme. Dhe në vendet e qytetëruara me demokraci shembullore siç është Amerika flitet për standarde të përgjithshme të zgjedhjeve të lira ndërkohë, që zërat për manipulimin elektronik, të deformimeve numerike të hakerave kibernetike, madje dhe të huaj siç thuhet, rus etj., janë shumë të pranishme në zgjedhjet e përgjithshme politike amerikane të vitit 2017.
Nuk besoj që Shqipëria të kërkojë një rekord për të tejkaluar dhe Amerikën në këtë pikë. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë një kauzë e të gjitha partive, por para së gjithash janë kauza e qytetarëve.
Po nënvizoj këtu tejet të rëndësishme dhe të patjetërsueshme. Ligji kushtetues për zgjedhjet e lira, të përgjithshme politike është një ligj detyrues, nuk është një ligj fakultativ. Ky është një ligj detyrues për shtetasit. Pra një ligj kryesor për qytetarët. Për qytetarët me parti, pa parti, me bindje religjioze ose jo, me mentalitete nga më të ndryshmet, me formime kulturore të pastandartizuara, të niveleve të ndryshme etj. ky nuk është një ligj për partitë. Po të ishte një ligj vetëm për partitë, atëhere ky do të ishte funksional vetëm për partitë dhe anëtarësitë e tyre.
Ky ligj nuk i vë partitë mbi votuesit por bën pikërisht të kundërtën: i vë votuesit mbi partitë. Pra të drejtën e ndryshimit të peizazhit politik, të raporteve politike nuk e kanë politikanët, por e kanë votuesit të cilët nuk janë politikanë. Ata delegojnë fuqinë e sovranitetit të popullit sipas shprehjes lapidare të filozofit francez Ruso tek përfaqësuesit e zgjedhur, të cilët në këtë rast kanë karakter simbolik, kanë mandate të përkohshme dhe nuk mund të jenë të përjetshëm.
Në të gjitha debatet e bëra në media, por dhe nga kryetarët e partive nuk e diskutojnë çështjen në këtë pikë inkandeshente.
Kjo të bën të dyshosh dhe të bën gjithashtu të mendosh me skepticizëm për nivelin e ulët të kulturës kushtetuese të politikanëve tanë. Le të marrim tezën tjetër akoma më të bujshme dhe retorike, atë të krijimit të “Republikës së Re”. Në mënyrë mesianike Basha tha se nuk e mbante më sekret por e shpërndante si një të vërtetë mesianike faktin se ai ishte caktuar ndoshta nga Providenca për t’i udhëhequr shqiptarët (vini re, në këtë apelacion ai nuk thotë thjesht PD-në, por tërë partitë dhe qytetarët) drejt ndryshimit epokal të shndërrimit të Republikës së Vjetër në një Republikë të Re. Kjo të kujton për analogji krahasimtare vargjet biblike të Zbulesës, domethënë të Apokalipsit, ku flitet për shkatërrimin e Tokës së Vjetër dhe Qiellit të Vjetër dhe bërjes së Tokës së Re dhe Qiellit të Ri, gati sa nuk shtohet dhe togfjalëshi i nëmur dhe i kritikuar kaq shumë i Njeriut të Ri. Sepse Republikën e Re do ta përfaqësojnë qytetarë shqiptarë me vetëdije të ndryshme nga ata që kanë jetuar dhe kanë përjetuar Republikën e Vjetër.
Rrallëherë mund të ndeshësh një konfuzion kaq të madh të nocionit të gjërave si në rastin e kërkesës utopike të Republikës së Re.
Është tjetër gjë kritika për establishmentin aktual të politikës. Kjo kritikë është diçka reale. Madje dhe imediate.
Por Basha i takon establishmentit të vjetër të politikës.
Është e vështirë që ai të lozë një rol të tjetërsuar, të shpërthejë dhe të dalë përtej rrethanave zotëruese.
– Duke e parë me një sy gjakftohtë, madje shumë të qetë, por jo indiferent, atë që po bën opozita shqiptare sot, të bien në sy disa gjëra gjithashtu tejet kontradiktore.
Së pari, opozita është subjekt kushtetues legjitim dhe përbën institucion të dytë dhe paralel me qeverisjen e vendit. PD-ja ka qenë parti qeverisëse. Duke qenë sot në opozitë ajo nuk e mohon dot historinë e saj të mëparshme. Të gjithë do dëshironin, unë e kam shprehur shumë herë këtë gjë, që Shqipëria të kishte një opozitë të vërtetë dhe të fortë. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë të institucionalizohej një opozitë serioze. Më duket e pamend, e pakuptimtë që është vetë opozita që deklasifikon, brishtëzon dhe formalizon nocionin kushtetues të opozitës. Pra opozita në vend që të forcojë vetveten hyn në një lojë kundër vetvetes. Kjo është shumë e çuditshme.
Së dyti, lufta e opozitës kundër Ramës dhe koalicionit qeverisës ka karakter legal. Pra është publike. Ç’do të thotë publike? Do të thotë që në kryeinstitucionin më publik që është Kuvendi i Shqipërisë ajo ka të drejtën absolute të zërit, të kundërshtimit dhe të nismave të saj juridike dhe politike njëkohësisht. Të shmangesh nga tribuna e Kuvendit për t’u shprehur në një çadër më të madhe në bulevard nuk më duket se ndryshon ndonjë gjë të madhe në karakterin publik të ideve të opozitës. Të ngujohesh në çadër si formë e një bojkoti ndaj Kuvendit është një marrëzi e paparë. E tillë qe edhe për bojkotin e stërzgjatur të PS-së gjatë kohës që ishte në opozitë.
Së treti, opozita në diskursin politik i ruan dhe duhet t’i ruajë të tëra parametrat kombëtare dhe ndërkombëtare. Është hera e parë që gjatë këtyre 26 vieteve të tranzicionit shqiptar që opozita luftën kundër qeverisjes (subjektivitetit kombëtar politik) ta intensifikojë si luftë kundër ndërkombëtarëve. Diçka të ngjashme dhe të marrëzishme ka bërë dhe Berisha në vitet 96-97. Por asnjëherë nuk është artikuluar si në rastin e tanishëm që Basha – dhe kjo gjë më habit me të vërtetë, – qëndrimin e ndërkombëtarëve kundër bojkotit politik dhe për pjesëmarrjen normale në zgjedhjet e përgjithshme politike ta quajë gati si një komplot mafioz ndërkombëtar, gati si një veprimtari malonike të një reaksioni botëror kundër opozitës shqiptare.
Ky ndërkombëtarizim i kriticizmit patetik të opozitës është jo vetëm i tepruar, por krijon kushtet për një izolim dhe destruktim të tmerrshëm të vetë opozitës. Ç’do të ndodhë? Ne dëgjuam çfarë tha Ministri i Jashtëm gjerman apo dhe Ministri i Holandës. Ndërkombëtarët janë për pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhjet e përgjitshme politike. PD e tejkaloi kufirin kohor të regjistrimit. Deklarata për të mos marrë pjesë deri në fund në këto zgjedhje përveç heroicitetit të rremë dhe të bujshëm nuk të çon asgjëkundi.
Le të arsyetojmë para rrafshin formal. PD-ja me të vërtetë nuk merr pjesë në zgjedhjet e përgjithshme politike. Kjo do krijojë një problem etik që në rastin konkret është dhe problem politik. Mund të prishen zgjedhjet (gjë që nuk e besoj). Por dhe partia tjetër ka të drejtë të bëjë të njëjtën gjë, por në pikëpamjen formale. Në një raund tjetër ajo mund të deklarojë që nuk merr pjesë në zgjedhjet e përgjithshme politike. Atëherë çdo gjë shndërrohet në historinë bizare të kungulleshkave.
Të gjitha këto ide që përmenda më sipër janë alibike dhe të kujtojnë kukullën ruse të matrioshkave, të imazheve që dalin nga njëri-tjetri, por në thelb janë e njëjta gjë. A di të ketë një zgjidhje reale të këtij problemi? Gjithmonë ka patur zgjidhje reale të problemeve, qoftë dhe me një vonesë relative kohore.
Lufta kundër ndërkombëtarëve, më saktë kundër partnerëve ndërkombëtarë, nuk ka kuptim. Nëse ne kërkojmë integrimin juridik edhe në BE si mundet të luftojmë me përfaqësuesit e BE-së duke fantzmagorizuar si anëtarë të një komploti të rrezikshëm kundër opozitës apo kundër edhe vetë Shqipërisë?
Gjatë këtyre viteve të tranzicionit ne kemi pasur vite të ngërçeve të mëdha. Mos harrojmë në 1997. Mos harrojmë edhe vitin 1998.
Por ja që pati zgjidhje edhe për këto katrahura të mëdha. Kështu do të ketë zgjidhje edhe për katrahurën e sotme.
Po kujtoj një varg në latinisht të Virgjilit: Hic locus est, partis urbi se via findit in ambas! Që në shqip do të thotë: Këtu është vendi ku rrugët shpien në dy drejtime!
Mbas kaq shekujsh ky varg virgjilian ka një kuptueshmëri aktuale dhe për ne shqiptarët. Ka vetëm dy drejtime për ne: ose do të bëhemi një vend me qytetërim politik dhe i integruar me Europën dhe botën, i emancipuar dhe zhvilluar, ose do të mbetemi një vend me botëkuptik provincial, agresiv, retrograd, primitiv dhe kanunor.
Shpresoj se populli shqiptar është shumë i qartë se çfarë rruge do të zgjedhi.
Nuk kam dyshim, se populli shqiptar është më i iluminuar, më i qartë sesa vetë partitë politike të Shqipërisë.
– Në të vërtetë situata e Shqipërisë është problematike. Kjo gjë nuk klasifikohet thjesht nga sarkazma luçiferike e opozitës por as nga ligjërimi politik solipcist dhe i mbiarritjeve të mëdha.
Basha e konsideron Ramën një “peshk blasfemik”. As më pak as më shumë. E fshehta hipnotizuese e ligjërimit të Bashës të kujton deri diku një jakobinizëm të djathtë ose edhe një lloj kaligulizmi politik (dikur perandori romak Kaligula u shpreh se do të donte që bota të kishte vetëm një kokë dhe ai ta priste atë).
Domethënë tërë aksioni politik i Bashës është kundër një njeriu: të zhduket nga skena politike Rama. Por kjo është e pamundur. Rama është kryetari i një partie dhe varet vetëm nga vullneti i votuesve për të qenë ose jo në politikë. Nuk mund të bëhet politika reale nën dritën bengaleze të metaforave dhe të fjalimeve të Çadrës.
– Përveç zgjedhjeve të përgjitshme politike kemi edhe një ngjarje fare pranë: atë të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.
Ndryshimet deformuese të Kushtetutës së vitit 2008 i ka përcaktuar institucionit të Presidentit një rol formal, por simbolika e kreut të shtetit që ai përfaqëson nuk mund të zhbëhet kollaj. Do të ishte mirë që të kishim një risi një institucionin e Presidentit.
Është artikuluar ideja se Presidenti mund të jetë edhe femër. Nuk ka asgjë të keqe në këtë pikë. Një nga emrat e propozuar është dhe emri i politikanes Arta Dade, ish-ministre e Kulturës, ish-ministre e Punëve të Jashtme, një nga personalitetet e spikatura femërore të politikës shqiptare.
Mendoj që kandidatura e Arta Dades është një kandidaturë e meritueshme dhe krejt e pranueshme nga tërë spektri politik, nga tërë qytetarët e Shipërisë.
Por enigmën do ta zgjidhë votimi i ardhshëm për Presidentin në Kuvend.
– Debati për ndalimin e filmave shqiptarë ka qenë debati më i pakuptimtë dhe më i marrëzishëm i kohëve të fundit.
Unë kam shkruar për këtë gjë disa herë. Jam për lirinë e plotë të shprehjes jo vetëm të ideve politike, por dhe të veprimtarive artistike dhe kulturore. Të mos harrojmë që filmi është një veprimtari artistike shumëdimensionale.
Të bësh një projektligj dhe ta dërgosh në Kuvend për ta votuar për aprovim do të thotë të krijosh zyrtarisht Censurën Zyrtare. Nëse aprovohet ky ligj i papranueshëm, ai do të ketë dhe një Zyrë, njerëz, pra do të krijohet një institucion që duhet të merret me zbatimin e këtij ligji.
Pra Shqipëria krijon kështu Zyrën e Censurës Zyrtare. Të mos harrojmë se dhe në periudhën komuniste nuk kishte një institucion të Censurës Zyrtare. Por kishte forma të tjera censuruese të karakterit ideologjik. Dhe kjo ka qenë një gjë e dënueshme. Por si mundet në një shoqëri demokratike të flitet për censurën dhe ndalimin e filmit shqiptar?
Filmi shqiptar, ose arti i shtatë, është një krijim i vonë i shek.XX. Ky film krijoi origjinalitetin e padiskutueshëm të vet. Jo vetëm filmi artistik, por dhe filmi dokumentar jo vetëm që nuk duhet djegur dhe ndaluar, por duhet të shërbejë si një instrument arkivor për studime dhe konkluzione.
Të ndalosh filmi shqiptar është një censurë e shumëfishtë. Domethënë, të ndalosh një film do të thotë që ke ndaluar tërë aksesorët përbërës. Ndalon lojën e patjetërsueshme të aktorëve. Ndalon dhe muzikën e filmit. Por si mund të ndalohet muzika e filmit? Dihet që muzika nuk është vizuale. Muzika nuk ka fjalë. Pra fjalët shprehin koncepte politike.
Muzika pa vizualitet dhe pa fjalë është një akt më abstrakt, kuptohet emocional, dhe nuk mund të censurohet dhe dënohet për arsye ideologjike apo politike. Zelli i tepruar për të shpallur “vdekjen përfundimtare” të filmit shqiptar nga ana e disa shkrimtarëve ose dhe ndonjë aktori tregon mangësitë kulturore, tregon mungesën e lirisë së vërtetë që ka në kokat e tyre.
Unë jam me mendimet e drejta që dhanë regjisorët Pirro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti, apo aktorët Elvira Diamanti dhe Reshat Arbana.
Si mund të ndalohet filmi shqiptar kur tërë insertet politike të komenteve në mediat elektronike për politikën e ditës, për shprehjet e politikanëve në TV, paralelizohen dhe qesharakëzohen me shprehje nga personazhet e filmave shqiptarë? Shumë e habitshme kjo gjë.
Por nuk është problemi këtu. Problemi është në konceptin e lirisë së një shoqërie. Nuk mund të ketë liri në një shoqëri me Censurë të ideve.
Për gati 3 shekuj inkuizicioni i dogji heredikët për idetë e tyre. Por nuk mundi të vrasë dhe të shfarosë idetë e tyre.
Historiani i madhe venedikas Paulo Sarpi (1552-1626) ishte kundër kërkesës për lejen për botim (imprimatur). Censura ndaj librave është një censurë ndaj mendimit të lirë. Censura mund të bëjë të kundërtën, në vend të harresës mund të sjellë forcimin e kujtesës për një autor, ose për një krijim. Dua të tregoj diçka historike.
Një shkrimtar mesatar romak Fabricio Vejenti shkroi disa pamflete në kohën e perandorit Neron ku tallej me senatorët dhe me Neronin. Pamflete të tilla përqeshëse kishte shumë në atë kohë, por “fama” e tyre kalonte menjëherë pasi shpejt bëheshin joaktualë. Por pushteti perandorak në rastin e Vejentit bëri një gabim të madh – i ndaloi shkrimet e tij, ndërsa atë e larguan nga Italia. Kjo gjë menjëherë ja tërhoqi vëmendjen lexuesve që e shumëfishuan kuriozitetin për t’i lexuar pamfletet e shkrimtarit të dënuar. Historiani i famshëm Tacidi e konventon në “Analet” këtë ngjarje dhe thotë në esencë se nëse këto pamflete do të liheshin të lira do të binin në harresë.
Edhe veprat artistike kanë ligjin e tyre të konkurrencës. Veprat me nivel më të lartë estetik i lënë në hije veprat me nivel më të ulët estetik. Përkundrazi, ndalimi do të bënte të kundërtën.
Dua të përmend përsëri John Miltonin për librin e tij gjenial “Areopagjitika” të vitit 1644, që është në fakt kërkesa e tij dërguar Parlamentit Anglez kundër Censurës. Miltoni është kundër të gjitha llojeve të censurës. Censura është kundër natyrës së njeriut.
Censura është dukuri fenemonologjike e vendeve diktatoriale. Si mund të kemi një shoqëri të lirë dhe demokratike me Censurë?
Më kujtohet se kam lexuar, se gjatë kohës që inkuizicioni përpilonte listën e librave të ndaluar, pra Indeksin e ndalimit të librave që quheshin të dëmshëm dhe të rrezikshëm, lindi shprehja popullore e kudodëgjuar latine “Natoabitur Romae, legetur ergo” – “Roma e ndalon, pra duhet lexuar”.
Dijetari i madh kroat me origjinë shqiptare Aleksandër Stipçeviq botoi në 1994 në Zagreb librin “O SAVRSENOM CENSORU” “CENSORI I PËRSOSUR”.
Është një histori e Censurës në shekuj. Ai flet për të gjitha llojet e censurave që kanë ekzistuar. Midis të tjerave flet edhe për Censurën e materialit audovizual (filmi, televizioni etj.). Propozuesit e ligjit kundër ekzistencës normale të filmit shqiptar duhet ta kishin lexuar patjetër këtë libër të mrekullueshëm.
Veç të tjerave autori i librit thotë se materiali i quajtur autovizual, në kohën e sotme të teknologjise së sofistikuar mund të riprodhohet me një lehtësi të pabesueshme jo thjesht nga profesionistët por nga cilido njeri.
Është e pamundur që të bëhet fjalë për të zhdukur çfarëdolloj filmi të kujtdo vendi me një urdhër juridik ndërkohë që pakufishmëria teknologjike e bën ligjin e ndalimit qesharak dhe aspak funksional.
Le të shpresojmë që debati për filmin ta ketë patur një vlerë: vlerën për të parë se si e konceptojnë njerëzit lirinë e mendimit.
Një kufizim i lirisë së mendimit do të ishte një mjerim kombëtar.
Një liri e mendimit do të ishte një premisë për emancipim kombëtar.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura