RAMNADAN PLLANA: BAJRUSH XHEMAILI – KUMANOVA, NJË HERO I HESHTUR I QËNDRESËS KOMBËTARE

Zvicër, 20. 10. 2014: – (Në përkujtim të njëvjetorit të vdekjes së veprimtarit të paepur për çlirim e ribashkim kombëtar, më 21 tetor 2013) – Një aktivist i lirisë kombëtare, i cili u dëshmua me veprimtarinë e vet qysh nga mosha e re, deri në vdekje, si një meteor prej luftëtari të paepur për çlirim e ribashkim kombëtar, është edhe Bajrush Xhemaili nga Kumanova.
Të shkruash për shokët që tërë jetën e vet ia kushtuan lirisë dhe ribashkimit të atdheut – Nënës Shqipëri, jo vetëm që është një borxh kombëtar por, njëkohësisht, është edhe një përgjegjësi morale e historike, sidomos për ne bashkëveprimtarët e tyre, që t’i shkruajmë sa më me vërtetësi ngjarjet reale, në mënyrë që brezat e ardhshëm t’i kenë të gjallë në kujtesën e tyre historike e të përjetshme.
Dëshmorët nuk vdesin kurrë, sepse me flijimin e tyre për atdhe, me amanetin që na e lanë, duke ndjekur porositë e tyre do t’i kujtojmë si të gjallë në ndërgjegjen kombëtare e njerëzore duke ua përcjellë brezave të ardhshëm. Heronjtë e dëshmorët, nëse harrohen nga populli i vet, atëherë ky popull është i gjykuar që ta përsërisë historinë e tij tragjike, -ky është një mësim historik që është dëshmuar shumëherë, posaçërisht te popujt e robëruar gjatë shekujve të kaluar. Emri, vepra dhe shembulli i dëshmorëve kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë yje udhërrëfyese të përhershme për çlirim e ribashkim kombëtar. Kush i nderon dëshmorët e nderon popullin, e nderon veten, e respekton historinë e lavdishme kombëtare, e siguron të tashmen dhe të ardhmen e atdheut.

Bajrush Xhemaili (15.02.1950 – 21.10. 2013)

Për këtë shkrim-përkujtim dua që t’i falënderoj edhe këta miq që më ndihmuan e më japin kurajë për t’i shpalosur kujtimet për bashkëveprimtarin Bajrush Xhemaili: Destan Hajdinin, Menderes Zenelin dhe Mirvan B. Xhemailin, djalin e Bajrushit.
Më 21 tetor mbushet 1 vit nga vdekja e veprimtarit të orëve të para, heroit të heshtur të qëndresës kombëtare, Bajrush Xhemailit nga Kumanova. Por, atdhetarët e denjë nuk vdesin kurrë, sepse emrat e tyre bëhën të pavdekshëm, nderohën me respekt të madh nga shokët e nga populli, kështu ata fitojnë përjetësinë në zemrat e kombit sepse ata tërë jetën ia kushtuan çlirimit dhe bashkimit të atdheut. Bajrushi është lindur më 15 shkurt të vitit 1950 në Miratovc, komuna e Preshevës, nga një familje me tradita patriotike. Ishte djalë i vetëm i kësaj familje, një vëlla e katër motra. Babai i tij, një bujk i vyeshëm, Shaip Xhemaili, ishte marrë në pyetje e maltretuar shpeshherë nga policia, vetem e vetëm se ishte shqiptar dhe me tradita të shëndosha kombëtare. Në vitin 1955 familja Xhemaili nga Miratovci shpërngulet në Kumanovë.
Bajrush Xhemaili, me që vinte nga një familje e varfër dhe e përndjekur nga regjimi sllavomaqedonas, detyrohet të punojë që në mosh të re, shkon në Gjermani nga viti 1973, ku dhe ra në kontakt me veprimtarë të shquar të çështjës kombëtare. Qysh heret e ndjeu peshën e rëndë të robërisë dhe të gurbetit, kuptoi padrejtësit që i bëheshin popullit shqiptar në trojete e veta e të mbetura padrejtësisht nën Jugosllavi. Si patriot dhe adhurues i flaktë i shkollës dhe përparimit, për t’i pajisur me dije mergimtarët dhe ata në Kosovë e në viset tjera shqiptare në ish Jugosllavi, që në fillim, si dashamir i arsimit kombëtar shpërndante nëpër mërgimtarë gazeta dhe libra të botuara në Shqiperi, dhe të njejtat, për kundër rrezikut dhe burgut që e priste për çdo moment, ai do t’i sillte edhe në atdhe të cilat pastaj do të shpërndaheshin ilegalisht. Shqipërinë Socialiste dhe udhëheqësin e saj, Enver Hoxhën, i adhuronte shpirtërisht. Ai ishte veprimtar i heshtur, ishte i matur e bisedonte vetëm atëherë kur ishte nevoja e kur shtroheshin detyrat për veprim për çështjen e pa zgjedhur të gjysmës së Shqipërisë, pra të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën sundimin e ish Jugosllavisë. Kontaktet e para me bashkëmendimtarë e bashkveprimtarë që do t’i kishte për veprimtari ilegale ishin në Kumanovë e Preshevë, dhe këta ishin Arif Seferi, Avni Dehari, Destan Hajdini, Jonuz Musliu, Muharrem Shaljani, Saqip Jashari, Halil Sulejmani, Arif Xheladini, Selami Aliu, me vëllazërit Murat, Xhemajl e Ismet Jashari, Menderes Zeneli, e shumë të tjerë. Si në atdhe, ashtu edhe në mërgatë, Bajrushi do të jetë i pranishëm në të gjitha veprimtaritë ilegale e legale, në mbledhje e në tubime, në protesta për të drejtat e shqiptarëve në ish Jugosllavi.
Bajrush Xhemaili do të marrë pjesë gati në të gjitha demonstratat e organizuara në Zvicër, Gjermani, Belgjikë e gjetiu. Ai ishte një aktivist i zjarrtë, qysh nga demonstratat e para, të organizuar nga veprimtarët e orëve të para të Lëvizjes kombëtare, nga Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla etj, që do të mbaheshin më 11 prill të vitit 1981 në Bern, pastaj në Cyrih, Gjenevë, Shtutgard, Dyzeldorf, Frankfurt, Bruksel etj. Në këto demonstrata parullat kryesore do të ishin »Kosova Republikë ! » »Ne jemi me Kosovën », « Ne jemi me studentët ! », « Republikë, vetëvendosje ! », « Duam lirimin e të burgosurve ! », « Poshtë terrori dhe dhuna serbe në Kosovë ! », « Jemi shqiptarë-nuk jemi jugosllavë! », « Poshtë tradhëtarët ! », « Poshtë UDB-ja jugosllave ! » etj. etj.


Pamje nga demonstrata e parë në Cyrih, më 18 prill 1981

Si anëtar i devotshëm i LPRK-së, më vonë LPK, me besnikërinë më të madhe i kishte kryer të gjitha obligimet e detyrat që shtroheshin nga Kryesia e LPK-së. Ai nga Gjermania e Zvicra do t’i sillte në atdhe shtypin ilegal, si “Lajmëtarin e Lirisë, “Bashkimin”, “Lirinë” dhe revista e libra historike që dilnin në Shqipëri. Lidhjet kryesore i kishte me dëshmorin e kombit, Arif Seferin, i cili, bashkë me Ahmet Haxhiun e Fadil Vatën ishin ngarkuar nga Kryesia e LPRK-së, në Mbledhjen konsultative më 1989, që këta tre veprimtarë të përfaqësonin organizatën brenda atdheut. Arif Seferi, si përfaqësues i LPRK-së për Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, bënte përpjekje që në kërkesën për Repuplikën e Kosovës të përfshiheshin edhe viset shqiptare në këto republika të ish Jugosllavisë. Aktiviteti i ngjeshur i LPRK-së në vitet 1987-1989, në Kosovë e në mërgatë do të shtrihet edhe në sektorin ushtarak. LPRK u forcua nga të gjitha pikëpamjet. Ahmet Haxhiu, Arif Seferi, Ali Reshani, Sahit Krasniqi, Shaban Muja, nën organizimin dhe financimin e Kryesisë së Degës së LPRK-së, sigurojnë armë, municione dhe pajisje ushtarake, si dhe teknikë moderne për propagandë. Vdekja e papritur e Arif Seferit, i helmuar nga sigurimi serbo-maqedonas, në Burgun hetues Shutno Orizore në Maqedoni, më 23 qershor 1992 e kishte dëmtuar rëndë LPRK-në. Bajrush Xhemaili, me shokë, do të pikllohen shumë me humbjen e shokut e udhëheqësit më të devotshëm të organizatës, por nuk do të ndalën kurrë së vepruari për çlirim e ribashkim kombëtar.
Bajrush Xhemaili do të njihet dhe do të bashkëveprojë me ushëheqësit e LPK-së në mërgatë, me Fehmi Lladrovcin, kryetar i Këshillit të LPK-së- në Gjermani, me Fazli Veliun, kryetar i LPK-së, Dega Jashtë vendit, e me veprimtarë tjerë të të gjitha trojeve shqiptare. Në Mynih është njohur dhe ka bashkëvepruar edhe me Rifat Jasharin, vëllaun e komandantit legjendar, Adem Jashari, etj. etj….
Bajrush Xhemaili, si një veprimtar i paepur i çështjes së atdheut ka ndihmuar, pa kursim, gjatë dhe pas luftës, fondet çlirimtare; Fondin e Republikës së Kosovës “Vendlindja Thërret”, fondin “Zëri i Atdheut” dhe fondin “Liria kombëtare“.
Bajrushi nga familja e ngushtë ka lënë gruan dhe dy djem. Të dy djemtë e tij kanë kryer studimet e larta dhe kanë doktoruar, Mirvani është doktor i shkencave të filologjisë, kurse Ridvani është doktor i stomatologjisë.
Do ta kujtojmë e nderojmë gjithmonë veprimtarinë e tij patriotike! Emri dhe vepra atdhetare e Bajrush Xhemailit, për çlirim e bashkim kombëtar, do të jetë gjithmonë në kujtesën tonë!
LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË BAJRUSH XHEMAILIT!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura