Dr.SADRI FETIU: ‘SOFRA’ MBETET E SHTRUAR…

Prishtinë, 12 dhjetor 2020: Rrustem Berisha: “Thërrime të sofrës së fundit”, FAD, Prishtinë, 2019, f. 100.
Me siguri e kam thënë edhe më parë, por do ta përsëris edhe kësaj radhe: Rrustem Berisha është poet i lindur, që poezinë e ka pjesë të jetës së përditshme. Ai krijon poezi në momente të ndjeshme, duke poetizuar gjërat më të thjeshta të mjedistit të tij jetësor. Ai komunikon me vargje me njerëzit e tij të afërm sa herë që gjen shtegun që ta harmonizojë lidhjen midis të kaluarës dhe të sotmës, midis dashurisë, dhembjes, gëzimit dhe përmallimit. Ai krijon metafora të fuqishme që duken fare te thjeshta, siç është kjo në titullin e përmbledhjes së tij te re “Thërrime të sofrës së fundit”. Shiheni se çfarë bukurie fshehin këto “thërrime”, “buke” të ëmbël, që e ushqejnë shpirtin në sofrën e madhe poetike. Ai do ta quajë këtë “sofra e fundit”, por jo, unë nuk mund të pajtohem… Nuk dihet kurrë saktësisht as fillimi e as fundi i frymëzimit poetik, prandaj “sofra” mbetet gjithmonë e shtruar për ata që janë të uritur që ta shijojnë nektarin e “thërrimeve” poetike të shtruara në të…
Unë, ashtu si edhe më parë kur i kam lexuar tre përmbledhjet paraprijëse të sofrës: “Guri i Gjeranës”, “Kroni i lejthisë” dhe “Lulet e Pleqërisë”, mbase rastësisht e pata fatin të jem përsëri lexuesi i parë i poeziëe më të re të Rrustem Berishës. Mund të them që në fillim se duke i lexuar poezitë e kësaj përmbledhjeje, përjetova një kënaqësi të dyfishtë.

Rrustem Berisha

Së pari, u kënaqa se miku im, Rrustemi, me gjithë moshën që ka, qëndron i fortë përballë kërkesave që shtron përpara tij frymëzimi poetik dhe vazhdon të shkruajë poezi të bukura.
Së dyti, brenda kësaj poezie unë vërejta se janë përforcuar edhe më shumë disa nga parimet krijuese, që i karakterizojnë poetët e mirëfilltë, tek të cilet mbretëron çiltërsia e një ndjenjeje përherë më të theksuar për t’i ofruar lexuesit anët më të padukshme të bukurisë së jetës, për t’i poetizuar ato raste të thjeshta, ato gjëra krejt të vogla që e prekin shpirtin dhe e nxisin atë që ta përjetojë më të plotë kuptimin e ekzistencës njerëzore.
Në këtë aspekt unë gjeta inde të ngjashme poetike me poezinë e Dritëro Agollit dhe të poetëve të tjerë të kësaj lagjeje që janë në gjendje ta poetizojnë edhe “gurin e thatë” të tokës së atdheut dhe shkretëtirën e thellë të humbëtirave të dhembjeve shpirtërore që njeriu mund t’i shkaktojë njeriut tjetër.
Duke lexuar poezinë e Rrustem Berishës edhe kësaj radhe e hasa atë konstatimin e njohur të poetit tonë të madh, Lasgush Poradecit, se poeti është “përgjegjës” për të gjitha ndodhitë shoqërore. Brenda kësaj “përgjegjësie” Rrustem Berisha edhe kësaj radhe e ngrit zërin kundër të këqijave të përgjithshme, në radhë të parë kundër keqpërdorimieve dhe shfrytëzimit të pamëshirshëm të njerëzve dhe padrejtësive të mëdha shoqërore që po ndodhin sot në jetën tonë të përditshme, në Kosovën tonë të lirë…
Duke vazhduar më tutje leximin e kësaj poezie njeriu mund ta përjetojë edhe ndjenjën sublime të dashurisë së pastër njerëzore, dhembjen për fatin e mërgimtarit, kujtimin mallëngjyes e melankolik për kohën e rinisë e, besa, edhe për atë nga mosha e fëmijërisë. Në këtë aspekt në poezinë e Rrustem Berishës gjejmë vazhdimësi të traditës sonë poetike që nga poezia melankolike e Ndre Mjedes e, mbase, edhe ajo e Lasgush Poradecit.
Në veçanti, do të theksoj edhe kësaj radhe se Rrustemi është poet fort i frymëzuar që ka një qasje interesante ndaj botës së fëmijëve. Duke evokuar kujtimet e tij të bukura nga fëmijëria e tij, ai ofron imazhe të bukura për jetën e një brezi të tërë dhe u ofron lexuesve të sotëm një njohje të plotë për të kaluarën, e cila, me gjithë varfërinë e skamjen, kishte bukurinë e vet, të cilën e përjetonin fëmijët e asaj kohe.
Duke mos dashur t’i përsëris ato që i kam thënë në vlerësimet për tre përmbledhjet e mëparshme të poezive të Rrustem Berisës, në fund do të konstatoj se poeti ka mbetur si gjithnjë i afërt me lexuesin, me një qasje fort modeste ndaj poezisë së tij, që e minimizon me anë të një metafore fort të rrallë, por kuptimplote: ai i quan “thërrime”, por ato ofrojnë ushqim të plotë për të gjithe ata që din ta shijojnë “bukën” e “sofrës” poetike, e cila mbetet përgjithmonë e shtruar, si për shtegtarin e rastit, ashtu edhe për mikun e shtëpisë…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura