DR.SADRI FETIU: Ç’ËSHTË HISTORIA DHE SI DUHET TË SHKRUHET AJO?

Prishtinë, 03. 03. 2014 – Përgjigje të drejtë në këto dy pyetje të gjithë të interesuarit, në radhë të parë studentët e historisë, por edhe historianët e mirëfilltë, mund ta gjejnë në librin e profesorit të njohur anglez, Edward Hallet Carr, “Ç’ËSHTË HISTORIA?”. Këtë libër si botim të dytë të përmirësuar e ka botuar para pak kohe Shtëpia botuese “Dija“ e Prishtinës. Librin e ka përkthyer nga origjinali studiuesi dhe veprimtari i çështje kombëtare, shqiptaro – amerikani, Esat H.Bilali. Në të vërtetë, vepra filozofiko – historike e profesorit anglez të Universitetit të Kembrixhit është një përmbledhje prej gjashtë ligjëratash, në të cilat me një stil të qartë dhe plot konkretizime prezantohen çështjet fundamentale të kuptimit filozofik të historisë dhe rolit të historianit për të treguar se ç’është historia dhe si duhet të shkruhet ajo.
Në kapitullin e parë – hyrës, autori merret gjerësisht me raportin midis historianit dhe të dhënave historike në bazë të të cilave bëhet historia, duke analizuar në mënyrë të gjithanshme nismën fillestare të hartimit të veprave historike në bazë të të dhënave relevante, që i posedon shkencëtari dhe mënyrës së përdorimit të tyre për ta kryer me sukses detyrën e tij.

Edward Hallett Carr (1892 – 1982

– Kopertina e librit … –

Në kapitullin e dytë, autori i qaset me një konkretësi të kuptueshme deri në fund relacionit midis individit dhe shoqërisë, duke e trajtuar këtë problematikë në aspektin e gjerë dualist, qoftë si rol i individit në relacionin me shoqërinë, qoftë edhe në atë të historianit si individ që trajton problematikën e gjerë shoqërore në procesin e ndryshimeve të vazhdueshme historike.
Kapitulli i tretë, i këtij libri trajton relacionet filozofiko-historike midis historisë, kuptimit të përgjithshëm të shkencës dhe moralit shoqëror. Në bazë të përvojës shumë të pasur jetësore dhe shkencore dhe të njohjes së hollësishme të historisë së përgjithshme, autori i ka trajtuar këto çështje duke lënë vazhdimisht shtigje të hapura për trajtime të mëtutjeshme, pa e dogmatizuar kuptimin e shkencës, dhe pa e apsolutizuar historinë si shkencë e veçantë shoqërore me rezatime të mëdha në të sotmen dhe në të ardhmen e njerëzimit.
Kapitulli i katërt, merret hollësisht me shkakësinë në histori, duke bërë hulumtime në mënyrë të shkallëzuar për t’i gjetur, zbërthyer e seleksionuar shkaqet e vërteta të ndodhive historike. Edhe brenda këtij kapitulli, studiuesi Edward Hallett Carr flet me një gjuhë konkrete, madje dhe me shembuj nga jeta e përditshme, për t’i bërë sa më të qarta shkaqet e ndodhive shoqërore, që i determinojnë rrjedhat e ecurive historike.
Kapitulli i pestë i librit titullohet “Historia si përparim” dhe merret me kuptimin e mirëfilltë të historisë si fushë e dijes dhe si rrjedhë e zhvilllimit shoqëror. Autori këtu i bën një përqasje të plotë diakrionike kuptimit të historisë që nga fillet e saj e deri në kohën tonë. Nocioni “përparim” këtu ka të bëjë si me zhvillimin e dijes shkencore për historinë, ashtu edhe me vetë kuptimin e lëndës historike si rrjedhë e zhvillimit të shoqërisë në lidhmëri të vazhdueshme të së kaluarës, që vihet në shërbim të të sotmës dhe të ardhmes së shoqërisë njerëzore.
Kapitulli i fundit i librit “Ç’është historia?” titullohet “Horizonti i zgjeruar”, merret përgjithësisht me disa çështje që kanë të bëjnë me gjendjen e historisë dhe të historianit në kohën tonë. Duke i trajtuar rrjedhat e zhvillimit historik dhe të kuptimit të vetë historisë, autori konstaton se “përparimi në punët njerëzore – qoftë në shkencë, në histori ose në shoqëri – ka ardhur kryesisht nga gatishmëria e guximshme e qenieve njerëzore, jo duke kufizuar vetveten për të kërkuar pak nga pak përmirësimin në shtekun se si janë bërë gjërat, por duke paraqitur sfida rrënjësore në emër të arsyes për rrjedhën e tanishme…”. Me një fjalë historia përfaqëson tashmë horizontin e zgjeruar të një bote që është në lëvizje të vazhdueshme.
* * *
Përkthyesi i kësaj vepre fort të rëndësishme për historinë, në parathënien e shkurtër të librit jep edhe një sqarim për arsyen pse i ka hyrë përkthimit dhe botimit të kësaj vepre, duke pohuar se sot ndër ne shumëkush po “shkruan” histori, madje, edhe pa njohjen elementare të bazave të kësaj disipline shkencore. Prandaj, si historianët e shkolluar, ashtu edhe “amatorët” e historisë, është e domosdoshme t’i njohin jo vetëm parimet themelore, por edhe ta kuptojnë më mirë historinë. Këtë mundësi ua ofron libri i profesorit të Univesitetit të Kembrixhit, Edward Hallet Carr “Ç’është historia?”, i përkthyer me shumë kujdes nga Esat H. Bilali. Librin, i cili kushton vetëm pesë (5) euro, mund ta gjeni në Librarinë Universitare “Artini” dhe në librarianë “Dija” në Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura