Prishtinë, 30 Prill 2020: Forcat serbe vetëm nga Prishtina dhe fshatrat kufitare i ekzekutuan një mijë robër, Prapashticën e dogjën tërësisht!
Gjatë kohës së pushtimit italian, midis viteve 1941- 1944, Prefekturën e Prishtinës e drejtoi Hysen Prishtina. Hysen Prishtina ishte djali i fisnikut prishtinas, Xhemajl Beg Prishtina. Pasardhësit e Hysen Prishtinës me sakrificë të madhe krijuan biznese të suksesshme. Ata sot gëzojnë autoritet të madh në Turqi dhe Kanada.
Një numër i madh i popullatës shqiptare, e cila në prag të luftërave ballkanike jetonte në fshatrat e rrethinës së Merdarës ishin me origjinë nga Sanxhaku i Nishit. Të rikujtojmë se këto familje shqiptare vetëm tri dekada më parë e kishin përjetuar dëbimin, vrasjet dhe dhunën nga ushtria serbe. Popullata shqiptare e brezit kufitar duke njohur ushtrinë serbe për krimet që i kishte bërë ndaj tyre, në Merdare nuk luftuan për ta mbrojtur kufirin osman, por për të mbrojtur familjet e tyre dhe trevat shqiptare.
Ushtria turke i kishte lënë në frontshqiptarët pa i përkrahur. Në Merdare kufirin e mbronin rreth 3.000 shqiptar, vullnetar pa pasur eprorë dhe ushtarë të rregullt të Turqisë
Ushtria Serbe dhe çetnikët e Tankosiçit, gjatë kësaj beteje e thyen ushtrinë shqiptare, dhe këta ishin ushtarët e parë serbë që hynë në Prishtinë, dhe në viset tjera të Kosovës. Për luftimet që i zhvilloi në këtë betejë Tankosiçi u dekorua me Urdhrin e Yllit të Karagjogje Petroviqit, me shpata dhe u shpërblye me gradën ushtarake major.
Këtë e pohojnë edhe autorët serbë, të cilët kanë shkruar se tërheqja e forcave turke dhe shqiptare nga Merdarja dhe thyerja e rezistencës së shqiptarëve te fshati Teneqdoll afër Prishtinës, që ishin pozicionet më të rëndësishmet, i mundësuan ushtrisë serbe për t’u shtrirë në Rrafshin e Kosovës, dhe për të marshuar në drejtim të Shqipërisë.
Burimet serbe thonë se më 22 tetor 1912, rreth orës 16.00 tërhiqen edhe pjesët e fundit të forcave turke që mbronin hyrjet në Prishtinë. Më 22 tetor 1912, njësitë e ushtrisë turke, ishin tërhequr në drejtim të Ferizajt, kurse Armata e Tretë serbe pa ndonjë rezistencë të madhe, e ka pushtuar Prishtinën.
Regjimenti i tretë i ushtrisë serbe që e përfshinte rrethin e Medvegjës komandohej nga tre komandantë, të cilët vepronin në anën veriore të malit Lisica në Prapashticë, dhe kjo vijë kufitare më e afërta me Prishtinën quhej edhe “Zorra e Trashë”. Në këtë pikë kufitare veproi me njësitin e tij të çetnikëve edhe Zhivko Gvozdiç, çetnik, me origjinë shqiptare nga qyteti i Vushtrrisë. Ndërsa Sava Petroviç Germija, i lindur në Prishtinë, me grupin e tij të çetnikëve ishte dërguar të veprojë në Sfircë, si duket arsyeja e dërgimit në Sfircë ishte sepse po të vepronte në Merdare apo në Prapashticë do të identifikohej prej popullatës shqiptare.
Foto 11. Sava Petrovic Germija, në formacionet çetnike mes viteve 1906-1908, dhe Foto 12. Zhivko Gvozdiç, (i ulur në rendin e parë nga ana e majtë)
Foto 13. Çetniku serbë Stefan Nedici me grupin e tij dhe Foto 14. Vojsllav Tankosiçi, me grupin e tij të çetnikëve në Merdarë, gjatë vitit 1912
Qeveria serbe forcat më të mëdha të ushtrisë i kishte vendosur në fshatrat e Medvegjës. Sipas planit ushtarak serbë, synohej që përmes Prapashticës të hynin në Prishtinë. Mirëpo, sulmet e njësitit të çetnikut Vojisllav Tanaskoviqit, që ju paraprinë sulmeve të ushtrisë së rregullt serbe, ndikuan që këto njësite prej Merdarës të hyjnë të parat në Prishtinë. Pas thyerjes së kufirit në Merdare, territoret shqiptare sulmohen nga të gjitha pozicionet serbe për gjatë kufirit. Shqiptarët sulmohen nga të gjitha anët, vriteshin, digjeshin fshatra të tëra. Ushtria e rregullt prej Medvegjës e sulmoi Prapashticën dhe Sfircën. Në të dy këto pozicione shqiptarët nuk e kishin përkrahjen e ushtrisë turke. Shqiptarët edhe pse nuk kishin armatim të duhur mbi baza vullnetare zhvilluan luftime të ashpra me ushtrinë serbe. Në Prapashtice digjet i tërë fshati, popullata një pjesë strehohet në male ndërsa pjesa tjetër, hyjnë në Prishtinë para se të hynte ushtria serbe prej kësaj ane.
Sipas rrëfimeve të gjyshit dhe gjyshes time, që i kishin bartur prej të parëve të tyre edhe anëtarët e familjes tonë para ushtrisë serbe, me plotë vështirësi kishin hyrë në Prishtinë. Familja e jonë duke e pasur një lidhje familjare me familjen Orana dhe me Salih Goglen, ishin strehuar në familjet e tyre, diku rreth lumit Velusha në Prishtinë. Gjatë asaj kohe në Prishtinë të gjithë burrat që kapeshin në rrugë nga ushtria serbe burgoheshin apo vriteshin. Në një rast ushtria serbe duke e ndjekur për ta vrarë një familjarë tonin, i cili me shpejtësi e kalon murin e një oborri. Djali i tij 13 vjeçar Lahu, kur e dëgjon zërin e babait të tij, e qel derën e oborrit për të parë se çka është duke ndodhur në rrugë. Ushtarët serbë e kapin Lahun dhe e marrin me veti. Nëna e Lahut Mihane Vrapca, shpërthen në vaj në oborr pa pasur mundësinë që ta shpëtojë djalin e saj të vetëm. Ushtria serbe me bajoneta në dorë, Lahun e tërhiqte zvarrë rrugës përpjetë në drejtim të fshatit Matiçan. Meqë rruga shkonte përpjetë këtë skenë të dhimbshme e kishte parë edhe Mihanja nëna e Lahut. Për fatin e Lahut, më nuk ka ditur të tregojë askush. Si tregonte gjyshja, Mihanja tërë jetën kishte qarë, dhe ishte verbuar nga vaji për djalin e saj, që e kishte parë duke e tërhequr zvarrë para bajonetave të ushtarëve serbë. Çdo njeri që vinte në familje, Mihanja kishte me e vet: A mos dini diçka për fatin e Lahut tim.
Foto 15 dhe 16. Shqiptarë të burgosur në Prishtinë, gjatë viteve 1912/13
Pas aksionit të çarmatosjes së popullatës shqiptare në Kosovë, nga ministri i luftës në qeverinë turke i cili vet i printe këtij operacioni ushtarak, popullata shqiptare në brezin kufitar me Serbinë nuk ndihej e sigurt. Banorët e brezit kufitar nuk kishin asnjë përkrahje, e vetmja mundësi për tu furnizuar me armë ishte blerja ilegale e armatimit nga tregtarët serbë. Disa tregtar shqiptar fillojnë të blejnë armë prej tregtarëve serbë, natyrisht se tregtarët serbë ishin të lidhur ngushtë me ushtrinë serbe. Në këto rrethana duke mos pasur mundësi tjetër, Ibrahim Fana, Ibrahim Govori nga Prapashtica, dhe një shqiptar nga fshati Hajkobillë, të dy këto fshatra në kufi me Serbinë, i blejnë 2000 pushkë prej tregtarëve serbë. Menjëherë pas hyrjes së ushtrisë serbe në këto fshatra, të tre këta shqiptar arrestohen, dhe ju kërkohen armët me regjistër ashtu si i kishin blerë. Meqenëse këta armët i kishin ndarë te vullnetarët shqiptar që e mbronin kufirin, që të tretë vriten dhe trupat e tyre hidhen në puset e fshatit Surkish afër Podujevës.
Ushtria serbe pasi hyn në Prapashticë, i vranë mbi 100 shqiptarë dhe e djegë në tërësi fshatin. Në fshatrat e këtij brezi kufitar prej Merdarës e deri në Prapashticë i mbledhë 1.800 djem dhe burra shqiptar. Të arrestuarit i ndanë në dy grupe. Në grupin e parë prej rreth 1000 vetave, ushtria serbe i dërgon në qytetin e Aleksincit, dhe të gjithë atje përnjëherë pushkatohen. Në mesin e të pushkatuarve mbetet rëndë i plagosur vetëm Imer Fana nga Prapashtica, i cili edhe ashtu i plagosur rëndë për pak ditë arrin te një familje shqiptare në fshatin Sfircë. Në Sfircë ai kishte treguar për shokët e pushkatuar, por nga plagët e rënda kishte vdekur atje pa e pasur mundësinë që ta sheh me sy edhe njëherë vendlindjen e tij.
Grupi tjetër prej rreth 800 shqiptarësh, derisa ishte duke u dërguar për pushkatim në Serbi, ushtria serbe ndeshet me ushtrinë bullgare, kështu që shqiptarët pasi përfundojnë në duart e bullgarëve lirohen, dhe kthehen të gjallë në familjet e tyre. Për këtë rast deri më tani nuk kam gjetur burime të shkruara, por këto ngjarje i kam shënuar nga rrëfimet e njerëzve të moshuar të kësaj ane, e sidomos nga gjyshi im i lindur në vitin 1909. Këto rrëfime ndoshta edhe nuk e kanë vendin të futen në një temë kaq serioze si është beteja në Merdare, por në mungesë të burimeve të shkruara dhe fshehjes së krimeve që i bëri ushtria serbë ndaj shqiptarëve, mendoj se çdo informatë e kësaj natyre do të ishte mirë të shënohet, në mënyrë që ta kompletojmë boshllëkun që e kemi për të kaluarën tonë.
Se numri i shqiptarëve të vrarë ishte shumë i madh, gjatë ekspeditave ushtarake të ushtrisë serbe, të kryer andaj popullatës së pa mbrojtur shqiptare, dëshmojnë edhe burimet e kohës, kur Daily Telegraph për këto ngjarje njofton se gjatë hyrjes së ushtrisë serbe në Prishtinë ishin vrarë 5000 shqiptarë, por njofton edhe për 5000 shqiptarë tjerë të vrarë prej brezit kufitar e deri në Prishtinë. Po ashtu njoftime rrëqethëse tregohen edhe për viset tjera shqiptare.
Për këto masakra të ushtrisë serbe ka shkruar edhe Nju Jork Times, më 31 dhjetor, të vitit 1912. Pastaj kemi edhe burime mjaftë të rëndësishme edhe nga korrespodentët e shteteve perëndimore që i përcillnin ngjarjet e asaj kohe nga terreni.
Ditari i luftës të Kosta Novakoviqit – oficer në ushtrinë serbe, pjesëmarrës në luftën e Merdarit, i botuar në gazeta elektronike beogradase “E-novine”, dëshmon për mizoritë e tmerrshme të trupave të çrregullta të çetnikëve dhe të ushtrisë serbe. Ai i gjykon sjelljet e çetnikëve dhe ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve, duke e vlerësuar si turp për Serbinë dhe ushtrinë serbe.
Në këto luftime nga përbërja e njësive serbe – sipas burimeve serbe – ishin nxjerrë, neutralizuar e vrarë rrafsh 1.507 ushtarë dhe oficerë serbë.
Kurse Malcolm thotë se Armata e Tretë Serbe e pushtoi Prishtinën më 22 tetor 1912, pasi që në luftimet me shqiptarët kishin lënë 1.448 të vrarë e të plagosur.
Përderisa Isa Boletini kthehet në Mitrovicë e më vonë në Shqipëri, kurse Idriz Seferi përballet me serbët sërish në rrugë e sipër të kthimit në rrethinat e Ferizajt.
Gjatë luftërave ballkanike shumë shqiptarë u vranë dhe u dëbuan, shumë shtëpi u dogjën, u konfiskuan prona, shkatërruan vlerat e artit dhe filloi procesi i asimilimit të dhunshëm me bekimin edhe të Kishës Ortodokse Serbe. Për asimilimin e popullatës shqiptare gjatë shekullit XIX, dhe pas luftërave ballkanike, tregojnë dokumentet që ruhen në arkivin historik të qytetit të Beogradit. Në literaturë dhe në kujtimet e regjistruara të qytetarëve të vjetër kishte shumë emra të qytetarëve që tregonin përkatësinë e tyre të mëhershme jo sllave. Njëri ndër ta ishte Arnautoviq Ilija, me gradën oficer, i cili e mbante këtë mbiemër sepse në Beograd kishte ardhur nga jugu, përkatësisht nga trevat shqiptare.
Është fakt interesant se në luftën e Merdarit ka marrë pjesë edhe Kosta Peçanac, po ashtu serbë me origjinë shqiptare nga rrethina e Deçanit, i cili më vonë bashkëpunoi shumë me shqiptarë, e ndër ta edhe me Azem Bejtën dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore e ndante pushtetin me Xhafer Devën, në territorin e kontrolluar nga gjermanët, në veri të Kosovës.
VIJON…
_____________
Dr.Qazim Namani: Pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 dhe luftërat ballkanike (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9963
***
Dr.Qazim Namani: Luftërat ballkanike dhe pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9964
***
Dr.Qazim Namani: Pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 dhe luftrat ballkanike (3)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9977