DR.SADRI FETIU: ISMAIL QEMALI SIPAS POEZISË SONË POPULLORE

(Prishtinë, 09. 09. 2012) – Për Vlorën e lirisë, për Ismail Qemalin, si figurë qendrore në aktin e Shpalljes së Pavarësisës e si kryetar i Qeverisë së parë shqiptare, u krijuan shumë këngë, të cilat, pos rëndësisë historike, shquhen edhe për vlerat e veçanta artistike. Me anë të këngës populli e krijoi për të monumentin më të bukur, me të cilën e përjetësoi artistikisht dhe e bëri të pavdekshëm në kujtesën e brezave që do të vijnë.
Është e kuptueshme se në viset e Veriut janë më të pakta këngët historike që i kushtohen kësaj figure, por megjithatë, ai është gjithnjë krah për krah me trimat shqiptarë të Kosovës, të cilët janë pjesëmarrës në aktin e Shpalljes së Pavarësisë, që kënga popullore fare drejt e trajton si pavarësi për të gjitha viset shqiptare dhe për mbarë popullin, që ishte i pandashëm në idealin i lirisë dhe të bashkimit kombëtar:
Kënga e Veriut thotë:
“U bashkuen t’gjith kta trima.
Isë Buletini e Hasan Prishtina:
Janë ba bashk’ burrat shqiptar,
Ismail Qemali i thirri n’Vlorë.
Mbrend n’ Vlorë trimat janë hi,
Çojnë flamurin kuq e zi.”
Megjithëse me narracion shumë të kufizuar, figura e Ismail Qemalit del shumë më e plotë në këngët e viseve të Jugut. Këto këngë me veçori themelore të sintezave poetike, të cilat i kanë krijuar këngët polifonike, e shquajnë në mënyrë të veçantë rolin historik të figurës diplomatike, duke e përgjithësuar modelin e kontakteve karakteristike të udhëheqësve shqiptarë me përfaqësuesit e shquar të politikës europiane.

ISMAIL QEMALI

…………………………………………………

Për t’i dalluar më qartë të veçantat e poetikës së këtyre këngëve është me interes të tërhiqet një paralele ndërmjet krijimeve të ngjashme që i kushtohen figurës qendrore të ngjarjeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe këngëve për Ismail Qemalin në kontaktet e tij diplomatike. Kënga ka krijuar kështu gjedhe unike, një lloj toposi letrar për sjelljen me dinjitet të lartë të burrështetasve shqiptarë ndaj përfaqësuesve të Europës.
Çështja e parë që bie në sy brenda këtyre këngëve është krijimi i një lloj protokolli shtetëror, që synon mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit, që arti popullor e përjetëson si vendim të popullit, të cilin e shqipton me guxim udhëheqësi i tij:
“Kur të bënemi ne hi,
Shkel tjatër në Shqipëri!”;

Ose:
“Tokë llatinit mos me i dhanë.
Pa e mush vorre an’ e m’ anë!”

Mu për këtë veprimet e diplomatëve shqiptarë të dy periudhave përfaqësojnë tipin e ri të këngës, me forma të reja të shprehjes artistike, duke zgjeruar vizionin poetik me praninë e veçantë të mënyrës së sjelljes dhe të pritjes së diplomacisë evropiane, në të cilën depërton edhe sjellja tradicionale shqiptare.
Në këngën për Abdyl Frashërin diplomati shqiptar i kohës së Lidhjes takohet në një atmosferë të acaruar me Bizmarkun, kancelar i njohur gjerman, ndërsa, po ashtu sipas këngës popullore të periudhës së mëvonshme, Ismail Qemali bisedon në Paris me mbretin e Francës.
Ja si prezentohet, në rastin e parë, Abdyl Frashëri:
“Unë jam nga Shqipëria,
Avdul Frashëri.
Ju lutëm shikoni mirë,
Ju për Shqipëri,
Mos e bëni copa copa
Sikur s’ ka njëri”.

Në një ambient pothuajse identik, në pritje dinjitoze diplomatike, bisedon edhe Ismail Qemali “në Paris, brenda te krali”. Imazhi poetik e paraqet jashtëzakonisht madhështore figurën e diplomatit të shquar shqiptar:
“Unë jam Smail Qemali,
Prapa me vjen historia.”

Figura poetike, e krijuar në vargun “prapa më vjen historia”, është një nga përgjithësimet e rralla që do t’i gjejë përvoja poetike e popullit në raste të veçanta për t’i bërë të pavdekshme figurat e shquara në momente madhështore të historisë, siç është Ismail Qemali në aktin e Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor në Vlorë. Dhe, vërtet, në këto situata vendimtare për fatin e kombit vetëm historia mijëravjeçare e popullit shqiptar është ajo që i shkon prapa lajmëtarit të shtetit të ri, i cili po lindte në kohën kur tokat e tij ishin pushtuar nga të katër aleatët ballkanik, prapa të cilëve qëndronte Rusia dhe konjukturat e atëhershme europiane, që vepronin në dobi të saj dhe të sferave të reja të interesave, që po i zgjeronin në dëm të interesave vitale të popullit shqiptar.
Sipas kuptimit të kësaj kënge, historia i shkonte prapa Ismail Qemalit si domosdoshmëri ose si pjesë e rastësisë, që bëhej e domosdoshme në raste të kërtilla vendimtare. Ndërkaq, Ismail Qemali i këngës popullore dhe ai i realitetit historik, ishte diplomat i rryer, që e kuptoi në thellësi të mendjes çastin dhe e ndjeu në shpirt zërin e historisë, prandaj diti të veprojë drejt, me shpejtësi për të bërë veprimet e duhura. Vetëm ai që në gjakun e vet dhe atë të popullit të tij e ndjen rrahjen e damarit shekulllor të luftërave të përgjakshme të popullit për liri e pavarësi do të dijë të veprojë me guxim dhe vendosmëri në orët fatale për popullin e tij. Prandaj, historia, që i shkonte prapa Ismail Qemalit, ishte aleatja e vetme e popullit shqiptar dhe e udhëheqësve të tij si Ismail Qemali, që e favorizonte zbatimin e vendimit për Shpalljen e Pavarësisë.
Dhe kënga popullore nuk paraqet veprime të tjera diplomatike, jashtë atmosferës së krijuar tradicionalisht në mjedise shqiptare. Por, figura e heroit të këngës nuk shkëputet kurrë nga mjedisi i vet, prandaj bashkë me historinë shekulllore atij i qëndrojnë pranë edhe shokët e tij:
Smail Qemali në Vlorë,
Me gjithë shokët e tia.
Ç’ i tha popullit me gojë:
– Posht’, o shokë, robëria!
Evropa le të dëgjojnë:
Nuk ka vend këtu Turqia!
Ja të vdesim ja të rrojmë
Është e jona Shqipëria!”

Përveç vlerës së lartë poetike në këto këngë shquhet edhe ndjeshmëria e veçantë patriotike – vetëdija e plotë për jetën e lirë dhe të pavarur të shtetit shqiptar dhe për sakrificat që duhej bërë për ta jetësuar Shqipërinë, ashtu siç e ëndrruan rilindësit tanë të shquar, ashtu siç ishte ideali i popullit, i pasqyruar drejt edhe nëpërmjet këngëve të tij.

…………………………………………….

KËNGË PËR ISMAIL QEMALIN

…………………………….

………………………………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura