DR.QAZIM NAMANI: KRYENGRITJET SHQIPTARE 1826-1832 NËN UDHËHEQJEN E MUSTAFA PASHË BUSHATLIUT (2)

Prishtinë, 3 prill 2020: Kryengritja shqiptare nën udhëheqjen e Mustafa Pashës, pa dyshim se synonte të kishte karakter gjithë popullorë, për tu çliruar nga P. Osmane, dhe pse kjo kryengritje nuk ja arriti qëllimit, ajo e zgjojë idenë kombëtare të rilindësve tanë.
Gjatë zhvillimit të kryengritjes edhe pse shqiptarët ishin të ndarë në tri besime fetare, te populli shqiptar u vërejtën përpjekjet për tu bashkuar si formacion etnik, duke u bazuar në gjuhën, kulturën, traditën dhe luftërat e lavdishme që i kishte zhvilluar Gjergj Kastrioti kundër ushtrisë osmane. Këtë e dëshmon edhe udhëpërshkruesi francez Ami Bue, në fund të viteve tridhjeta të shekullit XIX, udhëtoi nëpër vise shqiptare, dhe la këto shënime për shqiptarët e atyre viteve. Shqiptarët ende i kanë në kujtesë, prijësit e tyre prej Skënder Beut, Ali Pashë Tepelenës, e të tjerë nën udhëheqjen e të cilëve, luftuan kundër pushtimi osman. Shqiptarët e viseve malore, që jetonin pa roje dhe pa taksa, nuk mund të kishin ndonjë ndjenjë respekti për autoritetet osmane. Autoritetet osmane, shqiptarët i trajtonin me të njëjtën politikë të keqe dhe nënshtruese, ashtu si i trajtonin boshnjakët, shkruan Ami Bue.
Gjatë zbatimit të reformave, populli grek dhe serbë e kishin përkrahjen e fuqive të mëdha evropiane, por edhe të Rusisë. Populli shqiptar, me pjesën dërmuese të besimit mysliman, në këtë periudhë nuk kishte arritur të krijojë, shtresën e vet intelektuale në shtetet evropiane. Përjashtim bënin arbëreshët e Italisë, por në ato vite sapo kishin filluar, të hedhin hapat e parë në arsim dhe shkencë. Arbëreshët e Italisë, të arsimuar në frymën e romanizmit evropian, në të shekullit XIX, arritën të marrin njohuri për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Jeronim De Rada në vitet dyzeta të shekullit XIX, dhe disa arbëresh tjerë, shkruanin për të drejtat e shqiptarëve, për autoktoninë e tyre në rajon, dhe e iniciuan tezen se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve të vjetër. Siç shihet kjo rrymë e shtresës intelektuale shqiptare që u zhvillua jashtë trojeve etnike, u ringjall në shekullin XIX, në kohë më të vonshme se sa te popujt tjerë evropian. Shtesa intelektuale shqiptare, që ishte formuar në P. Osmane, Siri dhe Egjipt kishte koncepte dhe ideologji të shteteve aziatike, andaj më shumë i shërbenin sulltanit sesa atdheut të tyre.

Gjatë shekullit XVIII, nga të gjitha komunitetet që jetonin në Greqinë e sotme, ishte krijuar shtresa intelektuale e fanariotve, e të cilët i kishin krijuar lidhjet kulturore, intelektuale e politike, në shumë shtete evropiane. Kjo shtresë intelektuale, e formuar në frymën e iluminizmit evropian, andaj edhe e gëzonte përkrahjen e shteteve evropiane. Kjo frymë kulturore, e kishte përfshirë edhe Voskopojën në rrethinë e Korçës. Në këtë vend, deri në shekullin XVIII, kultura orientale islame, nuk kishte arritur të ndikoj, në jetën kulturore të banorëve të kësaj zone. Në mungesë të zhvillimi të arsimit, dhe kulturës shqiptare në gjuhën shqipe, në trevat tjera shqiptare, në këtë vend ndikoi kultura greke. Edhe pse në shkollë fillojë të përdoret gjuha greke, lëvizja dhe koncepti intelektual, ishte jashtë ndikimit të Patriarkanës së Stambollit. Veprimtaria intelektuale dhe kulturore në Voskopojë përkrahej nga Patriarkana e Ohrit, që në atë kohë ishte në kundërshtim me Patriarkanën e Stambollit. Në vitin 1720 Voskopoja pajiset me shtypshkronjë, ndërsa në vitin 1744, në Voskopojë hapet shkolla e mesme, me program arsimor të shkollave të mesme, të vendeve më të përparuara të Evropës. Në vitin 1767, Patriarkana e Stamnbollit e suprimon Patriarkanën e Ohrit. Në vitin 1767 gjatë luftës ruso-osmane, voskopojarët u treguan simpatizues të Rusisë, dhe i përkrahën himarjotët që ishin ngritur në kryengritje. Duke e parë aktivitetin e tyre P. Osmane i autorizojë derebejtë (sundues që kishin në kontroll dy e më shumë fshatra), që ta sulmojnë dhe djegin Voskopojën. Me fillimin e Revolucionit borgjez në Francë, në shtetet evropiane u shtua interesimi, për trashëgiminë kulturore dhe stilin klasik. Duke u bazuar në studimet e Ëinkelmanit dhe të romantizmit, ndërtimet e vjetra në Greqinë e lashtë, u panë si simbol për demokracinë, dhe kështu menjëherë pas formimit të mbretërisë greke, fillojë anastiloza për konservimin e shumë tempujve, dhe objekteve që ishin bërë mbështetje për formimin e shtetit të ri grek.
Po ashtu edhe popujt sllav, në fund të shekullit XVIII, dhe fillim të shekullit XIX, kishin arritur që ta formojnë shtresën intelektuale në shtetet evropiane. Një pjesë e vogël e shqiptarëve, që ishin shkolluar, apo kishin shërbyer në ushtrinë e Austrisë, në fillim të shekullit XIX, ju bashkëngjitën lëvizjes sllave, në luftë kundër pushtimit osman. Kjo shtesë i shërbeu shumë lëvizjes serbe, e të cilët më vonë u serbizuan, dhe duke e luftuar pushtimin osman përkrah serbëve, luftuan kundër popullatës shqiptare të pa mbrojtur.
Në fillim të shekullit XIX, në qytetin e Parisit, u formua lëvizja politike e kulturore polake, nën udhëheqjen e pansllavisti çek Frantishek A. Zach (1807-1892). Ilia Grashaninit, projektin e Nacertanjes, ia besoi pansllavisti çek Frantishek A. Zach prej Moravisë, që në atë kohë Moravia ishte pjesë e Perandorisë Austriake. Zach përfaqësonte organizatën e emigrantëve polakë, të themeluar prej princit Adam Czartorysky.
Ndryshe nga lëvizjet intelektuale, të formuara më parë te popullata ortodokse në Greqinë e sotme, e që në fillim të shekullit XIX, filluan të formohen edhe te popullata sllave e rajonit, që të dy këta popuj dolën me projekte kombëtare, popullata shqiptare ende vuante, nga faza e gjatë e kryengritjeve kundër sulltanit, dhe gjakderdhja për interesa të sulltanit. Lëvizjet kombëtare greke dhe serbe, e gëzonin përkrahjen edhe të faktorëve diplomatik ndërkombëtar, para të cilëve sulltani detyrohej të lëshojë, privilegje për këta popuj. Shqiptarët deri në këtë kohë nuk kishin arritur, që para faktorëve ndërkombëtar, të paraqiten me projekt për shtet të pavarur shqiptar. Në këto rrethana, nga të huajt kryengritjet shqiptare kuptoheshin, si përpjekjet e fundit të feudalëve shqiptar, për të ruajtur interesat e tyre të ngushta, që nuk lejonin mbi veten e tyre, mbikëqyrje centraliste nga sulltani. Përfshirjen e masave të gjëra popullore, në këto kryengritje, të huajt e shihnin si revoltë popullore kundër taksave, dhe mobilizimit si nizam në ushtrinë e sulltanit. Siç shihet nga të huajt, shqiptarët shiheshin si popull i pa organizuar, pa unitet fetar e kombëtar, që për interesa të ngushta, për poste dhe prona nënshtroheshin para sulltanit, dhe ishin në gjendje të vriteshin mes veti.
Në trevat shqiptar, ishte forcuar sistemi i feudal, që udhëhiqeshin nga vet feudalët shqiptar, ky sistem nuk e kishte bërë të mundur zhvillimin e klasës intelektuale shqiptare, por shpesh herë për interesa personale luftonin mes veti, herë i shërbenin sulltanit, e herë luftonin kundër tij. Në qytetet shqiptare ishte zhvilluar zejtaria edhe tregtia, por nuk kishte borgjezi të fuqishme kapitaliste si në shtetet evropiane. Shtresa qytetare shqiptare, duke mbetur përherë në shërbim të pashallarëve, dhe sulltanit, ishte e vogël në numër, e pa fuqishme, dhe nuk ishte në gjendje që të udhëheqë ndonjë lëvizje kryengritëse për tu çliruar nga P. Osmane. Në anën tjetër pjesëmarrja masive e popullatës, në kryengritje përkrah ajanëve dhe pashallarëve shqiptar, ishte e madhe, sepse ata shpresonin në lirinë e tyre, nga taksat dhe mobilizimit të dhunshëm në ushtrinë perandorake. Duhet pranuar se masat e gjëra popullore shqiptare, ishin shumë të lodhur nga taksat, që i merrnin prej tyre ajanët dhe pashallarët shqiptar. Karakteristikë tjetër e këtyre kryengritjeve ishte, sepse kryengritjen e zhvillonin pjesa dërmuese e popullatës shqiptare myslimane, për shkak të ikjes gjatë mobilizimit të dhunshëm në ushtrinë e sulltanit. Kjo dëshmon se me këto reforma P. Osmane, i cenonte të drejtat elementare të kulturës, dhe identitetit të popullit shqiptar, pa marrë parasysh përcaktimin fetar.
Fitorja e Reshid Mehmed Pashës, ndikojë shumë keq edhe në qytetet tjera shqiptare. Nën ndikimin e Mahmud Beut, djalit të Sahit Pashës dhe Qerim beut në qytetin e Nishit, u nxitën banorët e Nishit, që më 27 prill 1831, ti largojnë 600 sejmenët shqiptarë, që ishin përkrahës të kryengritjes shqiptare në qytetin e Nishit. Në këto rrethana përkrahësit e sulltanit e burgosën Abdyk Efendiun, e hoqën Mahmud Pashën në Nish, dhe u kërkuan ushtarë nizam për vezirin e Vidinit dhe të Beogradit. Më 6 maj 1831 Reshid Mehmet Pasha, e çoi në Nish lajmin te Mahmud Beu, dhe e emëroi pashë në qytetin e Nishit. Veziri i Madh parashihte që në gjysmën e muajit maj ta merr qytetin e Nishit. Në këto rrethana Pasha i Leskocit e braktisi kryengritjen shqiptare, dhe ju bashkua Vezirit të Madh. Në këto rrethana princi Millosh, urdhërojë që të ndiqeshin shqiptarët kudo që haseshin në rajon. Dihet se në ato vite, shqiptarët jetonin në Beograd, Kralevë, Kragujevc, Aleksicë, Qypri e shumë vende tjera. Milloshi kërkonte që të bëhej presion ndaj shqiptarëve me qëllim që ti largojë nga pashallëku i tij. Për të ja arritur këtij qëllimi ai e kishte marrë përkrahjen edhe nga sulltani, sepse të dy palët kërkonin, që të ruhej qetësia në rajon, dhe të ndiqeshin shqiptarët e rebeluar. Shqiptarët kudo që haseshin sulmoheshin, rriheshin dhe vriteshin, pa dhënë përgjegjësi askush për jetën e tyre.
Lajmi për humbjen e Pashës së Shkodrës, shkaktoi komplikime të reja sepse shumë pashallarë të Kosovës, dhe kryengritësit e braktisën atë. Mbështetësit e Mustafa Pashës së Shkodrës, përfshirë edhe Jashar Pasha u kthye në Prishtinë. Ai për një kohë u strehua në Vushtrri. Një letër nga Veziri Reshid Mehmed Pasha, që ju dërgua Jashar Pashës i shkoi atij në Vushtrri. Veziri i kishte shkruar atij se ai do të falet, nëse do të kthehej në Prishtinë, dhe nëse fillon të mbledhë ushqime për ushtrinë osmane, e cila ishte gati që të hynte në Prishtinë. Jashar Pasha e pranoi pa hezitim kërkesën e vezirit, dhe kështu u bashkua përsëri në krahun e mbështetësve të Sulltanit. Jashar Pashës, iu bashkua edhe Ejup Pashë Ferhatagic, kështu që ata të dy përgatitën terrenin dhe ushqimin për ushtrinë e Sulltanit, e cila prej Shkupit vinte në drejtim të Prishtinës.
Në këto rrethana, Mustafa Pasha i Shkodrës, qëndroi pasiv edhe kur kishte ftesë për bashkim me shqiptarët e jugut. Qëndrimin pasiv të Mustafa Pashës e shfrytëzoi porta e lartë për një ekspeditë kundër Shkodrës.
Porta e lartë më një ferman kërkojë nga feudalët e Shkodrës, që të zbatohen rekomandimet për zbatimin e reformave. Pasha i Shkodrës organizoi një tubim në Shkodër në të cilin u vendos: Që shqiptarët do të ngriten prapë në kryengritje të armatosur nëse Porta e lartë fillon me forcë ti zbatoi reformat.
Në këtë takim shqiptarët i kërkuan disa kushte:
Trajtim të njëjtë të shqiptarëve me boshnjakët në P. osmane.
Administrata e brendshme të jetë në gjuhën shqipe.
Të njihet veshja kombëtare shqiptare si simbol kombëtar.
Që P. Osmane tu njehë shqiptarëve të gjitha privilegjet dhe pavarësinë e fiseve shqiptare.
Në të njëjtën kohë, Mustafa Pasha ishte në vështirësi, sepse ushtria e Vezirit të Madh, Mehmed Reshid Pashës, mbështetej nga pasha i Prizrenit, pasha i Gjakovës dhe Jashar Pasha i Prishtinës. Ndihma që Mustafa Pasha i Shkodrës i kërkoi nga boshnjakët nuk i erdhën, dhe pas humbjes që kishte pësuar më parë u shkaktuan trazira të mëdha në ushtrinë e Mustafë Pashës. Kjo e detyroi atë të mbyllet, me mijëra mbështetësit e tij më të afërt në kështjellën e Shkodrës, dhe prej andej bënte përpjekje për të bërë rezistencën e fundit.
Me prishjen e oxhaqeve, dhe sistemit të jeniçerëve në vitin 1826, P. Osmane filloi në tërë vendin që të bëjë ndryshime administrative, ndërrim të kuadrove dhe vazhdoi duke mbledhë ushtarë të rregullt. Reshid Mehmed Pasha u lirua nga detyra e tij si Vali i Rumelisë, dhe u emërua Sadriazam (Kryeministër), në vendin tij u emërua ish kryeministri Selim Pasha.
Në këto ndryshime sanxhaku i Janinës, dhe i Vlorës ju dhanë të birit të Emin Pashës. Selim Pasha si vali i Rumelisë e dërgojë Latif Efendiun me detyrë myteselim (nën qeveritar) në Janinë. Me këto ndryshime u krijuan mos pajtime në mes të Reshid Pashës dhe Selim Pashës, dhe udhëheqja e vendit u nda në dy grupe kundërshtare. Përkrahësit e Reshid Mehmed Pashës u tubuan nën udhëheqjen e Deli Kokës dhe e rrethuan Janinën.
Ago Hysejn Pasha nga Edrenja u dërgua në Shkup, ndërkohë që Reshid Mehmed Pasha u nis për në Shkodër. Mustafa Pasha kur e mori këtë lajm i nisi 400 ushtarë të tij mysliman në drejtim të Manastirit që të marrin atje kuaj nga popullata e krishterë. Këta kalorës u nisën për në Tiranë, paria e Tiranës i mirëpritën, por ju thanë se nuk dëshirojnë të dalin kundër ushtrisë së Kryeministrit Reshid Pashës. Kryengritësit vazhduan rrugën për në qytetin e Elbasanit, por kur u ofruan e morën lajmin se ushtria e rregullt osmane kishte hyrë në qytet. Në këto rrethana u përhapën të pavërteta të shumta. Mustafa pashës i shkoi lajmi se Reshid Mehmed Pasha me anije dhe ushtarët e tij do të zbarkojë në Ulqin.
Reshid Mehmed Pasha nuk shkojë në Ulqin por me ushtrinë e tij u nis drejte Shkodrës. Kur ushtria e Reshid Pashës arriti në Lezhë u ndesh me përkrahësit e Mustafa Pashës ku u zhvilluan luftime të përgjakshme.
Pasi që Reshid Pasha i theu kryengritësit në Lezhë hyri në Shkodër dhe i detyrojë banorët e Shkodrës që ta rrethojnë Kalanë, duke u afruar edhe ushtria e tij shumë afër ku ishte strehuar Mustafa Pasha me përkrahësit e tij. Ushtria osmane fillojë të gjuaj me topa muret e kalasë. Rezistenca vazhdojë për tre muaj, por nga gjendja e rëndë Mustafa pasha ju dorëzua gjeneralit të gardës së sulltanit, Ahmed Fevzi Pashës. Pas përfundimit të këtij rrethimi, forcat që kishin ardhur nga Anadolli u tërhoqën në Shkodër.
Mustafa Pasha u dërgua në Stamboll dhe u vendos në një konak të posaçëm. Kur sulltani e kuptojë se Mustafa Pasha ishte gënjyer nga pashallarët e Kosovës ai ja hoqi vendimin që e kishte marrë për ekzekutimin e tij. Më vonë Mustafa Pasha shërbeu në detyra të ndryshme në qeverinë osmane, madje një kohë ishte edhe guvernator. Pas pak kohe Mustafa Pasha, me djalin e tij të madh i cili e kishte gradën e lartë civile u pranuan te sulltani. Sulltani i dhurojë Mustafa Pashës prona dhe gjë sende tjara me vlerë dhe një orë të zbukuruar me diamante. Ai Vdiq në vitin 1861 kur ishte me detyrë fetare pranë varrit të Muhamedit në Medinë (Arabi).
Gjithasht nga sulltani u pranuan në audiencën e tij edhe Ali Hifzi Pasha guvernator nga Shkupi, Mahmut Pasha prefekti i Prizrenit, Sejfedin Pasha nga Gjakova, Haki Pasha prefekti i Dibrës, Shashivar zade Ismajl Pasha, Asllan Pasha, Jashar Pasha zade Bahtijar Pasha, Abdyrrahman Pasha vëllau i madh i Hifzi Pashës, Hysen Pasha nga Vranja, bejlerët shqiptar Karafil Beu, Xhelil e Vesel Aga të cilët e kishin ndihmuar qeverinë e sulltanitdhe nga sulltani si shpërblim morën shpata e dekorata të zbukuruara me diamante.
Gjatë këtyre kryengritjeve, tragjedia e madhe për popullatën shqiptare të Kosovës ndodhi edhe kur Mehmet Reshid Pasha, prej Shkupit hyri në Kosovë, dhe me vete kishte një numër të madh ushtarësh shqiptar, të mbledhur si nizam, dhe disa pashallarë shqiptar që ishin kundër kryengritjeve. Kjo ushtri e Vezirit të Madh, u ndesh me kryengritësit shqiptar dhe boshnjak në Kosovën qendrore, në rrethinën e Lipianit.
Hyrja e Mehmed Reshid Pashës në Kosovë, e kishte arritur efektin që të përçajë edhe më shumë shqiptarët. Në anën tjetër Kryengritësit shqiptar dhe boshnjak, zhvilluan luftë kundër shqiptarëve, dhe bënë vrasje dhe djegie të shumë fshatrave shqiptare. Në këto rrethana disa nga pashallarët e Kosovës, kaluan në anën e Mehmed Reshid Pashës.
Ushtria e Hysen Gradashqeviqit, arriti të korrë fitore edhe ndaj Jashar Pashë Gjinollit të Prishtinës, i cili e lëshojë Prishtinën dhe u strehua në fshatin Mramuer. Ushtria e Mehmed Reshid Pashës, përbëhej nga garda e ulët me shqiptar, nga rajoni i Prizrenit, në krye me Haxhi Ahmet Pashën, dhe ishte vendosur në fshatin Sazli afër Ferizajt. Kryengritësit shqiptar dhe boshnjak, vendosën që ta sulmojnë Ahmet Pashën dhe ta zënë gjallë. Ushtria e Hysejn Gradashqeviqit u nisë drejtë Sazlisë, ku qëndronte shtabi i vezirit të madh. Shqiptarët që ishin mobilizuar si nizam të dhunshëm, kaluan në anën e kryengritësve. Ata që dezertuan filluan që të ndiqeshin penalisht, nga ushtria e Mehmed Reshid Pashës, në mënyrë që të parandalojë ushtarët shqiptar, që po ktheheshin kundër tij. Në fshatin Sazli, u zhvillua një luftë e përgjakshme, ku humbi jetën Haxhi Ibrahim Pasha nga Prizreni, ndërsa u plagosën veziri i madh Mehmed Reshid Pasha, Ivzi Pasha prej Shkupit, Abdyl Rezak Pasha prej Pejës dhe Mehmet Begu, që ishte udhëheqës i njësitit të rregullt të kalorësisë.
Në këtë betejë u zunë rob 2000 nizam, 7 topa, disa çadra, dhe kuzhina e vezirit të madh me të gjitha pajisjet.
Pas humbjes Vezirin e Madh, dhe pashallarët tjerë të plagosur së bashku me Ibrahim Pashën, të vdekur u tërhoqën në qytetin e Shkupit.
Kjo luftë bëri jehonë të madhe dhe kryengritja u zgjerua në Shkup, Vrajë, Leskoc dhe treva tjera shqiptare, që filluan të përkrahin kryengritjen shqiptaro-boshnjake, kundër reformave në P. osmane.
Gradashqeviqi me ushtrinë e tij vazhdojë ndjekjen e shqiptarëve, që ishin kundër kryengritjes edhe në viset e Ana Moravës, ku ndaj sulmeve të tij arriti fitore vetëm qeta e Sylejman Rogoçicës afër Kamenicës. Duke i parë mizoritë e ushtrisë boshnjake kundër kryengritësve, doli edhe Derall Pasha i Tetovës, i cili më parë ishte për kryengritje shqiptare, nën udhëheqjen e Mustafa Pashës së Shkodrës. Gjatë ekspeditave kundër ushtrisë së Vezirit të Madh, kryengritësit boshnjak e dogjën tërësisht fshatin Smirë afër Vitisë.
Ushtria boshnjake nën udhëheqjen e Hysejn Gradashqeviqit, me 11 qershor 1832 prej Rrafshit të Kosovës, kaloi në Rrafshin e Dukagjinit, në qytetet e Pejës dhe Gjakovës. Qytetet ishin vetëm me njësite të vogla të ushtrisë së rregullt, sepse garnizonet e qyteteve kishin shkuar në Shqipëri, dhe ishin fokusuar rreth kalasë së Shkodrës, ku ishte mbyllur Mustafa Pasha.
Abdyl Rezak Pasha nga Peja, qëndroi për një kohë në Shkup, dhe e përcillte gjendjen në Kosovë, ku ai e kishte një numër të madh të mbështetësve të tij që të kthehet. Asllan Pasha ju drejtua për ndihma Hysein Gradashqeviqit, ai ju përgjigj prej Mitrovice dhe Drenice. Gradashqeviqi niset për Pejë dhe zuri pozicionet afër Pejës. Shumë shqiptarë nga Dukagjini ishin përkrahës të Abdyl Rezak Pashës, dhe ishin kundër kryengritjes shqiptare e boshnjake. Me ardhjen e Boshnjakëve në Pejë, shqiptarët që ishin kundër kryengritësve boshnjak, ishin mbyllur në njërën nga Xhamitë në lagjen e Pejës. Gradashqeviqi filloi të gjuaj me topa në drejtim të xhamisë.
Një shqiptar i cili ishte strehuar në Xhaminë e Pejës, i frikësuar nga jo që vërejti nga minarja, vendosi të hidhej nga minarja, sepse përndryshe nuk mund të zbriste poshtë. Pas kërcimit nga minarja ai mbeti i gjallë. Kur e vërejti një kryengritës boshnjak, shkoi drejte tij e nxori jataganin, dhe e preu kokën. Sipas traditës popullore, kur këtë e vërejti Gradashqeviqi, me jataganin e tij e vrau kryengritësin boshnjak, është folur se ai këtë e bëri, sepse nuk është dashur ti merrej jeta shqiptarit, që mbeti i gjallë pas kërcimit nga minarja e xhamisë, dhe për këtë ekzistonte një këngë e vjetër që e këndonin shqiptarët.
Për shkak të fitores të kryengritjes së boshnjakëve dhe shqiptarëve, ndaj Vezirit të Madh, Mehmed Reshid Pashës në afërsi të Lipjanit, ishte shumë i lumtur edhe Vasa Popoviç, i cili menjëherë iu përgjigj princit Milosh Obranoviqit.
Një agjent i Millosh Obrenoviqit nga Novi Pazari, duke dërguar lajme për Vaso Popoviç në Kralevë, për fitoren e Boshnjakëve, shtoi se Veziri i Madh, Mehmed Reshid Pasha e fajësoi Mahmud Pashë Rotulën e Prizrenit për humbjet e tij.
Pas formimit të mbretërisë greke, dhe dhënies së autonomisë Serbisë, kryengritjet shqiptare kundër P. Osmane nuk pushuan. Kryengritjet që vazhduan 10 vite më vonë, nën udhëheqjen e Dervish Carës, më shumë filluan të marrin karakter fetar dhe vëlla vrasëse.
Popullata e krishterë në qytetin Shkodrës, kishin arritur që ta bindin Vezirin e Madh, që ti ndajë nga myslimanët e qytetit. Të krishterët e kishin zgjedhur koxhobashin (krye plaku për popullatë të krishterë) dhe dymbëdhjetë pleq, të cilët i kishte njohur Veziri i Madh. Të krishterët ishin liruar që të mobilizohen në luftëra, por ishin të obliguar që ta paguajnë taksën vjetore, prej 40.000 piastrave për sulltanin.
Për popullatën e krishterë në Shkodër fillojë të interesohet edhe Austria, ku përmes klerit katolik informohej për të drejtat dhe liritë e tyre.
Përfundim
Nga gjithë kjo që u tha më lartë, mund të pohojmë se shkaktarët kryesor të mos suksesit të këtyre kryengritjeve gjatë këtyre viteve janë: Mos uniteti i pashallarëve shqiptar, lojaliteti i shumë pashallarëve që herë e kundërshtoni dhe herë e ndihmonin sulltanin, mungesa e diplomacisë, mungesa e përkrahjes nga shtetet evropiane, zgjerimi dhe aksionet ushtarake të paplanifikuara mirë, dominimi i karakterit klanor e fisnor i kryengritjes.
Rivaliteti i pashallëqeve shqiptare, që shpesh herë luftuan ndërmjet veti, nuk kishin mundësuar, që të krijohet shtresa intelektuale shqiptare, për ta prezantuar idealin shqiptar në shtetet evropiane.
Bajraktarizmi i tyre, kishte krijuar lider me epshe ç’frenuese, dhe të pirur për ta dhunuar popullin e vet!
Për të mësuar, nga gabimet historike të kësaj periudhe, është me rëndësi shumë të madhe, se si trajtohen dështimet e lëvizjeve shqiptare të shekullit XIX, për ta fituar pavarësinë nga P. Osmane.
Për të qenë të suksesshme kryengritjet shqiptare, mendoj se është dashur të mbështeten në dy faktorë të rëndësishëm, e që për fatin e një populli, janë të lidhur ngushtë mes veti.
Organizimi i brendshëm i popullatës, uniteti dhe forcimi i idealit dhe projekti kombëtar, që e përbëjnë boshtin e një lëvizje çlirimtare.
Diplomacia e jashtme politike, dhe gjetja e momentit të përshtatshëm, për të filluar me kryengritje të armatosur, bazuar në shkallën e përgatitjes, nivelit të ndërgjegjshmërisë kombëtare, aftësisë së arsyetimit para faktorit të brendshëm dhe ndërkombëtar, dëshmisë së aftësisë ushtarake e politike, si dhe aftësisë së udhëheqjes për ta vetëqeverisur shtetin.
Pra siç shihet në rrethanat e fillimit të reformave në P. Osmane, për të luftuar kundër ushtrisë së rregullt osmane, feudalët shqiptar, nuk ishin sa duhet të përgatitur me ushqime e pajisje ushtarake, nuk kishin krijuar unitet mes veti, e mbi të gjitha ju mungonte strategjia e veprimit dhe përkrahja e shteteve evropiane.
Pas shpalljes së reformave në ushtri, edhe pse P. Osmane e kishin përfshirë trazira, në Stamboll, dhe në tërë territorin e saj ishte krijuar anarki, mendoj se Mustafa Pasha, me potencialin ushtarak që kishte, dhe përgatitjen e tij, nuk është dashur që marshojë në drejtim të Stambollit, për ta humbur moralin e ushtria e tij, që me humbje të mëdha të shpartallohet nga armata ruse.

Mustafa Pasha nuk është dashur, që ti besojë aq shumë princit Millosh Obrenoviqit dhe Rusisë, por është dashur që me ushtarët e tij, të mos del jashtë trojeve shqiptare, të heq dorë nga rrethimi i Sofjes, dhe të bëjë më shumë për forcimin e unitetit me pashallarët tjerë shqiptar.
Të gjendur në këto rrethana, popullata shqiptare ishte përherë në kryengritje, por që kryengritja e tyre nuk mori karakter gjithë popullorë dhe kombëtar.
Pashallarët shqiptar të pa koordinuar mes veti dhe të pa disiplinuar nuk arritën të organizojnë lëvizje gjithëkombëtare për tu liruar nga P. Osmane.
P.Osmane gjatë reformave që ndërmori, fisnikët dhe agallarët e dëgjueshëm shqiptar i shndërroi në nëpunës të thjeshtë administrativ, ndërsa ata që kundërshtuan i likuidoi dhe i dërgojë në viset e Azisë së Vogël.
Në këto rrethana pashallarët shqiptar, nuk patën mundësi të zhvillojnë ndonjë projekt të gjerë kombëtar, për tu ngritur në një lëvizje mbarëkombëtare, për të formuar shtetin e pavarur shqiptar, ashtu si vepruan popujt tjerë të gadishullit.
Mustafa Pasha i Shkodrës, edhe pse kishte parashtruar kërkesa te sulltani që të respektohet gjuha, tradita dhe veshja kombëtare shqiptare, këto kërkesa nuk i kishin bërë pashallarët tjerë.
Disa pashallarë shqiptar, për të ruajtur interesat e tyre, shpesh herë i shërbyen sulltanit, për ndonjë privilegje, post apo për qeverisje gjysmë autonome, në rajoni e tyre ku sundonin .
Kryengritjet shqiptare u zhvilluan në kohë dhe vende të ndryshme, andaj duke u ngritur herë në një skaj të trevave shqiptare, e herë në skajin tjetër, P. Osmane këto kryengritje i shuante me shqiptar, duke i shtyrë që të vriten mes veti, dhe në këtë mënyrë arrinte që ti shuante pa ju krijuar mundësinë që kryengritjet të marrin karakter gjithë popullorë.
Gjatë kryengritjeve shqiptare, rol të madh luajti edhe përkatësia e ndryshme fetare, dhe nuk u krijua mundësia e bashkimit të përgjithshëm, midis popullatën së krishterë shqiptare dhe asaj myslimane. Siç u pa pak vite më vonë këto kryengritje nën ndikimin e bektashinjve shpesh herë deri në fillimin e rilindjes kombëtare mori karakter kundër të krishterëve.
P.Osmane i kishte shfrytëzuar shqiptaret në luftërat që i zhvillonte prej Azisë së Vogël, Afrikën veriore e deri në Evropë, kundër Austrisë dhe shteteve tjera evropiane, kurse në anën tjetër kundër kryengritjeve shqiptare i shfrytëzonte ushtarakët e vet më të shquar me origjinë nga vendet e lindjes dhe me origjinë shqiptare, greke e sllave nga trevat e Rumelisë.
Kryengritjet shqiptare shpesh herë i udhëhiqnin feudal, ajan dhe lider fetar, andaj kjo udhëheqje nuk ishte në gjendje që kryengritjes ti jepej ideologjia kombëtare, për ti bashkuar shqiptarët pa dallim feje e rajoni kundër P. Osmane.
Udhëheqësit e kryengritjeve shqiptare të mbështetur në klerik fetar, bajraktar e kryetar të fiseve, nuk kishin shtresë intelektuale, për të kërkuar ndihma dhe përkrahjen e shteteve të fuqishme evropiane, andaj shpesh herë kërkesat e tyre i drejtoheshin te Mehmed Ali Pasha në Egjipt.
Këta udhëheqës ta pa arsimuar sa duhet, nuk i kuptonin ndikimet e huaja në trevat shqiptare, andaj gjatë tre shekujve të fundit, krijonin lidhje të fshehta me grekët e serbët, të cilët në këtë periudhë drejtoheshin nga ndikimi dhe politikat ruse, e që përkraheshin edhe nga shtetet evropiane.
Nga bisedimet e fshehta me grek, serbë dhe boshnjakët në këtë kohë shqiptarët nuk përfitonin asnjë ndihmë, por këto lidhje bëheshin pengesë, për ndonjë bashkëpunim të mundshëm me Austrinë dhe shtetet tjera evropiane.
Kryengritjet shqiptare edhe pse bëheshin për të mbrojtur të drejtat e popullatës shqiptare, duke kundërshtuar shtypjen dhe mobilizimin e dhunshëm për të luftuar për interesa të P. Osmane, ato nuk patën asnjë sukses.
Kjo lëvizje në sy të popujve evropian nuk shihej si lëvizje kombëtare por më shumë si lëvizje klanore e fetare që ishte rebeluar kundër reformave dhe rendit të ri në P. Osmane.
Kryengritjet ishin zhvilluar në kohën kur P. Osmane i kishte filluar reformat, me ndihmën dhe propozimin e shteteve të fuqishme evropiane, andaj luftën që e zhvillonte Mustafa Pasha, kundër Reshid Mehmed Pashës, evropianët këtë kryengritje e shihnin si rivalitet të brendshëm të këtyre dy vezirëve të fuqishëm. Kjo ishte njëra ndër arsyet që perëndimorët e përkrahnin Mehmed Reshid Pashën i cili mbështeti reformat dhe përkrahej edhe nga vet sulltani.
Kryengritja shqiptare gjatë viteve 1826-1832, edhe pse u zgjerua dhe ishte më e madhja kryengritje kundër P. Osmane në rajon, u shua pa dhënë ndonjë rezultat për të fituar liritë, dhe të drejtat qytetare të popullatës shqiptare në rajon.
Shikuar në aspektin e rrethanave historike të kohës, mund të themi se këto lëvizje dhe kryengritje të armatosura kundër P.Osmane në njëfarë forme kishin karakter për çlirim kombëtar, por të vonuara në kohë dhe të pa koordinuara, që nuk morën përmasa gjithë kombëtare, nga përçarjet e thella shekullore të pashallëqeve shqiptare, ndasitë fetare dhe interesave të ngushta të klaneve fisnore e rajonale.
______________
Literatura e përdorur:
T. P. Vukanović: Arbanaški ustanci 1826-1832., Vranjski glasnik, Vranje, 1969.
Bedrush Shehu: Çështjet shqiptare në fillim të viteve 30 të shekullit XIX, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1990.
Sylejman Kylçe: Shqipëria në historinë osmane, Tiranë, 2004.
Alekdandar Matkovski: Kryengritja e Dervish Carës, Shkup, 1985.
Sadullah Brestovci:, Marrëdhëniet Shqiptare-Serbe-malazeze, (1830-1878).
Historia e Popullit Shqiptar I: Tiranë, 2002
Historia e Popullit Shqiptar II: Tiranë, 2002
Noel Malcolm: Kosova një histori e shkurtër, Prishtinë, 1988
Danilo Vulović u knjizi Knjaževa kancelarija, knjiga prva, Nahija požeška 1815-1839, Beograd 1953.
Ejup Mušović, Novopazarski pesnik Sulejman Tabaković, Mostovi, br. 19., Pljevlja 1973.
Jovan N. Tomić, O Arnautima u Staroj Srbiji i Sandžaku, Beograd, 1913
Aleksandër Meksi: Restaurimi i monumenteve të arkitekturës, Tiranë, 2004
Ami Bue: Shqipëria, në Turqinë evropiane, Tiranë, 2011
http://sandzackaknjizevnost.com/ejup-musovic-pokreti-muslimana-u-novopazarskom-kraju-protiv-reformi-sultana-mahmuda-ii/
https://www.mekulipress.com/shfarosni-shqiptaret-ja-platformat-e-fqinjeve-protagonistet-me-te-medhenj-te-spastrimit-ndaj-shqiptareve-ne-200-vitet-e-fundit-jane-serbet-malazezet-dhe-pa-asnje-dyshim-greket/

FUND /

______________________

DR.QAZIM NAMANI: KRYENGRITJET SHQIPTARE 1826-1832 NËN UDHËHEQJEN E MUSTAFA PASHË BUSHATLIUT (1)

https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9871
***
DR.QAZIM NAMANI: KRYENGRITJET SHQIPTARE 1826-1832 NËN UDHËHEQJEN E MUSTAFA PASHË BUSHATLIUT (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9872

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura