DR.PËRPARIM DEMI: PUSHTETI MUND TU HIQET PARTIVE

Pashtriku.org, 25. 05. 2013 – Po ti kthehemi kuptimit të fjalës dhe traditës shqiptare, Kuvendi duhet të formohet me njerëz që përfaqsojnë qytetet, komunat, fshatrat, pra me një fjalë popullin. Në fakt çfarë ka ndodhur dhe çfarë na ka dalë – deputetët e zgjedhur janë futur me lista partish dhe nuk përfaqsojnë popullin por partitë e tyre. Bile më sakt, kryetarin e partisë që e ka futur në listë. Për katër vjet të legjislaturës ai nuk bën gjë tjetër veçse lan borxhin e kryetarit me shpres që ta fusi dhe në listën e ardhëshme. Nga kjo del se deputetllëku është posti i majmë që e kërkojnë, e lakmojnë shumë ata që duan të përfitojnë pa asnjë meritë, pa asnjë kontribut, që nuk u ofrojnë asgjë zgjedhësve, pasi kanë shumë detyrime ndaj partisë dhe kryetarit.
Duke mos qënë përfaqësues por thjesht shërbyes ai kthehet në një vegël, me anën e të cilës luajnë si macja me miun pozita me opozitën. Një deputet presupozon një votë plus apo minus, e cila duhet blerë nga ata që duan të miratojnë një ligj, pra është kthyer në një monedhë këmbimi. Kur kryetarët e partive kryesore nuk merren vesh, kemi krizë politike. Kjo situatë presupozon mos miratim të ligjeve organike, bllokim të aktivitetit shtetëror dhe ekonomik të vëndit. Një rast të till kemi prej dy vjetësh në Shqipëri. Lufta për të shkulur një deputet, një vot, nga një grup në tjetrin, kryhet nën rogoz, rezultati i saj bëhet sensasion për median. Shpesh luftohet dhe me metodat e dezinformimit ose te manipulimit, ku media e blerë ka rolin kryesor për të krijuar situata, ose për të formuar opinione pregatitore. Prandaj dhe partive u duhen shumë para të zeza, pasi të gjitha këto kushtojnë tani jashtëzakonisht shumë.

Lidershipi politik në Shqipërinë londineze!

Shpesh dëgjohen zëra naive që besojnë në luftën kundër korupsionit ose shohim mashtrues të cilët fryhen para kamerës duke lëshuar rrufera kundër zyrtarve pa emër ose me emër dhe pa fakte të koruptuar. Le ta themi hapur, korupsioni formohet dhe ushqehet nga sistemi i krijuar. Pra nese dikush do megjithmënd të zhduki korupsionin duhet të ndryshoj sistemin. Në kushtet e sotme si në Shqipëri ashtu në Kosovë dhe në Maqedoni, unë nuk shoh se kush mund ta bëjë këtë ndryshim rrënjësor. Ne të mësuar me regjimin diktatorial parti-shtet, tani kemi afërsisht po të njëjtën gjë, vetëm se në vënd të një partie kemi dy apo tre të tilla që mbajnë frerët e pushtetit. Loja vazhdon tash 20 vjet. Në kohën e diktaturës thuhej hapur se kuadri është monopoli i partisë – a nuk ndodh e njëjta gjë dhe sot.
Pa e shpallur, funksionarët bëhen ushtar të partive që i emrojnë. Ndrohet partia në pushtet, ndrohen dhe rojet e kalasë (funksionarët). Në kohën e diktaturës arritëm ”performancën” të kishim një qeveri injorante, mbushur me shofera dhe mjelse. Sot e kemi plot me të paaftët me shkollë, por që kanë ca merita partie. Nejse, të kthehemi tek sistemi jo demokratik i vendosur, i cili vetëm popullin nuk e përfaqson, ai mbron interesa partie, të grupit apo të individit produkt të hypur diku lart, mbi popull natyrisht. Po të distancohemi disi nga kjo strukturë, do shohim se sa ngjan e gjitha kjo me atë strukturë të para 1991. Ndryshimi është në ligjet e reja, të imponuara nga jashtë sigurisht, në median e polarizuar që lufton me vetmohim dhe përkushtim për interesat e patronit të vet dhe prona private e lirë sa mundet në kushtet e një korupsioni të gjeneralizuar. Shqiptari i pa angazhuar mbetet i pambrojtur para makinës së madhe shtypëse që quhet shtet, intelektuali apolitik mbetet mënjëanë i bojkotuar nga shteti i politizuar. Ndarja e parave të vjelura kthehet në qëllim më vete dhe është subjekti kryesor i luftës mes partive. Partia në pozit ka rubinetat në dorë dhe hap ato që duhen që paraja të vej në vëndin e vet, dmth tek partia. Shushunjat e shumta thithin nga tubat e gjatë. Sejcila ka zgjedhur një damar ku ka ngulur pompën e saj. Kur damari thahet, dmth se partia i ka mbyllur atë rubinet, kalon në një damar tjetër, ndron dhe ngjyrën, që partia mos e dalloj nga ushtarët e vet që ushqen. Nga e gjithë kjo skemë e komplikuar e ”demokracisë” së pjesëshme, ku elementët përbërës si zgjedhjet, votat, deputetët, shumica-pakica, e deri tek strukturat e shtetit janë pushtuar nga partitë. Ky sistem i ngritur gjatë shekullit të XIX dhe i deformuar gjatë shekullit XX, ka hyrë në krize të thellë, e cila po shtrihet në të gjitha fushat e jetës dhe po përfundon në një krizë morale të pandreqshme. Shoqëria njërzore ndodhet në një udhkryq të madh dhe nuk po di rrugën nga të shkojë, pasi të gjitha variantet e provuara deri tani kanë dështuar.
Vetëm një variant nuk është provuar akoma – ai i demokracisë reale, si dikur në antikitet. Imagjinoni sikur në kushtetutën e një vëndi të ndalohet hyrja e partive politike në parlament – çfarë do ndodhi? Kandidatët do zgjidheshin lokal nga votat direkte të popullit, pa përfaqsuar ndonjë parti. Nëse populli i zonës nuk do jet i kënaqur nga kandidati i zgjedhur do ket të drejtë ta heqi dhe të zgjedhi një tjetër. Pra kandidatit, mandatin ja jep dhe ja heq direk vetëm populli i zonës. Në këtë rast ndron puna, deputeti do luftoj ta ketë mirë me zgjedhësit dhe jo me partinë. Vetëm në këtë rast mund të flasim për fuqin e popullit. Kuvëndi në këtë rast do e meritoj plotsisht të quhet popullor. Sot ashtu siç është mund ta quajm kuvendi i partive dhe jo i popullit. Pra deputeti nuk duhet të jetë antar dhe as ti përkas ndonjë partie, ta ket të ndaluar me kushtetutë, njësoj si në rastin e presidentit. Po nuk bëmë këtë s’do kemi demokraci asnjëherë, rezultatin po e shohim.
Sikur të kemi një parlament të tillë, pa parti, as qeveria nuk do ketë punë me partitë politike, por do ketë punë vetëm me deputetët pa parti, të cilët do i kërkojnë llogari gjithësekush për zonën e tij që e ka zgjedhur dhe së bashku për gjithë vendin. Shpesh kam shtruar pyetjen – e pse kryeministri duhet me qënë kryetar partie? Sot ne kemi një strukturë plotësisht të politizuar, nga koka tek këmbët dhe më keq akoma ligji i zgjedhjeve është bërë në atë mënyrë që mos kemi variante të tjera veç me zgjedh njërën prej partive që na kanë hypur në kuriz. Kështu që njerëzit të mbërthyer në këtë darë, preferojnë mos paraqiten fare në votime, pasi nuk kanë besim në to dhe nuk kanë asnjë interes ose shpres se do zgjidhet ndonjë gjë që ka lidhje me ta. Nga ana tjetër votat nuk do i numërojnë më partitë, pra sdo ketë kush ti deformoje rezultatet e votimeve.
Keq do e kenë gazetat dhe TV-të, se do mbeten pa punë, pa propagandë politike, do tu duhet të merren me gazetari të vërtet, se as partive nuk do u leverdisë me i pagu kot. Kështu dhe shpenzimet e partive do bien shumë, por as antarë nuk do ken mjaftueshëm. Kush do futej në një parti po qe se e ka të ndaluar me u fut në pushtet. Antar pa karrige, nuk e di sa do mbeten, ka mundësi të zhduken fare këto partitë e sotme, se njerëzit kanë halle të tjera nuk para u pëlqejnë ideollogjitë. Partive sot nuk u prishet puna se ka pjesmarrje të ulët në votime, se sipas ligjit, sido që të bëhet po njëra prej tyre do hypi në fuqi, pastaj pas zgjedhjeve i ndajn hesapet me njëra tjetrën. Si i thonë punës ”një herë ma hype, e një herë ta hypa”, me rradhë ndrojnë vëndet dhe ruajnë njëra tjetrën që mos u dalin të palarat. Për demogagji, bërtasin për korupsion, por pa fakte dhe pa dokumenta, ashtu veç për televizor, me na mbajt pesh dhe me na tregu se po përpiqen, po luftojnë. Pas emisionit sigurisht i gjen në sofër bashkë tu bë allishverishet e tyre.
Tek ne pasurohen si pozita ashtu dhe opozita njëherësh, bile bëjnë konkurencë kush e kush më tepër. E vetmja zgjidhje është mos me u paraqit asnjë në vot, pra vetëm një bojkotim i plotë mund të çoj punën në një krizë totale, blokazh, i cili mund të zgjidhet veç me ndrimin e kushtetutës dhe të ligjit të zgjedhjeve ku të ndalohet hyrja e partive në parlament. Tu mbyllet rruga partive për në pushtet. Grevë zgjedhore mbarë popullore e zgjidh punën në rrugë paqsore. Jam i sigurt se shumë do hidhen në mbrojtje të partive dhe do thonë se nuk mund të mbahet shteti pa partitë. Unë them se mundet, bile fare mirë, ma mirë se me partitë politike (që veç politike nuk janë). Demokracia nuk ndërtohet me partitë, ajo është një sistem, i cili siguron komunikimin direkt midis shtetit dhe popullit. Ashtu siç një besimtar nuk ka nevoj për ndihmën e hoxhes për të komunikuar me Zotin, ashtu dhe populli nuk ka nevoj për partitë që të komunikoj me shtetin që e përfaqson. Nëse flasim për pushtetin e popullit haj t’ja japim pra atij direkt dhe jo partive. Kam bindjen se sa të vihet një sistem i tillë, në vënd zhduket dhe korupsioni i madh, i cili po na i thith krejt burimet e të ardhurave. Lej të mos shkojmë me mendimin që të presim sa të ngopen, s’kemi për t’ja arritur kurrë asaj dite, partitë nuk ngopen asnjëherë, janë pus pa fund.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura