DR.SABRI KIÇMARI: KONFERENCA E PARË E OMLK – LPK’së (21 & 22 PRILL 1989)

Prishtinë, 25 prill 2019: Në Prishtinë është mbajtur një Akademi Jubilare, kurse në Divjakë është shpalosur pllaka përkujtimore me rastin e 30-Vjetorit të mbajtjes së Konferencës së Parë të pararojës së Lëvizjes Popullore të Kosovës – OMLK në Divjakë, organizuar nga Shoqëria „Lëvizja“. Në Divjakë bashkë me bashkëveprimtarë të shumtë kemi shpalosur së bashku Pllakën Përkujtimore, kurse në Prishtinë, në Institutin Albanologjik, kam mbajtur një kumtesë në lidhje me rëndësinë e Konferencës së Parë, të mbajtur më 21 dhe 22 Prill 1989 në Divjakë. Po i përcjellë disa thekse nga fjala ime në Akademi, kurse kumtesa e plotë do të botohet në një botim të veçantë të Shoqërisë “Lëvizja.”
***

SI ERDHI DERI TE KONFERENCA?
Pas demonstratave të vitit 1981, grupet e fshehta u goditën keq nga Lidhja Komuniste dhe shteti jugosllav. Dhjetëra vetë u vranë, mijëra tjerë u burgosën dhe u detyruan të arratiseshin. Përkundër terrorit masiv shtetëror, Lëvizja jonë nuk u shua. Sa goditej qendra drejtuese, riorganizoheshin radhët e mbetura. Ky proces u ripërsërit disa herë deri në pranverën e vitit 1988.

Në mbledhjen e parë konstituitive të mbajtur në një banesë studentësh në Prishtinë, u riorganizua Komiteti Organizativ me këtë përbërje:
– Fadil Vata – Sekretar Politik,
– Sabri Kiçmari – Sekretar Organizativ,
– Beqir Beqa – Sekretar për Propagandë dhe Agjitacion.
U vendos të shpërndahej nje trakt dhe të fillohej me punë për organizimin e botimit të gazetës në Kosovë. Arrestimet e 27 shtatorit të vitit 1988 e sollën në gjendje të vështirë Lëvizjen. Shumë nga anëtarët u arrestuan, por askush nga qendra drejtuese. Beqir Beqa në Varosh dhe Sabri Kiçmari në Llap, dhe shumë shoqe dhe shokë të tjerë, arritën t’i shmangen rrethimit të policisë. Beqa për pak kohë u largua jashtë vendit, Fadili dhe unë vendosëm të vazhdojmë riorganizimin e radhëve. E kooptuam në Komitetin Organizativ Afrim Zhitinë, në cilësinë e Sekretarit për Progandë dhe Agjitacion, në vend të Beqir Beqës, kurse u emërua edhe Binak Berisha si anëtar i Komitetit Organizativ.
Në një mbedhje në Mirofc të Komitetit Organizativ, në nëntor të vitit 1988, e diskutuam mundësinë e mbajtjes së Konferencës së Parë. I dërguam një propozim edhe Degës jashtë vendit.
Në janar të vitit 1989 në Kosovë erdhën nga jashtë vendit me detyrë
– Ali Ahmeti dhe
– Hajdin Abazi.
Ata u kooptuan si anëtarë me të drejtë vote konsultative në Komitetin Organizativ, gjatë kohës sa do të qëndronin në Kosovë. Në muajin shkurt u organizuan dy Mbledhje Konsultative në Obiliq, në shtëpinë e Sahit Krasniqit. Në mbledhjen e parë u vendos që të organizoheshin manifestimet e studentëve në mbështetje të Grevës së Minatorëve, kurse në Mbledhjen e Dytë Konsultative u debatua në lidhje me shkuarjen drejt Konferencës.
Krahas angazhimeve të përditshme të organeve udhëheqëse dhe gjithë anëtarësisë së të dy krahëve të Lëvizjes, në organizmin e solidarizimit të rinisë studentore me Grevat e Minatorëve, organizimin e Grevave në Kombinatin e Obliqit dhe në KNI Ramiz Sadiku, hapi pasues ishte organizimi i demonstratave më 27 Mars 1989.
Këto rrethana e shtynë Konferencën për disa javë. Kishte dy opcione për vendin e Konferencës:
– Mirofci në Llap ose
– Divjaka.
Të dy ishin zona të larta malore. Mirofci fare afër kufirit me Serbinë, kurse Divjaka në zemër të Kosovës. U vendos për Divjakën. U vendos që Konferenca të fillonte të premtën, më 21 Prill 1989, sepse u vlerësua se lëvizja e pahetueshme e delegatëve në fundjavë do të ishte më e lehtë. Nga dy drejtime të ndryshme, delegatët erdhën në Divjakë pa hetuar.
Në konferencë kanë marrë pjesë:
Fadil Vata (Fehmiu),
Sabri Kiçmari (Zefi),
Afrim Zhitia (Ismaili),
Bardhyl Mahmuti (Fatosi),
Ali Ahmeti (Abazi),
Binak Berisha (Adili),
Ruzhdi Saramati (Aliu),
Hajdin Abazi (Rexha),
Fadil Bajrami (Adashi),
Sahit Krasniqi (Kujtimi),
Abdyl Krasniqi,
Selami Kryeziu,
Bajram Kadriu (Koci).
Për transportin u kujdes Sahit Krasniqi me bashkëpunëtorë. Për ushqimet dhe rojet u kujdesën pjesëtarët e familjes së Nezir Zogajt.
Raportin me titull “Situata politike në Kosovë e më gjerë” u lexua nga Sekretari Politik Fadil Vata. Raporti Organizativ u mbajt nga Sekretari Organizativ Sabri Kiçmari. Përshëndetja në emër të Degës jashtë vendit u lexua nga Ali Ahmeti. U lexuan edhe dy kumtesa tematike nga Afrim Zhitia dhe Hajdin Abazi. Për dy ditë me radhë u debatua për Raportin Politik, për Raportin Organizativ, për taktikën dhe strategjinë e Lëvizjes, etj.
Në fund të Konferencës u zgjodh Komiteti Organizativ me këtë përbërje:
1. Fadil Vata,
2. Afrim Zhitia,
3. Bardhyl Mahmuti,
4. Bajram Kadriu,
5. Behajdin Hallaqi,
6. Binak Berisha.
Për Sabri Kiçmarin u vendos që të largohej jashtë vendit në një afat optimal dhe prandaj u zgjodh anëtar i Komitetit Organizativ përkohësisht, bashkë me Ali Ahmetin dhe Hajdin Abazin, deri sa të vazhdonte qëndrimi i tyre në Kosovë.
Në Sekretariatin e Komitetit Drejtues u zgjodhën:
1. Fadil Vata – Sekretar Politik,
2. Afrim Zhitia – Sekretar Organizativ dhe
3. Behajdin Hallaqi – Sekretar për Propagandë dhe Agjitacion.
Le të shohim së bashku vendimet e Konferencës së Parë:
– Të organizohen demonstrata me rastin e ardhjes së Parlamentit Evropian në Kosovë;
– Të organizohet edhe më tutje rezistenca popullore me ato forma që më së miri u përshtaten rrethanave të krijuara me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, si grevat, demonstratat, sabotazh ekonomik e bojkot tregtar dhe forma tjera popullore;
– Të konsolidohen radhët e organizuara në Kosovë dhe viset e saj,
– Të udhëheqë punën në organizmin e këshillave popullore brenda e jashtë vendit;
– Të vazhdohet me botimin e “Rrugës së lirisë”, trakteve, proklamatave dhe shkrimine parullës “Kosova Republikë”, kudo ku ka mundësi;
– Të organizohen protesta nëpër të gjitha vendet perëndimore, ku ka mundësi.
(…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura