Prishtinë, 15 Maj 2020: Arkeologji/Trashëgimi Kulturore
Ku ndodhet qyteti I famshëm antik i dardanëve, Damastioni?!
Nga shekulli IV para erës së re qyteti Damastion farkoi monedhat e veta që zgjati deri më 320 para erës së re, që dëshmojnë për përdorimin e hershëm të monedhave si shkëmbim në këto troje.
Në Dardani shfrytëzimi dhe përpunimi i metaleve ka pasur një zhvillim të madh në kohën e lulëzimit ekonomik dhe kulturor të Ilirëve. Për këtë dëshmojnë monedhat e shumta të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike të qytetit xehetar Damastion, për të cilin thuhet se ka pasur si simbolikë të mineraleve dhe qytetit xehetar Çekiçin dhe Qyskinë.
Foto: Quka në fshatin Brus dhe gjurmët arkeologjike në fshatrat Peshter dhe Brus
Damastioni ishte njëri ndër qytetet e hershme, i cili u ngritë në shekullin V para erës së re afër minierave të argjendit, por ende nuk është e sigurt vendndodhja e tij në Kosovë.
Në rrethinën e Janjevës dhe Prishtinës janë gjetur monedha të qytetit xehetar Damastionit.
Zbulimi i këtyre monedhave në pellgun xehetar të Kishnicës, Badovcit, Shashkocit, Janjevës dhe në rrethinën e Prishtinës mund të na shtyjnë të mendojmë se qytetin ilir Damastion duhet kërkuar në këtë rajon.
Nëse bazohemi në mendimet e studiuesve tanë si: Zef Mirditës, Edi Shukriut, Jahja Drançollit etj., dhe atyre të huaj si: Emil Çershkov, Fanulla Papazoglu, Dusaniç etj., mund të pohojmë se qytetin ilir Damastionin duhet kërkuar në Dardani, e pikërisht në lokalitetet xehetare në rrethinën e Prishtinës, Janjevës dhe Artanës si dhe mund të konstatohet se kjo trevë patjetër duhet të ketë qenë në mos kryeqendra (sipas mendimit tim) gjithsesi qendër primare për ekonominë dardane.
Rëndësia e këtij territori të Dardanisë dëshmohet edhe nga ekzistimi i shumë qyteteve të zhvilluara të cilat te studiuesit e ndryshëm na paraqiten gjithnjë si lokalitete të njohura për përpunimin e metaleve dhe eksploatimet xehetare.
Foto 12 dhe 13. Harta topografike në veri-lindje të Shisharkës, lokalitet ku është zbuluar sasi e madhe e zgjyrës së metaleve dhe Kulina në fshatin Peshter
Me gjithë mendimet e kundërta rreth vendndodhjes të këtij qyteti duke ndjekur metodën e rrahur deri më tani, Zef Mirëdita mendon se Damastionin duhet ta kërkojmë në trevën qendrore të Dardanisë, respektivisht në trevën e sotme të Kosovës. Në vitin 1961 në jugperëndim të Janjevës në vendin e quajtur “Toka e bardhë” janë zbuluar mbeturinat e një vendbanimi antik. Kjo trevë bashkë me Artanën dhe minierat e Kishnicës janë të njohura si vende xehetarie, dhe duhet theksuar se në këtë trevë janë gjetur më së shumti monedha të Demastionit.
Burimet e shkruara nga studiuesit në kohën e antikitetit Straboni si edhe Palimpsesti i Vatikanit i përmendin xeheroret e argjendit, të cilat gjendeshin në afërsi të Damastionit. Pikërisht këto të dhëna na bëjnë ta kërkojmë atë në afërsi të Kishnicës respektivisht Janjevës apo të Prishtinës. Këtu duhet shtuar se përveç këtyre lokaliteteve gjurmë të shumta nga përpunimi i xeheve kanë mbetur edhe në rajonin e Bervenikut, Tullarit, Siarinës, Artanës, Pogragjës, Gërnçarit, Letnicës etj.
Mendoj se mendimi i Dr. Zef Mirditës për vendndodhjen e Damastionit në pjesën qendrore të Kosovës, e pikërisht në Gallap është i qëlluar duke u bazuar te gjurmët e xehetarisë të cekura më lart në rrethinën e Janjevës, Artanës dhe të Prishtinës, por kësaj duhet ti shtohet edhe fakti se pjesa verilindore e Artanës është shumë e pasur me lokalitete xehetarie dhe gjurmë të lashta antikiteti për të cilat nuk është shkruar nga autorët bashkëkohor, pasi nuk janë bërë hulumtime të duhura në këtë trevë.
Zbulimet e fundit arkeologjike në Kërshevicë afër Bujanocit, numri i madh i vendbanimeve urbane dhe fortifikatave, si dhe gjurmët e përpunimit të metaleve që nga periudha para romake na shtynë të mendojmë se Damastionin në të ardhmen mund të kërkohet në trekëndëshin Ulpianë-Leskoc-Shkup.
Në vitet më të hershme tregtarët e Janjevës kanë mbledhur shumë monedha antike, të cilat janë shitur apo dërguar në muze të ndryshme. Gojko Kraljeviq, në Buletinin e Muzeut të Kosovës të vitit 1984, përmend faktin se eksponatet nga Janjeva gjenden në Muzeun e Sarajevës.
Në Janjevë është zbuluar një numër i madh, i monedhave të periudhave të ndryshme. Gojko Kraljevic njofton se nga disa qytetar janë blerë monedha të periudhës romake nga të gjithë perandorët romak duke filluar nga Augusti e deri te Valentini III (428-455), gjithsejtë 579 copa, si dhe 18 monedha të perandorëve bizantin.
Po ashtu edhe në buletinin e Muzeut të Kosovës të vitit 1959/60, R. Galoviq shkruan se në vitin 1934 në Janjevë u zbulua një depo e periudhës së Halshtatit, ku rëndësi të madhe kanë byzylykët, që lidhen me zbulimet arkeologjike në territorin e Maqedonisë dhe përfaqësojnë kulturën ilire mjaft të zhvilluar.
Për byzylykët e zbuluar në Janjevë shkruan edhe Zef Mirdita, i cili thotë se i përkasin kulturës materiale ilire të periudhës së halshtatit.
Ndër gjetjet e hershme arkeologjike, me rëndësi shumë të madhe është edhe reliefi i Mitrës i zbuluar në Janjevë. Dimensionet e reliefit janë: Gjerësia 28 cm dhe gjatësia e lartësisë është 34,5 cm. Reliefi është i dëmtuar në anën e djathtë, në pjesën e sipërme dhe të poshtme.
Foto. 16, Relief i Mitrës së zbuluar në Janjevë
Në këtë relief, në qendër të tij është paraqitur Mitra duke e vrarë demin. Qendra e këtij reliefi është e ndarë nga frizi në anën e sipërme, dhe një friz tjetër në anën e poshtme. Në figurën qendrore, është paraqitur një figurë e një qeni duke kërcyer në qafën e demit, dhe një mbështjellje ë gjarprit në anën e poshtme te barku. Po ashtu në relief në anën e majtë, midis këmbëve të figurës së njeriut dhe këmbës së djathtë të mitrës, është paraqitur koka e Luanit. Në anën e djathtë të fushës, paraqiten dy figura njerëzish, ku njëri i mban duart lart, ndërsa në të majtë në anën e sipërme të fushës është paraqitur një korb.
Përveç Janjevës gjurmë të vendbanimit nga periudha e antikitetit janë zbuluar edhe rreth 3 km në jug-lindje të Janjevës, në lokalitetin e quajtur “Çeramidana” të fshatit Dobratin, komuna e Lipjanit.
Në vitin 1961, gjatë punëve bujqësore në fshatin Dobratin janë zbuluar, themele të objekteve të banimit, dy llamba bronzi, një enë qelqi, monedha të shumta nga periudha e antikitetit dhe një urnë në gërmadhat e vendbanimit. Në këtë urnë u gjetën 6.000 copë monedha të imëta bakri, dy llamba bronzi dhe një enë qelqi. Në njërën nga llambat e bronzit me gjatësi 18,3 cm, është e punuar në vegën e saj maska tragjike e femrës. Mendohet se këto dy llapma i takojnë periudhës së hershme helenistike, por Çershkov pohon se mund të datojnë që nga gjysma e parë e shekullit I (parë) të erës sonë. Në këtë lokalitet janë gjet edhe shumë monedha tjera prej bronzi, dy monedha të Hanibalit, si dhe monedha të Konstantinopojës dhe Romës. Pjesa më e madhe e këtyre monedhave kryesisht datojnë prej vitit 337 e deri në vitin 345 të erës sonë.
Foto, 17, Lokalitetet arkeologjike në fshatrat Dobratin, Sllovi dhe Akllap
Nga gjetjet e shumta në Janjevë dhe rrethinë, kuptojmë për kulturën e banimit si dhe zhvillimin ekonomik të kësaj treve që nga periudhat e hershme historike e sidomos gjatë periudhës së antikitetit ku rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë konsideroheshin minierat dhe përpunimi i metaleve fisnike.
– VIJON –
___________
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (1)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10019
***
DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10020