DR.SABRI KIҪMARI: RAPORTI NË MES TË POLITIKËS DHE MORALIT

Pashtriku.org, 22 maj 2017: Politika dhe morali – Politika dhe morali janë dy nocione, raportet e të cilave mes veti janë mjaft interesante sidomos nga këndvështrimi i politikës si praktikë. Shpeshë herë qytetarët, zgjedhësit, votuesit i ngatërrojnë pa qëllim këto dy nocione. Por, jo rrallë pushtetarët dhe synuesit e pushtetit i ngatërrojnë me qëllim këto dy koncepte. Zbulimi i raporteve të drejta në mes të moralit dhe politikës dhe çveshja e tendencave të pushtetarëve dhe synuesve të pushtetit për të manipuluar me këto raporte është një detyrë që në vendet e zhvilluara industriale me sistem shumëpartiak i obligojnë tri segmente të rëndësishme të shoqërisë:
• shkencëtarët politikë,
• filozofët dhe
• përfaqësuesit e mediave.

Në rastin e Kosovës kryerja e një detyre të tillë has në vështirësi të theksuara. Së pari shkenca politike nuk ka traditë. Mungesa e Institutit të Shkencës Politike ka lënë pasoja, të cilat nuk mund të riparohen edhe për vite të tëra, në mos decenie. Së dyti, literatura filozofike në Kosovë është më shumë se e mangët. Mospërkthimi fare në shqip, ose përkthimi i vetëm një numri fare të vogël, të librave të klasikëve të filozofisë si Platoni, Aristoteli, Thomas von Aquin, Hobsi, John Locku, Kanti, Hegeli, Kirkegaardi dhe përfaqësuesve të filozofisë bashkëkohore si Edmund Husserl, Bertrand Russell, Karl Jaspersi, Martin Heidegeri, Max Horkheimer, Theodor Adorno, Jean – Paul Sartre, John Rawls, Amitai Etzioni, Jürgen Habermas etj. sigurisht lë pasoja për subvencionimin e të menduarit dhe të vepruarit politik. Së treti, mbizotërimi i skenës mediale për decenie të një botëkuptimi jokritik në raport me politikën, ka lënë pasoja të paevitueshme në mediumet informative të Kosovës.

– Dr.Sabri Kiçmari  –

Definimi i moralit dhe etikës politike
Për të krijuar një pikëpamje për politikën si shkencë është njohja e historisë së ideve dhe koncepteve teorike të filozofisë politike domosdoshmëri. Për të krijuar një pikëpamje të politikës si veprimtari praktike duhet njohur rregullat e sjelljes si politikan në situatat e krijuara politike. Në të dy rastet e dhëna parakusht është dallimi i qartë i raportet në mes të politikës dhe moralit. Morali paraqet tërësinë e parimeve, normave dhe rregullave që përcaktojnë sjelljen e njerëzve në shoqëri. Etika definohet si disciplinë e filozofisë, e cila në mënyrë metodike dhe sistematike studion veprimin moral. Bazë e studimit të etikës është studimi i mundësisë të një morali të tillë, sipas të cilit ne mund të jetojmë mirë, të veprojmë drejtë dhe të gjykojmë arsyeshëm mbi veprimet dhe jetën tonë. Politika si shkencë ka lidhje të rëndësishme me etikën. Ajo përmban gjithnjë edhe anën e saj morale. Por ajo nuk guxon t´ju nënshtrohet vetëm rregullave morale. Etika politike studion mundësitë e argumentimit të principeve etike (parimeve, aksiomave), normave (ligjeve dhe rregullave) dhe virtyteve (pikëpamjeve, ideve). Në veprimtarinë shoqërore-shtetërore janë të njohura të dy dimensionet: si dështimi moral i politikës (i aktorëve politikë), ashtu edhe dështimi i tendencave moralizuese të politikës. Dështim moral i politikanit mund të konsiderohet rasti kur ai, në luftë për pushtet, vë në zbatim mjete të palejueshme morale (fyerja, përcmimi, ndjekja dhe vrasja e kundërshtarit politik). Por, pika kulmore e dështimit të një politikani dhe politikës së tij në tërësi mund të arrihet, në rast se politikani, për të mbrojtur fatin e tij individual, firmos vendime që kanë të bëjnë me fatin e një kombi (ose shtetit), në kundërshtim me interesat dhe vullnetin e këtij kombi (ose shtetit). Një gjë e tillë mund të konsiderohet si dështim total-fatal i politikanit në aspektin moral. Edhe tendenca e moralizimit të politikës është e gabuar. Moralizimi i politikës mund të sjellë për pasojë heqjen dorë nga pragmatizmi në veprimin praktik politik dhe kufizimi i veprimit brenda një kornize të ngushtë moralizuese, shpesh religjioze ose ideologjike. Po të zbatohet në praktikë një metodë e tillë, atëherë shumë nga Konferencat Paqësore, Marrëveshjet Diplomatike dhe veprime të tjera praktike nuk do të mund të gjejnë zbatim. Këkesa për zbatimin me cdo kusht të rregullave morale në politikë ka si synim përmirësimin moral të njerëzve. Një synimi të tillë shpesh është sqaruar me idenë e krijimit të “njeriut të ri”. Por, mjetet që përdoren për imponimin e moralit të tillë janë të palejueshme. Këtë synim kryesisht mundoheshin të realizonin në praktikë ideologjitë e shekullit të kaluar. Një sistem i tillë u bë për qytetarët i padurueshëm. Për këtë dëshmon dështimi i këtyre shteteve. Derisa për nacional-socialistët sinonim të moralit të lartë paraqiste “Führeri” ( udhëheqësi ), në vendet e bllokut të lindjes propaganda partiake i paraqiste anëtarët e partisë si shembull të sjelljes morale. Zgjidhja e drejtë e raportit në mes të moralit dhe politikës është një balancë e qëndrushme mes tyre: as zbatim ekskluziv i moralit dhe nënçmim i politikës, por as zbatim ekscesiv i politikës dhe lënje anash e së moralshmes. Sidomos një gjë e tillë duhet të kihet parasysh në situata zgjedhore, kur partitë dhe kandidatët synojnë të arrijnë suksese më të mëdha elektorale. Mungesa e imponimit të së moralshmes nga politika kritikohet se krijon anarki morale dhe shumë të panjohura dhe të papritura për qytetarin. Qytetari duhet të mësohet të jetojë me të ardhmen e panjohur. As vetë politika nuk është në gjendje të parashikojë me saktësi zhvillimet e ardhme. Detyrë e saj është që këto të panjohura dhe të papritura t´i bëjë sa më të lehta për qytetarin. Dhe kjo mund të bëhet duke e përgaditur qytetarin për një shumësi mundësish. Shembulli i mospërgaditjes së Kosovës për një luftë të mundshme kundër Serbisë, e cila në përmbajtje ishte e domosdoshme dhe e pashmangshme, tregon një paaftësi të nomenklaturës politike që mbisundoi skenën politike të decenies së kaluar.
Tre tipe të etikes politike
Megjithëse paraqitja e të gjitha varianteve të të konceptuarit të etikës politike nga përfaqësuesit e teorisë politike do të kërkonte hapësirë më të madhe shpjegimi të veçorive, metodave dhe përfundimeve të tyre teorike, në këtë rast do të koncentrohem vetëm në tiparet themelore të tre klasikëve të mendimit politik: Aristotelit, Makiavelit dhe Marksit.
Etika e qytetarit
Aristoteli përfaqëson konceptin antropologjik të teorisë politike. Ai e ndërton teorinë e tij mbi Polisin (shtetin) dhe kushtetuten e tij mbi bazën e bashkësisë së qytetarëve. Qytetarët janë për të qenie të arsyshme dhe të afta për të përdorur gjuhën si mjet të bashkëveprimit politik – të krijimit të bashkësisë: pra ai e definon njeriu si zoon politikon (qenie politike). Përmes polisit qytetarët synojnë të rrisin kënaqësinë e tyre dhe përsosmërinë. Konceptimi aristotelian (antropologjik) i politikës i parapriu idesë së të drejtave të individit në shoqëri, të përfaqësuara nga Iluministët dhe ka një lidhshmëri organike me idenë e shtetit të lirë kushtetues. Koncepti bazë i etikës politike të Aristotelit dhe pasuesve të tij është rregullimi paqësor i konfliktit mbi bazën e një koncenzusi të thirrur në kushtetutën e lirisë. Politika këtu kuptohet si rregullim i përbashkët shoqëror. Shteti drejtohet përmes insitutucioneve të tij dhe ligjeve. Njerëzit bashkohen dhe krijojnë një akt të tillë juridik në dobi të sigurisë më të madhe fizike të tyre. Përmes kushtetutës organizohet jeta e përbashkët e tyre. E metë e aristotelit është kufizimi i të drejtës së të qenit të lirë vetëm për një pakicë të theksuar anëtarësh të polisit dhe përjashtimi i të qenit qytetar me të drejta të barabarta për një shumicë absolute të njerëzve (gratë, robërit, shërbëtorët, fëmijët) në polis.
Etika e pushtetarit
Nocioni mbi politikën i Machiavellit nënkupton etikën e personit të veshur me pushtet. Pushtimi, mbajtja dhe zmadhimi i pushtetit është për të qëllim i politikës. Morali duhet t´ju nënshtrohet këtyre qëllimeve. Nëse mbrojtja e pushtetit kërkon heqjen dorë të respektimit të moralit, këtë gjë Makiavelli e lejon. Sipas Makiavellit princi duhet të ketë veçoritë e Luanit (forcën) dhe të dhelprës (dinakërinë). Atij i interesojnë teknikat e marrjes së pushtetit nga një individ (Princi) dhe lufta kundër kundërshtarëve politikë që synojnë pushtetin. Ai i analizon të gjitha masat që duhet t´i ndërmarrë pushtetari (diplomatike, luftarake etj) për të realizuar synimet e tij. Synimi i Makiavelit nuk është bashkëjetesa e harmonishme, por sundimi mbi njerëzit. Këto forma të konceptimit moral janë të njohura edhe në praktikën e sotme politike.
Etika e një rregullimi hipotetik ideal
Marksizmi e definon politikën si proces të një ndryshimi të përgjithshëm të gjendjes së përgjithshme shoqërore që ka për qëllim krijimin e një shoqërie (ideale) pa klasa. Pra, teoria marksiste i parashtron vetes një qëllimi hipotetik: arritjen e një rregullimi ideal. Etika marksiste mund të definohet edhe si etikë e revolucionit dhe veprimit revolucionar. Për t´u realizuar qëllimi i luftës klasore, “likuidimi i armikut klasor”, dhe krijimi i shoqërisë pa klasa, pa konflikte dhe pa sundues lejohet të merren parasysh të gjitha mjetet e mundshme.
Për një etikë politike kontrolluese të pushtetarëve
Shtrirë në rrafshin praktik politik në Kosovë koncepti aristotelian është me përparësi. Natyrisht duke mënjanuar kufizimet e lartëpërmendura aristoteliane për grupe, gjini dhe shtresa të caktuara shoqërore. Duke mos synuar rregullime përfundimtare ideale, as shfrytëzim të çdo mjeti për marrjen dhe ruajtjen e pushtetit, tipi aristotelian i etikës nuk synon të përdorë mjete të paarsyeshme. Ai mbështetet në arsyen dhe vullnetin e mirë të njerëzve. Megjithatë kjo nuk është e mjaftueshme. Konceptimi bashkëkohor etik parashtron edhe nevojën e marrjes së përgjegjësisë për veprim. Sidomos është i rëndësishëm skepticizmi pozitiv në institucionet politike dhe normat e aprovuara prej tyre. Qytetari bashkëkohor duhet ta ketë një dozë mosbesimi vazhdimisht: sepse ajo determinon kontrollimin e pushtetit dhe të pushtetarëve. Ky konceptim është një konceptim realist dhe jo i idealizuar. Institucionet e shtetit kanë nevoja për instanca kontrolli dhe ndarje të pushtetit: legjislativ, ekzekutiv dhe judikativ. Kjo ndarje nuk guxon të jetë vetëm formale, por reale. Skepticizmi jo vetëm e mbron qytetarin nga padrejtësitë, që pushtetarët mund “të mos i shohin”, por edhe e ndihmojnë qeveritarin të qeverisë drejt nga frika e mosvotimit të sërishëm. Këta mekanizma, që në dukje mund të paraqiten si konfliktuoz, në të vërtetë luajnë rol mbrojtës dhe korigjues. Politika etike bashkëkohore nuk flet sot vetëm për përgjegjësinë dhe mirëqenien, por edhe për ndërgjegjien dhe dhënien e llogarisë institucionale. Etika politike bashkëkohore ka hequr dorë nga optimizmi naiv, idealizmi dhe moralizimi. Edhe aktorët politikë në Kosovë do të duhej të vepronin konform këtyre të arriturave me veprime konkrete. Në vend të një optimizmi naiv të pabazë, se çështja e Kosovës do të zgjidhet shpejt dhe drejt, do të duhej përpunim i projekteve strategjike, në vend të një idealizimi të skajshëm të liderit, do të duhej kërkim llogarie për veprimet dhe mosveprimet e aktorëve, në vend të heshtjes së problemeve në emër të një lloj moralizimi, do të duhej shtruar për diskutim ato. Dhe fushatat zgjedhore, janë momentet më të përshtatshme për këtë gjë. (Pashtriku.org, 08. 07. 2010)

___________________________

Dimensionet dhe qëllimet e politikës (nga arkivi i pashtrikut)
DR. SABRI KIҪMARI: CILAT JANË TRI DIMENSIONET E POLITIKËS
https://pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=6483

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura