DR.ROVENA VATA: KADARE-QOSJA-FRASHËRI RRETH IDENTITETIT KOMBËTAR (I)

Tiranë, 16. 04. 2014 – “Identitetet etnike janë reale dhe varietetet e identiteteve etnike kanë ekzistuar në të shkuarën e largët”.1 (Të mendojmë. Të mendojmë ndershëm dhe, vetëm ndershëm, qoftë edhe kundër të gjithëve, sepse ashtu mendojmë për të gjithë. – Romen Rolan) – Në vitin 2006 lindi një diskutim mjaft i ndezur dhe i zhurmshëm mbi çështjen e identitetit, shtetit dhe kombit shqiptar. Në qendër të tij ishin midis tre figurave më të njohura të kulturës bashkëkohore-shqiptare, Rexhep Qosja (Adademik), Ismail Kadaresë (kandidat për Nobel), dhe historiani i njohur Kristo Frashëri.
Me të drejtë shkrimtari i madh argjentinas, Horhe Luis Borhes, thotë se “Libri që nuk e përmban kundërlibrin mund të konsiderohet i panevojshëm”.
Gjatë kulmit të mesjetës dhe rilindjes së hershme, “kombi – bashkë me fenë, fisin, qeverisjen dhe shtresën sociale”- përbënte një prej mënyrave ndërvepruese me anë të të cilit elitat aktive politike identifikonin veten dhe organizonin veprim kolaborativ. Identiteti i përbashkët kombëtar nuk e bashkonte të pasurin me të varfrin dhe as sundimtarin me fshatarin në një komunitet interesash me ndjenja të thella.2
Tezat franceze në lidhje me identitetin e francezëve u zhvilluan brenda për brenda kontekstit të absolutizmit mbretëror dhe opozitës aristokrate apo popullore. E drejta për të sunduar diskutohej midis mbretit dhe fisnikërisë apo shtresave të larta.

– Kristo Frashëri, Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare –

Pra ky diskutim mes palëve ishte jo një konflikt, por një ballafaqim idesh dhe qëndrimesh ndaj çështjes se identitetit, duke argumentuar se këto diskutime të dy palëve nuk tregojnë konflikt por,
a) tregojnë se vetë çështja e identitetit është komplekse, sepse përfshin shumë fusha, shumë çështje, shumë drejtime, ndaj edhe qëndrimet ndaj saj s’ka si të jenë të njëjta, sepse këndvështrimi i studiuesve është i pozicionuar nga pikëpamje të ndryshme.
b) diskutimi i ndezur i palëve akademike tregon qartë natyrën e vet objektit të diskutimit, pra është jo tregues i konflikteve mes palëve akademike, por tregues i vëmendjes maksimale që ekziston prej tyre ndaj kësaj çështjeje kaq delikate e cila provokon shumë.
Identitetin e krijon në radhë të parë përmbajtja kuptimore e komunikimit dhe jo thjesht teknologjitë e tij, pra mediat si infrastruktura materiale.3
Struktura e librit të Ismail Kadaresë “Identiteti europian i shqiptarëve” është një sprovë e trajtuar në formë eseje, i ndarë jo në kapituj, por në pjesë e cila ka gjithsej 7 të tilla.

Libri i Qosjes, “Ideologjia e shpërbërjes” trajton çështje të tilla si:
– Identiteti kombëtar dhe gjuha standarde 4,
– Identiteti kombëtar dhe mimikria politike. 5

Ndërsa te libri “Të vërtetat e vonuara” trajton:
– Qëndrime kundërmyslimane 6,
– Esadizm 7,
– Reagime ndaj polemikës 8,
– Ku e lamë Kosovën 9,
– Si po zgjidhet çështja kombëtare 10 ,
– Besimi dhe mosbesimi 11,
– Krahasime që s’bëhen,
– Edhe kryeparlamentarja futet në polemikë 12 etj.

Konceptet kryesore që formulon Qosja në librat e tij janë: prejardhja e përbashkët, kultura, gjuha, sistemi i vlerave 13, historia e përbashkët do të jenë ata faktorë themelorë të identitetit kombëtar të shqiptarëve. – Identiteti dhe gjuha standarde, – vetëdija fetare, – qytetërimi i krishterë dhe qytetërimi islamik, tërësia dhe pjesët, – koncepti feudal dhe koncepti modern për kombin.
Konceptet e Kadaresë janë të lidhura me identitetin evropian, siç shprehet ndër të tjera ai: “Shqiptarët janë europian se janë racë e bardhë 14, – historia e Shqipërisë është pjesë e kronikës mesdhetare europiane 15, – Skënderbeu u bë së pari mit europian 16, – alfabeti latin 17, – si dhe mbi bazën e këtyre koncepteve ata zhvilluan idetë e tyre të cilat gjenden më poshtë.
Pjesa më domethënëse te libri “Të vërtetat e vonuara” të R. Qosjes, përgjigjja e tij e dytë ku dhe dëshiroj t’ju sjell në kujtesë rastin kur autori thotë…
“Qëllimi im është që të shpjegoj çështjet e ngritura ashtu siç duhet t’i shpjegoj njeriu që nuk pranon të zëvendësohen arsyeja me urrejtjen e argumenti me mashtrimin, domethënë qëllimi im është që të bëj një përgjigje që do të mund të ishte e dobishme për letërsinë, për historinë e letërsisë, për kulturën dhe ndoshta, për politikën tonë”. 18
Ky argument i Qosjes është i vërtetë dhe në të njëjtën linjë shpre¬het edhe Max Weber i cili thoshte: “Një kriter apo një tjetër nuk do të thotë se është i vlershëm gjithandej, asnjë kriter nuk është i vlershëm në kontekste të ndryshme, nuk ka kritere universale”. 19
Qëllimi ynë ishte të përqendrohemi mbi tre – katër elemente që janë themelorë, ndaj të cilëve kishte qëndrime më të ashpra dhe kanë domethënie më të gjatë në praktikë, jo vetëm në Shqipëri, por të paktën edhe në vendet e tjera ballkanase.

Max Weber  (1864 – 1920)

Gjatë polemikës është rrahur fort edhe problemi lidhur me rolin e fesë në identitetin kombëtar të shqiptarëve të sotëm. Nga ky problem fillojnë drejtimet e ndryshme të Kadaresë dhe Qosjes. Sipas Kadaresë, e thënë me fjalët tona, në botën e sotme të civilizuar përkatësia fetare është pjesa private e njeriut. Në kombin modern në plan të parë dalin organizmi i mirë, i civilizuar, tolerant e demokratik i shoqërisë, ku janë ndërthurur humanizmi dhe liria. Ato shfaqen tek mbrojtja e njeriut dhe rregullit të jetës shoqërore. Ndërsa sipas Qosjes, të gjitha identitetet-individual e kolektiv, kulturor, fetar, politik etj – mund të bashkohen në një të tërë, të quajtur identiteti kombëtar, d.m.th, identiteti fetar është element, pjesë e iden¬titetit kombëtar. 20 Ndërkohë, në vijim, ai shprehet se thonë se shqiptarët janë me identitet katolik, ortodoks, mysliman. Bashkohen në një të përgjithshme, identitetin kombëtar shqiptar. Shumica e shqiptarëve, siç dihet janë myslimanë, pavarësisht se jo të gjithë janë besimtarë prapë thellë në shpirtin e tyre kanë diçka nga myslimanizmi.
Kristo Frashëri i atakon të dy për pasaktësi. Sipas tij feja nuk është komponent i identitetit kombëtar. Totalisht mendimin e Frashërit e mbështe¬sim edhe sipas Max Webër i cili thoshte: “Se një element është në një kohë të caktuar dhe nuk është në një tjetër, kjo vlerë nuk shtrihet gjithandej”. 21
Dhe për më tepër në Shqipëri, nuk mund të jetë kriter kombëtar feja myslimane. Vëmendja e Kadaresë është tërhequr së fundi nga çështja e Kosovës, jo se më parë kjo çështje s’ishte trajtuar prej tij, por tani ajo duket parësore. I nxitur nga reagime akademike, politike si të botës shqiptare dhe asaj të huaj të cilat kalojnë në heshtje faktin se shqiptarët dhe kosovarët janë një komb duke mohuar në mënyrë kategorike bashkimin e tyre. Ai përdori për këtë çështje një sërë linjash të ndryshme politike dhe sociale. Argumente të pasura dhe kundërargumente të vërtetuara në mënyrë shkencore vijnë në radhë nga Kadare, të cilat i merr përsipër t’i vërtetojë dhe t’u kthejë përgjigje shumë pyetjeve që na mohojnë ekzistencën e hershme etno-kulturore. Ai i lufton ata që na mohojnë me vetë argumentet e tyre të cilat bazohen në lojëra fjalësh e argumente qesharake. Kadareja është munduar të gjejë tek ai fat i keq i yni, gjatë gjithë historisë, argumente dhe fakte të cilat i çojnë shqiptarët tek kultura e madhe dhe e vjetër evropiane. Pa mundur të gjejnë kundërshtarët tanë, ato kundërargumente të cilat do të na nxirrnin jashtë kësaj kulture, në këtë syth do të mundohemi të fokusojmë disa nga çështjet e trajtuara fillimisht nga Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja lidhur me identitetin e shqiptarëve.
Thelbi i debatit kishte të bënte me një rol të rëndësishëm që luante komponenti fetar në formësimin e identitetit të shqiptarëve, duke lënë mënjanë pjesën tjetër të debatit. Ismail Kadare, përmes sprovës “Identiteti i shqiptarëve” mbron me konsekuencë mendimin se, shqiptarët në të gjitha aspektet kanë identitet europian, ndërsa Qosja flet për një identitet shqiptar, që është sa oksidental, po aq edhe oriental. Debati ishte produktiv pasi ftonte qarqet intelektuale shqiptare të jepnin kontributin e tyre në lidhje me përputhjen ose mospërputhjen e identitetit kombëtar shqiptar me identitetin kulturor europian-temë kjo tepër aktuale për çështjen tonë kombëtare (“Sidomos tani që Shqipëria ndodhet, thekson Kadare, në prag të marrëveshjes së parë serioze me Bashkimin Europian, ndërsa Kosova, në prag të njohjes së pavarësisë së saj në arenën ndërkombëtare).
Debati mbi identitetin “europian” të shqiptarëve u gozhdua pas peshës që ushtron feja në identitetin kombëtar të kësaj etnie dhe me dëmin që i ka sjellë këtij identiteti feja islame në veçanti dhe sundimi osman. Të dy i dhanë një rëndësi komponentit fetar në përcaktimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Kadare bazohet më shumë tek e kaluara historike për të gjetur rrënjët tona të krishtera, ndërsa Qosja e quan identitetin tonë dinamik, identitet që nënkupton se nuk duhet ta fshehim “myslimanizmin” tonë real. Theksimi i komponentit si përbërës thelbësor i identitetit është kundërshtuar nga shumica e analistëve të përfshirë më vonë në debat.

– Arbër Xhaferi –

Arbër Xhaferi thekson: “Popujt që nuk kanë identitet kombëtar, përpiqen ta sajojnë atë përmes fesë, politikës apo përkatësisë gjeografikë”. Sipas një rregulli të pashkruar historik, identiteti kombëtar formon shtetin kombëtar, ndërkaq identiteti fetar formon shtete mbikombëtare, të ashtuquajtura integraliste”, “identitete gënjeshtare” i quan publicisti Ardian Klosi gjithë hamendjet, përqasjet dhe rrekjet për t’i dhënë një shpjegim të saktë identitetit europian të shqiptarëve duke marrë për bazë identitetin fetar.
I të njëjtit mendim është edhe historiani i njohur Kristo Frashëri kur thekson: “Për fat të keq, të dy penat tona të shquara janë përqendruar tek komponenti fetar, duke i dhënë këtij komponenti në çështjen e identitetit kombëtar, një rëndësi më të madhe siç ka p.sh gjuha e cila sidomos tek shqiptarët, për shkak të rrethanave të njohura historike, ka luajtur një rol vendimtar në unitetin nacional”.22
Një nga pikëpamjet e Rexhep Qosjes që ka shkaktuar reagim te Ismail Kadareja, është trajtimi prej tij i çështjes fetare si përbërës i identitetit kombëtar shqiptar. Në lidhje me këtë çështje, Rexhep Qosja, shkruan tekstualisht: “Kemi identitet të veçantë dhe identitet të përgjithshëm, identitete vetjake dhe identitete kolektive, identitet konvencional dhe identitet të ri, identitete historike dhe identitete kulturore, identitete politike dhe identitete mendore, identitet fetar dhe identitet shtetëror etj”. 23 Të gjitha këto identitete që janë identitete më pak a më shumë të veçanta, të një rrafshi më të ngushtë, bashkohen në një të tërë, që do t’i themi “identitet kombëtar”.

– Ardian Klosi  (1957 – 2012) – 

Pra këto identitete të veçanta që kemi – Rexhep Qosja shprehet: “Kemi shqiptar me identitet kosovar, shqiptar me identitet lab, shqiptar me identitet gegë, shqiptarë me identitet toskë, shqiptarë me identitet mirditor, shqiptar më identitet malësor, por të gjitha këto identitete të veçanta, bashkohen në atë “që i themi identitet kombëtar shqiptar” 24. Nga të gjitha këto identiteti protestant dhe shqiptar me identitet ateist, të cilat të gjitha pa përjashtim bashkohen në të përgjithshëm, në të tërën që i themi identitet kombëtar shqiptar.
Nga të gjitha këto identitete të shumta, të veçanta, ajo që e shqetësoi më shu¬më Kadarenë ishte identiteti fetar i shqiptarëve. Ai mendon se nënvizimi, prej Rexhep Qoses, i identitetit fetar, ka pasoja të rënda për shqiptarët, pasi identiteti mysliman, i cili përbën më tepër se gjysmën e shqiptarëve, nuk del si një identitet i përgjithshëm i kombit shqiptar, siç mendon Rexhep Qosja. Në bazë të parimit të faktorizmit algjebrik ato eliminojnë njëra-tjetrën dhe në përfundim del se kemi të bëjmë me një komb pa asnjë identitet, ose për të qenë një pikë me të rezervuar, një komb që ka të përbashkët vetëm gjuhën, madje dikur edhe gjuhën e kishte me identitete të thërmuara dialektore.
Në të njëjtin hulli e fut debatin edhe Arbër Xhaferi kur vëren se: çdo njeri dhe çdo komb ka një sërë identitetesh, kombëtare, fetare, rajonale, fisnore. Problemi shfaqet kur duhet të përcaktohet identiteti dominant që ka përparësi ndaj subidentiteteve të tjera.
Sipas Kristo Frashërit debati rreth identitetit europian të shqiptarëve, mund të vihet në një hulli të drejtë vetëm pasi të jemi në gjendje t’i përgjigjemi pyetjeve:
– Ç’kuptojmë me identitet?
– Ç’ kuptojmë me identitet shqiptar?
– Ç’kuptojmë me identitet europian?

Në vështrimin e përgjithshëm, me “identitet” nënkuptojmë “veçantinë apo tiparet që ka një send, të cilat nuk ndeshen bashkërisht në sendet e tjera”. Në gjirin e shoqërisë njerëzore çdo hallkë e saj ka identitetin e vet, i cili mund të jetë fizik, moral, kulturor, juridik e politik. Kështu, njëri ishte mysliman dhe tjetri katolik, pa qenë nevoja të përmendim familjet mike. Kështu për shembull, njeriu, qenia bazë e shoqërisë njerëzore, burrë ose grua qoftë, ka si tipar themelor identitetin fizik, në vështrimin antropologjik, pra veçori thjesht personale që nuk ndeshen të gjitha së bashku tek qeniet e tjera si: emri, mbiemri, vendlindja, datëlindja, atësia, amësia, seksi, lartësia trupore, ngjyra e lëkurës, e flokëve, e syve, defektet fizike dhe kohët e fundit shenjat e gishtërinjve ose shenjat boimetrike. Në të njëjtën kohë, po ajo qenie njerëzore, ka edhe identitetin e vet kulturor e qytetar, me të cilin nënkuptohen: gjuha amtare, arsimi i kryer, përkatësia etnike, qytetaria shtetërore, në disa raste, por jo kurdoherë edhe përkatësia fetare, të cilat edhe pse janë përkatësi personale, nuk hyjnë në qerthullin e identitetit të mirëfilltë, pasi ndeshen edhe në qenie të tjera humane. Në hallkat e tjera të shoqërisë njerëzore siç janë: bashkësia familjare, fshatare, qytetare, krahinore, kombëtare, identitetet fizike vijnë duke u zbehur, kurse në plan të parë spikatin identitetet kulturore e qytetare. Megjithatë, ka raste kur përkatësia fetare është përfshirë në identitetin familjar, fshatar, qytetar, krahinor, kombëtar, si për shembull: tek polakët (të gjithë katolikët), ose te grekët (të gjithë ortodoksë), ose te turqit (të gjithë myslimanë). Por në raste kur përkatësia fetare nuk përfshihet jo vetëm në identitetin kombëtar si p.sh. tek gjermanet, të ndarë në protestantë dhe katolikë, apo tek shqiptarët, të ndarë në synitë (bektashinj, ortodoksë, katolikë), por as në identitetin familjar s’e ndeshim si dikur, tek familjet laramane të Lurës, ku njëri vëlla ishte mysliman dhe tjetri katolik. Çdo komb përfaqësohet me identitetin e vet kombëtar, i cili në thelb është një identitet kulturor dhe qytetar, me komponentë të tillë siç janë gjuha e banorëve, trashëgimia historike, kultura popullore, mentaliteti shoqëror, mënyra e jetesës, e drejta e pashkruar…, por si?.
Jo feja përcaktonte identitetin fizik të Europës, por gjeografia fizike e hapësirës së saj dhe kombet ose shtetet që bëjnë pjesë në të. Nga kjo pikëpamje, identiteti fizik i Europës ndryshon jo vetëm nga ai i kontinentëve të tjerë, por edhe nga ai i kombeve që bëjnë pjesë në të, të cilët janë në raport me kontinentin si pjesa me të tërën.
Gjasat që të përftohet një fe universale janë vetëm fare pak më shumë sesa për një gjuhë universale.25
Ndryshe qëndron puna me identitetin kulturor dhe qytetar. Europa është një kontinent i përbërë nga një mori kombesh, të cilët da¬llo¬hen midis tyre nga: gjuha amtare, pozicioni gjeografik, trashëgimia historike, kultura popullore, mentaliteti shoqëror, e drejta e pashkruar, mënyra e jetesës.
Si rrjedhim, Komuniteti Europian nuk ka një identitet kulturor dhe qytetar të përcaktuar, sepse përbëhet nga një larmi identitetesh kulturore dhe qytetare kombëtare, nga të cilët asnjëri nuk mund të përfaqësojë identitetin kulturor dhe qytetar të kontinentit. Edhe në këtë rast, identiteti kulturor dhe qytetar i çdo kombi europian është në raport me atë që s’do të ishte identiteti kulturor europian, si pjesa me të tërën. Europa si e tillë nuk ka asnjë identitet të mirëfilltë kulturor e qytetar të saj. Nëse nga kjo pikëpamje duhet të flasim për një identitet të mirëfilltë kulturor europian, këtë duhet ta kërkojmë tek larmia e identiteteve kulturore e qytetare të kombeve që jetojnë në gjirin e saj, pra tek mungesa e një identiteti të mirëfilltë jo europian.

– Europa e vjetër –

Ismail Kadare në esenë e tij me titull “Identiteti europian i shqiptarëve”, i vë një theks të tepruar komponentit fetar, qoftë i krishterë, qoftë katolik, qoftë mysliman, kur flet për identitetin shqiptar të shekujve të kaluar. Ai pranon se për një kohë të gjatë, identiteti shqiptar u gatua duke pasur si komponent fenë e krishterë. Me këtë komponent fetar, shqiptarët kishin sipas tij, një “Identitet të plotë europian”. Por më vonë, ai mendon se me pushtimin osman të Shqipërisë, krejt feja islame e diktuar nga Perandoria Gjysmëhënës, për interesat e saj politike zëvendësoi fenë e krishterë si përbërës në identitetin kombëtar të shumicës së popullsisë shqiptare, identiteti i tyre “europian” u dëmtua. Gjuha vjen e dyta vetëm pas fesë si faktor dallues i njerëzve të një kulture prej atyre të një tjetre. Perëndimi dallohet prej shumicës së qytetërimeve të tjera nga shumica e gjuhëve. Japonishtja, hindishtja, mandarinishtja, rusishtja dhe madje arabishtja pranohen si gjuhë bërthama të qytetërimeve të tyre. Perëndimi trashëgoi latinishten, por lindën një varg kombesh dhe bashkë me to gjuhët kombëtare, të grupuara çlirtazi në kategoritë më të gjera të gjuhëve romane e gjermanike.26

VIJON…

———————————————

DR.ROVENA VATA: KADARE-QOSJA-FRASHËRI RRETH IDENTITETIT KOMBËTAR (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2678

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura