DR.SADRI FETIU: FATI I NJERIUT NË PROZËN E RAMADAN REXHEPIT

Prishtinë, 26. 08. 2014: (Hyrje) – Ramadan Rexhepi është një nga shkrimtarët e njohur, që për prozën e tij është frymëzuar nga jeta e njerëzve të rëndomtë, e banorëve të zonës së Karadakut. Në fillimet e krijimtarisë së tij, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, ai e ka botuar përmbledhjen e tregimeve “Kambanaret”, kurse që nga ajo kohë e ka nismën e vet edhe romani i tij i parë, që fillimisht e kështe titulluar “Udhëkryqi”, por që e botoi tash vonë, më 2010, me titull “Stina e emrave të bukur”. Krahas shkrimeve të ndryshme publicistike dhe eseistike ai e ka botuar në Suedi, më 2004, edhe romanin “Dilemat e Emrush Dokos”. Duke i pasur pararasysh këto tri vepra mund të konstatojmë se Ramadan Rexhepi hyn në radhën e shkrimtarëve të letërsisë shqipe, që e ka krijuar individualitetin e veçantë krijues si prozator, vepra e të cilit merton të studiohet në mënyrë të plotë analitike.
Kësaj radhe, brenda kësaj kumtese, do të përpiqem që këtë vepër ta trajtoj mbrenda një segmenti të veçantë, duke pasur parasysh krijimtarinë imagjinative, fiksionin, siç do të thoshte teoria moderne, në paraqitjen e fatit të njeriut si individalitet i veçantë dhe si pjesëtar i një përbashkësie më të madhe, pra fatin e shqiptarëve të zonës së Karadakut dhe përgjithësisht të viseve jashtë Shqipërisë adminstrative, në periudhën e përpjekjeve për të ekzistuar dhe për t’i mbrojtur të drejtat e veta sociale dhe kombëtare nën sundimin e Jugosllavisë socialiste.
Tematika e tregimeve
Të shtatë tregimet e pëmbledhjes “Kambanaret” trajtojnë me një ndjeshmeri të rallë poetike fatin e vështirë të njerëzve të varfër të zonës së Karadakut, pa i politizuar situatat jetësore dhe pa i ngyrosur me ndonjë formë sipërfaqësore me përbërës të faktorëve kombëtarë. Përkundrazi, në këto tregime fati i njeriut nuk trajtohet sipas ndonjë skeme fatare dhe etnike, prandaj faqet më të bukura të kësaj proze e trajtojnë tragjizmin fatal të jetës së jevgjitëve dhe të skamnorëve të tjerë të konfesionit katolik e mysliman, të cilet punojnë si argatë të përbuzur në pronat e pasanikëve dhe përpiqen që edhe në ato kushte të rënda ta gjejnë dhe ta gëzojnë edhe lumturinë e tyre jetësore. Personazhe të këtyre tregimeve janë të rinjtë në moshën kur gufojnë ndjenjat dhe pasionet, që i nxisin dëshirat për të mbijetuar dhe për t’i gëzuar bukuritë që sjell jeta rinore, por edhe pleqtë e këputur nga fati i tyre jetësor, që janë shumë të preokupuar me fatin e fëmijëve të tyre.

Në fillimet e prozës së tij me tematikë sociale, Ramadan Rexhepi sikur mësoi nga proza e Migjenit, pastaj e Adem Demaçit, e mbase edhe e ndonjë realist i letërsisë serbe, si Bora Stankoviçi, i cili e ka trajtuar me ndjeshmëri të veçantë sidomos fatin e jevgjitëve dhe të shqiptarëve të këtyre viseve. Mirëpo duhet të thuhet qartë se Ramadan Rexhepi në tregimet e tij solli një qasje krejt origjinale, duke depërtuar me mjeshtri të veçantë në psikologjinë e personazheve, në taumat jetësore që ata i kanë përjetuar që nga mosha e fëmijërisë. Edhe sa i përket aspektit stilistik, ky autor që në tregimet e para solli risi, duke u përpjekur që brenda fatit ekzistencial të njeriut të përfshijë edhe pjesëmarrjen e mjediseve jetësore dhe në mënyrë të veçanta ta poetizojë bukurinë e natyrës në varësi nga bota emocionale e personazheve. Kështu, tregimet e tij i përshkon përgjithësisht një ndjenjë e dhembjes dhe e pikëllimit, një fatalitet i paracaktuar i jetës, dilemat ekzistenciale deri në kufijtë e luhatjes së besimit fetar, por edhe fuqia shpirtërore për t’i përballuar vështirësitë dhe lufta e përhershme kundër të këqijave dhe padrejtësive shoqërore. Në tregimin e parë të kësaj përmbledhjeje, “Kur s’ka diell ndër zemra” autori me mjeshtri të rallë e paraqet shpirtin e tronditur dhe të traumatizuar që nga fëmijëria të jevgut Saqip, i cili në luftë me varfërinë e madhe, në zgripcin e ekzistencës së tij dhe të fëmijëve të shumtë, ballafaqohet edhe me fuqinë e papërballueshme të ndjenjës së xhelozisë, që e shpie deri në degradim të plotë moral dhe në revoltë, që ka për pasojë dhunën familjare, sidomos ndaj gruas, pastaj alkoolizmin, por nuk e mposht kurrë dashurinë e pakufijshme ndaj fëmijëve. Edhe tregimi “Konstantina” është po ashtu një rrëfim i dhembshëm për fatin e një varfënjakeje të bukur, që si argate për kafshatën e gojës punon në pronën e huaj, e do me një ndjeshmëri të thellë të vëllain, që skamja e ka katandisur në lypës, përpiqet të jetojë me nder, e do edhe rininë dhe bukurinë e saj dhe keqpërdorët nga mashtruesi, i biri i pronarit, tek i cili punonte, duke endërruar që një ditë do të bëhej bashkëshorte e tij. Ky tregim është jehonë e një ndjeshmerie të dhembshme, krejtësisht origjinale, që autori e ka filluar dhe e ka përfunduar me mjeshtri të veçantë poetike. Tregimi “I akuzuari quhaj Malë” trajton me realizëm temën e vëllavrasjes. Në të gërshetohet një rrëfim origjinal, me dinamizëm të plotë, me dialogë të realizuara artistikisht dhe me një përfundim të ngjashëm me monologun përfundimtar të romanit “Gjarpinjtë e gjakut“ të Adem Demaçit, ku mallkohet hakmarrja dhe vëllarasja. Një nga tregimet e gjata, “Nata në saraje”, sado që ka subjektin nga e kaluara e familjeve fudale, e cila përshkruhet me tërë plotërinë e saj, në qendër të rrëfimit e ka fatin e njeriut të varfër, shërbëtorit të Halil Agës, Jusufit, dhe dhembjen e tij të pashërueshme për shkak të dashurisë ndaj të bijës së pronarit, e cila duhet të martohet në një familje të rangut të vet. Edhe brenda këtij tregim kemi një gjallëri të veçantë përjetimesh njerëzore, kemi një botë që ishte duke perënduar dhe lindjen e një të reje që ishtë plot dhembje dhe shpresa të shuara. Në tregimin “Lokja” trajtohet lufta për ekzistencë e njerëzve të vegjël të zonës së Karadakut. Brenda rrëfimit motiv qendror është dashuria e nënës për të birin, i cili krahas ekzistencës që e siguron duke shitur dru, përpiqet që edhe të shkollohet. Lufta këtu e ka edhe dimensionin e vet të veçantë, acarin e dimrit, të ngjashëm me skicën e Migjenit “Bukuria që vret”, por këtu nuk ka përfundim fatal, sepse dashura e nënës, Lokës, me sakrificën e fundit në luftë me stuhinë e dimrit, ngadhnjen për ta vazhduar edhe më tutje luftën për ekzistencë dhe idenë e ardhmërisë për shkollimin e të birit. Tregimi “Letër vajzës bonjake” ndryshon nga krijimet e tjera të kësaj përmbledhjeje, sepse është shkruar në veten e dytë, në formën e një letre të dashurisë. Ky tregim përveç ndjeshmërisë poetike, që e karakterizon dashurinë e dy të rinjve, përmban edhe rrëfimin e përgjithshëm për jetën, për ëndrrat e parealizuara, për synimet dhe dëshirat e autorit të letrës, personazhit rrëfimtar, për një jetë më të përparuar, për dalje nga amullia e përgjithshme e prapambendjes dhe thasheshamnaja e mjediseve të caktuara që merren me përgojime dhe trillime shpifëse. Brenda këtij rrëfimi shquhet shkathtësia e autorit për ta paraqitur artistikisht tërësinë jetësore të mjediseve të caktuara fshatare, si edhe lidhjet e pashkëputshme emocionale midis fenomeneve të natyrës së bukur fshatare dhe preokupimeve dhe përjetimeve të njerëzve. Tregimi i fundit i përmbledhjes “Kambanaret “ të Ramadan Rexhepit, “Udhëtarët”, si edhe të gjitha tregimet e tjera, trajton fatin e njeriut të varfër të fshatërave të Karadakut që lufton për ta ndryshuar fatin dhe jetën e vet. Në qendër të rrëfimit është plaku Franjë dhe e bija e tij, Zoga, që të dy me plagë trupore e shpirtërore dhe me plot dilema për fatkeqësinë dhe varfërinë e tyre, të kushtëzuar si nga njerëzit, ashtu edhe nga Zoti, dhe i lumi Krisht, që e besojnë, por edhe e sfidojnë, në përpjekje për ta ndyshuar fatin e tyre jetësor dhe për të ecur në rrugën e re të dijes dhe të përparimit të Zogës që bashkë me babanë udhëton për t’u shkolluar në qytet. Krejt ngjarja lidhet me udhëtimin e vështirë dhe peripetitë e shumta që përjetojnë këto dy krijesa. Ky udhëtim e ka edhe simbolikën e vet të rrugës së vështirë jetësore me plot befasi dhe të papritura. Tregimi ka një përfundim tragjik me vdekjen e plakut Franjë, pas një rrugëtimi të vështirë, mu në çastin ku kishte arritur në oborrin e shtëpisë së vet, të cilën nuk ia kishte mbrojtur shejtnia e Kishtit, sepse gjatë lojës mospërfillëse ia kishin djegur fëmijët e lagjes. Siç po shihet, që të gjitha tregimet e kësaj përembledhjeje kanë strukturë të formuar rrëfimore mjaft dinamike, në të cilën është formësuar fati i njeriut të varfër dhe përpjekjet e tij për t’i përballuar vështirësitë, ndjenjat e tij, sidomos dashurinë dhe dhembjen e shpirtit në situatat tragjike, por edhe shpresën e tij se do të bëhet më mirë. Përmbledhja e tregimeve të Ramadan Rexhepit është ribotuar edhe në vitin 1998 bashkë me një pasthënie të dr. Nebi Islamit, në të cilën me një analizë të shkoqitur i ka paraqitur vlerat ideo-estetike të këtyre krijimeve.
Romani për Karadakun e robëruar
Romani “Stina e emrave të bukur” është vepër realiste, që e ka zanafillën mu në fazën e fillimit të krijimtarisë së këtij autori, kur ishte ende nxënës i Normales së Prishtinës. Vepra duhej të botohej që në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, por nuk pati fat, prnadaj është botuar tash vonë në Kosovë. Ky është një rrëfim i gjatë që e merr subjektin nga jeta e shqiptarëve, të shtypur, të përbuzur, të nëpërkëmbur në Jugosllainë, socialiste, në kohën kur brezi i ri i intelektualëve që po krijoheshin me shumë vështirësi kishte nisur arsimohej e të vetëdijesohej se duhej të luftonte me plotë sakrifica për mbojtjen e të drejtave elementare të ekzistencës dhe të jetës së lirë në trojet e veta, të arsimohej në gjuhën amëtare dhe ta ruante identitetin kombëtar të popullit të vet. Ngjarjet kryesore të romanit lokalizohen në pjesën maqedone të Karadakut, në qytetin Ranishtë dhe në fshatin Shëngjergj, por veprimet mjedisore të protagonistit, si edhe format e tjera të rrëfimit, shtrihen edhe me gjerë në Kosovë, në Maqedoni, sidomos në Shkup, ku mbahet procesi gjyqësor i protagonistit, në Serbi dhe në viset e tjera, në të cilat jetojnë dhe punojnë shqiptarët. Me gjerësinë e rrëfimit epik me plotë përshkrime mjedisore, veçmas me pjesëmarrjen aktive të natyrës në momentet e ndjeshme të jetës shqpirtërore të personazheve, romani i përtërin në kujtesën e lexuesit tërësinë e jetës fshatare të zonës së Karadakut, duke gërshetuar me mjeshtri brenda krijimit imagjinativ realitetin me historinë, të përgjithshmen me të veçantën, dramat individuale me fatin e përbashkët të popullatës. Krahas paraqitjes së bestytënive, besimeve, dokeve tradicionale të shqiptarëve të kësaj ane, gëshetohen motivet e punës, por edhe ato që kanë të bëjnë me dhunën që synon shpërnguljen e fshatarëve nga trojete e tyre dhe pastrimin etnik të këtyre viseve, me një politikë diskriminuese të përçarjes dhe të sundimit midis antagonizmave shoqërore të shtresave të ndryshme të popullsisë dhe pjesëtarëve të nacionaliteteve serbe, maqedone, shqiptare, si edhe ardhacakëve kolonë që vinin nga viset e Maqedonisë së Egjeut, si edhe emuigrantëve nga Shqipëria, që pushteti i përdorte për qëllime të veta kriminale. Krahas atmosferës së përgjithshme shoqërore, autori ka arritur t’i portretizojë me mjeshtri të rrallë pjesëtarët e ndryshëm të familjeve kundërshtare të tontonozëve dhe të topallajve, pastaj përfaqësuesit e policisë dhe të sigurimit shtetëror, të gjykatës dhe të administratës shtetërore. Në roman defilojnë të gjithë tipat e mundshëm të një realiteti të vrazhdë, duke filluar nga burrat dhe gratë fshatare, që tërë ditën punojnë në fushë dhe në shtëpi duke kultivuar sidomos duhanin, pastaj intriganteët nga radhët e pasanikëve dhe të klerikëve, të lidhur me pushtetin, djerrakohësit e pijetoreve periferike të fshatit e qytetit, spiunët dhe deri të deputetët e kuvendit. Me një fjalë romani i ka përfaqësuar të gjitha kategoritë shoqërore të një periudhe, shpesh duke i përcjellë fatet e tyre historike edhe në vazhdimësi të trungut familjar,m siç ndodh me kolonistët e familjes Popviç, që nga periudha e luftërave ballkanike. Mirëpo, brenda rrëfimit trajtohen me dinjitet edhe intelektualët e ri shqiptarë, mësuesit, studentët, që në zgripcin e përpjekjeve për arsimimin e popullit të tyre sakrifikohen për lirinë dhe të drejtat e popullit të tyre. Bashkë me ta janë edhe shumë figura të fshatarëve, bashkë me përfaqësuesit e heroizmit të së kaluarës si Baba Cati, por edhe shumë njerëz që e ruajnë dinjitetin tradicional, të cilët jeta i ka kalitur për t’i përballuar që të gjitha të këqijat që vijnë nga prapambetja dhe dhuna e pushtetit të sundimtarëve të huaj. Branda romanit bashkë me fatin e fshatarëve të Shengjerigjit dhe të fshatrave të tjera të kësaj zone, shtrihet edhe një shtresim i bukur i vlerave tradicionale, një etnologji e plotë që e paraqet shqiptarin në çastet e hareshme të bukurisë së dasmave e gëzimeve familjare, por edhe në logun e kuvendit për tema serioze, që sjellë jeta për shkak të konflikteve ndërfisnore dhe dhunës së pushtetit që i nxit ato. Në strukturën e pasur rrëfimore të romanit, krahas protagonistit, Ilir Kelmendit, intelektual me një vetëdije të lartë atdhetare dhe shoqërore, i burgosur politik për bindjet e veta, hero i mirëfilltë që e sfidon dhunën shtetërore, apologjet i lirisë së popullit të tij, dhe Shegës, të dashurës e, pastaj edhe të gruas së tij, si përfaqësuese e grave fshatare që ballafaqohen me shtypjen e dyfishtë gjinore dhe kombëtare, kemi një galeri të tërë personazhesh të skicuara me mjeshtri të rrallë, që përfaqësojnë fatet individuale dhe psikologjinë e përgjithshme të popullit të zonës së Karadakut që lufton për ekzistencë në trojet e veta. Në roman është paraqitur jeta e shqiptarëve në lidhmëri të vazhdueshme historike, por janë portretizuar edhe figurat individuale të përfaqësuesve shtetërorë, që si tërësi simbolizojnë vazhdimësinë e dhunës shtetërore dhe të shtypjes nacionale, të shqiptarëve, të cilën herë-herë përpiqen ta kamuflojnë me një përfiditet të veçantë dhe me parulla boshe për “vëllazërim- bashkimin” e popujve. Po këtu janë edhe përfaqësuesit e atyre shtresave shoqërore, që për interesa personale, për mbojtjen e përfitimeve dhe të pronave të tyre bëheshin vegla të çdo pushtetit dhe e ndërronin identitetin e tyre herë si turq e herë si torbeshë, varësisht nga interesat e e politikës së sundimtarëve të huaj. Figura e Ilir Kelmendit shquhet sidomos gjatë paraqitjes realiste tipike të procesit gjyqësor, që është një nga pjesët më të realizuara të romanit, sepse autori e ka krijuar një atmosferë tipike, duke i ruajtur të gjitha veçanësitë që e karakterizojnë protagonistin, që vepron dhe flet jashtë të gjitha skemave të mundshme të retorikës së njohur në romanet e realizmit socialist. Po ashtu, në mënyrë krejt të pavarur dhe origjinale është paraqitur edhe atmosfera e tërësishme në të cilën paralajmërohet veprimtaria e organizuar e grupeve të intelektualëve, kryesisht e arsimtarëve, mësuesve të fshatit, e nxënësve dhe e studentëve, pa ngarkesa ideore, që e karakterizojnë paraqitjen e veprimtarisë ilegale në Kosovë në veprat që trajtojnë tematikën e këtillë. Brenda totalitetit të rrethanae të kohës autorit nuk i ka shpëtuar asnjë hollësi nga veprimtaria e pushtetit, prandaj këtu bashkë me antagonizmat serbo-maqedonase ka zënë vendin e vet edhe edhe grupet e emigrantëve nga Shqipëria, shumë nga të cilet ishin bërë vegla të pushtetit shtypës jugosllav. Për ta ruajtur veprën nga banalitetet e mundshme propagandistike e publicistike, autori me qëllim e ka mënjanur me mjeshtri përdorimin e emrave të vërtetë të pushtetarëve jugosllavë e shqiptarë të asaj kohe, por në anën e kundërt, në rrëfimin e tij, në mënyrë të tërthortë nëpërmjet tregimeve të peronazheve janë të pranishëm me emra të plotë personalitetet e shquara të historisë shqiptare, në mënyrë të veçantë ata të zonës së Karadakut, si Idiz Seferi dhe bashkëluftëtarët e tij e pastaj edhe trimat e periudhave të mëvonshme, që u sakrifikuan për lirinë e popullit të tyre. Romani “Stina e emrave të bukur” shquhet edhe për përshkrimet e bukura të mjediseve, për pjesëmarrjen aktive të natyrës në të gjitha situatat delikate shpirtërore të peronazheve kryesore, për atmosferën e ngrohtë të mjediseve familjare, dhe përgjithësisht për një frymëmarrje të gjallë të jetës në lëvizje të vazhdueshme për ta mposhtur të keqen. Këtu është e pranishme në vazhdimësi atmosfera e punës, e dashurisë për jetën dhe për njeriun, e luftës për ekzistencë, e besimit dhe e shpresës për një të ardhme më të mirë, por edhe një varg besimesh e besëtytnish tradicionale që e karakterizojnë etnopsikologjinë e tërësishme të banorëve të kësaj zone. Në qoftë se mund të konstatohet se në tregimet e Ramadan Rexhepit nga përmbledhja “Kambanaret” është paraqitur me primesa fataliste fati i individualizuar i njerëzve të varfër nga Krahina e Karadakut, në romanin e tij të parë fati i këtyre njerëzve vetëm është thelluar dhe plotësuar edhe me një përbërës të ri, atë të shtypjes nacionale dhe të dhunës shtetërore, që shtrihet mbi ta për t’i nënshtruar dhe për t’i detyruar që të heqin dorë nga identiteti i tyre kombëtar dhe të shpërngulën në Turqi.  Romani “Stina e emrave të bukur” bashkë me tregimet e përmbledhjes “Kambanaret|”, paraqet fazën kur talenti krijues i prozatorit del në pah në mënyrë të plotë dhe e shquan atë si individualitet krijues tashmë të formuar, në veprën e të cilit harmonizohen plotësisht të gjithë ata faktorë që artin e rrëfimit tregimtar e bëjnë vlerë të mirëfilltë estetike, duke shmangur me sukes faktorin tepër të theksuar sociologjik, që e ka karakterizuar prozën shqipe, në mënyrë të veçantë romanin e të ashtuquajturës periudhë të realizmit socialist.
Dilemat e shqiptarit të diasporës
Në romanin e parë të Ramadan Rexhepit krahas karakteristikave të realizmit klasik, i hasim edhe përbërësit e një depërtimi të ri në shtresën imagjinative të strukturave moderne të romanit të ideve, të cilat do të manifestohen në mënyrë të plotë në romanin e tij më të ri të këtij autorit, “Dilemat e Emrush Dokos”.
Ramadan Rexhepi, që e kishte dëshmuar tashmë talentin e tij si prozator, pjekurinë kulmore në fushën e romanit modern do ta arrijë me veprën e tij, gjithsesi shumë interesante, “Dilemat e Emrush Dokos”. Është ky një roman modern i ideve me shtrirje të gjerë proteike, një satirë që realizohet me përbërës të shumtë imagjinativo-fantastikë e simbolikë, por edhe me një strukturë të thjeshtuar që realizohohet me anë të ecurive të veçanta rrëfimore në dy linja kryesore: në emisonet të drejtpërdrejta të Radio Muçibabës dhe në rrëfimet e shkëputura reale dhe fantastiko-shkencore të personazhit narrator, Emrush Dokos.
Satira e romanit i shpie degëzimet e veta të rrëfimit deri në sferat shumëdimansionale, që nga zanafilla e krijimit të jetës në gjithësi dhe në planetin tonë, pastaj në periudha të hershme të krijimit të jetës së gjallë mbi tokë, të së kaluarës së njerëzimit dhe të historisë sonë kombëtare nga periudhat proto-ilire, shqiptare e deri në kohën tonë. Preokupimi kryesor i autorit është ekzistenca njerëzore dhe kombëtare e popullit dhe e gjuhës së tij, që trajtohet nëpërmjet kuptimit simbolik të foljes “jam”, për të cilën shqiptarët e Suedisë me pjesëmarrje më të gjerë synojnë ta organizojnë një tubim shkencor për drejtshqiptimin e saj. Siç hetohet nga simbolika e përgjithshme e romanit, çështja e ekzistencës shqiptare të pjesëtarët e kësaj diaspore, por edhe përgjithësisht e shqiptarëve, ka pësuar një lëkundje tronditëse, sepse folja kryesore e gjuhës sonë “jam” ka zënë të shqiptohet në forma të ndryshme , me fonemat e trajtave: “m-jam”, “dh-jam”, “h-jam”, “h-am’ e të tjera. Lidhur me këtë problematikë, që e përshkon tërësinë e romanit, autori nëpërmjet simbolikës ekzistenciale e ka paraqitur në radhë të parë pseudo-patriotizmin, stërkeqjen morale e shoqërore, ndasitë dhe përçarjet politike dhe ideologjike, të grupacioneve politike e të shoqatave kulturore dhe përgjithësisht të shqiptarëve si edhe shumë vese të kahershme dhe të reja që këta njerëz i karakterizojnë si: mburracakëria, mashtrimi, shfrytëzimi, spunimi, përgojimi dhe injoranca, bajraktarlleku e liderizmi. Po ashtu, brenda rrëfimit, sidomos të Emrush Dokos defilojnë edhe veset dhe huqet e reja të botës moderne, si alkoolizmi, shpëndarja e drogës, prostitucioni, tregtia me qeniet njerëzore e të tjera. Krijohet përshtypja se romani përshkohet nga një pesimizëm i sforcuar, por fatkeqësisht dukuritë e këtilla janë reale dhe kur është fjala për temën bosht – ekzistencën e strukturës thelbësore kombëtare të njerëzve që jetojnë nga përkujdesja sociale e shtetit të Suedisë në një periudhë të tjetërsimit të përgjithshëm globalist, ato tërheqin vërejtjen për mundësinë e të qenit shqiptarë të këtyre krijesave njerëzore. Është e kuptueshme se vepra e Ramadan Rexhepit përmban një simbolikë të pasur dhe si satirë i ka edhe përmasat e hiperbolizimit. Pjesët e rrëfimit si në emisionet e Radio Muçibabës, në periatjet ekzistenciale dhe në rrëfimet realiste të Emrush Dokos, si edhe në procesverbalin e mbledhjes së gjuhëtarëve dhe ardhetarëve lidhur me problemein e shqiptimit të foljes “jam” në të gjitha trajtat e mundshme, ndonëse janë fiksione imagjinative të krijuesit, kanë edhe pjesë të identifikueshme, madje dhe personazhe që mund të identifikohen si udhëheqës të rrymave dhe të partive politike të vjetra ndhe të reja, midis azilantëve në Suedi, e madje edhe personalitete historike të kohës, që autori nuk ka dashur t’i emërtojë drejpërdrejt. Brenda strukurës së përbërësve satirikë, sidomos të simbolikës ironike e sarkastike, përmasa të mëdha merr sidomos hiperbola, e cila shtrihet jo vetëm në paraqitjen e përmasave të degjenerimit moral të pjesë më të madhe të njerëzve, por edhe në ironizimin e përgjithshëm të strukturës fantastiko-shkencore dhe pseudoshkencore që përmban pjesa kryesore e rrëfimit të Emrush Dokos. Në romanin “Dilemat e Emrush Dokos” nuk mungojnë edhe paraqitjet krejtësisht realiste, madje me primesa të strukturave publicistike që lidhen me mënyrën e diskutimeve në emsionet e radios dhe të mbajtjes së procesverbalit të mbledhjes së gjuhëtarëve. Me gjithë përgjithësimet që e karakterizojnë atmosferën e përgjithshme të mjediseve të caktuara, autori ka krijuar edhe profile të veçanta të personazheve, që mund të trajtohen edhe në rrafshin e analizës realiste të tipizimit të tyre. Prandaj, shikuar në përgjithësi, dilemat e Emrush Dokos janë edhe dilema të kuptueshme të njeriut të kohës së globalizmit, kur shumë përbërës të vlerave tradicionale të popujve po tjetërsohen dhe njeriu i paformuar intelektualisht, çfarë janë shumica e personazheve të këtij romani, vepron në bazë të instikteve ekzistencioale, duke i përvetësuar përbërësit sipërfaqësorë të një kulture ose pseudokulture të krijuar brenda ndërmarrjeve e institucioneve, shoqatave, klubeve, kazinove, kafiterive, dhe përgjithësisht vendeve që e kultivojnë kultin e hedonizmit – të kënaqësive të lehta trupore, duke varfëruar deri në zhveshje të plotë shpirtin njerëzor. Mu për këtë arsye në romanin e Ramadan Rexhepit përsëritet bukur shpesh dilema hamletiane brenda trjatave “jam “ apo “s’jam”, bashkë me variantet më të këqija të ekzistencës në kuptimet që simbolikisht paraqesin shqiptimet fonetike: m-jam, dh-jam, h-jam, m-am, h-am, si stërkeqje e plotë e ekzistencës idividuale dhe të përbashkët të shqiptarëve në Suedi, të cilët nuk lënë asnjë rast pa përdorur për ta gëzuar asistencën sociale dhe mundësitë ekzistenciale që ua ofron shteti suedez emigrantëve azilantë Ndëkaq, këta njerëz, shumica e tyre, patriotizmin, dashurinë për Kosovën e Shqipërinë, që në roman paraqiten me emra simbolikë, luftën për çlirim e fjalamaninë e tepëruar e kanë vetëm mbulesë formale, kurse disa prej tyre edhe si mjet mashtrues opër përfitime personale. Në romanin e Ramadan Rexhepit flitet edhe për njerëzit e sinqertë, që kujtohen me admirim nga azilantët e përmalluar për vendin e tyre, por gjuha ironizuese e tërësisë së veprës i ka lënë në përferi personazhet e këtilla, ashtu si edhe shumë nga të huajt e interesuar për etnopsikologjinë e shqiptarëve. Në disa raste romani përmban edhe dromca të paraqitjes poetike të ndenjave të dashurisë së protagonistit ndaj Gretës suedeze, si edhe ndonjë shkëndijë të mirënjohjes dhe të adhurimit për njeriun e ndershëm e punëtor të Suedisë. Në raste të këtilla rrëfimi i Emrush Dokos karakterizohet nga përshkrimet mjedisore, adhurimi ndaj bukurive të natyrës dhe pjesëmarrjes së saj në ndjeshmërinë e përjetimeve të personazheve, që është një nga karakteristikat e dallueshme të prozës së Ramadan Rexhepit. Romani “Dilemat e Emrush Dokos” është një vepër e fuqishme satirike, madje edhe me përbërës shumë të fuqishëm sarkastikë, por megjithatë nuk mund të karakterizohet vetëm si satirë e thjeshtë, sepse brenda tërësisë së saj rrezatojnë edhe ide të shumta, të cilat i përfaqësojnë preokupimet e përgjithshme ekzistenciale të njeriut të kohës së sotme, bashkë me atë dilemën e kahershme hamletiane: “Të jesh apo të mos jesh”, që i ka tronditur shpesh shpirtrat njerëzorë në situale të ndryshme ekzistenciale gjatë shekujve.
Përfundimi
Është thënë në fillim se proza e Ramadan Rexhepit kishte ndonjë përbërës të përbashkët me atë të Adem Demaçit. Edhe romani “Dilemat e Emrush Dokos” i këtij autori, brenda paraqitjeve të përgjithshme mjedisore dhe të veprimit të disa personazheve ka pika afrimi me romanin “Libër për Vet Mohimin”, prandaj do të ishte me interes për studimin e letërsisë bashkëkohore që vepra të studiohet me hollësisht në përqasje me këtë roman të Demaçit, si edhe me romanin “Vdekja me vjen prej syve të këtillë”, që përmban gjithashtu përbërës të caktuar të strukturave satirike. Ramadan Rexhepi është ende aktiv në letërsinë tonë. Është thënë se ka edhe disa dorëshkrime të pabotuara, prandaj në përfundim të kësaj kumtese modeste për prozën e tij të botuar deri tash, urojmë që të na gëzojë edhe me ndonjë vepër të re.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura