Tiranë, 20. 12. 2013 – Me Naim Frashërin nis poezia e re shqipe, poezia moderne me kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Naim Frashëri është i pari në poezinë shqipe që krijoi poemën-sintezë, poemën pa personazhe e episode, si “Bagëti e Bujqësi” dhe “Bukuria”. “Bagëti e Bujqësi” aq figurshmëri që ka e ka për shkak të gjuhës dhe kjo mënyrë është rruga më e vështirë për të bërë poezi… Poeti ynë i madh çeli shtigjet e para të vërteta në poezinë tonë dhe bashkë me këto shtigje vuri gurët në themelet e gjuhës letrare kombëtare… Si kolos i fjalës artistike shqipe, Naimi mbetet, megjithatë, një mister artistik, një habi, një joshje, gjithnjë mbresëlënës… Sekreti i poezisë naimiane kërkohet pikërisht te fakti se vargu realizon përsiatje emocionale, që thellohen në fshehtësinë e shpirtit njerëzor.
Që nga Aristoteli e këndej ne e dimë se mjet për shprehjen letrare është gjuha. Mjeti nuk është arti, por realizimi formal i tij. Sa i përket letërsisë, ma merr mendja se kjo e fundit në qenësinë e saj fenomenologjike jeton edhe para se të bëhet gjuhë. Është e vërtetë se ajo formësohet vetëm nëpërmjet gjuhës. Por, gjuha në esencë është mjet komunikimi dhe si të tillë e studion gjuhësia, të cilën e ka forcuar Sosyri. Gjuha, që nga rrënjët e saj, të cilat vështirë mund të hetohen, e deri më sot, nuk ka arritur ta mënjanojë nga trupi i vet shumëkuptimësinë, motivimin e figurën. Prandaj kemi, në njërën anë, gjuhën arbitrare, apo konvencionale, që është gjuha e komunikimit të zakonshëm, dhe gjuhën e motivueshme ose të pazakontë, që është gjuha e figurës. Në këtë fenomenin e dytë realizohet gjuha letrare, e cila nuk ka të bëjë në esencë me funksionin e gjuhës arbitrare. Prandaj, çdo shprehje që merr motivim jashtë një komunikimi të zakonshëm mund të cilësohet si të folur të figurshëm ose figurshmëri. Këtë dukuri shumë mirë e ka shpjeguar Roman Jakobsoni në tekstin “Poli metaforik dhe metonimik i gjuhës”, ku ka konstatuar se gjuha e letërsisë në fakt është shmangia nga komunikimi i zakonshëm. Kur kjo shmangie dominon, atëherë kemi të bëjmë me tekst të figurshëm që ne i themi letërsi. Kur, pas këtyre përgjithësimeve, kthehemi dhe e lexojmë poemën “Bagëti e Bujqësi” të Naimit, mund të theksojmë se te ky tekst dominon diskursi gjuhësor jokonvencional, pra i motivueshëm, ku teksti e ka dominancë figuracionin, gjuhën që nuk e ka vetëm një kuptim, prandaj edhe meriton të cilësohet si tekst letrar.
Sa i përket rendit gjuhësor, mund të themi se nuk ka prishje të rendit sintaktik, por ka motivim të gjuhës duke e shndërruar atë në gjuhë të figurshme. Kur themi gjuhë e figurshme, nuk do të thotë se kjo gjuhë nuk duhet ta respektojë sintaksën ose rendin e fjalëve në fjali. Por, kur themi gjuhë e figurshme, normalisht se duhet ta kuptojmë se nuk ekziston vetëm një figurë! Pra, kemi shumësi figurash. Pra, çdo periudhë shkrimi e ka edhe figurën e vet dominuese! Konform përdorimit të kësaj figure ose të tipit të figurës, ne e lokalizojmë edhe natyrën e shkrimtarisë dhe ia vendosim arbitrarisht emrin, qoftë letërsi antike, mesjetare ose romantike e simboliste. Kështu, shikuar në prapavështrim, figurë dominuese në diskursin e figurshëm letrar të rrymës romantike është metafora e brishtë, një metaforë e munguar, mund të themi, pastaj krahasimi, hiperbola, apostrofa, enumeracioni, pyetja retorike etj.
Me Naim Frashërin nis poezia e re shqipe, poezia moderne me kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Naim Frashëri është i pari në poezinë shqipe që krijoi poemën-sintezë, poemën pa personazhe e episode, si “Bagëti e Bujqësi” dhe “Bukuria”.
“Bagëti e Bujqësi” aq figurshmëri që ka e ka për shkak të gjuhës dhe kjo mënyrë është rruga më e vështirë për të bërë poezi. Ligjërimi neutral nuk ka konotacion shtesë – ka konotacion sa vetë gjuha mund ta lejojë, por si e arrin emocionin poema e Naimit? Duke përdorur fjalën me rend gjuhësor, me rend origjinal, me formë gjuhësore vetjake dhe duke arritur të krijojë imazh. Liternatura, gjuhë dhe letërsi, tekst është shumë pak, ndërsa letërsi është vetëm në momentin e përjetimit. Gjuha dhe natyra e bëjnë liternaturën, pra, ikja prej natyre.
Semantikisht gjithë poema është ndërtuar duke thirrur para syve të lexuesit gjithçka fshihet në gjirin e atdheut ose gjithçka fle në kujtesën e tij. Kjo vjen prej vetë karakterit emotiv të stilit, i cili “në relacionin midis folësit dhe referencës së ligjëratës së tij, theksin e vë në folësin”. Në këtë rast është subjekti lirik që, përmes intonacionit thirror të ligjëratës, hyn në dialog me gjithçka ose në monolog me vetveten, pa personifikuar askënd, por duke identifikuar ndjenjën e duke nxjerrë në pah domethënien kontekstuale përpara domethënies kryesore që ka funksion dytësor. Poema hapet me një apostrofë madhështore: “O malet e Shqipërisë! E ju o lisat e gjatë”.
Këtu futet paramendimi i autorit për receptivin, i cili i ka menduar të kënduara e jo të lexuara, këtu shkon deri tek koncepti i oralitetit, duke përdorur mjetet gjuhësore të thjeshta, me qëllim që i pari i cili të lexonte vargjet, ai tjetri ta përcjellë gojarisht një grupi të gjerë dhe kështu të vazhdojë. Po Naim Frashëri është eksplicit e jo implicit, prandaj me të drejtë dhe pa drojë mund të themi që Naimi e bëri shqipen të flasë shqip dhe vetë fjala shqip është eksplicite. Poeti ynë i madh çeli shtigjet e para të vërteta në poezinë tonë dhe bashkë me këto shtigje vuri gurët në themelet e gjuhës letrare kombëtare.
Figurë e rëndësishme është enumeracioni, i cili krijon pasuri pamjesh dhe përjetimesh të ndryshme emocionale. Kjo poemë, në të vërtetë, në tërësi mund të merret si një apostrofë e natyrës së atdheut. Fuqia emocionale e saj, në një pjesë të madhe, është e varur prej qëndrimit të subjektit poetik ndaj natyrës që në të, në përgjithësi, është qëndrim tejet veprues, gjallërues. Tregimin përshkrues, më shpesh sesa në asnjërën prej poemave të tjera të Naim Frashërit, e ndërpresin ndërhyrjet njerizuese, përkujtimet dhe thirrjet, që kanë trajtën e apostrofës, me të cilat gjallërohet bota e vdekur. Për këto arsye përmbajtje të apostrofës do të kenë edhe ato shprehje që nuk duken si apostrofa klasike.
Enumeracioni është një figurë retorike që konsiston në një grupim të veçantë koordinues të fjalëve si me anë të asindetit ashtu dhe me anë të polisindetit. Objektet e numëruara mund të shkallëzohen dhe në këtë rast ndajmë shkallëzimin ngjitës dhe zbritës. Në rastin tonë kemi enumeracion zbritës: «Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar». Këtë e kërkon nevoja gjuhësore, d.m.th. gjatë ligjërimit dhe komunikimit njeriu kërkon që te bashkëfolësi të tërheqë vëmendjen dhe të lerë gjurmë duke e bërë të folurit e tij sa më të besueshëm dhe kjo mënyrë arrihet nëpërmjet numërimit të gjërave në mënyrë të njëpasnjëshme, radhazi, njëra pas tjetrës.
Si kolos i fjalës artistike shqipe, Naimi mbetet, megjithatë, një mister artistik, një habi, një joshje, gjithnjë mbresëlënës. Fjala shfaqet si bartëse jo thjesht e një mendimi dhe dëshire të individit, por si mishërim hyjnor i thelbit të qenies njerëzore, i asaj problematike që ka të bëjë me jetën, vdekjen, të mirën, të urryerën, të cilat shoqërojnë njeriun gjatë gjithë jetës së tij. Sekreti i poezisë naimiane kërkohet pikërisht te fakti se vargu realizon përsiatje emocionale, që thellohen në fshehtësinë e shpirtit njerëzor.
“Mos shkruaj gjë kur je me nerva; sepse, kur plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo çfarë mund të jetë ajo e pendës”.
“Bagëtia dhe Bujqësia”, malet përpjetë dhe pyjet me lisa të gjatë, fushat pjellore dhe bregoret gjelbërore, Tomorri, Drini dhe Bujana, Kruja e Skënderbeut, Labëria dhe Çamëria, Gjakova dhe Ulqini, Korça, Dibra dhe Tetova, Prishtina dhe Vlora e Durrësi, kërthiz e mëmëdheut, vasha bukuroshe e bariut me llërët e perëndijta, fyelli dhe xhuraja, ogiçi dhe baliku që ruan dhentë, keci i mbetur pa mëmë dhe qengji që turret te mëm’ e tia, varr i shkretë i një udhëtari dhe vaji i një mëmë të mjerë, yjtë, hëna, shënja, që lindin e perëndojnë dhe gjithësia e tërë, dallëndyshja që ligjëron ligje mali Shqipërie, gjithçka evokon poema, janë një shkak për të poetizuar dashurinë dhe mallin për vendlindjen, për të himnizuar atdheun me pasurinë e tij shpirtërore e lëndore dhe për të ndërtuar kultin e Shqipërisë dhe kultin e krenarisë kombëtare.
*) KUSH ËSHTË DR.ROVENA VATA
Dr.Rovena VATA ka kryer studimet për Gjuhë-Letërsi shqipe pranë Universitetit të Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji, ku realizoi edhe studimet e Masterit Shkencor në degën e Shkencave Letrare në specialitetin “Letërsi e Përgjithshme dhe Letërsi e Krahasuar” me mikrotezën me temë: “Frymët, demonët dhe besëtytnitë në rrëfenjat e Kutelit, Gogolit dhe Turgenievit”, (Aspekte të demonologjisë krahasuese). Me datë 17 qershor 2013 mori gradën shkencore “Doktor” në fushën e Studimeve Letrare, në specialitetin “Letërsia dhe mitologjia”, pranë Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjikë në Tiranë, ku edhe punon aktualisht. Rovena Vata jep mësim si pedagoge e ftuar pranë Universitetit të Arteve (Akademia e Arteve) si dhe pedagoge e jashtme pranë Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës. Struktura e studimit paraqitet mjaft efikase për të realizuar qëllimin e synimin e shprehur. Niset me Mitin e malit në Kanunin e Lekë Dukagjinit, e më pas në letërsi: Mali si traditë në letërsinë e vjetër: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi. Miti i malit në letërsinë romantike, duke u përqendruar në vijim tek 4 autorë: Fishta, Koliqi, Migjeni e Camaj si dhe në vija të përgjithshme në letërsinë e Realizmit Socialist. (Prof. dr. Laura Smaqi – Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.)
=========================
– NAIM FRASHËRI “BAGËTI E BUJQËSI” –
* * *
[Dokumentar] Naim Frasheri HD (1990)
* * *
DR.ROVENA VATA: NDRIҪIME TË REJA NË EPOSIN E KRESHNIKËVE
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2221
* * *
DR.ROVENA VATA: BAZA PAGANE DHE E KRISHTERË TE PERSONAZHET E KUTELIT, GOGOLIT DHE TURGENIEVIT
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2167