PROF.DR.VEBI XHEMAILI: MARRËDHËNIET SHQIPTARO JUGOSLLAVE (1945-1948) DHE E VËRTETA E ENVER HOXHËS PËR KOSOVËN (I)

 Tetovë, 01. 02. 2014 – (Rezymeja) – Brenda atmosferës së Luftës së Ftohtë të Europës së Pasluftës, pozita e Shqipërisë ishte veçanërisht e pasigurt. Lidhjet e saj me Perëndimin ishin keqësuar pas episodit të Korfuzit, ndërkohë që amerikanët mbështetnin fort pretendimet greke mbi Shqipërinë Jugore. Kështu që shqiptarët nuk kishin zgjidhje tjetër alternative veç bashkëpunimit me Beogradin, duke e ditur se vetë Stalini i kishte dhënë aprovimin Titos për të imponuar mbizotërimin e tij në atdheun e tyre. Në qershor 1946 të dy vendet nënshkruan Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke. Në atë kohë kishte ridalë në paraskenë plani i Titos për krijimin e Federatës Ballkanike dhe për këtë arsye ai nënshkroi marrëveshje të njëllojtë edhe me Bullgarinë. Krijimi i Federatës që do të përfshinte Jugosllavinë, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë, ishte një prej objektivave kryesore të politikës së jashtme të Jugosllavisë, për periudhën e Pasluftës. Atë kohë lidhjet me Beogradin ofruan njëfarë avantazhi ekonomik. Në korrik 1947 Jugosllavia akordoi një hua në masën 40 milion dollarë, për mbështetjen e drejtimeve ekonomike të atij viti. Kjo shumë korrespondonte në rreth 58% të buxhetit shtetëror shqiptar. Megjithëkëtë, kundërveprimi ndaj ndikimit jugosllav, rritej gjithnjë e më shumë. Qeveria shqiptare nisi të protestonte për çmimet që servirnin jugosllavët në tregun e produkteve të palivruara, për metodën me të cilën llogaritej shuma e pjesëmarrjes shqiptare në operacionet integrale shqiptaro-jugosllave, për refuzimin e tyre për të përfituar pjesën e parashikuar të kapitalit në këto operacione, si dhe për mos kaparosjen e përçarjes së vetë për ngritjen e një shoqërie të përbashkët detare, për të marrë në dorë të saj kontrollin e tregtisë së jashtme të vendit. Marrëdhëniet sovjeto-jugosllave keqësoheshin për shkak të planeve të Titos dhe të udhëheqësit bullgar Gjergj Dimitrov, për të formuar Federatën Ballkanike, për te cilën qe në kundërshtim Stalini. Stalini qe revoltuar për adoptimin demonstrativ të politikës së jashtme të pavarur të të dy satelitëve të tij dhe kryesisht për faktin se nuk ishte kërkuar paraprakisht mendimi i tij. Aty nga fundi i vitit, ndërsa acaroheshin mosmarrëveshjet midis Moskës e Beogradit, Tito nisi të ushtronte presion për aneksimin e Shqipërisë. Përpjekja për nënshtrimin e Shqipërisë ishte kontradiktore me predikimet komuniste të Jugosllavisë “për bashkimin vullnetar të të dy vendeve dhe të vetëvendosjes së popujve.

Kreu i PKSH, Enver Hoxha në mesin e dy komunistëve jugosllavë, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviqi.

*  *  *
Vendi i parë me të cilin Shqipëria lidhi marrëdhënie diplomatike pas Luftës së Dytë Botërore ishte Jugosllavia. Regjimi i ri jugosllav e njohu regjimin e Tiranës më 28 prill 1945.1 Në të dy vendet në pushtet ishin partitë komuniste, me një përvojë bashkëpunimi duke filluar gjatë luftës dhe shënonin një zhvillim të dukshëm edhe pas saj. Në vitet e luftës në Shqipëri ishte vendosur një mision ushtarak jugosllav. Prania jugosllave në Shqipëri, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, filloi të rritej, duke dhënë ndihmë ushtarake dhe ekonomike. Në cilësinë e ekspertëve, të dërguarit jugosllavë u vendosën në institucionet e Shtetit Shqiptar. Megjithatë, marrëdhëniet gjatë vitit 1945 u përqendruan kryesisht në fushën politike e diplomatike dhe më pak në atë ekonomike. Gjatë këtij viti u nënshkrua vetëm një marrëveshje e përkohshme për shkëmbimin e mallrave. Por Jugosllavia me urdhrin e Titos i dërgoi Shqipërisë një ndihmë të madhe në materiale për ndërtimin e vendit, por nuk mungoi ndihma edhe në drithëra; grurë dhe misër.
Shqipëria pra, u radhit përkrah kombeve të bashkuara antifashiste. Megjithatë ka munguar akti formal-juridik, që është aq i domosdoshëm për të legjitimuar aleancën me Kombet e Bashkuara. Kjo specifik i kishte sjellë shumë pengesa Shqipërisë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore për njohjen e saj ndërkombëtare. Por duhet thënë se vështirësitë e tilla nuk kishin të bënin realisht më statusin e papërcaktuar të shtetit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, sa ishin krijesat e antagonizmave midis Fuqive të Mëdha fituese antifashiste dhe rindarjes së sferave të interesit. Me këtë rast nuk duhet nënvlerësuar synimet, historikisht hegjemoniste të ish Jugosllavisë në vorbullën e të cilave interesa aso kohe mbroheshin edhe interesat sovjetike.
Këto antagonizma, me rastin e çështjes shqiptare veçmas u reflektuan gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë midis botës demokratike perëndimore dhe kampit lindor komunist. Për këto shkaqe Shqipëria në fillim nuk u ftua në Konferencën e Parisit edhe pse ajo kishte të drejtë të plot dhe të barabartë me pjesëmarrësit tjerë.2 Çështja e mungesës së aktit formal-juridik me karakter ndërkombëtar që i ka munguar Shqipërisë për tu quajtur aleat i Koalicionit Botëror Antifashist na rikthen në aktin e nënshkrimit të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara të datës 1 Janar 1942 në Uashington. Ishte ai një dokument që u nënshkrua nga përfaqësuesit e qeverive të 26 vendeve, disa prej të cilave qeveri ishin edhe në emigracion. Por kjo e drejtë nuk iu dha Ahmet Zogut. Shtrohet pyetja pse nuk u ftua Shqipëria dhe kush kishte të drejtën e ligjshme për të përfaqësuar Shqipërinë? Padyshim se nuk ishte fjala për një “Haresë” të rastësishme që Shqipëria nuk u ftua të bashkohej në deklaratën e 26 kombeve antifashiste. Edhe pse paria shqiptare kishte shprehur me kohë bashkëpunim me guvernën e Shteteve të bashkuara.3 Zogu dhe çfarëdo përpjekje e tij në mërgim për të restauruar legjitimitetin dhe përfaqësimin sovran të Shqipërisë u kundërshtua edhe nga qeveritë mbretërore serbe dhe greke, në emigracion të cilat qeveri falë përkrahjes perëndimore kishin një status të avancuar e gati zyrtar në krahasim me mbretin shqiptar dhe popullin e tij.4
Për Kosovën në këtë kohë shumë pak është biseduar me udhëheqësin e PKJ. Ata deklaronin se janë marrë vesh me komunistët shqiptarë, qysh para shkuarjes të misionit ushtarak jugosllav, se ishte pastruar çështja e Kosovës, midis Komitetit Qendror të PKSH dhe Komitetit Qendror të PKJ, në prezencë të Milladinit dhe Mugoshës. Por rrethanat ndryshuan me rastin e qëndrimit të Svetozar Vukmanoviç Tempos në Shtabin Nacionalçlirimtar të Shqipërisë i cili ishte kundër kësaj marrëveshje pa mbaruar lufta. Se çdo bisedë në këtë drejtim çon ujin në mulli të “reaksionarëve”. Por në anën tjetër komunistët jugosllav që vepronin në Shqipëri të akredituar pranë Shtabit të Enver Hoxhës asnjëherë nuk e shtruan problemin drejt, për ato vendime të marra të KQ të PKJ në prag të fillimit të luftës, ku thuhet: ”KQ i PKJ, qëndron në pozicionet e mbrojtjes së integritetit të Jugosllavisë”, në një këshillim të KQ të PKJ të mbajtur në fillim të majit 1941, thuhet: se PKJ pa marrë parasysh copëtimin e Jugosllavisë ajo do të veproj dhe punoj pa ndërpre në të gjitha krahinat e okupuara të vendit, duke mbajtur lidhje me ato krahina pa marrë parasysh copëtimin e saj nga disa shtete të boshtit.” Pa marrë parasysh se Jugosllavia është e ndarë në kufijtë e saj. PKJ do të veprojë si një tërësi dhe do të ketë lidhje të rregullta me ta, kur plasi kryengritja KQ i PKJ në vepër i vuri këto qëndrime.5 Pavarësisht nga reagimi i ashpër kundër vendimeve të Konferencës së Bujanit, në mënyrë të veçantë ndaj qëndrimit të shprehur prej saj për rrugën e zgjidhjes së problemit kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi, udhëheqja e PKJ edhe në këtë kohë nuk u shpreh në mënyrë konkrete për të ardhmen e Kosovës.6
Pikëpamjet e misionarëve jugosllav gjatë luftës kanë qenë se nuk mund të ngrinin çështjen e Kosovës për bashkimin e saj me Shqipërinë, por shqiptarët e Kosovës duhej të luftonin kundra fashizmit në kuadrin e Jugosllavisë dhe mbas fitores kjo çështje do të zgjidhej nga të dy partitë komuniste dhe nga regjimet e tyre demokratike popullore që do të vendoseshin në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Por pavarësisht nga këto deklarata e masa që u morën, si gjatë luftës edhe në mbarim të saj, e ardhmja e popullsisë shqiptare dhe në veçanti statusi i Kosovës nuk u përcaktua qartë e hapur, dhe kjo të lë të kuptosh së këto do të ishin problem që do të zgjidheshin në mënyrë përfundimtare pas fitores mbi fashizmin.
Gjatë viteve të marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë, Enver Hoxha do të shprehet “se këto nuk janë vetëm kaq, por marrëdhënie të vërteta vëllazërore, se populli i ynë i vogël nuk do të mund të ekzistonte pa Jugosllavinë”. E dyta gjatë kësaj periudhe kurrë nuk ka pasur përplasje, Enver Hoxha me Titon, deri në prishjen e marrëdhënieve në fund 1948, që dëshmon se Kosova fare nuk ka qenë në rend dite midis këtyre dy shteteve komuniste. Gjatë Kësaj periudhe 1944-1948, më së shumti shoqërohet me një fushatë spastrimesh ndaj personave të akuzuar e dyshuar si bashkëpunëtorë të perëndimit, dhe armiq të pushtetit popullor.
Rrethanat e krijuara në prag të mbarimit të luftës shqiptarët u bindën se edhe te politika jugosllave shqiptarët janë pa perspektivë, prandaj reaguan, kundër organeve të tyre që ushtronin në Kosovë siç ishte rasti me Shaban Palluzhën, por edhe rasti tjetër më drastik që ndodhi me vrasjet e qëllimshme të komandës partizane në Tivar, Dubrovnik dhe qytete tjera të Jugosllavisë titiste. Për fat të keq për këto masakra kishin njohuri edhe kreu i shtetit shqiptar në krye me Enver Hoxhën. Por kjo u pa qysh në fillim të vitit 1945, kur një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Titos, Mosha Pijade, kërkoi që kancelaria e re e Republikës së Federative të Jugosllavisë në Beograd të mos kishte 6, por 7 kabinete, kabineti i 7 ti takonte Republikës Jugosllave të Shqipërisë.7 Sipas Enver Hoxhës;” këto plane për aneksimin e Shqipërisë, pak më pas më 1946 e, veçanërisht, më 1947 e më 1948 neve do të na shtroheshin zyrtarisht, me egërsi e me forcë nga vetë Titoja dhe njerëzit e tij”.
FORCIMI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-JUGOSLLAVE PAS VIZITËS SË PARË TË ENVER HOXHËS NË BEOGRAD
Sipas disa të dhënave të shërbimit informativ, jugosllavët këtë vizitë e kanë shtyrë me qëllim, pasi që ishin në pritje të ndryshimeve në kreun udhëheqës shqiptarë, ku në vend të Hoxhës në Beograd, të shkojë Koçi Xoxi e jo Enver Hoxha.8 Gjatë kësaj vizite e Hoxhës në Beograd, u nënshkrua Traktati i miqësisë dhe ndihmës reciproke.9 Me këtë traktat hapej një front i ri kundër Bashkimit Sovjetik, pasi në këtë kohë kishte filluar edhe një propagandë kundër Moskës, tani më këto dy qendra ishin larguar dhe kishin filluar edhe refuzimet e ndihmave materiale sovjetike.10 Edhe pse kjo vizitë u miratua nga vetë Stalini, gjatë qëndrimit të Titos në Moskë më 27 maj 1946.11 Stalin-Tito, u kuptuan në mes veti që Hoxha të ftohej në Beograd dhe të nënshkruhej edhe Traktatit i Miqësisë dhe i bashkëpunimit midis të dy vendeve. Refuzimi i Stalinit për ta pranuar Enver Hoxhën në Moskë deri në maj 1946, përveç pengesës së njohur nga ana e Titos, kishte në mëndje edhe marrëveshjen e tij me Çerçilin të nënshkruar në tetor 1944, ku Shqipëria ishte ndarë në baza interesi sipas influencës gjeo-strategjike që luante Shqipëria, “fifti-fifti”. Delegacioni shqiptar u nisë për në Beograd më 23 qershor, dita e diell me një aeroplan special të sjellë apostafat, për ta nga Beogradi.12 Në përbërje të delegacionit ishte edhe ambasadori jugosllav në Tiranë Josip Gjergji, që kishte edhe rolin e përkthyesit gjatë kësaj vizite të Hoxhës me Titon.

———————————

ILUSTRIME TË PASHTRIKU.ORG
FOTO DHE VIDEOINҪIZIME GJATË VIZITËS SË ENVER HOXHËS NË BEOGRAD,

NË TAKIM ME MARSHALLIN E JUGOSLLAVISË J.B.TITO, (QERSHOR 1946):
Shikoni Videoinçzimin: Marrshalli Tito duke e pritur Enver Hoxhën…

ҪKA BËNTE OZN’a E TITO’RANKOVIQIT NË KOSOVË, DERISA ENVER HOXHA PO QËNDRONTE NË BEOGRAD?!
Gjatë kohës kur Enver Hoxha po e vizitonte marshallin Tito në Beograd, OZN’a famëkeqe e Tito’Rankoviqit po manifestonte me egërsi forcën e vetë kundërLëvizjes së Rezistencës Shqiptare në Kosovë e më gjerë. Pikërishtë ato ditë OZN’a në bashkëpunim me pushtetin “popullor” të Kosmetit (pas një procesi të gjatë hetimor) kishte nisur një proces gjyqësor në Prizren kundër 27 anëtarëve të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në krye me Marie Shllakun. Gjykimi, u mbajt nga 28.06.1946-11.07.1946, në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, ndërsa më 15 korrik 1946 u shpallë aktgjykimi, dhe në “emër të popullit” u dënuan: 1. Marije M. Shllaku, studente, (1922), Shkodër, me pushkatim, 2. Bernard Filip Llupi, frat, (1886), Shkodër, me pushkatim, 3. Kolë Tomë Parubi, profesor, (1905), Shkodër, me pushkatim, 4. Gjergj M. Martini, mësues, (1917), Shkodër, me pushkatim, ndërkaq 18 veta u denuan prej 1 – 12 vjet burgim!!! (Shënim i kryeredaktorit të pashtriku.org, Sheradin Berisha)

*   *   *
Kjo ishte vizita e Parë e Enver Hoxhës në Beograd, si Kryetar i Qeverisë Shqiptare, ku në pritje të tij rrugët e Beogradit ishin plotë me njerëz që kishin dalë të përshëndesin Hoxhën. Me këtë rast Enver Hoxha në fjalën përshëndetëse mes tjerash tha: “Vëllezër të dashur, popuj të Republikës Popullore të Jugosllavisë, është sot për mua nder i madh, që në veçanti kam nderin të takohem me Titon, emrin legjendar të Mareshalit tuaj. Rroftë Mareshali i madh Josip Broz Tito, miku i madh i popullit shqiptar”. Enver Hoxha, gjatë qëndrimit të tij 10 ditësh në Jugosllavi, më vonë do të deklaroj: “nuk arrita ti shohë dhe të takohem me asnjë nga udhëheqësit shqiptarë të Kosovës si: Fadil Hoxhën, Ymer Pulën, Nimanin, e tjerë. Por në bazë të dëshmive të tjera, mirëseardhje i ka dëshiruar vetëm Mehmet Hoxha, që në atë kohë mbante postin e ministrit të Serbisë.13 (Ky gjatë luftës ka qenë prefekt në Dibër, më vonë merr pjesë edhe në Konferencën e Bujanit, ky pasi mbaron lufta bëhet edhe figura kryesore në pushtetin komunist të Titos.V.Xh).
Enver Hoxha me këtë rast vizitoi Kroacinë dhe Slloveninë, por jo edhe Kosovën. Në Zagreb delegacionin shqiptarë e pritën mbi 150 mijë qytetarë. Pas mbarimit të vizitës Hoxhën e përcolli vetë Tito deri në aeroport. Me këtë rast në Kuvendin Popullor të Jugosllavisë më 26 qershor, Kryetari i Presidiumit dr. Ivan Ribari, i dorëzoi Hoxhës Dekoratën më të lartë jugosllave, “Urdhrin e Heroit të Popullit.14 Ndërsa me të njetin reciprocitet më 10 korrik Presidiumi i Kuvendit Popullor i Shqipërisë, dekoron udhëheqjen jugosllave.15

Beograd, Qershor 1946: Kryetari i Kuvendit Popullor të Jugosllavisë, dr. Ivan Ribari, ia dorëzon Enver Hoxhës, Dekoratën më të lartë jugosllave, “Urdhërin e Heroit të Popullit”!

Pas kësaj vizite Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave u bënë edhe më të ngushta pasi gjatë kësaj vizite u nënshkrua marrëveshja mbi bashkëpunimin ekonomik midis të dy vendeve, në aneksin plotësues të kësaj marrëveshje, të dy palët ranë dakord që të përfundohej me një traktat miqësie e ndihmë-reciproke16, ky traktat u nënshkrua pas kthimit të Hoxhës në Tiranë, më 9 korrik 1946.17 Në Nenin VI, ”palët nënshkruese të marrëveshjes obligoheshin që as njëra, as pala tjetër nuk do të lidhin aleancë as që do të marrin pjesë në një koalicion, që do të rrezikonte palën e marrëveshjes”.18
Hoxha pas kthimit të tij në Tiranë, do të deklarojë; Traktati i miqësisë dhe ndihmës reciproke me Jugosllavinë e Mareshalit Tito, është më i rëndësishmi dhe më i natyrshmi nga të gjitha aktet që qeveria e Republikës së Popullore të Shqipërisë ka ndërmarr në fushën ndërkombëtare. Neve nuk diskutojmë dhe nuk lejojmë që askush të shtrijë dorën mbi vendin e paraardhësve tonë. Populli shqiptar nuk tallet kur paraqitet çështja e mbrojtjes të integritetit të vendit. Atyre të cilëve u pëlqen loja rrezikshme diplomatike në llogari të populli tonë duhet ta dinë se luajnë me zjarrin dhe se intriga e tyre do të ketë pasoja serioze. Në këto momente solemne Hoxha do të deklarojë; “Neve e ndiejmë veten të lumtur dhe më të fortë se kurrë sepse gjendemi në rrugë të drejtë, sepse luftojmë për një çështje madhore të njerëzimit, sepse kemi miqtë të fortë dhe besnik, sepse në popujt fqinj dhe vëllezër të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, kemi aleatët më të sinqertë dhe më të fortë të cilët deri në fund janë solidar me çështjen tonë të drejt, siç jemi edhe ne deri në fund solidar me të tyre”. 19
Mirëpo këto deklarata të tij të zjarrta për vëllazërim-bashkimin me Titon, më vonë vetë Hoxha do të tentojë ti injoroj në kujtimet e tij ku shkruan, “Gëzimi i im i vajtjes ishte i shterur”.20 Hoxha harroi se në sheshin e Beogradit para disa viteve kishte deklaruar: ”rroftë shoku Tito, miku i madh i popullit shqiptar”. Poashtu Hoxha tenton të fshehë thelbin e bisedave me Titon për çështjen e Kosovës. Kur dihet mirë se Hoxha pranoi me pikë dhe presje propozim e Titos, jo vetëm për çështjen e Kosovës, por ra dakord edhe për inkuadrimin e Shqipërisë në federatën jugosllave. Hoxha deklaroi: ”se ky është interes i tashëm dhe i ardhshëm i të dy palëve”. Këtë thënie të Hoxhës e pohon edhe pjesëmarrësi direkt në këto biseda Josip Gjergja, i cili thotë se, Hoxha i ka deklaruar Titos se populli shqiptar në vend është i vetëdijshëm se federata e vendeve tona, hyrja e Shqipërisë në Federatën Jugosllave është krejt natyrore dhe çështje e ardhmërisë. Ky është interes i përbashkët i tashëm dhe i ardhmërisë sonë të përbashkët. Në lidhje me këtë do të ishte mirë të kemi një fotografi të pastër në lidhje me fatin dhe pozitën e shqiptarëve të Kosovës. Tito iu përgjigj: ”se Federata Jugosllave është e ndërtuar në parim, ku etnitetet respektohen në masë të lartë. Në lidhje me këtë u shpreh se është e natyrshme për pozitën e shqiptarëve të Kosovës, ku duhet të shikohet dhe rregullohet në parim dhe në bazë të rrethanave tjera ekonomike dhe historike. Enver Hoxha ra dakort dhe mbeti plotësisht i kënaqur me mendimin e Titos.
Poashtu në pyetjen e dytë të Enver Hoxhës për çështjen e Kosovës dhe trojeve tjera të banuar me shqiptarë, i takojnë Shqipërisë dhe do të duhet ti kthen, pasi tani më është koha që ky problem nacional të zgjidhet drejt. Sipas dëshmive të Josip Gjergjës: ”Tito iu përgjigj: jam dakort me parashikimin tuaj, por për momentin është e pamundur që në këtë moment të bëjmë diçka, pasi serbët neve nuk duan të na kuptojnë”.21 Pra nuk qëndron teza e Hoxhës, kur deklaron: “se unë i shpreha Titos mendimin e palës shqiptare se “Kosova dhe viset tjera në Jugosllavi të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe duhet ti kthehen asaj”.22
Sa i lumtur ka qenë Hoxha pas vizitës në Beograd, flasin edhe këto urata për Titon, kur deklaron: “Partia duhet të vërë të gjitha forcat për realizimin total të këtij bashkimi dhe vëllazërimi në mes të popujve tanë, në mes të cilëve sot, mund ta themi, nuk ekziston asnjë pengesë, as natyrale (kufijtë), as politike, pse ky bashkim pasqyron vullnetin dhe dëshirat e popullit tonë, prandaj kjo është vija e Partisë sonë dhe anëtarët e sajë kanë për detyrë të realizojnë në jetë këtë vijë.23 Dora që i është nderuar kaq sinqerisht popullit shqiptar është dora e Titos, hero i popujve të Jugosllavisë, ndërtues i madh i Jugosllavisë së re. Këtë e di dhe e çmon populli ynë dhe brohorit me gjithë zemër për Titon”.24 Kam dëgjuar të rrahurat e zemrës të popullit shqiptar për Titon, kam dëgjuar gjithashtu ato të popujve të Jugosllavisë për udhëheqësin e tyre të madh me rastin e udhëtimit tim në Jugosllavi dhe mund të them se ato shkojnë paralel.25
MARRËVESHJA SHQIPTARO-JUGOSLLAVO U VLERËSUA NGA SHTYPI I KOHËS SI SHKELJE E SOVRANITETIT TË SHQIPËRISË
Brenda atmosferës së Luftës së Ftohtë të Evropës së pasluftës, pozita e Shqipërisë ishte veçanërisht e pasigurt. Lidhjet e saj me Perëndimin ishin keqësuar pas episodit të Korfuzit, ndërkohë që amerikanët në këtë kohë mbështetnin pretendimet greke mbi Shqipërinë Jugore. Kështu që shqiptarët nuk kishin zgjidhje tjetër veç bashkëpunimit me Beogradin, duke e ditur se vetë Stalini i kishte dhënë aprovimin Titos për të imponuar mbizotërimin e tij mbi Shqipërinë. Me iniciativën e qeverisë jugosllave ka rrjedhë marrëveshja me qeverinë shqiptare, që të vijë deri te traktati mbi miqësinë dhe ndihmën reciproke.26 Ky Traktat i Miqësisë, bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke, hyri në fuqi me shpalljen në fletoren zyrtare në 6 gusht 1946. Të iniciuar më parë nga vetë udhëheqësit jugosllav në krye me Titon.27 Për rëndësinë e këtij Traktati shqiptaro-jugosllav, gazeta “Borba” do të konstatojë: ”Traktati i miqësisë përfaqëson një kontribut me një rëndësi të madhe për sigurimin e integritetit dhe të pavarësisë së Shqipërisë”.28
Ndërsa opinioni lindor e ka përshëndetë konkluzionin e traktatit mbi miqësinë dhe ndihmën reciproke në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Për shembull radio Moska, në emisionin e saj në gjuhën shqipe më 12 korrik 1946 ka thënë: “Ky traktat është një kontribut i ri për sigurimin dhe paqen në Ballkan dhe në mbarë botën, Traktativat mbi konkludimin e këtij traktati kanë filluar në mbarim të muajit të kaluar gjatë kohës së qëndrimit të Kryetarit të Qeverisë Shqiptare Gjeneralit Enver Hoxha në Beograd. Në bazë të këtyre bisedimeve përfaqësuesit jugosllav dhe shqiptarë kanë vendosë që, me qëllim të ruajtjes së pavarësisë të vendeve të tyre, të nënshkruajnë Traktatin e miqësisë dhe ndihmën reciproke i cili përforcon vëllazërimin e pa thyeshëm dhe vullnetin e popujve të këtyre dy vendeve, që në të ardhmen të mbrojnë së bashku pavarësinë dhe lirinë e tyre.29 Për këto veprime të politikës jugosllave kundrejt Shqipërisë, Fronti Demokratik sidomos gjatë kohës së nënshkrimit të Traktatit me Shqipërinë, ka qenë i kritikuar nga ana e shtypit përparimtar në botë “reaksionar” si pas komunistëve, se Jugosllavia dhe Tito po bëjnë ekspansion ndaj Shqipërisë. Gazeta turke “Vakit”, do të shkruaj se “Jugosllavia ndaj Shqipërisë po ndjek politikën e Musolinit, i cili ka dashtë të mbisundojë në detin Adriatik, që në këtë mënyrë të lozë rrolin kryesor në detin Mesdhe”.30
Në atë kohë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Italisë është ngritë në mbrojtje të Shqipërisë, De Gasperi, i cili ka deklarua në Parlamentin italian: “se kondita e përmirësimit të marrëdhënieve në mes të Jugosllavisë dhe Italisë, është pavarësia e plotë e Shqipërisë”. Sepse kjo garanton sigurimin dhe ekuilibrin në detin e Adriatikut. “Jugosllavia ka kapërdi Shqipërinë”. Ndërsa, “La Kapitalë” në komentin e saj do të shkruaj: ”Tito do të dominojë në Ballkan. Shqipëria është zhdukë si shtet nacional”. Ndërsa gazeta “Tempo”, do të komentojë: “Shqipëria në gjirin e Federatës Jugosllave”. Më e ashpër në komentin e saj ishte gazeta monarko-fashiste greke “Elinikum Vima” organ i Qeverisë Greke, të 14 korrikut 1946; Ajo me këtë rast do të shkruaj: “Traktati jugosllavo-shqiptar përfaqëson provokimin e ngrehur kundra Greqisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ky Traktat mund të bëhet shkak zjarri të tmerrshëm në Ballkan”. Me këtë rast do të komentoj Traktatin në fjalë, nëpër disa shkrime tjera gazetareske, duke ngritë zërin e tyre me këto komente: ”Gazeta “Observer”, në komentin e vet do të paraqesë paktin e nënshkrimit mbi miqësinë midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, duhet me pa para manovrën për krijimin e Federatës Jugosllave, e cila do të përfshinte Shqipërinë. Kjo do të i’a bënte të mundshme propagandës së Beogradit, si shpërblim për humbjen e Triestes, që të parashtrojë bashkimin e Tiranës në të ardhmen. Tash për tash, “ky Pakt në radhë të parë ka për qëllim që të mbrojë Shqipërinë nga Greqia, e cila kërkon Epirin Verior. Sipas dispozitave të këtij Pakti, “Jugosllavia obligohet që ti shpallë luftë Greqisë, në rast se ky vend do të tentojë me anë të forcës të aneksojë Epirin Verior, që tani për tani duket e pabesueshme”. Gazeta bullgare “Izgrev”, organ i grupit “Zvono”, ka botua lajmin, “mbi gjoja bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë”, duke shkruar mbi vizitën e Enver Hoxhës në Beograd, me rastin e bisedimeve për konkludimin e “Traktatit të miqësisë”. Afrimi i Qeverisë shqiptare në politikën e jashtme me Jugosllavinë, ka pasur polemika dhe diskutime të ashpra midis anëtarëve të KQ të PKSH, në lidhje me afrimin e politikës së jashtme me Jugosllavinë. Disa nga ata kërkonin me u mbajt me Lindjen dhe Bashkimin Sovjetik, por ka pasur edhe të tillë që kërkonin me u afrua edhe me Perëndimin, që në atë kohë trajtoheshin si fuqi imperialiste. Largimin e Shqipërisë nga Perëndimi e kanë përkrahur fuqishëm edhe përfaqësuesit jugosllav që në atë kohë vepronin në Shqipëri duke i bërë presion të përhershëm KQ të PKSH, në krye me Enver Hoxhën, për rrezikun e një orientimi të tillë properëndimor.31
Bashkimi Sovjetik me Stalinin qenë revoltuar për adoptimin demonstrativ të politikës së jashtme të pavarur të dy satelitëve të saj dhe kryesisht për faktin se nuk ishte kërkuar paraprakisht mendimi i Stalinit. Aty nga fundi i vitit edhe më shumë po acaroheshin mosmarrëveshjet midis Moskës e Beogradit, Tito nisi të ushtronte presion për aneksimin e Shqipërisë. Dy divizione ushtarake dhe një krah i aviacionit luftarak u përgatitën me shpejtësi që të invadojnë këtë vend, pa miratim të Stalinit, me pretekstin se rrezikohej nga “imperialistët” që strehoheshin në Greqi.32 Kjo frikë nuk ishte fare pa bazë, pasi qeveria djathtiste greke, nën mbështetjen e SHBA, kishte përforcuar pretendimet e saj të vjetra, mbi Shqipërinë Jugore. Përpjekja për nënshtrimin e Shqipërisë ishte kontradiktore me predikimet komuniste të Jugosllavisë “për bashkimin vullnetarë të të dy vendeve dhe të vetëvendosjes së popujve”. Situatat ishin tepër të ndërlikuara: Kombet e Bashkuara kishin nisur të akuzojnë Jugosllavinë për ndërhyrje në luftën civile greke, ku Tito i ndihmonte komunistët e saj dhe për sa kohë ajo vazhdonte, ekzistonte realisht frika e invadimit eventual të Shqipërisë nga ushtria e regjimit të Athinës, me mbështetjen e Perëndimit. Për këtë, divizionet jugosllave edhe pse përfundimisht nuk zbarkuan në Shqipëri, qëndruan të gatshëm në kufij të saj.33

————————————–

FOTO DHE VIDEOINҪIZIMI NË ANGLISHT:
Akti i nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë, bashkëpunimit dhe

ndihmës reciproke, Shqipëri -Jugosllavi!
 

SPECIALE TITO ENVER 32 MIN FREDI PER WEB

Më 1946 përmbytjet prishën pjesën më të madhe të prodhimit, në këto çaste kritike Jugosllavia e para iu përgjigj situatës edhe pse ajo kishte vetë një situatë të vështirë ekonomike të dalë nga lufta e Dytë Botërore. Ajo i ofroi ndihmë Shqipërisë duke e furnizuar me ushqime si dhe materiale tjera teknike. Asokohe u përhapën në gjithë Shqipërinë mbishkrime “Rroftë Tito, Rroftë Enver Hoxha”. Ndërsa në anën tjetër politika jugosllave vepronte në të gjitha fushat për ta nënshtruar Shqipërinë Beogradit. Sidomos tendencat u shtuan me krizën madhe ekonomike që e kishte kapluar Shqipërinë pas mbarimit të luftës. Gjillasi e pranon: “e shfrytëzonim situatën e krijuar të pushtetit”.34 Më 27 nëntor 1946 midis dy vendeve u nënshkrua edhe konventa ekonomike, e cila parashikonte koordinimin e planeve ekonomike, bashkimin doganor dhe barazimin e monedhës jugosllave me Lekun shqiptar.35 Në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit ekonomik do të krijoheshin 6 shoqëri të përbashkëta shqiptaro-jugosllave për një periudhë 30-vjeçare, në fushën e ndërtimit dhe të shfrytëzimit të hekurudhave, në nxjerrjen e në përpunimin e naftës, në zbulimin e mineraleve dhe në shfrytëzimin e përdorimit e metaleve, në elektrifikimin, në transportin detar dhe në tregtinë e import-eksportit. Pra qeveria shqiptare vazhdonte të luante rolin e vasalit të fqinjit të saj verior. Vetëm Nakoja e sabotoi Komisionin.36
TAKIMI I DYTË TITO-HOXHA NË BLED TË SLLOVENISË
Pa kaluar 45 ditë Hoxha përsëri u gjind në Jugosllavi, gjatë rrugës për në Paris, Hoxha arriti në Beograd, ku nga Beogradi me aeroplan special të dërguar nga vetë Tito, arriti në qytetin e bukur të Sllovenisë në Bled, ku qëndronte Tito për pushim. Hoxha në këtë takim me Titon banoi në vilën e tij, në këtë takim ishin prezentë edhe dy udhëheqës të lartë të Titos: Vojo Todoroviqi dhe Sreten Zhujoviqi, por nuk u bë publike për opinionin e gjerë. Prandaj ky takim nuk pati jehonë në shtyp, si takimi i parë në Beograd.37 Këtë takim Hoxha e fsheh, kur deklaron: “se unë vetë shkova në Paris”.38 Takimi i Dytë dallon nga ai i pari, pasi ky kishte karakter të brendshëm dhe mbahej tejet sekret, për mbrojtjen e vendit nga pretendimet greke dhe italiane. Politika e shteteve ballanike shkoi aq larg duke komentuar aktin e miqësisë si akt për themelimin e Federatës Jugosllave e cila do të përfshinte edhe Shqipërinë, ku propaganda e Beogradit e ka kushtëzuar këtë miqësi, si kompenzim me humbjen e Triestes. Ndërsa tani për tani ky pakt ishte i dedikuar mbrojtjes së Shqipërisë nga Greqia, pasi ajo kërkon me këmbëngulje Epirin Verior. Sipas aktit të paraparë në nenin III, Jugosllavia, detyrohej ti shpallë luftë Greqisë në rast se ajo e përdorën forcën për të aneksuar Epirin e Veriut.39 Por në rrethana që u zhvilluan bisedat e para dhe të dytat gjatë mbajtjes së Konferencës së Parisit, jepeshin alarme në shkrime sensacionale për marrëdhëniet Tito-Hoxha në Bled, dhe njëkohësisht nënshkrimi i marrëveshjes në Tiranë. Edhe pse delegacioni i Titos ende nuk e kishte ftuar Hoxhën në Paris. Bile sa në rrethet diplomatike dhe ato gazetareske u vu në pikëpyetje pavarësia e Shqipërisë. Ndërsa takimi tetë a tetë Tito-Hoxha në Bled, kaloi fshehurazi nga lajmet dhe agjencitë e huaja dhe të vendit pa u hetua fare. Por si detyrë e parë e marrëveshjes ishte, se si duhet kundërvu palës greke dhe kundërshtimin e propagandës së saj për fitimin e statusit të Shqipërisë në bllokun antifashist, të cilët grekët me ndihmën e disa shteteve perëndimore fuqishëm e mohonin. Përfaqësuesit jugosllav në mbledhjet ndërkombëtare gjithmonë e kanë mbrojtur interesin e Shqipërisë. Poashtu edhe në mbledhjen e parë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Eduard Kardeli, u paraqiti kërkesën e Enver Hoxhës, për pranim të Shqipërisë në organin e saj. Euard Kardeli në arsyetimin e tij tha; “Shqipëria ishte një ndër viktimat e para të fashizmit në Evropë, populli shqiptar me forcat veta mori anën e luftës NÇ, luftoi në krahun e Kombeve të Bashkuara, duke dhënë me forcat veta një kontribut të çmuar kundrejt agresorëve, si alet i vendeve demokratike”. Poashtu delegacioni jugosllav që mori pjesë në Konferencën për ndihma dhe riparime, në dhjetor 1945, kërkoi rritjen e ndihmave për Shqipërinë. 40
Ambasadori sovjetik në Beograd, A. Lavrentjev, në raportimin që i bëri Moskës në 2 korrik 1946 për takimin me Titon, menjëherë pas largimit të Hoxhës nga aerodromi, shkruan se “ai ka folur dje me Enver Hoxhën për problemet ushtarake… u morën vesh për nevojën e krijimit të mbrojtjes bregdetare, që më shumë rëndësi ka në rajonin e Vlorës”. “Tito, thuhej më tej në këtë informim, shpreson që topat me qitje të largët për këtë qëllim do i marrë nga Bashkimi Sovjetik, në mos si zbatim të porosisë, atëherë ndoshta nga fondi i trofeve”.
Pas takimit Tito-Hoxha në Bled është zhvilluar gjithë ajo ngjarje e mistershme që nuk u zbulua e nuk u vërtetua kurrë deri më sot, por që është hamendësuar se si ka ndodhur. Dyshimi dhe supozimi nuk është provë. Kërkimet arkivore intensive e jo të lehta sollën përfundimisht dokumente e prova të pakundërshtueshme për të ndërtuar sa më afër realitetit skenarin e vendosjes së minave në Kanalit e Korfuzit.
Në fakt me këtë u krijuan rrethanat e reja politike për një influencë më të fuqishme dhe më të shumanshme të politikës sovjetike në Shqipëri. Bashkimi Sovjetik ishte qetësisht për dominimin e saj në aspektin strategjik e ushtarak. Në anën tjetër Enver Hoxha disa herë bëri përpjekje për të vizituar Moskën, por këto tentativa mbaruan pa sukses, pasi midis kësaj politike qëndronte vetë udhëheqësja jugosllave e cila e pengonte në mënyrë permanente takimin Hoxha-Stalin.41 Hoxha për herë të parë u pa me Stalinin më 16 korrik të viti 1947.(42)

VIJON…

===========================

– PJESA E DYTË –
PROF.DR.VEBI XHEMAILI: MARRËDHËNIET SHQIPTARO JUGOSLLAVE (1945-1948) DHE E VËRTETA E ENVER HOXHËS PËR KOSOVËN (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2346

——————————

(ILUSTRIMET I BËRI SH.BERISHA)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura